Agresioni rus në Ukrainë ka hyrë në vitin e katërt dhe nuk ka të ndalur. Shovinizmi
rus nuk njeh kufij, as norma ndërkombëtare.
Ndërkohë, sapo u krye thuajse një provë lufte në Lindjen e Mesme: një veprim
aventuresk apo një përllogaritje e gabuar mund të kishte aktivizuar, e pakta, lëndë
bërthamore.
Për të ardhur më afër në gjeografinë e pasigurisë, jo larg në kohë, dy vjet më parë,
forca paramilitare serbe, të planifikuara mjaftueshëm në shtabet e Beogradit për
nga numri, armatimi, pajisjet, rezervat, mbështetja dhe aftësimi luftarak, kryen
sulmin ndaj focave sovrane të sigurisë së Kosovës në Banjskë, me qëllim
provokimin e një fronti lufte me përfshirjen e gjithë makinerisë informative,
policore e ushtarake të Serbisë, për të justifikuar ripushtimin e Kosovës, ose të
paktën të pjesës veriore të saj.
Ndërkohë, Serbia, krahas fushatës së ethëshme për të fituar “statusin” e të
ndëshkuarit pa të drejtë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, po armatoset
gjithnjë e më shumë me armë ofensive të siguruara nga Rusia dhe Kina.
Sapo është mbajtur Samiti i NATO-s, i cili shprehu një angazhim substancial në
shpenzimet për sigurinë dhe mbrojtjen: aleatët të rrisin shpenzimet deri në 5% të
PBB-së, çka tregon se kërcënimet ndaj sigurisë në botë pritet të jenë më të afërta
në kohë dhe më të mprehta në ashpërsi.
Dhe nuk është më sekret: Kosova është objektiv imediat. Presidenti i SHBA, para
pak ditësh u shpreh se ka ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.
Nuk është çështje akademike për të kërkuar si, kur, kush, me çfarë, e tj. E
rëndësishme është që kreu i shtetit më të fuqishëm aktualisht në botë, ndër tre
konflikte me pasoja botërore, përmendi atë Kosovë-Serbi. Duke folur më 10 korrik
në një ligjëratë në Uashington, Presidentja Osmani tha se kjo deklaratë e
Presidentit Trump, qartazi, u referohet “javëve të fundit” dhe se bëhet fjalë “për
zhvillime shumë, shumë të vona”.
Ky, pra, është kuadri i sigurisë në Kosovë.
Pyetjet që dalin për garantimin e kësaj sigurie janë të shumta dhe përfshijnë shumë
aktorë dhe shumë fusha.
Në radhë të paraë dhe vetvetiu, pyetja e parë i shtrohet të zotëve të shtëpisë,
institucioneve dhe popullit shqiptar të Kosovës. Nëse pranojmë që mbrojtja është,
në radhë të parë, ekonomi, atëherë do të konstatojmë se Kosova si vendi i dytë më i
varfër në Europë bazuar në PBB për frymë.
Nëse pranojmë që stabiliteti politik mundëson një stabilitet ekonomik dhe
rrjedhimisht stabilitet të mbrojtjes, atëherë fakti thuajse tronditës kur ende pas 46
orvatjesh nuk është konstituuar akoma Parlamenti i ri edhe pse ka kaluar pothuajse
gjysmë viti, atëherë do të pranojmë se të parat që janë prekur janë siguria e
mbrojtja. Dhe kjo ndodh pikërisht kur retë për sigurinë e Kosovës mbeten të errëta:
njohjet ndërkombëtare janë stopuar; raportet me aleatët e mëdhenj natyralë janë
lënduar; situata e sigurisë në rajon është e kërcënuar nga shumë aktorë e faktorë.
Prezenca e NATO-s në Kosovë është domethënëse. “NATO tani është shumë më e
përgatitur për të projektuar fuqi ushtarake, diplomatike dhe ekonomike në një
shkallë që kundërshtarët tanë nuk mund të ëndërrojnë ta arrijnë, duke penguar
kështu luftërat e ardhshme” – u shpreh këto ditë Sekretari i Shtetit Amerikan Marco
Rubio. Por, njëherësh duhet të mësohemi me prirjet normale historike se nuk ka
aleanca të përjetëshme, se edhe NATO nuk është e përjetëshme. Siç duhet të
mësohemi me parimin se për mbrojtjen tënde je përgjegjës në radhë të parë vetë, se
duhet të paguash edhe për mbrojtjen, si për çdo mall tjetër. Sigurisht Kosova ka
plane mbrojtjeje dhe ushtarake, ku janë bërë edhe investime dhe sigurim
armatimesh përkatëse. Organizmat përkatëse e dinë nëse janë të mjaftueshme për
t’iu përgjigjur të gjitha skenarëve të mundshëm.
Por detyrimi vjen edhe te Shqipëria. Jo për nacionalizëm të sëmurë. Është detyrim
kombëtar, kushtetues dhe moral për çdo paralele të tillë në botë. Është normale që
Shqipëria duhet të ketë plane mbështetjeje për shtetin dhe popullin vëlla të
Kosovës, pë më tepër duke qenë edhe antar i Aleancës Euro-Atlantike.
Çështja është se cila është fuqia e Shqipërisë për ta bërë këtë gjë jo si
deklaratë politike, por si faktor me peshë të gjithanëshme ekonomike, politike,
të sigurisë dhe ushtarake. Dhe faktorizimi fillon që me aktivizimin e niveleve
strategjike, përkatësisht të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Po Kuvendi i
Shqipërisë pse nuk del me një rezolutë për situaten e tensionuar?
Ndërkohë, është detyrim që, në këto kushte, Shqipëria, qeveria e saj, e mbështetur
nga opozita, do të duhet të alokojë buxhet të posaçëm. Përndryshe, të gjitha
përbetimet politike mbeten si fushatë elektorale.