(Nxitja e dialogut dhe e bashkëpunimit që nuk arrijnë samitet e Ramës)
Duke i konsideruar datat nga 12- 25 Maj, si dy javët më të gjata në zierjen e temperaturave me rezultatin zgjedhor dhe pritjen për certifikimin e zgjedhjeve, kjo kohë cilësohet në jetën politike të kryeministrit Rama dhe njëherësh drejtues i vetëm i mazhorancës së majtë shqiptare është edhe si agonia e pritjes se ç’do të ndodhë me pushtetin. Situata ndërkombëtare mbetet faktori kryesor i investimit për një mandat tjetër pas dymbëdhjetë vitesh në keqqeverisje për popullsinë shqiptare. Por mësimi i mbrojtjes së votës së lirë dhe analiza e detajuar e një sistemi zgjedhor të ngritur pa garë të barabartë dhe të ndershme mbeten alarmi për mbrojtjen e pluralizmit dhe demokracisë shqiptare pas 11 Majit, 2024.
Kujdesi për vetveten si lider global dhe çështjet formale e anësore, janë objekti i skicës nga LD-NY25. Kostumet elektorale shkuan në kremastarët e fushatave trofe dhe media ende sot pyetjet më kryesore i ngre duke parë forcën e pushtetit dhe tërësisht kritikat i sheh me defektet e opozitës. Në këtë vazhdimësi ushqimi informacioni media arrin të bindë publikun për rezultatet zgjedhore pa harruar se gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 mediat kryesore u bënë palë me partinë-shtet. U orientuan vetën në informacionin zyrtar pa guxuar ndjekjen e fakteve dhe ngjarjeve tronditëse që kishin shumë vlerë për votuesit shqiptarë brenda vendit dhe ata të diasporës. Në një farë mënyre ashtu sikurse policia kishte një angazhim madhor me sigurinë e garës çiklistike Giro d’Italia në etapën e tretë, po ashtu edhe një pjesë e mirë e gazetarëve pikërisht në javën e parë pas zgjedhjeve u përqendruan në informacionin zyrtar për zgjedhjet dhe e reja për t’u ndjekur ishte Sami ndërkombëtar i KPE-së në Tiranë. Pas disa deklaratave të pjesshme apo të nxituara nga disa udhëheqës të BE-së dhe Evropës, Rama shpenzoi kohë dhe jetoi kokëçarje, SHBA-ja mbetet leximi i vërtetë i standardeve të zgjedhjeve dhe ardhmëria e qeverive shqiptare.
Me Samitin KPE-së ishte e vështirë të gjeje mesazhe të forta politike. Ky takim ndërkombëtar përveç shpenzimeve dhe qetësisë së pushtetit për pozitën pas zgjedhore në veçanti ishte një formalitet.
Në rastin kur media shqiptare duhej të shpërthente për çështjet kryesore me zgjedhjet, shkeljet dhe protestat e opozitës, rolin e qeverisë në zgjedhje etj. koha tregoi që rruga më e lehtë edhe për shtypin dhe median pranë qeverisë ishin zgjedhja e një rruge që u pajtua me heshtjen.
Fakti që Rama ka evituar prej muajsh daljen në një konferencë shtypi përballë gazetarëve dhe bëhet i pari që thekson se Samiti KPE-së u ndoq në çdo çast “nga 800 gazetarë dhe grupe mediatike”, na jep të kuptojmë se çfarë ka më shumë rëndësi për një kryeministër që do të vazhdojë dhe do të përligjë qëndrimin afatgjatë në pushtet.
Rreth raportit paraprak të OSBE/ODIHR, pyetjes së një gazetari për gjetjet e parregullsive dhe shkeljet , kryeministri Rama iu përgjigj se:-“Më duhet të them që ajo çfarë cituat, janë pak fjali të një deklarate shumë më të gjatë e gjithëpërfshirëse që përshëndeti zgjedhjet shqiptare, dhe iu është referuar akuzave në raportin paraprak. Dhe raportet paraprake hartohen që të kontrollohen më tej dhe që të ballafaqohen me prova. Kështu që do të thoja që në këtë drejtim …zgjedhjet në Shqipëri janë shprehja e vullnetit të popullit 100%, jo 99%. Për pjesën tjetër, çfarëdo që duhet përmirësuar, do të duhet të bëhet, pa diskutim. Këtë kemi bërë, zgjedhje pas zgjedhje. Kështu e kemi përmirësuar procesin tonë, që nuk është ende si në Danimarkë, po është më i mirë se si ishte, dhe në pajtim me standardet e OSBE/ODIHR”.
Në qoftë se Rama për raportet paraprake të hartuara nga OSBE/ODIHR, kryeministri kërkon të blejë kohë në mënyrë që të dalë në pah kontrolli dhe ballafaqimi me prova, kjo është një mendësi e frikës për shkak të shtrirjes dhe zgjerimit të sistemit të korruptuar. Një dalje jashtë kontrollit ku transparenca dhe informacioni i vërtetë në media, ndjehet se mungojnë në shumë drejtime të jetës së shqiptarëve dhe problemeve të tyre. Edhe pse Samiti do të ishte frutdhënës për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimin, në lidhje me mediat ai mbetet një konstatim numerik në pjesëmarrje dhe mbresash, pa prekur thelbin, daljen përballë gazetarëve. Një veprimtari e shumëpritur që po mungon prej muajsh dhe vitesh.
24 Maj, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)