E braktisa botën e madhe të shkrimeve
me mehlemin e ambël
të andrrave fluturuese,
nëpër dit e vite
nga hapi të paarrime,
Kohën e bana leckë.
Të pluhnueme e mora nëpër kamb
e shtyva me stekë.
Për shpirtin e bamë vagabond
rrugve kërkova lmoshë dashunije
me sy lakmues, por buzë të ndryme,
me zemër të ndezun, por me ball krenar,
asnji knaqsi.
Unë e paskam zemrën pesë grimcash të coptueme!
Prandaj e paskam ndergjegjen e cungueme,
Prandaj e paskam shpirtin e helmuem,
Prandaj e paskam hapin e frenuem.
Gjithë ai gjak që më asht derdh
Si tamel i vluem në pakujdesi amvisje.
Kalanicat po ua mbush,
gjuhën pa ua ambelsue
nanave pa djem,
grave pa burra,
motrave pa vllazën,
fëmijve pa prind
lotët ndër sy pa ua ter.
Po ndjersën e derdhun si shi
malin me e ba fushë,
shkambin me e zbut,
rrket e rrepinave
me gardh me i pengue.
Rrkeja pa mshirë asht t’ue ma përbi.
Hana tinzare rrnqethje më zgjon,
dielli meit me hosten po më shpon.
Të tharbët kush të hodh?
Shtriga magjistrica?
Kurr s‘e kam besue.
Por tash jam bind:
Mjalt rinor pse m‘u bane uthull?
Nga nji kand veprojnë.
Rrëshen- Mirditë,1971