Me një 2% gabim njerëzor për rezultatin e zgjedhjeve dhe 5% të GDP-s për NATO-n shqiptarët fillojnë të kultivojnë ose të ndërtojnë modelin e tyre të një stabilokracie “pro perëndimore”, por jo një sistem demokratik dhe një shtet ligjor me pushtete të pavarura në Shqipëri që del nga zgjedhjet e lira.
Pikërisht për këtë Evropa dhe SHBA-të duhet të jenë të shqetësuara për Shqipërinë sepse çdo ditë e më shumë mediat ndërkombëtare kanë nën vëmendje “lulëzimin” e një narkoshteti në Evropë që gëlltit ndihma të firmosura nga këto vende dhe pasqyra demografike vit pas viti është më shumë turistë dhe fuqi punëtore e importuar se sa popullsi vendase që pakësohet në numër dhe mplaket.
Duke folur mbi bazë të disa shifrave zyrtare qoftë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe INSTAT-i publiku është njohur me grupe propagandistike shifrash që kanë ushqyer lajme të bujshme në media duke filluar që nga hartimi i buxhetit të shtetit për vitin 2025. Petrit Malaj, ministri i financave në seancën e aprovimit të buxhetit të vitit 2025 me 822,7 miliardë lekë shpenzime nga Kuvendi me 75 vota pro kundrejt 24 kundër të opozitës dhe me 34 amendamente të rrëzuara me forcë kartoni tregoi për qeverinë Ram 3 se:-“Kjo qeveri nuk është qeveri piramidash, por qeveria që garanton rritje të qëndrueshme ekonomike, me shumë mbrojtje sociale, më shumë investime publike dhe një qeveri që garanton më pak borxh për brezat e ardhshëm”.* Sipas shkallës krahasimore me vitin 2013 kur Rama mori pushtetin e deri në fund të 2024 kur ky buxhet thuhet se është 2 herë më i lartë dhe në vlerë 822,7 miliardë lekë shpenzime, ndërsa totali i të ardhurave në shumën e 754,6 miliardë lekë, kjo diferencë mes shpenzimit dhe të ardhurave që shihet të jetë 68,1 miliardë lekë. Vetëm për mbrojtjen buxheti shkoi 52,7 miliardë lekë çka do të thotë se arritja e kuotës së 5% do të kërkojë një mendësi qeverisje që është e orientuar nga politikat demografike së pari për të pasur një popullsi me moshë të re që qëndron në vendin e vet e lidhur me punën dhe pronën, një rini të shëndetshme dhe të arsimuar dhe e gatshme për t’i shërbyer në rast nevoje mbrojtjes së paqes apo edhe të territorit të vendit në rast lufte dhe jo të jetë e prirur për t’u larguar për mbijetesë apo edhe jetë më të mirë në emigracion.
Ndaj një qeverisje në tre mandate që punoi fort për shpopullimin nuk mund t’i rezistojë dot as afrimit me BE-në dhe as të mund të investojnë 5% të PBB-së gjatë çdo viti për kërkesat thelbësore të mbrojtjes NATO-s. As njëri dhe as tjetri duhet patur parasysh se nuk lëshojnë kur vjen puna për përmbushje detyrash dhe standardesh apo edhe t’i shkëmbejnë ato me ideologjitë progresiste dhe propagandën e një partie shtet siç ka ndodhur me rastin e Shqipërisë.
Pra as grupi me 27 vende të Europës* që motivohen nga qëllime të përcaktuara për lëvizjen e lirë, mirëqenien ekonomike, paqen, respektin dhe barazinë ku të drejtat respektohen, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës, përdorimin e një monedhe. Shqipërisë që kërkon të bëjë pjesë në BE duhet të punojë për t’u pajtuar jo thjeshtë në parim dhe afrim të njëanshëm politik me BE-në, por me të gjitha ligjet dhe vlerat e Bashkimit Evropian duke dhënë siguri që ligje dhe vlera të tilla të respektohen, ku puna që duhet bërë
është titanike dhe afati kohor që nevojitet po ashtu kërkon durim dhe kohë. Por edhe NATO si grupi i Aleancës Ushtarake të Mbrojtjes të Atlantikut të Veriut me 32 vende ka qëllimet e mirë përcaktuara dhe detyrimet dhe ku Shqipëria është anëtare që prej 1 Prillit, 2009.
Një 16 vjeçar ku data e pranimit e ka ndëshkuar me seriozitetin e angazhimeve të disa qeverive njëra pas tjetrës ku kreditë elektorale e dy forcave kryesore politike vihen përpara përgjegjësive dhe detyrimeve në këtë partneritet dhe aleancë ushtarake dhe ku fatkeqësisht qeverisjeve të Rilindjes Socialiste i bien 13 vite përkundrejt Partisë Demokratike që qeverisi 4 vite pas anëtarësimit.
Por le të kthehemi tek 5% i PBB i shpenzimeve për NATO-n. A i kishte parashikuar shpenzimet e 2025 për mbrojtjen qeveria Rama dhe takimin e NATO-s që vinte pas gjashtë muajsh?
Në plan të parë dhe në dukje duke u sjellë rrotull 2% dhe krahasimit me vendet e tjera anëtare Shqipëria duket në ecuri të drejtë karshi detyrimeve, por “the Trump-Bump 5%” (“Kërcimi-Tramp me 5%” angazhimi dhe rritja e pritshme deri në 2035 nga Presidenti i SHBA-ve Donald J. Trump), kjo shifër në rritje është një trazim ekonomik dhe politik për stilin e qeverisjes Rama.
Së pari, mënyra se si jo vetëm vazhdimisht zgjedhjet janë kryer në Shqipëri ku është thelluar rritja e vendeve të përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë të mazhorancës së majtë prej 12 vitesh duke goditur pluralizmin.
Së dyti, konsumimi i kësaj qeverisjeje në arenën ndërkombëtare që nuk mund t’i tregojë gjë tjetër veç se përfaqësimit të shtetit vetëm me një drejtues autokrat në vite.
Nuk është rasti që thjeshtë të tërheqim vëmendjen për të etiketuar atë që drejton qeverisjen, por mënyrën se si një kryeministër si Rama përpiqet me çdo mënyrë t’i ushtrojë influencat për të qëndruar në pushtet dhe propaganda që i frymëzon ato, kjo është çështja që i duhet mëshuar fort.
Vetëm në shkrepje me ose pranë Trump do të përkthehej në vulosje të zgjedhjeve të 11 Majit, 2025. Pa u çuditur kjo diçiturë është e paramenduar dhe teknikisht ajo ka dalë nga një kuadër (video frame), gjatë pozimit të një foto familjare të 32 vendeve anëtare të NATO-s në Samitin e Hagës ë Holandë gjatë 24-25 Qershorit, 2025. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte shënon me gisht nga e djathta e tij se edhe kryeministri i Kanadasë mbërrin për të plotësuar tërësisht pjesëmarrësit në foton familjare. Gjuha e trupit pak a shumë e flet këtë megjithëse hipotezat mund të japin interpretime të ndryshme. Disa prej tyre mund të motivohen dashakeqe ose që “duan t’i nxinë imazhin Shqipërisë dhe liderit të saj global”.
Megjithatë përtej komenteve dhe hamendësive ashtu sikurse duket qartazi që Rama nuk është duke mbrojtur koshin ku vë në veprim vetëm që të rrëmbejë vëmendjen me huqet e lojës së basketbollit, amatorizmi sportiv dhe politik i tij merr jetë në faqet e propagandës zyrtare të ATSH-s ku një kuadër shoqëron droiture “Hagë, Samiti i NATO-s vendosi unanimisht organizimin e tij në Tiranë në 2027″.
Këtë të bën imazhi mashtrues dhe propaganda, ngulitjen e momentit me rezolucion të lartë ta shesin se ky Samit u mblodh për atë të Tiranës në 2027, e jo për emergjencën rajonale të luftërave që zhvillohen si dhe angazhimit me rritjen 5% të GDP në shpenzimet për mbrojtjen.
Sigurisht që për hir të propagandës opinionit publik ju tha se Shqipëria pret Samitin e ardhshëm në vitin 2027, pas atij të Turqisë në 2026-ën çka do të thotë më shumë përgatitje për Ramën që t’i afrohet administratës amerikane në qoftë se korrupsioni i narkoshtetit nuk rrëzon parti-shtetin e Rilindjes Socialiste.
Paralelisht me përgatitjet për mbajtjen e Samitit të NATO-s Rama publikoi çdo një e nga një emrat e mandateve nga zgjedhjet e 11 Majit duke i quajtur “Skuadra Fituese Qytetase”, një strategji e njohur që shtyn psikologjinë e fitores dhe shton presionin ndaj institucioneve kur KQZ zhvillonte numërimin, gati një lojë e ngjashme ku butë-butë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka filluar shpërndarjen e mandateve për qarqet.
Do të kemi pra një mazhorancë me 83 mandate dhe aleatë të saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe një opozitë “të ndëshkuar” nga humbjet?
Kjo mbetet për të parë.
Gara e zgjedhjeve të 11 Majit, përveç pabarazisë tregoi një fenomen të rrezikshëm për demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Korrupsioni dhe narkoshteti i dha shenjat e tij të forta në ngjarjet e Shkurtit 2025, pas masës së arrestit të kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, ku kryeministri Rama zbriti në shesh modelin e makinerisë për grabitjen e zgjedhjeve. Në atë kohë UGSHPD* përmes një shënimi theksonte se izolimi i Ramës kishte filluar nga që regjimi i tij po ngjante me atë të Nikolas Maduros të Venezuelës. Figurshëm nëntitulli nënvizonte se “Rama fillon agjërim ndërkombëtar, ndërsa Veliaj një pagator nga burgu”, një skemë ku duket qartë përqendrimi i pushtetit në duart e autokratit Rama. Shumë kujt gjatë fushatës zgjedhore mund t’i kujtohet përcaktimi:-“…Kryeministri aktual nuk është asgjë më shumë se një marionetë e Xhorxh Sorosit. Nuk mund të jesh një marionetë e Sorosit dhe të jesh mik i SHBA, thjesht nuk është e mundur”*
___________
*ATSH buxheti për Vitin 2025
*https://www.voal.ch/ugshpd-turistet-dhe-trumpistet-qe-ka-nisur-te-numeroje-rama/aktuale/fokus/
*Chris LaCivita, Këshilltar i Lartë i fushatës presidenciale të Donald Trump 2024.
29 Qershor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)