Lojtarët e Kosovës, gjatë intonimit të himnit, para ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës kundër Spanjës.
Doruntina Baftiu
Mesfushori 19-vjeçar, Lindon Emërllahu, u zgjodh pjesë e skuadrës së Kosovës për herë të parë në shtator të këtij viti, para ndeshjes kundër Irlandës Veriore në kuadër të Ligës së Kombeve. Ai u ftua nga trajneri Alain Giresse edhe këtë muaj, kur Dardanët zhvilluan dy ndeshje miqësore.
Këto dy ndeshje – të mërkurën kundër Armenisë dhe të shtunën kundër Ishujve Faroe – u zhvilluan përderisa 32 ekipe kombëtare të tjera po përgatiteshin për kampionatin prestigjioz botëror “Katari 2022”.
Emërllahu tregoi se edhe pse Dardanët mbetën jashtë Kupës së Botës, ky kampionat ka qenë temë diskutimi mes futbollistëve, ndërsa shton se dy skuadrat që ai vetë do t’i mbështesë janë Zvicra dhe Argjentina.
“Besoj që është ndjenjë e mirë të luash në Kupën e Botës. Normalisht, do të ishte një ndjenjë e papërshkrueshme që të paraqitesha me Kosovën në Kupën e Botës”, u shpreh mesfushori i Ballkanit, kampionit në fuqi të Kosovës në futboll, për Radion Evropa e Lirë.
Futbollisti 19-vjeçar, i cili këtë sezon luajti në gara evropiane me Ballkanin, beson se Dardanët në të ardhmen do të mund ta arrijnë kualifikimin në turne të tillë pasi që thotë se “Kosova ka një ekip shumë të mirë me lojtarë me përvojë”.
Çka ndodhi në kualifikimet për këtë Botëror?
Më 20 mars 2021, Kosova mësoi kundërshtaret e saj në kualifikimet për Kupën e Botës “Katar 2022”. Edhe pse fillimisht i ra shorti të jetë pjesë e Grupit A, Dardanët u zhvendosën në Grupin B, pasi Serbia veçse ishte zgjedhur për atë grup dhe dy vendeve nuk u lejohet nga FIFA të përballen mes vete.
Në Grupin B, Kosova u përball me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Pas tetë ndeshjeve të zhvilluara, mes 28 marsit dhe 14 nëntorit të vitit 2021, Kosova radhitej e fundit në grup, me gjithsej pesë pikë të grumbulluara.
Rrugëtimin në këtë grup, Dardanët e nisën me një humbje me rezultat 3:0 nga Spanja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mbyllën ndeshjen me dhjetë lojtarë pasi Bernard Berisha, që ishte inkuadruar në lojë vetëm në minutën e 83-të, u përjashtua nga loja me dy kartonë të verdhë.
Florent Hadergjonaj nga Kosova gjatë ndeshjes me lojtarët nga ekipi i Spanjës, 31 mars 2021.
Kosova i dha fund ciklit të ndeshjeve në Grupin B me barazim 1:1 me Greqinë në Athinë, në stadiumin olimpik “Spyros Louis”, ku shënoi Amir Rrahmani pas një harkimi brenda 11-metërshit nga Edon Zhegrova në minutën e 76-të.
Mes këtyre dy ndeshjeve, Kosova e arriti edhe një fitore historike në stadiumin “Batumi Arena”, ku mposhti Gjeorgjinë me rezultat 1:0. Fitoren Dardanëve ua siguroi autogoli i mbrojtësit gjeorgjian, Davit Khocholava, i cili devijoi gjuajtjen me kokë të Vedat Muriqit. Kjo mbetet fitorja e parë dhe e vetme e Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës.
Kjo fitore dhe dy barazime të tjera kundër Greqisë ia siguruan Kosovës pesë pikët e grumbulluara në këtë fazë.
Të pamjaftueshme për kualifikim në Kupën e Botës, tani kosovarët mund t’i përcjellin dy futbollistët me prejardhje nga Kosova që luajnë për ekipin kombëtar të Zvicrës: Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin.
Sytë drejt “EURO 2024”
Këta dy futbollistë mund të luajnë kundër Kosovës më 9 shtator dhe 18 nëntor të vitit të ardhshëm, gjatë kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian, që do të mbahet në Gjermani.
Shortin që e vendosi Kosovën në Grupin I – bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën – Federata e Futbollit e Kosovës e cilësoi si short të favorshëm, pasi tha se “iu shmang top-gjigantëve të futbollit evropian”.
Pas shortit, trajneri i Dardanëve, Alain Giresse, ishte shprehur veçanërisht i emocionuar për ndeshjet kundër Zvicrës, teksa shtoi se “duhet të shohim si mund të kualifikohemi”.
“Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, tha Giresse.
Faza kualifikuese nis në muajin mars dhe përfundon në nëntor të vitit të ardhshëm. Dhjetë fituesit dhe dhjetë nënkampionët e grupeve kualifikohen drejtpërdrejt në “EURO 2024”, ndërsa tri vendet e tjera plotësohen përmes fazës së play-offs.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kishte thënë se “ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi në të gjitha drejtimet për t’u kualifikuar. Është momenti ynë”.
Nga Grupi I, edhe para fillimit të kësaj faze kualifikuese, Izraeli e ka të siguruar kualifikimin të paktën në fazën e play-offs për shkak të performancës së tyre në Ligën e Kombeve.
Fituesve të grupeve të Ligave A, B dhe C iu takon nga një vend në play-offs për kualifikim në EURO 2024. Nëse ata e sigurojnë kualifikimin edhe pa play-offs, atëherë vendi i tyre i shkon skuadrës më të mirë të radhës në ligën e tyre. Kosova u radhit e dyta në grupin e saj në Ligën e Kombeve, në Grupin 2 të Ligës C, të cilin e fitoi Greqia me gjashtë pikë më shumë.
Komplikime potenciale: Ndeshjet kundër Rumanisë
Mesfushori Drilon Cenaj është ndër të paktët futbollistë kosovarë që ka luajtur në Rumani, njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por, Cenaj thotë se kjo nuk pati ndikim negativ në përvojën e tij sa luante për Pandurii Targu Jiu gjatë viteve 2018 dhe 2019.
“Unë kurrë në atë kohë nuk kam pasur probleme pse jam shqiptar. Edhe lojtarët, edhe krejt kryesia e klubit e kanë ditur që jam shqiptar, por e kanë ditur që kam edhe pasaportë hungareze, kështu që nuk ka pasur ndonjë problem”, thotë për REL-in, Cenaj, që tani luan për Prishtinën.
Futbollisti 25-vjeçar thotë se bashkëlojtarët dhe tifozët ishin të kënaqur me të në aspektin profesional dhe nuk iu interesonte prejardhja e tij, përveç kur e pyesnin për situatën në Kosovë dhe për vizitat e tij aty.
Por, politika dhe sporti nuk janë mbajtur gjithmonë të pavarura nga njëra-tjetra.
Një ditë pas shortit për kualifikimet në EURO 2024, Federata e Futbollit e Rumanisë u raportua nga mediumi rumun GSP të ketë vënë dyshime mbi organizimin e ndeshjes kundër Kosovës.
“Duke marrë për bazë situatën gjeopolitike, Federata e Futbollit të Rumanisë do të ketë dialog me Qeverinë e Rumanisë për të mësuar kushtet për ndeshjet në të cilat përfaqësuesja jonë do të takohet me Kosovën”, u cituan të kenë thënë nga Federata rumune.
Federata e Futbollit e Kosovës tha për REL-in se “ne sigurisht se kemi kontaktuar me Federatën rumune, por ata asnjëherë nuk kanë shprehur dyshime në lidhje me zhvillimin e ndeshjes”.
“FFK-ja ka marrëdhënie të mira dhe korrekte me Federatën rumune, ashtu sikurse me çdo federatë tjetër”, thanë nga FFK-ja.
Megjithatë, Ministria e Sportit e Rumanisë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Federata rumune ka kërkuar sqarime nga qeveria për kushtet në të cilat mund të zhvillohet ndeshja kundër Kosovës.
Ata kanë thënë se është propozuar themelimi i një grupi punues të përbërë nga Ministria e Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Federata e Futbollit e Rumanisë pasi që thanë se ndeshja kundër Kosovës e sjell “një situatë që e pretendon një kontekst specifik ndërkombëtar”.
Por, lidhur me këtë propozim të bërë nga Federata rumune më 11 tetor ende nuk është vendosur pasi që po pritet një vlerësim nga Drejtoria e Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë.
Lojtarë të Kosovës festojnë me tifozë pas golit të dytë në fitoren 3:0 kundër Bullgarisë në kualifikime për EURO 2020.
Në të kaluarën, Kosova ka luajtur edhe me Kombëtare të tjera, vendet e të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Greqia dhe Qipro nuk e kishin cilësuar problematike, ndërsa një ndeshje kundër Ukrainës ishte zhvendosur në Poloni.
Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu kishte pretenduar se nuk do ta lejojë ekipin e Kosovës të luajë me flamurin e vendit, por në fund ndeshja ishte zhvilluar normalisht.
UEFA, organi qeverisës i futbollit në Evropë, në një përgjigje për REL-in, ka theksuar se nëse Rumania refuzon të luajë, do të ndiqen rregullat e përcaktuara në rregulloret në fuqi. Sipas këtyre rregullave, cilado skuadër që refuzon të luajë humb ndeshjen me rezultat 3:0, por rrezikon edhe të humbasë vendin në “EURO 2024”.
Harry Kane shpallet fitues i Topit të Artë 2026, duke kurorëzuar një vit të jashtëzakonshëm me fanellën e Bayern Munich dhe kombëtaren e Anglisë.
Sulmuesi anglez triumfon pas një sezoni fantastik, ku shkëlqeu me gola të shumtë dhe paraqitje vendimtare. Kane lë pas rivalë të mëdhenj si Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal, duke arritur çmimin më prestigjioz individual në futbollin botëror.
Ky sukses është një moment historik për futbollin anglez, pasi Kane bëhet anglezi i parë që fiton Topin e Artë që nga Michael Owen në vitin 2001. Lamine Yamal shpallet talenti i vitit, ndërsa Luis de la Fuente vlerësohet si trajneri më i mirë. BW
Guerrils, tifozeria tradicionale e klubit të futbollit Partizani, ka njoftuar pezullimin e aktivitetit tifozerik dhe bojkotin e ndeshjeve të ardhshme, në shenjë solidariteti me studentët, pedagogët dhe qytetarët që po protestojnë, si dhe kundër dhunës policore.
Përmes një njoftimi zyrtar, Guerrils bën të ditur se vendimi vjen si pasojë e situatës së krijuar nga protestat, represioni dhe dhuna policore ndaj protestuesve. Tifozeria thekson gjithashtu se dhuna dhe arroganca e policisë nuk janë të panjohura për ta, pasi, sipas saj, të njëjtat metoda përdoren në mënyrë sistematike edhe ndaj tifozëve në stadiume.
Njoftimi i Guerrils:
“UG pezullon aktivitetin tifozerik.
Konfirmojmë kështu që nuk do të jemi prezent në ndeshjet e ardhshme si pasojë e situatës së protestave, represionit dhe dhunës policore me të cilën po përballen studentët, pedagogët dhe populli.
Dhunë kjo që për ne nuk është e panjohur, pasi në stadiume kjo metodë dhe arrogancë shfaqet ndaj nesh edhe tifozerive të tjera në mënyrë sistematike.
Idealet tona mbeten si flamuj që valëviten të lirë edhe pse erë e fortë fryn kundër!” sn
Cristiano Ronaldo vazhdon marshimin drejt kuotës së 1000 golave në karrierë. Ylli portugez ka realizuar golin e tij të 981-të, këtë herë në Champions League të Azisë, duke iu afruar edhe më shumë objektivit historik.
Sulmuesi i Al Nassr gjeti rrugën e rrjetës në përballjen kundër Neftchi Farg‘ona, në kuadër të javës së dytë të fazës së ligës në AFC Champions League Elite.
Goli erdhi pas një aksioni të bukur nga krahu i majtë. Sadio Mané krosoi në zonë, ndërsa Ayman e kontrolloi topin me gjoks dhe ia la në dispozicion Ronaldos. Portugezi goditi menjëherë me rrotullim, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke çuar Al Nassr në avantazhin 2-0.
Me këtë realizim, Ronaldo ka vetëm 19 gola për të arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 1000 golash në karrierën e tij profesionale. Një objektiv që 41-vjeçari synon ta përmbushë përpara se t’i japë fund aventurës së tij në futbollin e luajtur.
Ronaldo vazhdon të dëshmojë se mbetet vendimtar edhe në këtë fazë të karrierës, ndërsa çdo gol e afron më shumë me një rekord që do të shënonte një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit. sn
Shqipëria ka marrë një sukses të rëndësishëm në Ligën e Kombeve ndaj San Marinos, por ka vuajtur për të siguruar tre pikët përballë ekipit më të dobët në botë.
Pas një goli të shpejtë të Asllanit, kuqezinjtë e menduan ndeshjen e fituar dhe nuk ia dolën ta mbyllnin dukë shpërdoruar mundësi të mira pasi shpërdoronin me egoizëm rastet e krijuara.
Një gol i Lazari bëri që sfida të hapej në fund në mënyrë të papritur, pasi San Marino shfrytëzoi përgjumjen e kuqezinjve.
Maran hodhi gjithë ekipin në sulm duke kërkuar me çdo kusht golin. Ai do të vinte vetëm në shtesë pas një penalltie për prekje topi me dorë në zonë, me Asllanin i cili realizoi nga pika e bardhë për të shmangur një turpërim epik.
SHQIPËRI-SAN MARINO 2-1
11′, 90’+3′ (p) Asllani / 65′ Lazari
NGJARJET KRYESORE
90’+6’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Shqipërisë.
90’+3’ GOOOL SHQIPËRI! Asllani shënon me penallti. (VIDEO)
90’ Jepem 4 minuta shtesë.
90’ Penallti për kuqezinjtë! Pas një harkimi në zonë është Fabri që prek topin me dorë dhe gjyqtari pasi sheh VAR, jep penallti.
90’ Pas një harkimi në zonë, Asllani gjuan por gjen përgjigjen e portierit. (VIDEO)
88’ Harkim tjetër nga Mehmeti, Daku me kokë nuk gjen portën.
87’ Harkim në zonë për Dakun, sulmuesi pengohet nga Manaj dhe nuk gjuan në portë. (VIDEO)
86’ Xhulio merr vendin e Kapikione në radhët e San Marinos.
83’ Xhakopeti ndëshkohet me karton të verdhë.
82’ Hysaj nis topin në zonë ku është Daku, gjuajtja e të cilit devijohet në këndore. (VIDEO)
79’ Daku nga e majta lëshon një gjuajtje tokazi që devijohet dhe shkon jashtë.
77’ Asllani gjuan përballë zonës, sfera përfundon jashtë pa gjetur portën.
76’ Xhokondi ndëshkohet me të verdhë pasi ndal në mënyrë të parregullt Mehmetin.
73’ Daku del nga e djathta, gjuan por sfera kalon gjithë pasqyrën e portës.
71’ Mitaj dhe Shehu lënë fushën e lojës për Ramadanin dhe Dakun.
65’ E pabesueshme! Një harkim nga e majta e sulmit gjen Lazarin i cili përfiton nga përgjumja e Mitajt dhe çon sferën në rrjetë. (VIDEO)
63’ Shehu nga e djathta provon me një gjuajtje që më pas nuk kthehet në rrjetë as nga Manaj. (VIDEO)
62’ Një harkim në zonë nga e djathta gjen Uzunin i cili gjuan me kokë, por sfera kalon mbi traversën e portës mike. (VIDEO)
59’ Pankoti, Lazari dhe Benvenuti hyjnë në fushë në vend të Saliçioni, Meloni dhe Çevoli në radhët e San Marinos.
56’ Uzuni merr vendin e Hoxhës në radhët e kuqezinjve.
51’ Çevoli ndëshkohet me të verdhë pasi ndal në mënyrë të parregullt Mehmetin.
49’ Pas një goditje dënimi të Asllanit, Mehmeti devijon në zonë por sfera shkon në duart e portierit.
46’ Muçi i lë vendin në fushë Mehmetit në startin e pjesës së dytë.
45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me shifrat 1-0 për Shqipërinë.
45’ Jepen 2 minuta shtesë.
45’ Della Balda del në sulm në të djathtën, gjuajtja e tij ndalet nga Dajsinani i vëmendshëm. (VIDEO)
41’ Shehu gjuan nga jashtë zonës, sfera shkon në duart e portierit pas një devijimi.
40’ Hoxha harkon në majta për Manajn, i cili nuk ia del të devijojë drejt portës.
38’ Fabri ndëshkohet me të verdhë për një faull ndaj Asllanit.
37’ Hysaj pason për Manajn në zonë, gjuajta e këtij të fundit ndalet nga portieri me këmbë. (VIDEO)
34’ Hoxha futet në qendër nga e majta, gjuajtja tokazi shkon në duart e portierit.
31’ Kundërzbritje e shpejtë e kuqezinjve, topi shkon te Manaj i cili vonohet duke mos pasuar e më pas gjuan duke parë sferën të bllokohet nga mbrojtja. (VIDEO)
30’ Edhe Zanoni tenton nga distanca, sfera shkon lart mbi traversë, pa shqetësuar Dajsinanin.
27’ Kapikioni provon nga distanca, Dajsinani është në pozicion dhe pret sferën. (VIDEO)
22’ Manaj rrotullohet në zonë dhe gjuan menjëherë, por godet vetëm shtyllën e portës së miqve. (VIDEO)
19’ Një top interesant në zonë nuk kontrollohet nga Manaj i cili e sheh të shkojë në fundore. (VIDEO)
17’ Pilo hyn në zonë nga e majta, harkimi i tij në qendër nuk shfrytëzohet nga askush.
14’ Asllani harkon një goditje dënimi direkt në zonë, sfera grushtohet nga portieri.
11’ GOOOL SHQIËPRIA! Asllani nga distanca shënon me një goditje spektakolare (VIDEO)
8’ Provon edhe Manaj nga jashtë zonës, sfera shkon në duart e portierit. (VIDEO)
7’ Muçi tenton portën nga jashtë zonës, sfera shkon larg katërkëndorit. (VIDEO)
5’ Hysaj kroson në qendër për Asllanin i cili gjuan me kokë por nuk gjen portën. (VIDEO)
3’ Dajsinani gabon në kontrollin e topit para portës, por pastaj rikuperon.
Rob Henesi shkaktoi pakënaqësi të mëdha te Kombëtarja, pasi nuk akordoi penallti për Myrto Uzunin ndaj Finlandës. Vendimi i gjyqtarit irlandez u mbështet nga skocezët në dhomën e VAR. Episodi i Uzunit u konsiderua simulim, teksa Finlanda fitoi me rezultatin 2-1.
Kjo nuk është hera e parë që Henesi bën bujë në një ndeshje ndërkombëtare. Ishte vera e vitit 2021, kur maltezët e Hibernians u ankuan zyrtarisht në UEFA pas gjykimit në Ligën e Konferencës.
HISTORIA- Hibernians kishte fituar 0 me 1 në ndeshjen e parë në transfertë ndaj Rigës, dhe po bëhej klubi i parë maltez që do të shkonte në grupet e një kompeticioni europian. Fillimisht ishte një vendim i diskutueshëm për pozicion jashtë loje në Ligën e Konferencës, që i mohoi Hibernians një gol të dytë. Riga ndërkohë e dërgoi ndeshjen në shtesë duke shënuar në fund për rezultatin 1-2 në Maltë.
Një lojtar i Hibernians u largua me karton të kuq për të vështirësuar llogaritë pasi ndeshja shkoi me shtesa. Po ashtu edhe trajneri me një tjetër lojtar të Hibernians nga pankina u ndëshkuan me karton të kuq. Rezultati pas 120 minuta ishte 4-1 në favor të Rigës.
POLITIKA- Qeveria në Maltë po ashtu ndërhyri pasi gjykimi u konsiderua skandaloz. Asokohe ishte Ministri i Punëve të Brenshme, Byron Camilleri, që reagoi pas humbjes për vendimet në fushë.
DEKLARATA E HIBERNIANS- “Kemi dërguar një letër zyrtare proteste në UEFA pas sjelljes së papranueshme të ekipit të arbitrimit në ndeshjen e së enjtes së kaluar kundër FC Riga. Klubi ka kërkuar një hetim zyrtar për incidentet që karakterizuan ndeshjen. Edhe pse e dimë se kjo nuk do ta ndryshojë rezultatin, mbetemi të vendosur që drejtësia të vihet në vend për Hibernians FC”.
Kosova do të përballet sot me Austrinë. Sfida e orës 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” është vendimtare për dardanët në Ligën e Kombeve.
Kosova regjistron 3 pikë më pak se Austria pas tre raundesh dhe në shtëpi i bën punë vetëm fitorja. Trajneri Foda ka bërë zgjedhjet e tij teknike për listën me 23 lojtarë.
Avdyli, Kacuri dhe Jashari do të qëndrojnë në tribunë. Albian Hajdari është një mungesë e konfirmuar nga më parë për shkak dëmtimi.
Kujtojmë se Kosova barazoi në sfidën e fundit ndaj Izraelit. Foda provoi rotacionit, ndërsa ekipi nuk ia doli të shkonte te goli. bw
Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar njoftimin ku tregon se dy lojtarë të Kombëtares janë larguar nga grumbullimi. Bëhet fjalë për Feta Fetain dhe Samuele Sinën.
Simon Simoni ndërkohë rikthehet pasi Etrit Berisha u pezullua. Luis Hasa është sërish në dispozicion pasi la pas problemet shëndetësore.
Fetai dhe Sina i janë bashkuar Kombëtares U-21 për sfidën miqësore ndaj Ukrainës. Zgjedhja është disi e papritur duke pasur parasysh se ndaj San Marinos pritet të ketë sërish rotacion te Kombëtarja.
NJOFTIMI I FSHF
Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushë pas kthimit nga Finlanda me lojtarët kuqezi që kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore në Shtëpinë e Futbollit në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës ndaj San Marinos.
Skuadra u nda në dy grupe, teksa lojtarët që nuk u aktivizuan në Finlandë zhvilluan një seancë me ngarkesë të plotë. Ndërsa lojtarët që ishin titullarë në ndeshje bënë vetëm rikuperim dhe fizioterapi.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka ndryshime në listën e Kombëtares. Mesfushori Feta Fetai dhe mbrojtësi Samuele Sina do të largohen për t’u bashkuar me Kombëtaren U-21 dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Alban Bushi për miqësoren me Ukrainën, që luhet nesër në ora 15:30 në Hungari.
Sakaq, edhe mesfushori Luis Hasa ka kaluar problemet shëndetësore dhe sot është bashkuar me grupin, duke qenë gjithashtu i gatshëm për ndeshjen e katërt të UEFA Nations League.
Gjithashtu, trajneri Rolando Maran ka thirrur portierin Simon Simoni për të zëvendësuar Etrit Berishën e skualifikuar. Simoni është bashkuar që sot në stërvitje me kuqezinjtë dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen me San Marinon, që luhet më datë 6 tetor, ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Biletat për ndeshjen Shqipëri-San Marino mund ti gjeni obline në ebileta.al ose në pikën e shitjes fizike në stadiumin “Air Albania”.
Gjatë ndeshjes Shqipëri–Bjellorusi nuk munguan mesazhet pikante. Në “Air Albania”, u dëgjua thirrjet “Arrestoni Ramën” dhe natyrisht prezente ishte edhe një pankartë e tillë.
Pavarësisht se është vetëm futboll, tifozët shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa mesazhi tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve. Shqipëri-Bjellorusi zhvillohet paralelisht me protestën e 119-të me radhë para kryeministrisë.bw
VOAL- Futbolli italian është në zi – Sandro Mazzola, i cili ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare.Një legjendë dhe sulmues i Interit, karriera e lojtarit të Mazzola ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me ngjyrat e Nerazzurrëve, për të cilat ai luajti 17 sezone nga viti 1961 deri në vitin 1977. Gjatë atyre viteve, viteve të “Interit të Madh”, klubi shkroi ndoshta faqet më të shkëlqyera në historinë e tij, duke fituar katër Scudetto, dy Kupa Evropiane dhe dy Kupa Ndërkontinentale.Ai gjithashtu veshi fanellën e Italisë në 70 raste, duke shënuar 22 gola dhe duke fituar Kampionatin Evropian në vitin 1968, përpara se të arrinte në finalen e Kupës së Botës dy vjet më vonë.Në vitin 1971, ai ishte nënkampion në garën për Topin e Artë pas Johan Cruijff. RSI
Drejtor sportiv i AC Milan për dy vjet, deri në majin e kaluar, ish-sulmuesi i kombëtares Igli Tare dyshohet për pastrim parash në Shqipëri, në kuadër të një hetimi të gjerë për korrupsion.
Ish-drejtori sportiv shqiptar i AC Milan, Igli Tare (53 vjeç), është objekt i një hetimi për korrupsion në Shqipëri, ku është e përfshirë ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila vetë është nën akuzë në një çështje për dhënien e kontratave publike, njoftoi më 9 shtator Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), në një komunikatë të gjatë.
SPAK-u thotë se ka zgjeruar hetimin ndaj Belinda Ballukut edhe te ish-sulmuesi i kombëtares (67 ndeshje), i cili ka gjithashtu shtetësi italiane. Igli Tare, i cili mbajti postin e drejtorit sportiv të klubit kuqezi nga viti 2024 deri në maj 2026, dyshohet veçanërisht për pastrim parash në këtë çështje shumë të bujshme.
Gjatë karrierës së tij si futbollist në Itali, ai ka luajtur për Brescia-n, Bolognën dhe Lazion e Romës, ku ka qenë gjithashtu “DS” në vitet 2008-2009 dhe 2022-2023.
Dy vila në bregdetin jonian
E afërt me kryeministrin socialist Edi Rama, zonja Balluku u vu nën akuzë në nëntor 2025 nga SPAK-u për favorizim në dhënien e tenderëve në kuadër të dy projekteve të mëdha rrugore, me vlerë të përllogaritur në disa qindra milionë euro. Ajo u shkarkua nga detyra në nëntor 2025.
Sipas prokurorisë, “me qëllim fshehjen e përfitimit të siguruar nga një vepër korrupsioni”, ish-zëvendëskryeministrja regjistroi në emër të Igli Tares dy vila në bregdetin Jonian, në jugperëndim të vendit, në Dhërmi dhe në Palasë. Të dyja vilat, të shitura sipas prokurorisë në mënyrë fiktive ish-futbollistit, janë sekuestruar.
“Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku iu drejtua shtetasit Igli Tare, i cili kreu veprime fiktive”, shpjegon SPAK-u në komunikatën e tij.
Tare është marrë në pyetje nga hetuesit në gusht, në kuadër të këtij hetimi.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përbën një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Disa ish-ministra të qeverive të Edi Ramës, në pushtet që nga viti 2013, janë vënë në shënjestër të drejtësisë në çështje korrupsioni. sn
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka dënuar klubin Crvena Zvezda të Beogradit dhe Borac Banjalluka për sjelljen raciste të tifozëve të tyre, pasi në ndeshjet e këtyre klubeve në garat evropiane iu bë homazh Ratko Mlladiqit, të dënuarit për gjenocid dhe krime të tjera të luftës.
Në ditën e vdekjes së Mlladiçit më 27 gusht, tifozët e Zvezda-s në ndeshjen kundër klubit futbollistik, Viktoria Plzen në Çeki shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiçit. Për këtë arsye, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës kërkoi nga UEFA që ta përjashtojë përgjithmonë klubin nga Beogradi.
Komisioni Disiplinor i UEFA-s njoftoi se Crvena Zvezda është dënuar me një gjobë prej gati 100.000 eurosh për sjellje raciste dhe brohoritje të papërshtatshme nga tifozët, si dhe me ndalimin e shitjes së biletave për tifozët e saj për ndeshjen e radhës si mysafir në një garë evropiane.
Gjatë ndeshjes, tifozët e klubit të Beogradit shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit ”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiçit. Më pas, FK Crvena Zvezda publikoi në profilet e saj zyrtare në rrjetet sociale fotografi ku pankartat në fjalë shihen qartë.
Për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, Zvezda u gjobit me 40.000 euro, ndërsa për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive u gjobit me 50.000 euro. Klubi u gjobit edhe me 8.250 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit gjatë ndeshjes si mysafir në Plzen.
Në ndeshjen e Borac Banjalluka kundër Vikingur Reykjavik, më 27 gusht, në ditën e vdekjes së Mlladiçit, në tribunat e stadiumit të qytetit në Banjallukë iu bë homazh Mlladiqit.
Komisioni Disiplinor i UEFA-s njoftoi se klubi nga Banjalluka, për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, është dënuar me 30.000 euro, ndërsa është urdhëruar mbyllja e pjesshme e stadiumit për ndeshjen e radhës të Borac-it në një garë evropiane.
Borac është dënuar edhe me 4.000 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit, me 3.500 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike, ndërsa anëtari i stafit teknik, Bogolub Zhelkoviq, është dënuar me 2.000 euro për fyerjen e zyrtarit të ndeshjes.
Briken Calja ka fituar medalje ari në stilin e shkëputjes, duke ngritur 154 kilogramë, që është edhe një rekord në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.
Peshëngritësi shqiptar ka garuar sot në kategorinë deri 75 kilogramë. Në stilin e shkëputjes ai ngriti 147 kilogramë në provën e parë. Në provën e dytë, Calja ngriti 152 kilogramë dhe në të tretën 154 kilogramë. Tre prova të kaluara me sukses dhe rekord nga ai për Lojërat Mesdhetare.
Shqipëria kishte marrë tri medalje më parë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, të gjitha në mundje. Medalje ari ka fituar Islam Dudajev, medalje argjendi Zelimkhan Abakarov dhe medalje bronzi Ardit Zeneli.
Komentet