Është përvjetori i Radio Kontakt. Nuk dua të shkruaj gjatë ashtu sikurse më vjen të shkruaj në një rast si ky. Dua të theksoj vetëm se kjo radio shënoi rastin më unikal të lidhjes midis një medie dhe publikut. Një lidhje e tillë ishte e pashoqe. Veçanësia tjetër ishte pasioni i shndërruar në heroizëm i stafit të gazetarëve. Njohëm sulme diversive, luftë guerile, sabotim, rrethime me forca policie, kërcënime verbale dhe fizike me armë, survejime, arrestime dhe burgosje. Nuk u trembëm kurrë, nuk u smbrapsëm kurrë. Ishim aq të pasur sa nuk e shitëm kurrë shpirtin dhe të vërtetën për bukë. Radio Kontakt qëndron në kulmin e artë të vlerave edhe për kontributin e saj në luftën e Kosovës. Ndihmat që siguruam nëpërmjet qytetarëve nga e gjithë Shqipëria ishin të jashtëzakonshme. Gjithashtu strehuam qindra familje kosovare. Sot ky akt përbën krenarinë e jetës time dhe të Radio Kontakt.
Kjo ditë më kujton gjithashtu dy miq prej diamanti njerëzor, pronarët dhe themeluesit e kësaj radioje: Riza Rusi dhe Agron Bala. Zoti i pastë në paqen e vet.
Kam falenderimet më të larta të mundshme dhe mirënjohjen më të thellë për kolegët e mi që më rrethuan me dashuri, nder e madhështi.
Përulje të përjetshme para altarit të dëgjuesve të mi.