Një skicë nga LD-NY25 me diçiturën “El Matador”, autori ndjek paqëndrueshmërinë e ligjeve dhe institucioneve që ka prodhuar pushteti i kryeministrit Rama. Dy javë më parë tërësisht mediat pranë qeverisë dhe drejtpërdrejtë ATSH nënvizuan zemërimin e Ramës me AKU-n (Agjencinë Kombëtare të Ushqimit), dhe titulli goditës fliste për masa të rrepta dhe shkrirjen e institucionit të AKU-së me cilësimin:- “Të pezullohet urgjentisht, më shumë bën dëm se punë!”.
Konkretisht jemi dy muaj pas zgjedhjeve dhe procesi i zgjatur pa rezultat zyrtar të shpallur nga KQZ, ka “bajatosur”* sloganet e fushatës zgjedhore të Rilindjes Socialiste aq sa vetë shkarkimet nga detyra e punonjësve të administratës vendore dhe deri mbyllja e institucioneve shtetërore flasin për gjendjen e vështirë të Ramës për të tërhequr vëmendjen. Janë mbjellja e pasigurisë dhe e frikës për shumicën dhe më të dobëtit ato që karakterizojnë zhvillimet e fundit. Pushteti po kërcënon popullsinë me konfiskime produkti, gjoba kryesisht industrinë agroushqimore duke goditur pronën, prodhimin dhe përfitimet që rrjedhin nga puna dhe energjitë që japin njerëzit. Së fundi dëgjohet shpesh një term i ri për të ndjekur cilësinë e dobët në produktet ushqimore të prodhuesve vendas dhe sasive të skaduara nga importi që quhet gjurmueshmëri. Të mendosh se në tre mandate një nga drejtimet e ekonomisë siç është bujqësia dhe blegtoria veç përfitimit të miliona fondeve nga BE-ja, arrijnë të shkëputen nga hallkat e përgjegjësive shtetërore dhe specialistë dhe institucione të vetëshkarkohen dhe të mbyllen, kjo tregon qartë se kriza institucionale vjen nga mungesa e përgjegjësive dhe korrupsioni.
Të arrish që për shkak të krizës dhe prej keq qeverisjes të ekzekutosh vendime të papritura si “Të pezullohet urgjentisht, më shumë bën dëm se punë!”, të justifikuara këto si reforma pas zgjedhore kjo në vetvete përbën thelbin e VKM-ve të padobishme që kabinetet e Ramës kanë krijuar gjatë tre mandateve dhe janë përligjur përmes forcës së kartonit në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë situatë të re tejet të acaruar dhe larg realitetit, kur e vërteta fshihet e njerëzit nuk përballen për ta sjellur ndryshimin, ripërtypja e propagandës është nënshtrimi që i mban larg shqiptarët dhe Shqipërinë nga bota e qytetëruar.
___________
*bajat/bajatosur – jo i freskët, e përsëritur shpesh, e dalë boje
15 Korrik, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)