(Shënim nga një ditë dimri në JANINË, në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës. Në Shqipëri nuk kemi ende një Muze për Ali Pashë Tepelenën.)
Sa më shumë lexon për Ali Pashën, aq më tepër të del në pah figura komplekse, e tij.
Si tiran? Po edhe si hegjemoni i parë shqiptar sikurse kanë vënë re me të drejtë, me studime të thelluara autorë të respektuar si Dorian Koçi, Irakli Koçollari, etj.
Më tepër se jashtë, brenda kështjellës këtu në Janinë fryjnë fryjnë erërat e historisë dhe legjendave
Në mjediset dhe objektet e trashëguara deri sot prej kohës së shkëlqimit të Pashallëkut të madh, kam ndjesitë se ende, tek qëndroj pranë këtyre mureve dhe rënojave, pas dyqind viteve, këtu buzë liqenit të Janinës dhe më shumë te këto mure, tunele e e porta të larta, ndihen si pëshpërima, zërat e kështjellarëve, konsujve të huaj, dërgatave, agjentëve, hafijeve, tregëtarëve, argjendarëve me famë, banorëve myslimanë, të krishterë dhe hebrej, femrave bukura të haremit dhe… roje, roje, sa shumë roje…
Është një ditë dimërore me re por pa shi.
Në mjediset e brendshme të Kalasë së Pashait në Janinë, mund të fiksosh përtej pluhurit të historisë, objektet kryesore/Monumente kulture/ në ruajtje maksimale.
Këtu, sheh pothuaj çdo ditë të vitit, vizitorë nga çdo vend i botës, studjues, historianë njerëz të letrave, etj., që intrigohen rreth kësaj figure unikale dhe epokës së tij.
Po i prek si me orë tani tek po kaloj PORTA. XHAMI. MUZE. MUZEU BIZANTIN. THESARI. KISHA E SHËN ANARGJIIRIT. XHAMIA E ASLLAN PASHËS. BIBLIOTEKA TURKE. BANJAT BIZANTINE, HAMAMI. XHAMIA E FETIQESË. KOMPLEKSE NDËRTIMORE.
Dhe, padyshim AI, VARRI i famshëm i tij.
Bëj foto te banesa e fundit e Tepelenasit me famë.
Dhe i afrohem si në një homazh..
Këtu, nuk ke sesi të mos ndërmendësh varget e Kadaresë së madh.
“Koka në Stamboll, trupi në Janine,
Të vranë. Ali Pasha, të grinë…”
***
Të rinj, familje me fëmijë, të dashuruar, nxënës, studentë, të gjithë vizitorë të zë syri gjithandej në kala si në një pelegrinazh turistik.
Si njeri, që kam lindur dhe kam kaluar fëmijërinë pranë mureve të kalasë tjetër të Aliut në vendlindjen e tij në Tepelenë, përmbi Vjosë; pak ditë më parë e vizitova atë Kala.
Pashë që po realizohej më në fund një tjetër projekt rehabilitues, në mjediset e brendshme të Kalasë, këtij kompleksi monument kulture i kategorisë së parë.
Uroj, që të përfshihet këtë herë edhe Muzeu i munguar i Aliut, që qytetin ku sot, ka vetëm një bulevard kryesor me emrin e tij por, jo një muze.
Dhe ai, quhet Ali Pashë Tepelena (jo: Ali Pashë Janina).
“…Një varr i vetëm s’e nxinte dot lavdinë,
Lavdinë bashkë me mizorinë..
Në varrin ( ose gjysmëvarrin) e Tij në Janinë, në këtë kala ku po shkel këmba ime, objekt ende i studimeve të pambaruara dhe pelegrinazheve të pafundme, nuk më zë syri të ketë një pllakë në terren, të plotë, me të dhënat (kuptohet, jo si hegjemoni i parë shqiptar) por si protagonisti i këtij universi historik që tani, flet nga gurët, muret, portat, bedenat, frëngjitë, xhamitë, korridoret dhe sallat e pritjes, kësaj urbanistike dhe qytetërimi të gurtë…krejt këtu pranë në Liqenin e Janinës , ku u shënua akti i fundit tragjik i jetës së tij, në Ishullin e Shënpandalejmonit ku dha frymën e fundit për të udhëtuar më pas, përtej kufirit të legjendës drejt Stambollit, si një shpirt që do të qetësonte frikërat e mëdha e Perandorisë.
“Midis dy kontinentesh gjerë e gjatë i shtrirë,
Si një mal ku era fryn e ulërin stuhia.
Zbardh mjekër e rrallë si bora në brinjë,
Si mjegull te koka të rri Vasiliqia.”
Duke menduar këto, para një monumenti kulti në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës në Janinë, m’u përhit Kalaja e Tepelenës ku shpesh në fëmijërinë time në lojëra, kam gjakosur gjunjët dhe ku sot po punohet besoj për një tjetër qasje për trashëgiminë materiale historike.
Në Shqiperi nuk kemi ende një Muze për Ali Pashë Tepelenën!
Befas, nisën pikat e shiut dhe ngrita sytë nga qielli duke folur me zë, me veten time :
– ZOT, boll kemi vuajtur nga varfëria e mendimit dhe vizionit !…//
(Fotot: arkivi personal Sh.Hajno)///



