VOAL- Presidenti i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane me qendër në Nju Jork, veprimtari kombëtar Esad Rizai, më 16 korrik 2013, i ka dërguar një letër kardinalit Timothy Dolan, ku i shkruan se Fondacioni i drejtuar prej tij e mbështet dhe inkurajon me gjithë zemër procesin e shenjtërimit të Nënë Terezës.
Z. Esad Rizai thekson më tej se Nënë Tereza, bija më e mirë e Shqipërisë, ishte një model i vërtetë për njerëzimin dhe një shembull fantastik i dashurisë për të gjithë ne. “Ajo ia kushtoi gjithë jetën e saj njerëzve më të varfër dhe më pa përkrahje, shkruan z. Esad Rizai ndër të tjera. Ne i kushtojmë vëmendje veprimtarisë së saj jetësore për t’ia kujtuar botës se shembulli më i mirë i përvujtnisë së krishterë dhe dashurisë i Shekulli XX duhet t’i bashkohet rangut të njerëzve që ndikuan në religjionin katolik dhe në rrfashin politik.”
Njëkohësisht z. Esad Rizai ia bën të ditur kardinalit Timothy Dolan se Fondacioni i Shoqërisë Shqiptaro Amerikane dhe Bijë e bijat e Shqipërisë në Amerikë ia arritën që një segment i Rrugës Kryesore të merrte emrin “Rruga Nënë Tereza” dhe vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar shqiptarët e atjeshëm në frymën dhe modelin e dhënë nga Nënë Tereza.
Më 2 gusht 2013 kardinali Timothy Dolan i kthen përgjigje z. Esad Rizait ku i shpreh përkrahjen dëshirës që Nënë Tereza të shenjtërohet. Meqë Arkidioqeza e Nju Jorkut nuk është promotore e kësaj çështjeje, sqaron ai, mundësia për ndihmesë është e kufizuar. Kardinali Timothy Dolan i rekomandon me kënaqësi z. Esad Rizait që t’i shkruajë për këtë çështje Reverendit Brian Koldijechuk dhe duke ia dhënë adresën e tij.

