POEMTH PËR GJYSHEN
Pëllëmbët e tua, të vogla,
Shenjtërojnë çdo gjë që prek.
Shenjtërohen fustankat belholla,
Edhe arnet e kopsat, kur qep.
Gishtat e tua shenjtërojnë,
Lakrorin përqark me tegel.
Me hatër, tinëz, mashtrojnë,
Kulaçit, me lek, i vë shenjë…
Dimrave me erë të ftohtë,
Fishkëllimat unë ia përqesh.
Kam çorape e bluzë të ngrohtë
Nga gishtat e shenjta, peshqesh.
1970
NËNA
Ende më pret tek pragu i portës.
Duart, nën përparëse, sikur fsheh diçka.
Njëlloj si nënat e Mëhallëve të Botës,
E mira, e bukura, e dashura.
Ndodh që kthehem vonë nga puna,
Pret dyshimzemërdredhur.
“Ah, im bir, pi raki me çunat,
dhe nget biçikletën, i dehur!”
Në ditët me erë, dëborë e shi,
Ajo del e pret tek kthesa e madhe.
Bën kryq kur gjëmon e shkreptin,
Kërrusur, si nënat, e ngarkuara me halle.
Njëmijë këshilla mban në gjuhë,
Pret të kaloj pragun e portës.
Por, oh, sa shpejt, i ikën ai duf,
Njëlloj, si nënave, në Mëhallët e Botës…
TI
Ti,
po të duash,
bën mrekullira.
Për shembull:
të hirnuarën xhaketë e qep sërish,
nuk zemërohesh kur shkruaj marrëzira,
m’i beson gënjeshtrat me bisht.
Ti,
po të duash,
i shumon bukët,
ç’magji i bën miellit Perëndia s’e di.
Për shembull:
sa u njohëm,
u shumuan lugët,
u shumuan pjatat,
karrige e tepsi.
Ti,
po të duash,
bën të tjera mrekullira,
mrekullitë e tua dallohen që larg.
Për shembull:
kur unë harboj nëpër poezira,
ti bën sikur s’sheh e s’mer inat…
2011