Demo thithi edhe një herë thellë cigaren e bërë vetë nga kutia e alumintë që mbante në xhaketën prej shajaku të zi, si për ta çuar në palcën e shpirtit brengën që e mundonte.
-Ku është Bego?
-Jashtë, në kopsht,-tha gruaja që mbante në kokë një rizë prej fashoje të zezë dhe befas shtiu dorën në xhepin e libadesë si të kërkonte diçka që i mungonte.
Burri u ngrit nga minderi pranë oxhakut si ta kish pickuar ndonjë cfurk. Pa nga qelqet e ditares dhe u ul sakaq duke thithur me etje duhanin.
Dafina, e shoqja e lexoi menjëherë brengën në rudhat e ballit të të shoq që po vramendëte kaq shumë. Kishin një jetë të gjatë bashkë. Kishin ndarë pak gëzime, me lindjen e tre djemve dhe dy vajzave dhe shumë e shumë dhimbje e trishtime në këtë jetë.
Tani, ç’ishte kjo re e zezë që kish trokitur befas në shtëpinë e tyre. Nga vinte, mendonte Dafina apo Dafo si i thërriste i shoqi. Me luftë e dhimbje i kemi marrë ato pak gëzime kur fëmijët u rritën njeri pas tjetrit dhe tani na janë bërë si shokë të vegjël.
-Shko e foli Begos!-iu kthye gruas, duke hedhur vështrimin te retë e murme përmbi kurrizet e maleve që rrethonin fshatin.
Dafina la mënjanë furkën dhe boshtin që tirrte lesh dhe u ngrit vrik si një çupë e re.
Një grimë më pas në portë u shfaq Bego, djali i dytë i shtëpisë.
-Urdhëro, baba!
-Të bëhesh gati se nesër në mëngjes pa u zbardhur dita, aty nga ora katër, do të shkosh në këmbë qytet. Do marrësh me vete Larën. Do ia heqësh çokanen…
-Përse do shkoj? -pyeti i trembur, Bego.
-Do ta shpiesh Larën në thertore! Këtë do bësh!. Do e shesim! Atje do të të japin faturë për peshën e gjallë të saj dhe lekët do i marrësh në ndërmarrjen e grumbullimit…
Kjo ishte si një bombë që plasi papritur që nga kërcunjtë e hedhur në oxhakun dimëror.
-Korba!-thirri Dafo.
-Pse ta therim, baba?- pyeti Bego dhe lotë të hidhur nisën t’i rrëshqasin mbi faqe.
Burri me ballin e grysur si para një rrebeshi, nuk foli. U ngrit në këmbë dhe ndezi i heshtuar cigaren e radhës.
-E ke menduar mirë këtë punë, o burrë?- tha gruaja që ndjeu në shpirt një lebeti.
-Lara na ka rritur fëmijët.me qumështin e saj dhe viçat që kemi shitur çdo mot. E kemi si pjesëtare të shtëpisë. Ku do të gjejmë një xhezve me qumësht po iku Lara? Në dyqan të kooperativës?!…
Demo përtypte duhanin farmak nga bishti i cigares.
-Po moj grua, po! Po urdhëri a direktiva e partisë ku di unë, është të tufëzohen lopët edhe në fshtrat tona. Tani, në buzë dimri nuk kanë asnjë dorë zahire* (bar) për lopët e shkreta në tufëzat që duan të bëjnë.Po ata në të tyren, si ngaherë. Kush e kush të jetë i pari nga partia dhe pushteti i zonës sa për të marrë flamurin. Prandaj i dhashë këtë udhë, hallit.
-Siç duken bathët, këtej pula do të hajë gjithmonë stërrall. Ta shesim Larën edhe ato lekë t’i vëmë mënjanë. Më pas, nuk dihet si rrokullisen gurët. Do zoti e na bëhet mbarë për një lopë tjetër.
-Nuk e di o burrë. I ke bërë mirë hesapet?
Burri përtypi sërish farmak duhani nga bishtin i cigares.
-Këta, që kemi në krye këtu, duket e kanë mallkim nga qoftëlargu. Edhe zahire dimri nuk kanë, asnjë demek jonxhë e bar, edhe të thonë bjere lopën siç thotë partia, ta tufëzojmë!.
Gruaja hoqi në shpirt dhe djali dëneste ende.
-Edhe unë e dua Larën. Sikur m’u shkul diçka këtu, kur u thash ato fjalë,-dhe i ra fort gjoksit me pëllëmbën e madhe.
-Bëje djalin gati për udhë! Të ketë edhe bukë me vete.
Pastaj u kthye nga i biri.
-Të marrësh llabanen* (veshje e sipërme e barinjve në jug që mbulon kokën e supet, punuar me lesh dhie, pa mëngë,). Edhe çizmet se koha vjen për llohë* (mot me shi )- dhe vështroi i përhumbur tej nga Përroi i Milloshit dhe vargmali i Drimoit.
-Po shkolla?-belbëzoi Bego që ndiqte të mesmen bujqësore të krahinës .
-Do flas unë me ata, bir. Mos u bëj merak.
Demo i gëzohej përparimit të fëmijëve në shkollë. Madje kjo, ishte tema e preferuar e tij me Dafinën kur mbeteshin vetëm dhe qanin hallet. Dikur, për një fije kishte shpëtuar nga shpallja kulak nga autoritetet e asaj ane. Në udhën e fatit, gjatë Luftës, tre muaj si djalë i ri u gjend në radhët e nje çete të Ballit Kombëtar, por ky fakt, megjithë përfshirjen më pas si partizan në radhët e një brigade çlirimtare që pati shkuar deri në viset jugosllave ku edhe u plagos nga gjermanët, nuk ia kishte që nuk ia kishte lehtësuar damkën për tërë jetën e pasluftës, njëjtë si ato damkat me djegie në lëkurë të kuajve apo qeve të parmendës. Ato tre muaj, ia kishin shkruar si në një pllakë guri nga ato antiket për të mos ia harruar kurrë. Ndaj, ishte gjithmonë në rrethin e biografikeqëve apo siç thoshin ata të pushtetit e partisë lokale, Demo ishte shumë punëtor por “i lavosur’ .
***
Bego e kishte lënë goxha pas fshatin, kur në qiellin ku ende nuk ishin vizatuar shenjat e agut të ditës së re, ia nisën bubullimat e para të dhjetorit.
” Ec edhe pak, o Larë, hë xhan, ec se do na shkojë vonë!-nisi t’i fliste bashkudhëtares.
Bego, herë pas here fshinte lotët me kurrizin e dorës dhe herë të hera e përkëdhelte Larën në qafe e shpinë.
Asnjë nga ne nuk donte të të largonte nga shtëpia, Larë xhani, se je barabar në shtëpi dhe ne të kemi dashur shumë dhe me shpirt. Me shpirt të do edhe mëma, edhe Lefteri, edhe Sorkadhi, edhe Zoga, edhe Alketa e vogël që vete në fillore. Të gjithë, o xhan…..
Befas nisën pikat e para të shiut dhe agu i turbullt i një dite të re po shpërfaqej ngadalë në horizontin e turbullt.
Edhe pak edhe do vemi atje ku tha babai, o xhan i Begos. E keqja e shtyti edhe babain që dha atë urdhër të zi për të të…..shitur….aahhh -dhe fjala për të therur në thertore, nuk i dilte dot nga goja në bisedën me Larën e shtrenjtë.
Pikat e shiut u shtuan dhe Bego e hoqi llabanen nga supet dhe ia hodhi Larës në kokë e qafë, ia lidhi te brirët për ta mbrojtuir nga shiu i ftohtë. Ishte shërbimi i fundit që do t’i bënte kafshës së dashur edhe pse ky udhëtim i dukej si një pabesi që po ia bënte Larës.
-Edhe pak edhe erdhëm te vendi, Larë xhani. Ja, godina me drita ku është. Ajo përtej urës mbi lumë. Afër depos së lëkurëve. Edhe pak.Hë, xhan i Begos.
Befas shiu pushoi dhe Bego ndjeu se lotët e reve reshtën. Drita e një mengjesi të ri ishte shfaqur përreth, mbi lumin e ftohtë fare pranë, mbi kodrat rreth e qark dhe përtej nga lugina që përshkoi me emrin Hija e Sterrës.
Ai kishte qenë edhe herë të tjera në godinën njëkatëshe të thertores rrethuar me rrepe e plepa të gjatë. Por asnjëherë vetëm.Gjithmonë me të atin që e ndihte kur sillnin këtu ndonjë cangadhe apo viç mashkull.
-Hohoooo!- dëgjoheshin thirjet e kasapëve dhe ndihmësve të tyre që brenda oborrit të thertores ku një grusht me bagëti të imta ishin strukur në një qoshe mbuluar me llamarina të ndryshkuara tok me disa viça që po përtypeshin.
Kur njeri nga të thertores i bëri shenjë ta afronte lopën te peshorja e madhe, Begos iu mblodh një lëmsh i ri në gjoks.
-Qase edhe pak. Aty!-bëri njeriu i peshores që mbante në vesh një laps të gjatë kopjativ lidhur s’dihet pse edhe me një fije spangoje që i binte mbi kombinoshet.
Lara shikonte me sytë si filxhan nga djaloshi. Ai diçka i pëshpëriti duke ia përqafuar kokën. Sytë e mëdhenj të Larës iu duk se kërkonin ndihmë.
Njeriu me lapsin kopjativ shkroi diçka në një format blloku poshtë së cilës vendosi një fije karboni.
-Merre djalo! Është i dhimbsur malli i gjallë.Vetëm gojë nuk ka që të flasë.
Bego palosi faturën, e vendosi në xhep dhe u nis në qytet të merrte vlerën e saj.
***
Mesdita e gjeti në pragun e shtëpisë në fshatin malor.
E para gjë që i ra në sy Demos te i biri i sapokthyer nga qyteti ishin sytë e enjtur.
-He, si shkoi rruga, bir?
Bego nuk iu përgjigj por i zgjati një shuk letre brenda së cilës ishin lekët e thertores për vlerën e Larës.
I ai i përkëdheli kaçurelat me dhimsuri.
-E di që e ke peng, po të gjithë ashtu e kemi, bir!
-Më shihte me sy lutës sikur më thoshte: Bego, mos më ler këtu po merrëm në shtëpi…
Demo pa nga Dafina. Ajo fshiu me bishtin e rizës së zezë diçka në faqe. Ishte një sumbull loti.
-Dafo, djalin e ka marrë uria.-bishtnoi ai për të ndryshuar temë.
-Korba, se harrova,-tha gruaja duke u ngritur vrik duke lënë mbi një minder në mesorinë e ndënjies furkën e gdhendur me një shtëllungë leshi si retë e bardha tej nga Majat e Koronit.
