I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë.
Amra Zejneli-Loxha
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, Escobar thotë se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.
Escobar, po ashtu, thotë se formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë është obligim, si për Kosovën dhe Serbinë, ashtu edhe për BE-në që e ka ndërmjetëusar negocimin e tij.
“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, thotë Escobar.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, faleminderit për intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë në Prishtinë! Si ka qenë vizita juaj deri më tash në Kosovë?
Gabriel Escobar: Sikurse të gjitha vizitat e mia në Kosovë, ka qenë shumë produktive. Dua të filloj duke thënë diçka që e kam thënë në njërën prej intervistave të mia të fundit. Ne e konsiderojmë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor pjesë të komunitetit transatlantik. Ju, thjesht, nuk jeni pjesë e strukturave formale, por, në çdo mënyrë, ju konsiderojmë si partnerë të rëndësishëm dhe si anëtarë produktivë të komunitetit.
Sa herë që vij këtu, takohem me udhëheqës biznesi, takohem me shoqërinë civile, takohem me udhëheqës të rinjsh. Këtë e kam bërë edhe këtë herë. Ata, vërtet, kanë përforcuar mendimin tim dhe të Qeverisë sonë se Ballkani Perëndimor është më shumë një mundësi për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara sesa një rrezik. Ne vetëm duhet ta bëjmë realitet këtë aspiratë.
Radio Evropa e Lirë: Dua të filloj me situatën aktuale në veri të Kosovës. Kë e shihni përgjegjës për barrikadat?
Gabriel Escobar: Ajo që dua të them ka të bëjë më pak me fajësim dhe më shumë me rrugën përpara. Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato.
Por, ne gjithashtu duhet t’u ofrojmë atyre një rrugë diplomatike për t’i adresuar ankesat – përmes kanaleve politike dhe përmes kanaleve diplomatike. Kështu po e shohim ne krizën aktuale. Dhe përtej krizës, ne duhet të fillojmë të mendojmë për një kornizë më të qëndrueshme, në të cilën komunitetet në këtë vend mund të punojnë së bashku.
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri [i Kosovës, Albin Kurti] ka thënë se barrikadat janë të ndikuara nga Beogradi. A e ndani këtë mendim?
Gabriel Escobar: E ndaj një pjesë të këtij mendimi. Megjithatë, nisur nga diskutimet e mia me komunitetin [serb] atje, ata i kanë disa ankesa që duhen dëgjuar. Nuk mendoj se bojkoti dhe barrikadat janë mënyrë për ta bërë këtë. Por, unë mendoj se komunikimi i hapur, dialogu dhe pranimi se ka mungesë besimi mes dy komuniteteve, janë të rëndësishëm për të ecur përpara me sukses.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se nuk ka dialog të mjaftueshëm me komunitetin lokal nga Prishtina zyrtare?
Gabriel Escobar: E kam dëgjuar këtë prej tyre. E kam dëgjuar edhe prej pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe prej njerëzve të tjerë që nuk janë të lidhur politikisht, se në shumë raste, ata ndihen të izoluar nga qeveria qendrore. Tani, në disa raste, ata ndihen të frikësuar edhe nga disa njerëz që janë të lidhur me Beogradin. Pra, ne duhet të gjejmë një rrugëdalje nga ky kurth. Dhe, rruga përpara është përmes koordinimit të kujdesshëm, dialogut të hapur dhe angazhimit të plotë në dialogun që e lehtëson BE-ja.
Kosova të lejojë “kthimin e serbëve të larguar nga institucionet”
Radio Evropa e Lirë: Pasi që serbët e Kosovës u larguan nga institucionet, a mendoni se është e mundur që të integrohet sërish veriu i Kosovës në sistemin institucional të Kosovës?
Gabriel Escobar: Sigurisht që shpresoj në këtë, dhe shpresoj që kur të arrijmë një zgjidhje, e cila shpresoj të ndodhë shpejt – homologu im Mirosllav Lajçak është sot këtu – do të shohim largimin e barrikadave dhe do të shohim një rrugë përpara për riintegrimin. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i pranojë njerëzit që do të kthehen, ata që kanë të drejtë të kthehen, t’i lejojnë të kthehen. Dhe, më pas të lëvizim përpara në diskutimet për normalizim.
Radio Evropa e Lirë: Jeni takuar me përfaqësuesit e Listës Serbe…
Gabriel Escobar: Po, jam takuar.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ata do ta mbështesin kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës?
Gabriel Escobar: Mendoj se ata duan të kthehen. Mendoj se askush nuk përfiton nga bojkoti. Mendoj se të gjithë duhet të angazhohemi në procesin e pajtimit dhe mendoj se ata mund të jenë pjesë e këtij procesi.
“Ne presim që njerëzit që i kanë ngritur ato (barrikada), t’i largojnë”
Radio Evropa e Lirë: A po i shfrytëzon Beogradi barrikadat si justifikim për të përmirësuar pozicionin e tij negociues në dialog?
Gabriel Escobar: Kjo mbetet të shihet. Por, më duhet të them se ka ende elemente të mungesës së besimit mes atij komuniteti dhe qeverisë qendrore. Dhe, çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo që të bëjmë, duhet të ketë besim mes komuniteteve, përpara se të kemi një zgjidhje të suksesshme.
Radio Evropa e Lirë: Nëse banorët lokalë nuk i largojnë barrikadat, kryeministri [Kurti] i ka bërë thirrje KFOR-it që ta bëjë një gjë të tillë. A prisni ju që KFOR-i t’i largojë barrikadat?
Gabriel Escobar: Ne presim që njerëzit që i kanë ngritur ato, t’i largojnë. Por, ne gjithashtu presim që atyre t’u ofrohet një rrugë përpara, për t’i adresuar disa çështje. Tani, ka aq shumë çështje, për të cilat duhet të jemi të vendosur. Disa çështje që lidhen me sundimin e ligjit, me urdhërarreste legjitime… ato duhet të gjykohen në gjykata dhe jo në rrugë. Megjithatë, në çështjet që kanë të bëjnë me procedura administrative, si targat e makinave, zëri i tyre [komunitetit serb] duhet të dëgjohet. Ne e kemi inkurajuar Qeverinë që të dëgjojë zërin e tyre në këtë çështje. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’i afrojmë të dyja palët dhe ta përqendrojmë vëmendjen e tyre në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, më 15 dhjetor, Serbia do të kërkojë nga KFOR-i kthimin e forcave të saj në Kosovë. Si e sheh SHBA-ja këtë?
Gabriel Escobar: Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Radio Evropa e Lirë: Cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së nëse Beogradi do të bënte një inkursion të armatosur?
Gabriel Escobar: Para së gjithash, nuk e pres këtë. Por, së dyti, do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR.
Radio Evropa e Lirë: Si mund të kontribuojë SHBA-ja, ose ju personalisht, në uljen e tensioneve?
Gabriel Escobar: Unë i kam thënë komunitetit [serb] se jam i hapur t’i dëgjoj shqetësimet e tyre. Ata kanë disa shqetësime legjitime. Ne, po ashtu, po kërkojmë mënyra për ta ndihmuar këtë qeveri që të forcojë pozicionin e saj në shumë gjëra. Por, gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Unë u kam thënë njerëzve se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë këtë qeveri që ta zbatojë këtë. Nga pozicioni ynë, është një detyrim ndërkombëtar, ligjërisht i obligueshëm.
Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut.
Radio Evropa e Lirë: A duhet të formohet Asociacioni para arritjes së marrëveshjes finale?
Gabriel Escobar: Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.
Unë e shoh këtë si mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një njëfarë mënyre, beson se kjo çështje duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe që nuk duhet diskutuar para marrëveshjes finale.
Gabriel Escobar: Tashmë ekziston si obligim. Ne besojmë se të gjitha obligimet ekzistuese duhet të zbatohen sa më shpejt që është e mundur.
Radio Evropa e Lirë: E ndani shqetësimin e njëjtë me liderët e Kosovës se Asociacioni mund të jetë një kopje e Republikës Sërpska?
Gabriel Escobar: Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran.
Radio Evropa e Lirë: Do të doja të flisnim për planin franko-gjerman. Vetë plani nuk përmend njohje reciproke, nuk përmend anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe as nuk e përmend Asociacionin në mënyrë eksplicite. A mund të jetë ky një nivel koncesioni për të dyja palët për arritje eventuale të marrëveshjes?
Gabriel Escobar: Bisedimet për atë propozim, që ne e mbështesim plotësisht, janë në fazë shumë të ndjeshme. Jemi në fazë shumë preliminare të diskutimit. [I dërguari i BE-së për dialogun] Mirosllav Lajçak do të jetë këtu sot [13 dhjetor] për të nisur diskutimet se si të ecet përpara sa i përket këtij propozimi. Por, sërish, ne e mbështesim atë. Mendojmë se përbën fitore për të dyja shtetet dhe krijon mundësi për to që të diskutojnë zgjidhjen e kontesteve, mbrojtjen e komuniteteve pakicë, mbrojtjen e zonave fetare dhe atyre kulturore, dhe shumë gjëra që do t’iu ndihmojnë atyre që të thellohen në integrimet evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar tërësisht këtë plan, mirëpo ka thënë se përbën bazë të mirë për negociatat në të ardhmen. Fokusi i Qeverisë së Kosovës, siç thotë ajo, është që njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes, derisa për Serbinë duket se është Asociacioni. Çfarë duhet të ketë në qendër marrëveshja finale?
Gabriel Escobar: Në qendër duhet të jenë integrimet evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, një marrëdhënie e mirë, marrëdhënie e qëndrueshme mes të gjitha shteteve të rajonit. Dhe në fund, njohja e plotë e së drejtës së të gjitha shteteve për të ekzistuar, e pavarësisë dhe sovranitetit të tyre. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar kurrë në këtë aspekt, që njohja duhet të ndodhë.
Megjithatë, sekuenca e hapave dhe mënyra se si arrijmë deri aty është diçka që duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Qëndrimi ynë është se shtetet e këtij rajoni – në mënyrë që gjithë rajoni të ecë përpara – duhet të kenë marrëdhënie të barabarta, të respektueshme dhe paqësore me njëra-tjetrën.
Radio Evropa e Lirë: Edhe njohje reciproke?
Gabriel Escobar: Po, absolutisht.
Radio Evropa e Lirë: Do të doja të ktheheshim sërish në çështjen e veriut. Kosova i ka shtyrë zgjedhjet deri në prill. Çfarë prisni që të ndryshojë deri atëherë?
Gabriel Escobar: Ajo se çfarë pres të ndryshojë, është që fillimisht të nisin me urgjencë diskutimet për normalizim. Shpresoj që të kenë nisur deri atëherë. Së dyti, që deri në prill veçse t’i kemi të nisura diskutimet për Asociacionin. Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit. Është duke u dëmtuar biznesi, është duke u dëmtuar e ardhmja e të rinjve, të gjithë duan të shohin që këto dy shtete të ecin përpara.
Radio Evropa e Lirë: Kur prisni të arrihet marrëveshja finale?
Gabriel Escobar: Nuk do të flas me afate kohore dhe nuk mund ta parashikojmë, por urgjentisht.
Radio Evropa e Lirë: Në muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në disa raste, që të tërhiqet nga vendimet e tij në mënyrë që të parandalojë përshkallëzimin e situatës në terren. Kryeministri Kurti ka vepruar ashtu, ndonëse ka rezistuar për pak kohë. A e konsideron atë SHBA-ja si partner kredibil që dëshiron të negociojë me mirëbesim?
Gabriel Escobar: Më duhet të jem shumë i qartë në këtë gjë. Marrëdhëniet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të qëndrueshme. Janë të forta. Këto marrëdhënie janë me njerëzit e Kosovës, jo me një person konkret apo me një palë. Ne jemi të hapur për partneritet me Qeverinë këtu. Kjo nuk nënkupton që nuk do të kemi dallime taktike. Njerëzit duhet ta presin këtë gjë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që SHBA-ja është duke braktisur mbështetjen e fuqishme për Kosovën.
Kritikat ndaj Serbisë “kanë prodhuar rezultate”
Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e forcon retorikën e tij nacionaliste për çështjen e Kosovës. Por, ai nuk është përballur me kritikë publike nga BE-ja apo SHBA-ja. Cili është vështrimi juaj për këtë?
Gabriel Escobar: Ai nuk është përballur…?
Radio Evropa e Lirë: A është përballur?
Gabriel Escobar: Absolutisht që është përballur, absolutisht që është përballur. Dhe, ato kritika kanë prodhuar rezultate. Keni parë Serbinë që ka votuar dy herë kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara, një herë në Këshillin Evropian për të Drejta të Njeriut dhe ka votuar për ta pezulluar Rusinë nga BERZH-i.
Pra, ata po përballen me kritika dhe, meqë ra fjala, në mënyrën e njëjtë që ne kemi kërkuar nga Qeveria juaj për të përshtatur politikat dhe veprimet e tuaja për të krijuar stabilitet rajonal, të njëjtën gjë ia kemi kërkuar edhe Serbisë. Dhe kemi arritur rezultate. Zgjidhja për letërnjoftimet ka qenë një koncesion i njëanshëm nga Serbia. Dhe, në shumë mënyra të tjera ne kemi marrë koncesion për mënyrën përpara për të krijuar stabilitet rajonal. Prandaj, unë dua të theksoj se në këtë çështje nuk jemi të njëanshëm dhe po kërkojmë një zgjidhje nga e cila fitojnë të dyja shtetet.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, Serbia ende refuzon që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Gabriel Escobar: Mendoj se ata do të duhej [të vendosin sanksione]. Mendoj se kanë disa obligime që dalin nga procesi i anëtarësimit që të përshtaten me Bashkimin Evropian dhe ky është diskutimi që ata po e zhvillojnë me Evropën. Unë i inkurajoj që ta bëjnë një gjë të tillë.
Radio Evropa e Lirë: A do ta hapni këtë diskutim me presidentin Vuçiq nëse vizitoni Beogradin?
Gabriel Escobar: Po, ne kemi një diskutim të vazhdueshëm me presidentin Vuçiq për nismat rajonale, stabilitetin botëror dhe për integritetin territorial evropian. Dhe, më duhet të them, nuk kemi qëndrime shumë të ndryshme sa i përket asaj që po ndodh në Ukrainë.
Rusisë “i duhet të krijojë probleme” për të shtyrë agjendën e saj
Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë mase është ndikimi rus në Ballkan, veçanërisht në Serbi, që është arsye për jostabilitet në të paktën tri shtete të Ballkanit?
Gabriel Escobar: Më duhet të them se është një faktor i rëndësishëm. Ka bashkëpunëtorë të qartë të Rusisë që punojnë në sistemet politike të së paku tri shteteve. Ka dezinformatë të madhe ruse në sferën informative në gjithë rajonin. Më duhet të them se Rusia nuk duhet të bëjë zgjidhje, ajo thjesht duhet të krijojë probleme për të çuar përpara agjendën e saj. Prandaj, ne duhet të jemi vigjilentë për këtë dhe ne e luftojmë këtë ndikim malinj kudo dhe kurdo që e shohim.
Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni përgjigjen e rajonit ndaj kësaj sjelljeje të Rusisë?
Gabriel Escobar: Rajoni, në masë të madhe, është përgjigjur në mënyrë pozitive. Çdo shtet në Ballkanin Perëndimor ka votuar për dënimin e agresionit rus në Ukrainë. Çdonjëri prej tyre. Çdonjëri prej tyre ka ofruar një lloj ndihme për ukrainasit që ikin nga dhuna. Dhe, çdo shtet [i Ballkanit Perëndimor] i njeh, dhe të paktën respekton – në rastin e Rusisë – masat që ka vendosur Evropa.
SHBA-ja nuk ndryshon qëndrim për Ballkanin e Hapur
Radio Evropa e Lirë: Dua të flasim për Malin e Zi. A e mbështesni kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në nënshkrimin e anëtarësimit të Malit të Zi në Ballkanin e Hapur në ditët në vijim?
Gabriel Escobar: Qëndrimi ynë sa i përket Ballkanit të Hapur është shumë i qartë, ne mbështesim të gjitha nismat për integrim ekonomik rajonal, me dy kushte. E para, që ato t’ju sjellin më afër Evropës dhe të mos bien ndesh me obligimet tuaja evropiane, qoftë të Procesit të Berlinit apo çfarëdo nisme të udhëhequr nga BE-ja. Dhe e dyta, që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të lejohen që t’iu bashkohen [nismave] si anëtarë me të drejta të plota. Deri më tani, Ballkani i Hapur kualifikohet në këto dy kategori. Tani, nëse dështon që t’i respektojë ndonjërën nga këto dy kushte, ne absolutisht që do të tërheqim mbështetjen për Ballkanin e Hapur.
Radio Evropa e Lirë: Duket se në Parlamentin e Malit të Zi nuk ka mbështetje për këtë çështje. A mendoni se kjo gjë mund të ndikojë në destabilizimin e mëtejmë të këtij shteti?
Gabriel Escobar: Jo, nuk mendoj, sepse të jem i qartë, nisma e Ballkanit të Hapur po përfiton nga trendët ekzistues të integrimit rajonal. Dhe COVID-i e ka përshpejtuar këtë integrim në rajon, sepse njerëzit nuk mund të udhëtonin përmes transportit ajror, ata udhëtonin me vetura, udhëtonin më shumë me vetura në rajon.
Keni parë serbët duke shkuar në bregdetin shqiptar, keni parë biznesmenët shqiptarë duke bërë më shumë biznes në Beograd, duke shkuar atje për t’u vaksinuar. Keni parë lidhje shumë të rëndësishme të energjisë dhe transportit midis Maqedonisë së Veriut dhe pjesës tjetër të rajonit. Pra, kjo veçse po ndodh. Pyetja është se si të krijohet më së miri momentumi për t’i larguar barrierat për tregti të lirë. Prandaj, qoftë Proces i Berlinit, Ballkan i Hapur, CEFTA, Këshill për Bashkëpunim Rajonal apo treg i përbashkët rajonal, ne i mbështesim të gjitha.
Pas presidentes Vjosa Osmani, nënsekretarja amerikane për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Në fokus të takimit ishte zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi. “Kosova bën pjesë në BE dhe NATO”, deklaroi Allen.
Sot është nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. sn
Kosova dështoi të përfundojë procesin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, ndonëse ishte paraparë që kjo të ndodhte të enjten, më 17 maj.
Ndonëse në muajin prill, Kosova mori mbështetje të fuqishme nga Asambleja Parlamentare e këtij institucioni për anëtarësim, përmes aprovimit të raportit të Dora Bakoyannis, gjërat ndryshuan gjatë kësaj periudhe.
Shkak për këtë është kushti që shtetet e fuqishme anëtare si Franca, Gjermania dhe Italia, i kanë vendosur Kosovës, me ndërmarrjen e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Të enjten, Qeveria e Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, njoftoi se është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert. Gërvalla tha se ky draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji. Mirëpo, letrën e Qeverisë së Kosovës, shtetet anëtare e konsideruan si të vonshme. Ato kërkuan fillimisht formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe pas tij, anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Reagimet e Francës dhe Gjermanisë, i ka komentuar profesori për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, David Kanin. Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po i përmbahet parimit të tij dhe se ai nuk heq dorë nga sovraniteti i Kosovës, as për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.
“Reagimet e mprehta franceze dhe gjermane ndaj refuzimit të kryeministrit Kurti për t’u dorëzuar për çështjen e Asociacionit, edhe nëse kjo nënkupton dështimin për të arritur anëtarësimin në Këshillin e Evropës, reduktojnë qartë shanset që kjo të ndodhë. Kurti me sa duket do t’i përmbahej parimeve të tij dhe nuk do të bënte një lëshim të madh për sovranitetin e Kosovës për hir të pranimit në një institucion të fuqishëm evropian”, ka deklaruar eksperti Kanin.
Ai ka komentuar edhe gatishmërinë e kryeministrit Kurti për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tij, të njëjtat do të dëshmonin se ai ka mbështetjen e fuqishme të popullit për Asociacionin.
“Thirrja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë kontekst ka kuptim të mirë nëse Kurti është i bindur se do të fitojë. Një fitore zgjedhore do të ishte dëshmi e fuqishme e mbështetjes popullore për linjën e tij të ashpër ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Natyrisht, nëse ai humbet, ndërkombëtarët do të dyfishojnë përpjekjet për ta detyruar Kosovën të zbatojë përfundimisht marrëveshjen e vitit 2013”, ka theksuar David Kanin.
Zgjedhjet e reja parlamentare, po i kërkojnë edhe partitë opozitare. Sipas PDK-së, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin jo më larg se muajt e verës. sn
Më 29 maj 2023, në komunën e Zveçanit, protestuesit serbë sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it e gazetarët.
Pas këtyre trazirave, ndodhi edhe një sulm më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
E përgjegjësinë e sulmit e mori, Millan Radojiçiq, ish nënkryetar i Listës Serbe.
Përveç grupit të tij paraushtarak, Tëvë1 ka mësuar ekskluzivisht se grupit të Radojiçiq iu është bashkëngjitur edhe një grup tjetër.
Sipas informacioneve që ka siguruar televizioni, brenda hallkave të sigurisë në vend, në biznesin e Zvonko Veselenoviq, në “Novi Pazar Put” janë duke qëndruar grupet ekstreme serbe edhe të grupit famëkeq serb “Veljko Belivikut”.
Në këto pamje shihet edhe hoteli në të cilin ata dyshohet se po qëndrojnë, e që në këtë biznes, dyshohet edhe për vendosje të armatimeve.
Po ashtu Tëvë1 ka mësuar se bashkëpunëtor i këtij grupi famëkeq, është edhe Novak Nediq, Sekretar i Përgjithshëm i qeverisë në Serbi, i riemëruar në qeverisjen e re të presidentit, Aleksandër Vuçiq, i cili edhe në këto fotografi, shihet se është shumë i afërt me grupet ekstreme serbe, pjesëtarë të së cilëve morën pjesë në protestat e dhunshme në Zveçan, të cilët u vërtetuan përmes shenjave të vendosura në kapelat e tyre.
Nediq, tash e dhjetë vite mbanë postin e njëjtë në Qeverinë e Serbisë.
Tëvë1 gjithashtu ka mësuar se anëtar i grupit “Vejljo Belivuk” është edhe Aleksandër Vidojeviq, i cili ka afërsi me, Danilo Vuciq, djalin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, por edhe me Novak Nediqin.
Se në Serbi, po mbahen trajnime nën koordinimin e Milan Radojiqit e ka thënë edhe vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“ Radojiçiq është duke mbajtur takimet të rregullta, me zyrtarët të lartë të Shërbimit Sekret serb, BiA, ambientet e firmës Jabllanovica në Rashkë, ngjashëm me ato të “Novi Pazar Put”… Trajnimet drejtohen nga ushtarak të pensionuar serb, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, të cilët kanë njohur shumë të mira për Kosovën, mbase kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës tek ne” , tha Kurti.
Informacionet për këto zhvillime, janë dhënë edhe në komisionin për Çështje të Sigurisë. Enver Dugolli thotë Policia e Kosovës tashmë posedon këto informata.
“Bazuar edhe nga raportet që i marrim nga policia e Kosovës, edhe nga ministria e Punëve të Brendshme, ne në vazhdimësi kemi marrë alarme për këtë çështje që po ngritët se është i bazuar se grupi që ka sulmuar Kosovën në Banjska më 24 shtator, vitin e kaluar, ai është i lirë, ai është duke u rigrupuar duke zhvilluar stërvitje gjithandej nëpër Serbi. Ato stërvitje jo vetëm kjo që e përmendët por edhe stërvitjet e mëhershme kanë të bëjnë me formën e rigrupimit”, tha Dugolli.
Drejtori ekzekutiv i “The Geopost” Gynen Venhari, thotë se këto grupe janë duke punuar për ta destabilizuar veriun. Sipas tij, këto grupe kanë pas ndikim edhe tek popullata serbe në katër komunat veriore.
“Këto grupe janë mjaftë të fuqishme jo vetëm me destabilizu veriun e Kosovës, por ato janë të rrezikshme edhe brenda qytetarëve serb në Serbi. Siç dihet këto grupe famëkeqe kanë terrorizuar edhe qytetarët në veri të Kosovës, edhe në Serbi, edhe Beograd janë mjaftë të pranishëm, fatkeqësia është që janë të ndërlidhur me vëllai i presidentit si dhe me grupet tifoze ‘Cervna Zvezda’, të cilët janë nën kontroll të vëllait të presidentit Vuçiq”, tha ai.
Tëvë1 gjithashtu ka mësuar se, njeriu i afërt me Millan Radojiciq, Bratisllav Dikic, i cili ka qenë komandant i xhandarmërisë serbe gjatë luftës në Kosovë, është duke trajnuar grupe serbe për të kryer sulme në pjesën veriore të Republikës./Tëvë1/
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka takuar personelin amerikan të dislokuar në Komandën Rajonale në Lindje të Misionit të KFOR-it, në Camp Notting Hill.
Ai shoqërohej nga Komandanti Rajonal i KFOR-it-Lindje, Jason Baker, i cili e informoi atë për kontributin e SHBA-së në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën.
Në njoftim thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.bw
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim dje Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se temë diskutimi ishtin rezultati i mbledhjes së djeshme në Këshillin e Evropës, çështjet bilaterale dhe rajonale si dhe projektet e përbashkëta.
“Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. E falënderoi gjithashtu edhe për mbështetjen në projektet e përbashkëta, ku veçoi ndihmën për zgjerimin e projektit për verifikimin e diplomave për studentët nga komuniteti serb për qëllime punësimi në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në takim është folur edhe për rezultatet e takimit e tretë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6) për Planin e Rritjes që u zhvillua dje në Kotorr të Malit të Zi dhe Deklaratën e Përbashkët nga ky takim.
“Kujtojmë që Deklarata e Përbashkët nga samiti i djeshëm në Kotor, mes tjerash bën thirrje për trajtim të barabartë në CEFTA, zbatim të plotë marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit si dhe kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor Gjashtë të bëhen pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar”, thuhet tutje në njoftim. sn
VOAL- Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz ka reaguar sot ndaj zhvillimeve në Strasburg, ku Komiteti i Ministrave i KiE nuk e përfshiu në rendin e ditës anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse kishte disa vende që kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. “Disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, nënvizon zonja Gërvalla-Scharz:
Në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, i cili shënoi 75-vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Megjithëse sot ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës.
Ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë. Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave.
Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara.
Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE). Nga opinioni i Departamentit Ligjor të Këshillit të Evropës që konfirmon se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësim si shtet evropian, nga votimi i ambasadorëve më 24 prill 2023 me 33 vota për nga 46 sosh, nga raporti pozitiv i tre juristëve eminentë te raporti i raportueses Dora Bakoyannis, nga dy mbledhjet e Këshillit për Çështje Politike e Demokraci (në Paris me 27 mars dhe në Strasbourg më 16 prill 2024) e deri te votimi i Asamblesë Parlamentare më 16 prill 2024 me 131 vota për, kundrejt 29 kundër. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet, edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë.
Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovës.
Eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer ka reaguar me ironi ndaj deklaratës së Richard Grenell, ish-emisarit të ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, i cili lavdëroi qeveritë gjermane, italiane dhe franceze për kushtëzimin e Kosovës në rrugën drejt Këshillit të Evropës.
Në një reagim në platformën X, Bütikofer tha me ironi se qeveria gjermane arriti më në fund t’i marrë duartrokitjet e Grenellit.
“Urime të posaçme qeverisë gjermane! Më në fund arriti t’i marrë duartrokitjet dhe respektin e ulët nga ekstremisti i Trumpit, Richard Grenell, për politikën e saj në Kosovë! Çfarë përparimi!”, tha ai.
Gjermania, së bashku me shtetet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të bëjnë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, në mënyrë që të arrihet mbështetja e shumicës së anëtarëve në Komitetin e Ministrave të KiE-së për pranimin e Kosovës.
Dhe më tutje Eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer vazhdon:
“Shikoni, se kujt i pëlqen politika ndaj #Kosovës që po ndjek #Berlini, #Paris dhe #Roma!@RichardGrenell u ofron atyre një pasqyrë;ku të shohin atë, a do ta njohin veten?A do të shohin ata, të paktën, një arsye për të menduar sërish për trajektoren që po ndjekin?
Look, who likes the #Kosovo policy which #Berlin, #Paris and #Rome are pursuing! @RichardGrenell offers them a mirror; when they look into it, will they recognize themselves? Will they, at least, see a reason to think again about the trajectory they are following? https://t.co/0PxLmZxvdL
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se në rrugën për anëtarësim në Këshill të Evropës nuk do të cenojnë vlerat që përbëjnë Kosovën.
Ajo u shpreh e bindur se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës “është thjesht çështje kohe”.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike”, ka shkruar Osmani në “X” të premten.
Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj vendeve që e kanë mbështetur Kosovën deri tani.
“Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut herët apo vonë”, ka shkruar presidentja.
Më 16 prill, kur Asambleja Parlamentare e kësaj organizate votoi pro Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se “jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg” anëtarësimit në organizatën lidere në kontinent për të drejtat e njeriut. Një muaj më vonë, kur Komiteti i Ministrave të KiE-së do të merrte vendimin përfundimtar për Kosovën, ajo nuk u fut fare në rend dite.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, u shpreh se këtë e shkaktoi qëndrimi i disa vendeve që Kosova ta pranojë fillimisht draftstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar publikisht një gjë të tillë Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, fillimisht, e refuzoi këtë kusht, por në një përpjekje të minutave të fundit për ta ndryshuar situatën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u shpreh se ka njoftuar Këshillin e Evropës përmes një letre, se Kosova po e përgatit draft-statutin, për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të majit.
Në reagim pas letrës së Gërvallës, Ambasada gjermane në Prishtinë, duke u thirrur edhe në vendet e tjera të QUINT-it – SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Italinë – ka thënë se kërkesë e tyre ishte dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese përpara takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Të premten më vonë, kryesuesja e deritanshme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE), Dominique Hasler, ka thënë se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.bw
Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Hasler, që është ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, shteti i cili ka pasur udhëheqjen e presidencës së KiE-së, tha pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj se Kosova është përmendur në mbledhje nga shtetet anëtare.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo.
Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.
Kosova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Ministrave.
Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.
Ndërkaq, kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, tha se kur bëhet fjalë për pranimin e Kosovës, çështja nuk ka të bëjë me atë nëse duhet të pranohet, por kur.
Pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se anëtarësimi i shtetit në këtë organizatë nuk mund të ndalet “edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë. Jemi në rrugë të drejtë dhe po bëjmë punë të mbarë”.
“Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën”, tha Gërvalla përmes një postimi në Facebook.
Më 16 maj, përmes një letre dërguar Këshillit të Evropës, Kosova tha se zotohet se do të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe të njëjtin do ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Me këtë zotim, Kosova tha se përmbushi kushtin e vënë nga disa anëtarë të Këshillit të Evropës dhe Prishtina kërkoi që të bëhet anëtare e kësaj organizate evropiane për të drejtat e njeriut.
Por, Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, tha se ajo konsideron si “hap konkret” vetëm kur Kosova të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.
Deri më tani, janë prezantuar disa draft-statute për Asociacionin, përfshirë një nga BE-ja në tetorin e vitit të kaluar.
Por, në letrën dërguar KiE-së, Kosova tha se mëton që të hartojë draftin e saj, duke u frymëzuar nga drafti i prezantuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung.
Në fund të janarit të vitit 2023, FES-i publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Albin Kurti. REL
Nga citimi i veprës 1984 * e George Orwell se :”Kush kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen” (“Who controls the past controls the future”), të kuptuarit e thënies ka nevojë për një mendim kritik dhe për një përkushtim filozofik që i duhen mësuar një debatuesi në Kuvend si dhe për të kuptuar se cilin krah zhvillimi ai/ajo përfaqëson apo sa i/e lirë, i/e nënshtruar, në ç’ aleanca si përfaqësues i popullit ai/ajo është dhe bën pjesë kur tashmë themi se jetojmë në një shoqëri vlerash demokratike mbi 30 vjeçare. A janë këta përfaqësues të zgjedhur prej popullit vigjilentë dhe a punojnë për të mirën e vendit dhe shoqërisë pa u bërë ende pjesëtar i Ferma e Kafshëve * (një tjetër vepër e Orwellit), ku realiteti dhe jeta e përditshme duan rezultatin dhe zgjidhjen e çështjeve më poshtë:
1- a është ndërtuar një botë dhe një shoqëri imagjinare në të cilën njerëzit jetojnë mes vuajtjes dhe frikës?
2- a ndikohen të gjithë qytetarët dhe a i mashtron ata një parti e vetme politike?
3- përse informacioni kontrollohet nga një grup njerëzish?
A i mishëron sot fatkeqësisht këto cilësi të transformimit demokracia shqiptare si pa u ndier prej Rilindjes Socialiste në mbylljen e tre mandateve të saj 2013-2025?
Por po ja lemë secilën pikë për zgjidhje një nxënësi/je shkolle që do të kishte marrë një rezultat të mirë nga testi i Pisas dhe që mundësisht për shembullin tonë krahasues të rridhte nga një familje me prindër që punojnë pandërprerë ndershmërisht në biznesin e tyre për të siguruar jetesën. Por si përballohen taksat, papunësia, mungesa e ujit dhe e energjisë, pamundësia e pushimeve verore apo dimërore e një vendi që “pushtohet” nga 10 milion turistë, me të afërm dhe bashkëmoshatarë që kanë shtegtuar nëpër botë duke përgjysmuar dhe mplakur popullsinë e vendit, me një vend ku drejtësia burgos pa prova liderin e opozitës dhe kthehet në armë për të goditur kundërshtarët, në një vend ku fjala e lirë dhe shtypi i lirë dhunohet, dhe me një shtet që jep lajme dhe ushqen me propagandë dhe ka forcën e ngritjes së komisione të posaçme politike për të luftuar “dizinformacionin”. Këto tregues janë të mjaftueshëm për formimin e një të riu dhe të reje shqiptare për të kuptuar se në çfarë realiteti jeton. Atëherë kush do ishte ai/ajo që t’i kishte thënë JO(!) këtij deformimi, këtij konformizmi të një individi që është produkti i tre mandateve të sundimit të elitës së Rilindjes Socialiste. Në qoftë se njerëzit ende nuk arrijnë ta dallojnë këtë mashtrim, këtë sundim dhe grabitje, atëherë nuk është më faji i atyre që “janë zgjedhur” për t’i udhëhequr. Ndërgjegjja qytetare ka përgjegjësitë e veta.
Përse ka rëndësi që shqiptarët dhe diaspora duhet ta kuptojnë qëllimin sot të qeverisjes që po sulet për një valë të re të marrjes së votave dhe për të qëndruar në pushtet? Përse po investohet kaq shumë edhe njëherë pas 11 vitesh dhe përse kjo ka lidhje edhe me takimin e Kotorrit?
Për të kuptuar lajmin në pak fjalë se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si; Mali i Zi (vendi pritës), Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria mblidhen për “Një rajon, vizion i përbashkët” në takimin dyditor të Udhëheqësve Rajonalë të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor bashkë me partnerët e BE-së, komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi dhe Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Evropën dhe Euro-Azinë, James O’Brien ku në qendër është angazhimi për integrimin ekonomik rajonal, si dhe ndihma dhe rruga drejt BE-së.
Sikur të mos ishte kjo arsyeja që kryeministri shqiptar në qëndrimet e tij ka konceptet e veta kur kërkon që BE të hapë dyert për vendet e Ballkanit Perëndimor pa pritur që të zbatohen të gjitha reformat dhe shprehet se: “duhet të jemi pjesë e BE-së përpara se të zbatojmë të gjitha reformat për të parë se si zbatohet në praktikë dhe të përshtatemi më lehtë me tregun që i përkasim”, takimi i Kotorrit i bën të pa rëndësishme mesazhet dhe aty Rama lehtësisht shtyn propagandën ndërsa Agjencia Telegrafike Shqiptare bën atë që i urdhërohet me një “slide-show”, albumi fotografik i kryeministrit për t’u ndarë në rrjetet sociale. Aty, ai përzgjedh këndin pastrues mes pjesëmarrjes dhe më e rëndësishmja tek kjo është tërheqja e vëmendjes dhe vendosja e UNI-it mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në qoftë se paqja, dialogu dhe bashkëpunimi janë të rëndësishme për rajonin, në dyditorëshin e veprimtarisë dhe një thënie që ATSH-ja veçon nga fotoalbumi i Ramës që del si diçiturë dhe lexohet se: “për Shqipërinë nuk është e shkuara që duhet të kontrollojë të ardhmen, por e ardhmja duhet ta kontrollojë të shkuarën”.
Në mënyrën më të drejtpërdrejtë kjo përmbysje e origjinalit Orwell-ian “Kush kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen”, nuk e bën interesant Ramën kur e kthen në të kundërtën. Përkundrazi ai përforcon qëllimin e mjeteve dhe të pushtetit. Me pushtetin dhe mundësisht “fitoren” një partiake, sundimi dhe korrupsioni instalohen si sistem. Por kjo përllogaritje nuk të shpie në BE, në sistemin politik pluralist dhe në formimin e shtetit të së drejtës. Rama ndoshta si autori i Manualeve të Akademisë Politike Socialiste do të duhet t’i sqarojë gjerë dhe gjatë edhe vijën e prerë që ndan krijimin mediokër dhe plagjiaturën nga prodhimtaria dhe fantazia zhvilluese e ideve për shoqërinë shqiptare. Si mund të kesh guximin dhe të shprehesh: -“…duhet të jemi pjesë e BE-së përpara se të zbatojmë të gjitha reformat…”.
Për ta sqaruar këtë justifikim teze dhe deliri se “e ardhmja duhet ta kontrollojë të shkuarën”, Ramës i duhet kujtuar pikërisht guri i ri kilometrik i pushtetit për 2025 e jo më 2030 që i ka vënë si qëllim vetes, BE-ja, si individ ai është protagonist dhe siç e ka vetë cilësuar përmbysës mbi 30 vjeçar dhe ka kapur pushtetin duke instaluar shkallën më të lartë të korrupsionit dhe përvetësimeve që elita e Rilindjes Socialiste po bën.
33 vite tranzicion kaq i ashpër, janë pikërisht e shkuara, ajo e shkuar nga e cila vështirë të distancohen dhe një e shkuar e çmuar për ta kontrolluar në një dorë të ardhmen.
Pra në 33 vite tranzicion në një kohë kur pjekuria politike shqiptare duhej të kishte krijuar një brez të ri të shëndoshë për t’i marrë në dorë fatet e vendit, në Shqipëri pikërisht etja për pushtet tregon se:- “Kush kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen”.
Nuk gjendemi në lojëra fjalësh dhe në kushtet e pamundësisë të të menduarit. Logjika e thjeshtë të tregon se ku mund të rrëshqasë Shqipëria dhe se ku ndodhet sot Rama. Ku ndahet pushteti i tij nga rruga e lirisë duke kuptuar se: “Kush e kontrrollon me dorë të hekurt të tashmen, Ai/Ajo bën çfarë të dojë me të shkuarën dhe të ardhmen e qytetarëve dhe shtetasve që nuk reagojnë”.
Shqiptarët opozitarë, studentët, të papunët, të pastrehët dhe shoqëria civile po proteston sepse po e jeton varfërimin prej korrupsionit. Përditshmëria e ndërgjegjes qytetare mund të ndeshet dhe ta mundë një regjim të korruptuar dhe shtypës duke i dhënë shembujt mbi këtë rrethim që pushteti ka krijuar: 1- ndërtimin e një bote dhe shoqërie imagjinare në të cilën njerëzit jetojnë mes vuajtjes dhe frikës. 2- ku të gjithë qytetarët i mashtron një parti e vetme politike, dhe ku 3- informacioni kontrollohet nga një grup njerëzish.
_________
* Eric Arthur Blair, i njohur George Orwell (1903 – 1950) ishte një romancier, poet, eseist, gazetar dhe kritik anglez.
1984 dhe Ferma e Kafshëve shkruar fill pas LIIB u referuan gjatë këtij shënimi.
14 Maj, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
S’është e drejtë mosfutja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave të KiE. Vuçiç nuk është vetëm përfaqësues i Putinit në Ballkanin perëndimor, por ka ambiciet e tij në rajon.. bota serbe nuk është gjë tjetër veçse Serbia e madhe në një terminologji të re. Asosacioni pasi Serbia të njohë Kosovën – SHBA të çojnë dronë në Kosovë.
Kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Europës me krijimin e asociacionit, Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë.
Duke kritikuar atë që e sheh diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e Kurtit dhe thotë se asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Kosova”, – thotë ai – “duhet të jetë gati për një përshkallëzim të situatës me Serbinë, dhe i bën thirrje SHBA që përveç raketave t’i sigurojë vendit edhe dronë”.
Profesor Serwer, ju falënderoj shumë që na bashkoheni sot, është një nder për ne… Fillimisht dua t’ju pyes për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Edhe pse u tha se Kosova është e kualifikuar për t’iu bashkuar kësaj organizate, tani po vendoset një kusht tjetër, Asociacioni… Franca dhe Gjermania kërkuan që çështja të mos futet në agjenden e Këshillit të ministrave. A mendoni se kjo është e drejtë?
Jo, nuk është e drejtë. Mendoj se asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim të kuid pro quo-së që u ra dakord, është një gabim i rëndë. Është diplomaci e keqe.
Nuk është hera e parë që Kosovës i premtohet diçka për integrimin; kërkohet plotësimi i kushteve dhe kur Kosova e bën këtë, diçka tjetër vihet në tryezë dhe premtimi nuk mbahet. A e cenon kjo kredibilitetin e bashkësisë ndërkombëtare? Çfarë do të thotë një qëndrim i tillë?
Kjo definitivisht që minon besueshmërinë tek bashkësia ndërkombëtare. Kjo ofendon njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera të cilët po kuptojnë se bashkësia ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në Kosovë. Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e manastirit të Deçanit. Mendoj se kjo ishte një lëvizje shumë e mirë nga ana e Prishtinës.
Kryeministri Albin Kurti nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave. A po bën mirë, sepse po bëhet gjithnjë e më e qartë se një qëndrim i tillë mund të bllokojë integrimin?
Shiko, ai ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar.
Kosova flet për një qasje të pabalancuar, ku Prishtina përballet me presion dhe Serbia po tolerohet për shkeljen e marrëveshjes së Ohrit. Serbia po lufton hapur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, akuzon Perëndimin se po sulmon serbët dhe kërkon mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Si duhet t’i lexojmë të gjitha këto?
Duhet ta lexoni pikërisht ashtu siç e lexuat ju. Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe po përpiqet të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës. Kjo për shkak se Serbia ka një politikë të mbrojtjes në çështjet ndërkombëtare ndërmjet lindjes dhe perëndimit, ndërsa Kosova ndjek politikën e ‘Bandwagoning’, pra kur shtetet me të dobëta vendosin se kosto e kundërshtimit të vendeve me të fuqishme I tejkalon përfitimet. Është tërësisht e përkushtuar ndaj perëndimit, NATO-s dhe objektivit të BE-së. Dhe është thjesht një gabim serioz për ne që të mos mbështesim njerëzit që vërtet duan të jenë në perëndim dhe të kënaqim ata që nuk duan vërtet të jenë në perëndim. Dhe presidenti Vuçiç e ka bërë të qartë këtë. Me marrëveshjet e tij strategjike me Kinën dhe Rusinë…
Beogradi ka zgjedhur një qeveri të re, ku pjesë e saj janë individë të sanksionuar nga SHBA, por kjo nuk është dënuar sa duhet nga bashkësia ndërkombëtare. Cili është komenti juaj për këtë?
Epo, unë nuk pres që komuniteti ndërkombëtar domosdoshmërisht të dënojë njerëzit sepse ata janë të sanksionuar nga SHBA, por më e pakta që duhet bërë është që SHBA duhet të flasë me zë të lartë dhe qartë dhe nuk e ka bërë këtë. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i sanksionojë këta individë dhe nuk e ka bërë. BE-ja nuk e ka bërë këtë. Kështu që unë e konsideroj të gjithë këtë një tregues domethënës të dështimit të politikës së SHBA-së dhe BE-së në tre-katër vitet e fundit për t’u përballur efektivisht me një Serbi që po kthehet gjithnjë e më shumë drejt lindjes në çështjet ndërkombëtare dhe drejt autokracisë në mënyrën se si qeveris në shtëpi.
Kosova po pretendon se armatimi i Serbisë me armë nga Rusia dhe Irani është kërcënim për sigurinë dhe po paralajmëron sulme të reja si ai në Banjskë. Diçka e tillë përforcohet nga zbulimi i armëve të reja në veri të martën… Mendoni se ka rrezik përshkallëzimi?
Unë definitivisht mendoj se ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe mendoj se është e rëndësishme që Kosova të përgatitet për të. Një nga gjërat e mira që kanë bërë amerikanët është autorizimi i shitjes së raketave antitank Javelin në Kosovë. Do të doja të shihja që edhe disa dronë të shkojnë në Kosovë. Unë mendoj se forcat e sigurisë së Kosovës kanë nevojë për pajisjet, trajnimin, organizimin e nevojshëm për të penguar çdo përpjekje të Serbisë për të pushtuar territorin, veçanërisht në veri.
Si e shihni ju rolin e Rusisë, rolin e Putinit për gjithçka po ndodh në Ballkan?
Rusia është një mundësues i destabilitetit në Ballkan, por nuk mendoj se duhet të gënjejmë veten. Vuçiç nuk është vetëm përfaqësues i Putinit në Ballkanin perëndimor , por ka ambiciet e tij në rajon. Ai i ka bërë të qarta ato. Ka folur për botën serbe dhe bota serbe nuk është gjë tjetër veçse Serbia e madhe në një terminologji të re. Ai do të donte të arrinte këtë fillimisht de facto. Ai ka bërë një rrugë të gjatë për ta bërë këtë në Mal të Zi. Është munduar shumë ta bëjë në Republikën Sërpska, dhe tani do të përpiqet ta bëjë këtë në Kosovë me komunitetin serb atje. Ai ka qenë tejet e qartë lidhur me këtë temë. Pra, po, lidhja me Rusinë e ndihmon, ja mundëson një qëllim të tillë, por ai ka ambiciet e veta, dhe ato ambicie janë shumë të qarta dhe duhet të shuhen.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk u konsultua nga Qeveria e Kosovës për një letër të cilën ajo ia dërgoi Këshillit të Evropës (KiE) të mërkurën, ku e njoftoi për qëllimet e Qeverisë për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha këshilltari i saj Bekim Kupina.
Kupina tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se presidentja “nuk e përkrah këtë letër”.
“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina për REL të enjten.
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten në mëngjes se Qeveria ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.
Gërvalla vjen nga partia Guxo, të cilën e kishte udhëhequr Osmani për disa muaj, deri në prill 2021, kur u emërua presidente dhe u largua nga partia, siç kërkon Kushtetuta e vendit.
Kupina theksoi se letra “mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”.
“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tre institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tre institucione”, tha ai.
Njoftimi i Gërvallës për zotimin e Kosovës për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një statut për Asociacionin vjen pasi disa vende, si Gjermania dhe Franca, kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Qeveria e Kosovës, fillimisht, e ka refuzuarAsociacionin si kusht.
Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave, i cili mblidhet më 16 dhe 17 maj.
Kosova nuk pritet të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.
Kupina shtoi se Osmani “gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet” me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës në KiE.
“Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin e Asociacionit dhe tha se ajo nuk mund ta bëjë një gjë të tillë pa pëlqimin e Serbisë. REL
Komentet