Erind Bilushi, një inxhinier pyjesh, ikur prej vendit në mërgim pak vite pas rënies së murit totalitar, në krye të herës fillikat si shumë e shumë të tjerë, por më pas, edhe me familjen, me dy fëmijët atëbotë në klasa të gjimnazit; kishte gjetur më në fund një rutinë jete, aq sa mund te quhej e tille jeta e një kryefamiljari në dheun e huaj.
Prej pesëmbëdhjetë vitesh ishte punëtor i thjeshtë e më pas, me konvertimin e diplomës, në vendin fqinj, një specialist në kompaninë e gjelbërimit në kryeqytetit helen. Në ditët e para kur kërkonte punë, nuk e harronte skenën me punëdhënës vendas dhe përgjigjet e patriotëve të tij që e cytnin të paraqitej me një tjetër emër që të mos tingëllonte si mysliman. Qindra e qindra nuk i kishin ‘ndërruar’ emrat?
Secili prej tyre që, kishin emra me tingëllimë tjetër nga vendasit, fillimisht prezantoheshin me një emër të një shoku, a bashkëqytetsi apo që e kishin dëgjuar
dikund dhe, Petriti bëhej Petro ose Perikli, Arjani në Jani, Zeneli në Ziso, Agim në Areteo, Dritan në Llambo apo Harallamb, Raiti në Perikli, e kështu me radhë. Erind Bilushi, jo. Madje për këtë, jo pak shokë të tij e klasifikonin si ‘ kokëmushka’, Ato vite emigrimi ai nuk harronte sesi kjo sjellje prej ‘kokëforti , (*mulari *..gr.) e bënte anakronik.
Një ditë në pritje dhe kërkim për një punë krahu, papritur vuri re se makina e të huajit ndaloi dhe pronari i interesuar për një punëtor në sipërmarrjen apo vilën e tij, nisi të pyeste grupin e patriotëve të tij:
-Si e ke emrin? …….
Shumica paraqitej me emrin e remë ‘pagëzuar’ nga vetë ata: kinse Petro, Apostol, Thoma, Filip, Nikolla, Niko, Spiro, …
Punëdhënësi grek buzëqeshte i menduar..
–
E di që nuk e ke kështu emrin por nuk ka rëndësi, rëndësi për mua ka puna ,- tha i huaji që iu drejtua personit që pothuaj nuk fliste.
-Si e ke emrin?
– Erind. Shkurt, Eri.
-Ti, do vish me mua., Eri.-dhe kish nisur punë tek ai për shumë kohë duke edhe sigurimet shoqërore të paguara.
Ndoshta rast teorik, por është i njëmendtë dhe real .,- i përgjigjej habisë së ndonjë
miku prej dheut të tij, Erindi.
***
Erdh një vit e një çast dhe inxhinieri kuptoi, aq sa mund të kuptonte për së largu, se në vendin tij më në fund po ndryshonin dora-dorës shumë gjëra. Në qeverisje, në investime, në mirëqënie. Më në fund kuptoi se një shkallë besimi e brishtë kish nisur të mbinte në dheun e origjinës ku farat e jetës thoshte dikur ai me kolegët pylltarë, e kane vështirë të rriten, pa se për të mbirë, zoti, këtu ka qenë dorëlëshuar dhe mund të zënë e mbijnë pothuaj krejt bimet dhe lulet e botës, për shkak të tokës dhe mikroklimave.
Mes kësaj silloije ishte ulur për një kafe në një nga baret e qetë të kryeqytetit helen, kur thirrja e celularit e trandi. Ishte prefiksi i vendit të tij.
-Si jeni inxhinier? Jam Pal Mhilli jam, shoku i fakultetit dhe i stazhit në Tropojë. Si ke kenë? Familja?
Një turbullim i brendshëm ia fashiti dhe pothuaj ia fshiu krejt si me një dorë të padukshme tisin e trishtimit që e kishte pushtuar me parë tek pinte kafen, vetmitar, poshtë hijes që kishte krijuar nje tendë gjigande mani ne oborrin e bar kafes.
Pasi shkëmbeu përshëndetjet në dialektin e trevës së atij tjetrit, një zakon i pëlqyer prej tij nga koha e stazhit disavjeçar në qytetin verior sa herë fliste me’
bashkëpatriotët e asaj treve, Erind Bilushi ia ktheu:
-Po të ndigjoj çka po thue.
-Këtu ka fitu prej pak kohe siç ti e di besoj, Koalicioni i Ri dhe Ministrinë e Pyjeve dhe Kullotave e drejton tash e tutje, partia ku unë baj pjesë e cila ka një qasje mirëkuptuese për kuadrot e dikurshme qi kanë nji barrë eksperiencë dhe janë tash ma t’aftët me zbatue strategjinë e re të pyjeve dhe kullotave. Sipas kërkesave që së shpejti kanë me u zbatue edhe në kët fushë, përkitazi me ato të BE-së, ku duem me hy, janë të mirpritun inxhinierat që kanë mbaru në at sistem politik të dikurshëm, por kanë aftësinë dhe eksperiencën që s’e ka kush nga të rinjtë.
Kafja ishte ftohur prej kohësh dhe kamerieri kishte mbushur për së dyti prej kanës së qelqtë të ujit të ftohtë gotën e klienti që po fliste e fliste në telefon.
-I dashtun Pal, e bukur besa gjithësa mthu, por unë, nji emigrant , tash inxhinhier pyjesh e kullotash që kam nji punë në profilin tem në dhe të huej, ku hyj unë në këto strategji që me thanë të drejtën ma ban edhe mu zemrën behar?
Tjetri si ta kish përgjigjen majë gjuhe i kujtoi se gjithmonë se Erind Bilushi ka qenë i vlerësuar kudo ku shërbeu si inxhinier, kryeinxhinier dhe drejues i
ndëmarrjes së pyjeve dhe kullotave.
-Je i mirpritun me fillue punën si drejtues i pyjeve e kullotave në rrethin tand jugor e ma pas, pse jo, edhe në ndonjë drejtori n’Ministri. Për kët’ ka dijeni edhe vet zoti Ministër. Ai ka ndigju për ty prej propozimeve tona dhe studimeve që ke ba për pyjet e Dragobisë, të luginës së Valbonës, për dukurinë e proçesionares ndër pisha e të tjera…
Pasoi një grimë heshtje.
Erdh një vit e një çast dhe inxhinieri kuptoi, aq sa mund të kuptonte për së largu, se
-Tash mbetet vullneti yt me vendosë, se e di fort mirë që me lëvizë prej nji shteti drejt vendlindjes, nuk asht punë e lehtë… Por kemi me komunikue n’vijim, Ky asht numnri i ri i emi në punë ktu në dikaster. Numrin personal ta nis pas pak. Të fala zonjës suej prej meje dhe familjes seme…
Erind Bilushi u step një çast dhe u zhyt në kujtesën e largët. Miku i tij i kishte shfaqur shpejt e shpejt si në një ekran, memorien e kohës së rinisë, vitet më të
bukurat e jetës së tij ku kishte lënë jo pak por pesëmbëdhjet mote. Të mbushura me vështirësi por edhe vite të punës si inxhinier pylltar ku e donin dhe respektonin si djalë vendali dhe ku krijoi familjen e lindi fëmijë, ku një kafe me kolegët dhe bacën e valleve të asaj treve, nuk e këmbente siç thoshte aso motesh, as me një kafe në Kullën Heifel në Paris.
I gjatë dhe i drejt si një basketbollist, gjithkush që nuk e njihte inxhinier Erindit e merrte natyrshëm për një djalë vendali në qytetin verior.
-Alo inxhinier? -u dëgjua nga telefoni tjetër.-Aty je? Apo u pre linja? Kujtova se u pre…
-Jo, këtu jam, i dashtun miku im i shtrenjtë. Këtu jam, por më përpive në vitet ma t’bukura të jetës seme në veri. Sepse ti e ndjen ma mirë se kurkush që unë jam edhe tropojan.
***
Kishin rrjedhur vetëm disa muaj kur moti i ri e gjeti ne atdhe inxhinierin. Dilema në bisedat me gruan nëse ishte pikërisht koha për t’u kthyer, tani që fëmijët vijonin shkollat e larta, ishte kthyer në vendim. Kish nisur tashmë punën në krye të ndërmarrjes së pyjeve. Nga personeli i dikurshëm inxhinierëve, teknikëve dhe punonjësve të tjerë, kishin mbetur pothuaj vetëm një grusht. Qeveria e Koalicionit të Ri kish shpallur me të madhe devizën si qeveri në dietë. Shkurtime dhe heqje e hallkave të vjetra. Një administratë në dietë, operacionale dhe efiçente, thuhej e shkruhej në sloganet e reja të dikasterit. Këto propagandoheshin ngado. Në TV publik e private mbirë ngado, në gazeta, në radio.
Nuk kishte shkelur ende në muajin tretë të punës kur dikasteri njoftoi për një mbledhje urgjente me të gjithë drejtuesit e ndërmarrjeve.
Në sallën e madhe të katit të parë të dikasterit, një godinë madhështore e trashëguar nga koha a monarkisë, fjala e zotit Ministrër ishte e thukët dhe pa hyrje-dalje e perifrazime të mëdha. Në njëzet e pesë minuta të kësaj fjale përshëndetëse dhe direktive për vitin e ri që sapo kish hyrë, Erindi numëroi plot njëzet e pesë herë togfjalëshat: qeveri në dietë, dikaster në dietë, ndërmarrje në dietë. Fraza e fundit e ministrit niste me një urim dhe përfundonte me sloganet
e dietës dhe shkurtimet në organikë që duheshin bërë realitet me emra fill pas kësaj mbledhje me rëndësi.
-Dhe tani duke ju uruar suksese në reformën e re që kemi hyrë, secili nga drejtorët e rretheve duhet të kalojë në zyrën ngjitur ku sekretarja do të mbajë shënim ne kompjuter të gjitha shkurtimet që ju mendoni të bëni sipas këtij orientimi të qeverisë në dietë.
Me një gjest prej lideri ai i hodhi një vështrim sallës së madhe të mbledhjes, duke marrë pozën e një babaxhani.
Deklaroni pa asnjë hezitim me emra: pesëdhjet përqind të personelit që do të shkurtoni nga puna në sektorët tuaj sepse tani, me qeverinë në dijetë, do forcohet ku e e ku më shumë, ekonomia dhe vetë vendi ynë….
Erindi pati rastin e lum të dëgjonte shkurtazi vizionin e kolegëve, domethënë të drejtorëve në rrethet e tyre mbi objektivat e vitit. Kur e mori vetë fjalën u ndal në frenimin e dëmtimneve në pyje ku firmat e qymyrdrurit po bënin kërdinë duke prerë pyje e duke nxjerrë qymyrdruri për eksport në vendet fqinje me të cilat siç tha ai, me qymyrin e pyjeve tona të dhëna me leje si zona të degraduara, po piqen paidhaqet e bërxolla në vendet fqinje dhe ne çdo vit bëjmë inventarin se sa hektar pyje kemi më pak nga viti i kaluar.
Po kjo, as më shumë e as më pak, ishte një bombë e hedhuir në sallën madhështore ciflat e së cilës ciknin drejtoritë e Ministrisë dhe larg qoftë, edhe vetë kreun e saj me pamje lideri.
Pas fjalës së tij në sallë ra një heshtje që u pasua me një valë pëshpërimash sepse shigjetat e kësaj dukurie shkonin lart, në dikaster pa përjashtuar zotin Ministër. Në vesh iu përsërit fraza e fundit e titullarit më të lartë dhe shpjegimi se atij i duhej siç tha të largohej pasi zhvillohej mbledhja e qeverisë në dietë dhe ai ishte anëtar i kësaj qeverie.
” Dhe tani duke ju uruar suksese në reformën e re që kemi hyrë, secili nga drejtorëve do të kalojë në zyrën ngjitur ku sekretarja do të mbajë shënim ne
kompjuter të gjitha shkurtimet që ju mendoni të shkurtoni sipas këtij orientimi të qeverisë në dietë. Deklaroni pa asnjë hezitim me emra cilët do të shkurtoni nga sektorët tuaj sepse tani, me qeverinë në dijetë, do forcohet ku e e ku më shumë ekonomia dhe vetë vendi ynë
…” Pas një pushimi të shkurtër, Erindi po priste në radhë para në korridor portës së sekretares. Nga brenda dëgjohej zëri i sekretares:
-Hajde, Elbasani, pastaj Kukësi, Shkodra dhe jugu me radhë…..
Inxhinier Erindi priste në korridorin gjigand pranë derës së hapur të thirrej me emër. Në vesh i hynin fjalitë:
Sa punonjës keni ju sot gjithësej si ndërmarrje?..
Tjetri prëgjigjes për shifrën.
Pastaj dëgjohej: Hajde , sa do të shkurtoni me emra ., një për një..siç tha Ministri
….
Dialogu vijonte nga i pyeturi. Do shkurtohen në organikë: Niko Nikuli, Parim Bardhi, Sokrat Zvërneci, Zana Balloma…
-Tjetër zotni? -dëgjohej korridorit zëri i sekretares.
Erindit iu shfaq imazhi i punonjësve të tij. Veç pak ishin ish kolegë të tij, inxhiniera dhe teknikë pyjtarë, njerëz me eksperiencë që vinin nga ‘ shkolla e kaluar’, sikurse ai vetë. Me disa kishte punuar për projekte pyllëzimi dhe kullotash. Dikur zona të tëra shkëmbore dhe shterpë nga gjelbërimi pas ndërhyrjeve me mbjellje fidanash, pak nga pak ishin bërë hapësira të gjelbëruara me pisha e bredha, me akacie e panja. Tani sipërfaqja pyjore ishte tkurrur e përgjysmuar në zgrip. Orekset e parallinjve, firma për prodhim qymyri ishin rritur vit pas viti në kurriz zë pyjeve, përsiaste në vendin e pritjes inxhinieri. Tani, në disa pjesë të zonave të pallëzuara me pisha kishin mbirë ndërtime të reja për vila duke prerë e kafshuar qindra e mijëra pemë.
Ishin arhondët e rinj të Shqipërisë.
Fillin e mendimit ia preu zëri i sekretares që çau boshin e mesores gjigande të dikasterit të gjelbër.
-Tjetri, zotni. Bohotina! Rrethi i Bohotinës! Mos na vononi, ju lutem se po shkon ora katër dhe nuk do të flemë në dikaster…Kemi edhe fëmijë.
Jashtë kish nisur një shi i dendur dhe afshi i tokës së Tiranës çliruar nga shiu i beftë, të hynte thellë në mushkri. I përhumbur Erindi e kish zhytur mendjen në
viset e tij atje larg.
-Bohotina! Rrethi i Bohotinës! – u përsëri që nga brenda.
-Urdhëro!-u dëgjua zëri i inxhinierit.
-Emrat që do të shkurtohen, ju lutem…
-Shkruaj!.-foli prerë drejtori i radhës.
– Erind Bilushi.
Sekretarja nisi të shkruaj me shpejtësi.
-Tjetër.
-Inxhinier, Erind Bilush i,- përsëriti rishtaz.
Tjetra heshti dhe vuri duart mbi tastjerën e kompjuerit.
-Ju lutem, ….Bilushi…. sikur ishte një person që diskutoi në sallën e madhe..
-Unë jam ai! Drejtor i ndërmarrjes së pyjeve dhe kullotave në rrethin e Bohotinës…Unë…
Tjetra e humbi pak toruan.
– Nuk kuptoj,-bëzajti sekretarja e bukur dhe shtoi.-Tjetër?
-Nuk ka tjetër,-tha burri i gjatë që qëndronte para saj me një ombrellë shiu në dorë.-Nuk ka,- dhe u nis drejt portës së madhe për të dalë nga kjo zyrë e cila iu duk se ia mori oksigjenin.
Përshkoi korridorin kilometrik të katit të parë dhe doli te shkallët jashtë fare pranë bulevardit Zogu i Parë. Në rrugë e trotuare njerëzit po vraponin dikush drejt stacionit të autobusit urban dikush t’i fshihej shiut që vijonte me rrebesh.
Erind Bilushi ndjeu t’i mbushej gjoksi me oksigjen dhe freskia sikur i solli ndjesinë e dikiurshme të malësive të Tropojës. Vijonte të ecte nëpër shi i
përhumbur e pa mendje duke mbajtur në dorë çadrën e mbedhur e të pahapur.
-U bëre ujë..po hape! .-dikush i foli nga streha e nje butiku në trotuar.
Inxhinieri vijonte rrugën nën shi i zhytur në pezmin e pak çasteve më parë.’ Pra, kjo na qenka edhe qeveria në dietë ! dhe në vesh i tingëlloi zëri i ftohtë i
sekretares së dikasterit:
Tjetri zotni.Rrethi tjetër!,Drejtori tjetër!…
I lagur nga xhaketa deri te këpucët inxhinier Erindi vijonte të ecte ngadalë trotuarit nën shiun e shtruar dhe kokërrmadh të Tiranës. Mendimet e gjithfarsojshme i dukej sikur i shkaktonin plagë në koren e shpirtit.
Ecte sikur shkonte në një takim imagjinar drejt stacionit të autobusit për në fakultetin e dikurshëm të tij.
Iu përhitën imazhe nga portretet e vajzave të bukura dhe djemve te atij fakulteti.
Çfarë po kërkon nëpër shi, zoti inxhinier? dëgjoi zërin e brendshëm. Në trurin e lodhur për herë të parë i vetoi mendimi nëse kishte kishte gabuar vërtet që ishte kthyer një vendin e tij.///
—oo0oo—