Deklarata për media e lëshuar nga një kompani në Shën Petersburg e quajtur Concord Catering and Management, ishte e drejtpërdrejtë: Kryetari i zgjedhur i qytetit të dytë më të madh të Rusisë është mashtrues, sugjeroi deklarata.
Prokurorët duhet të hetojnë “faktin për krijimin e mundshëm nga guvernatori [Aleksandr] Beglov të një komuniteti të organizuar kriminal në territorin e Shën Petersburgut me qëllim të plaçkitjes së buxhetit shtetëror dhe pasurimit të zyrtarëve të korruptuar që ka nën tutelë”, tha kompania përmes deklaratës së lëshuar më 31 tetor, që i ishte drejtuar Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Kombëtar.
Në arenën ku shpesh takohet politika ruse dhe biznesi, këto lloj akuzash mund të duken normale.
Por, biznesmeni që po bën akuza të tilla kundër një kryetari të zgjedhur dhe të pushtetshëm, është oligarku Yevgeny Prigozhin, pasuria e të cilit vjen nga kontratat në fushën e gastronomisë dhe fama e tij vjen edhe nga pronësia e kompanisë private të mercenarëve, Vagner, që njihet edhe me emrin Wagner.
Inatet midis Prigozhinit dhe Beglovit kanë nisur disa vite më herët, por përplasja e fundit vjen pasi Prigozhin është vendosur edhe më shumë në qendër të vëmendjes të politikës ruse, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin e luftës në Ukrainë.
Prigozhin ka qenë një nga kritikët më të ashpër të qasjes së komandantëve rusë ndaj pushtimit të Ukrainës. Sipas ligjeve ruse, aktualisht është e paligjshme që rusët të kritikojnë ose “diskreditojnë” forcat e armatosura ose të kenë në pronësi apo të operojnë kompani private mercenare.
“Është shumë e dukshme që Prigozhin e ka gjetur momentin e duhur për të zgjeruar profilin e tij publik”, tha Candace Rondeaux, hulumtuese në Fondacionin Amerika e Re në Uashington. Ajo njëherësh është edhe autore e një raporti të vitit 2019 të titulluar “Dekodimi i grupit Wagner”.
“Ai nuk është asgjë tjetër veçse një opurtinist, këtë gjë e tregon karriera e tij, dhe kjo tregon se mund të ketë shpërblime për çdo aktivitet që mbështet luftën”.
“Në të vërtetë, ai tani është në kulmin e fuqisë së tij politike dhe të ndikimit politik”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë dhe shtoi se kjo po ndodh “për shkak të natyrës së kësaj faze të luftës, që i ka lejuar atij të anojë në rolin e tij si kapiten i një shteti dashakeq”.
Andrei Kolesnikov, ekspert i politikës ruse dhe hulumtues i lartë në Institutin për Ndihmë të Paqes Ndërkombëtare Carnegie, tërhoqi paralele me Grigory Rasputin, murgun mistik që kishte ndikim mbi familjen e carit të fundit të Rusisë në vitet 1910.
“Në kuptimin e ndikimit të tij, të paktën në sferën publike, ai nis e i ngjan Rasputinit në kohën e Nicholas II”, tha Kolesnikov për Current Time.
“Dhe natyrshëm shumë tani po mendojnë nëse ky person është, le të themi, kandidati i ardhshëm për president apo një figurë që mund të hyjë në sferat më të larta të politikës, që godet me bërryla këdo që i afrohet”, tha Kolesnikov.
“Vetë i kam pastruar armët e vjetra”
Përderisa Prigozhin e nisi karrierën e tij si pronar restorantesh dhe furnizues i ushqimeve në qytetin e tij Shën Petersburg, ai arriti sukses financiar vetëm kur fitoi kontrata për të ofruar shërbime ushqimore për Kremlinin. Emri Concrod përdoret për një sërë kompanish të lidhura me të.
Ndërkaq, origjina e saktë e Vagnerit është e mbështjellë me mister, por gazetarët dhe hulumtuesit rusë, sikurse Rodeaux, thanë se kompania ka evoluar nga një rrjet i kompanive private të sigurisë, të drejtuara nga ish-ushtarët e forcave speciale ruse.
Ushtarët e këtij grupi besohet se kanë luftuar në Donbas të Ukrainës, pasi Rusia nxiti nisjen e luftës në këtë rajon më 2014.
Pasi Kremlini urdhëroi një intervenim të madh në Siri për të mbështetur regjimin e diktatorit sirian, Bashar al-Assad, më 2015, ushtarët e Vagnerit fituan më shumë reputacion për brutalitetin e tyre, teksa ofruan siguri për diplomatët, ruajtën ndërtesat e naftës dhe gazit si dhe stërvitën milicitë lokale. Mercenarët e Vagnerit po ashtu është raportuar se kanë qenë në Republikën e Afrikës Qendrore ku kanë qenë të përfshirë në operacione për mihjen dhe eksportin e diamanteve dhe mineraleve të tjera të çmueshme.
Gazetarët rusë kanë identifikuar ish-ushtarin e inteligjencës ushtarake ruse, të quajtur Dmitry Utkin, si kreun e Vagnerit. Utkin kishte marrë pjesë në një ceremoni luksoze të Kremlinit më 2016.
Pronësia e grupit Vagner nga Prigozhin ka qenë një sekret publik në Rusi për vite me radhë.
Në shtator, ai konfirmoi se Vagner është në pronësi të tij.
“Unë vetë i kam pastruar armët e vjetra, vetë i rregulloja jelekët anti-plumb dhe gjeta specialistë për të më ndihmuar për këtë”, tha ai përmes një deklarate më 26 shtator të publikuar nga Concord Management and Consulting në rrjetin social VK. “Më 1 maj të vitit 2014 lindi një grup patriotësh, të cilët më vonë morën emrin ‘Vagner’”.
Një tjetër kompani e financuar nga Prigozhun, origjina e të cilës është e mbështjellë me mister, quhet Agjencia për Hulumtime në Internet. Kjo kompani është e specializuar në krijimin e llogarive të rreme për Facebook dhe për mediat e tjera sociale dhe për shpërndarjen e dezinformatave dhe propagandës. Më vonë, kompania u përfshi edhe në konspiracionin për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.
Dy vjet më vonë, një juri e madhe në SHBA e paditi Prigozhinin dhe 12 rusë të tjerë, si dhe Agjencinë për Hulumtime në Internet.
Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt, mercenarët e Vagnerit ishin në mesin e disa njësive të parregullta që luftuan përkrahë forcave të rregullta ruse. Luftëtarët e Vagnerit luajtën rol kyç në marrjen e qytetit-port të Maripolit nga Rusia si dhe të qytetit Severodonjeck në rajonin e Luhanskut. Ata raportohet se janë të përfshirë edhe në sulmin që po vazhdon në Bahmut, që gjendet në rajonin ukrainas të Donjeckut.
Gjatë verës, kur lufta nisi të humbte fuqinë, një numër në rritje i blogerëve ushtarakë rusë shprehën zhgënjimin e tyre me komandantët dhe me mosvullnetin e Kremlinit për të shpallur një mobilizim të përgjithshëm ushtarak apo për të dërguar më shumë burra në luftë.
Prigozhin në shtator mori përsipër vetë që të gjente më shumë burra për luftë, kur doli një video në aplikacionin Telegram në të cilën ai shfaqej në një burg – në një vend rural të Rusisë – duke u premtuar të dënuarve lirim të parakohshëm nëse ata do të regjistroheshin që të shkonin për gjashtë muaj në luftë në Ukrainë.
*Video nga arkivi: Prigozhin rekruton mercenarë në burgje
Kritikat ndaj luftës u rritën pasi forcat ukrainase rimorën pjesë të territorit në rajonin verilindor të Harkivit dhe përparuan kundër forcave ruse në rajonin jugor të Hersonit.
Në mesin e kritikëve ishin Prigozhin dhe lideri çeçen Ramzan Kadyrov, që bënë thirrje për përshkallëzim të madh dhe ndryshime të mëdha në komandën ruse.
“Dërgoni të gjithë ata bastardë këmbëzbathur, me mitraloza, në frontin e luftës”, tha Prigozhin përmes një deklarate të publikuar nga kompania e tij, pasi Rusia u tërhoq nga Harkivi.
Më 29 tetor, një prej gjeneralëve që u kritikua për shkak të tërheqjes nga Harkivi – gjeneralkolonel Aleksandar Lapin – u raportua se është hequr nga komanda e tij.
Tri javë më herët, gjatë një ndryshimi të strukturës komanduese në Ukrainë, Putin emëroi një komandant të përgjithshëm për luftën, gjeneralin Sergei Surovikin, i cili më pas nisi një fushatë të ashpër të sulmeve me raketa dhe dronë ndaj caqeve civile në Ukrainë.
Surovikin, emërimi i së cilit në krye të komandës për Ukrainën u mirëprit nga Prigozhin dhe personat e tjerë që kritikuan mënyrën e luftës së Rusisë, më herët kishte qenë komandant kryesor i Rusisë në Siri – në kohën kur forcat e Vagnerit luajtën një rol aktiv brenda dhe jashtë fushëbetejës.
“Surovikin është ai personi që i dha hapësirë Prigozhinit të bëhej ai që është bërë sot”, tha Rondeaux.
Luftë inatesh
Lufta e Prigozhinit me Beglovin nuk është diçka e re, por me gjasë daton që nga viti 2018, kur Beglov u emërua guvernator i Shën Petersburgut, dhe një vit më pas fitoi zgjedhjet lokale. Novaya Gazeta Europe tha se përplasjet e tyre vijnë nga një përleshje për financimin e fushatës së Beglovit, por edhe për zhvillimin e sektorit të patundshmërisë në Gjirin e Finlandës.
Prigozhin ishte po ashtu prapa disa videove që tallnin Beglovin.
Në shtator, një tjetër organizatë e lidhur me Prigozhinin, organizatë që e portretizon veten si grup avokues për veteranët, kërkoi që Komiteti Hetues kombëtar të hetonte se si zyrtarët e Shën Petersburgut po kryenin fushatën për mobilizim, që kishte për qëllim rritjen e numrit të ushtarëve në Ukrainë, Grupi po ashtu sugjeroi se familjarët e Beglovit mund të tentojnë që t’i shmangen mobilizimit.
Megjithatë, koha e përplasjes së fundit është edhe më e favorshme. Novaya Gazeta Europe e quajti “përballje të fundit” dhe “sensacion”. Gazeta Petersburg Vestnik tha se popullariteti i Pirgozhinit “është në rritje” të madhe.
Në të njëjtën ditë që Prigozhin bëri thirrje për hetim, ai njoftoi për hapjen e një qendre biznesore në Shën Petersburg, të quajtur Qendra Vagner.
Qendra Vagner në Shën Petersburg. 31 tetor 2022.
Një yll politik në ngritje?
Përgjigja në pyetjen nëse Prigozhin do të ndjekë karrierë politike është ende e hapur.
Megjithatë, “nëse do të kishte ndonjë rrugë të mundshme që Prigozhin të bëhej politikan, ajo do të ishte në Shën Petersburg”, tha Rondeaux. “Nuk do të jetë në Moskë, apo diku në Urale”.
“Mendoj se ai pret të shpërblehet. Atij nuk i duhen para, tani ai do të preferonte të kishte një peshë politike dhe ndikim”, tha ajo.
“Ai e ka paraqitur veten si një forcë politike, duke përdorur statusin e tij popullor dhe lidhjet e tij me Vagnerin për të kritikuar kundërshtarët e tij brenda qarqeve të elitave dhe për të institucionalizuar autoritetin e tij”, u tha në një raport të Institutit për Studimin e Luftës, me seli në Uashington.
Prigozhin, që nuk ishte i qasshëm për koment, ka dhënë një intervistë për Petersburg Vestnik, në të cilën ai u pyet për aspiratat e tij politike.
“Sa i përket rritjes së popullaritetit tim, unë nuk vuaj për popullaritet”, citohet të ketë thënë ai. “Detyra ime është të përmbush obligimet e mia për atdheun dhe sot nuk planifikoj të financoj ndonjë parti politike, e lëre më të futem në politikë”.
Prigozhin (majtas) dhe Putin, që atëbotë ishte kryeministër i Rusisë, gjatë një darke me studiues të huaj dhe gazetarë në Moskë në nëntor të vitit 2011.
Ndikimi politik i Prigozhinit në Kremlin po ashtu është një pyetje e hapur. Analistët që e kanë përcjellë karrierën e tij, thanë se ai ka mbështetës të fuqishëm, që i kanë lejuar atij të rrisë bizneset dhe të punojë së bashku me strukturat e ushtrisë ruse.
Dhe kritikat e tij për mënyrën se si po zhvillohet lufta në Ukrainë kanë pasur ndikim në qarqet nacionaliste ruse, qarqet ushtarake dhe ato të sigurisë.
Prigozhin raportohet se është ankuar direkt te Putinin për menaxhimin e luftës, ka raportuar The Washington Post, media që tha se inteligjenca amerikane ka njohuri për bisedat e tij private me Putinin.
“Ata janë drejt përplasjes”, tha Kolesnikov për Current Time.
“Prigozhin qartazi është i uritur për pushtet. Ai është një njeri shumë i fortë, dhe në shumë mënyra është edhe mizor. Ai ka një karizmë negative prej djalli, dhe në një farë mënyre, karizma e tij mund ta sfidojë atë të Putinit”, tha ai.
“Por, Putin tani ka nevojë për të në këtë rol që aktualisht ka. Ai po i jep [Prigozhinit] gjithnjë e më shumë fuqi dhe i jep një sërë funksionesh”, tha Kolesnikov.
Zyrtarë të inteligjencës evropiane kanë ngritur shqetësimin se Rusia mund të ndërmarrë një “test” ndaj NATO-s në muajt e ardhshëm, duke paralajmëruar se një përshkallëzim i mundshëm mund të ndodhë “pas muajsh, jo pas vitesh”. Paralajmërimi vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë po i afrohet dimrit të pestë dhe kur sulmet me dronë e raketa mes Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar.
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi në parlament se vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës tregojnë se Rusia mund të ndërmarrë një sulm me dronë ose raketa në territorin e NATO-s në muajt e ardhshëm, me synimin për të testuar reagimin e aleancës dhe efektivitetin praktik të Nenit 5. Presidenti francez Emmanuel Macron i cilësoi këto paralajmërime si të dokumentuara dhe të bazuara mirë, ndërsa thirri një takim urgjent në Paris me liderët e partive dhe kandidatët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, ku u diskutua edhe kërcënimi i perceptuar nga Rusia.
“Muaj, jo vite” për një përshkallëzim të mundshëm
Kreu i agjencisë së inteligjencës së sigurisë së Republikës Çeke, BIS, Michal Koudelka, tha se skenari mund të përfshijë një pushtim të kufizuar të territorit të NATO-s që kufizohet me Rusinë, provokime me flamur të rremë ose një fushatë të gjerë ndikimi. Sipas tij, një situatë e tillë mund të zhvillohet “gjatë muajve, jo viteve”, megjithëse ai theksoi se po bëhen përpjekje për të parandaluar një përshkallëzim të tillë.
Megjithatë, zyrtarët e vendeve baltike kanë shfaqur një qasje më të kujdesshme. Letonia, Estonia dhe Lituania kufizohen me territorin rus dhe kanë paralajmëruar se burimet e Moskës janë të kufizuara për shkak të luftës në Ukrainë. Ata gjithashtu kanë ngritur shqetësimin se ekzagjerimi i mundësisë së një sulmi të afërt mund t’i shërbejë interesave të Kremlinit.
Drejtori i përgjithshëm i shërbimit shtetëror të sigurisë së Letonisë, Normunds Mezviec, tha se nuk shihen shenja për një sulm të afërt, por pranoi se ekzistojnë indikacione se Moska po përgatitet për veprime më vendimtare në Evropë. Sipas tij, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për plane konkrete dhe të menjëhershme apo për pjesë të një strategjie më të gjerë për të krijuar frikë dhe pasiguri në shoqëritë perëndimore.
Çfarë thonë shërbimet e inteligjencës?
Zyrtarët evropianë të inteligjencës nuk kanë bërë publike informacionet konkrete mbi të cilat bazohen vlerësimet e tyre për muajt e ardhshëm. As Mezviec dhe as Koudelka nuk kanë dhënë detaje mbi informacionet e mbledhura për planet e supozuara ruse. Ata gjithashtu nuk kanë komentuar nëse vizita e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë muajin e kaluar kishte lidhje me një paralajmërim ndaj Kremlinit për pasojat e mundshme të një sulmi ndaj NATO-s.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar se një sulm rus ndaj NATO-s “nuk ka të bëjë fare me realitetin dhe qëllimet e Federatës Ruse”.
Në Evropë, megjithatë, paralajmërimet rikthejnë në vëmendje situatën përpara pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, kur zyrtarët amerikanë paralajmëronin se Rusia po përgatitej për një ofensivë, ndërsa Moska i mohonte kategorikisht këto vlerësime.
Shqetësim për sabotimet ruse në Evropë
Përveç mundësisë së një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë, agjencitë perëndimore të inteligjencës po ndjekin edhe aktivitetin e dyshuar sabotues rus në Evropë. Sipas tyre, Moska ka shmangur deri tani veprime që mund të shkaktonin një përgjigje të koordinuar të NATO-s, por ka zhvilluar një fushatë sabotimi dhe incidente të izoluara që, sipas këtyre agjencive, synojnë të testojnë kufijtë e Perëndimit.
Kreu i inteligjencës çeke, Koudelka, e përshkroi taktiken ruse si “përshkallëzim për hir të çpërshkallëzimit”, duke pretenduar se qëllimi është të ushtrohet presion mbi shoqëritë perëndimore dhe të kufizohet mbështetja për Ukrainën. Sipas tij, Moska llogarit që përshkallëzimi i presionit mund t’i shtyjë vendet evropiane të reduktojnë mbështetjen për Ukrainën.
Në javët e fundit, shqetësimi për sabotimet është rritur. Kreu i shërbimit suedez të inteligjencës dhe sigurisë ushtarake, Thomas Nilsson, e cilësoi një incident me një dron të armatosur në aeroportin e Leipzigut, të cilin autoritetet gjermane ia atribuuan shërbimeve ruse të inteligjencës, si një “ndryshim të lojës”. Ai paralajmëroi se incidente që mund të shkaktojnë viktima ose të godasin infrastrukturën kritike mund të ndryshojnë ndjeshëm situatën.
Sipas zyrtarëve të inteligjencës, aktiviteti rus mund të zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt objektivave infrastrukturore të lidhura me mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Përmenden si objektiva të mundshëm infrastruktura hekurudhore dhe objekte të lidhura me industrinë e mbrojtjes.
Sipas vlerësimit të tre drejtuesve të inteligjencës, intensifikimi i sabotimeve mund të synojë dobësimin e mbështetjes evropiane për Ukrainën, krijimin e përçarjeve brenda NATO-s dhe shtimin e shqetësimit në mesin e popullsive evropiane. Ndërkohë, zyrtarët baltikë vazhdojnë të theksojnë se nuk shohin shenja për një sulm të afërt, duke bërë dallimin mes kërcënimit afatgjatë nga Rusia dhe një sulmi të menjëhershëm ndaj NATO-s. bw
Shtëllunga tymi ngrihen pas zjarrit në një rafineri nafte, pas atij që autoritetet e cilësojnë si një sulm me dronë ukrainas në Moskë, Rusi, më 20 shtator 2026.
Radio Evropa e Lirë
Qindra dronë shënjestruan Moskën dhe rajonin përreth saj në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi të dielën, duke i vrarë të paktën dy njerëz dhe duke dëmtuar një rafineri të madhe nafte, sipas autoriteteve ruse.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, e cilësoi sulmin e të dielës si më të madhin me dronë deri tani ndaj kryeqytetit rus.
Një objekt në rafinerinë e naftës në Moskë, e cila është shënjestruar edhe më parë, gjithashtu u dëmtua.
“Sulmi më i madh me dronë armiku është zmbrapsur”, tha Sobyanin në Telegram. “Ky sulm i paparë ishte planifikuar qartësisht me synimin për t’i penguar zgjedhjet parlamentare. Armiku nuk ia doli”.
Zgjedhjet për Dumën e Shtetit, të parat që nga nisja e luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk pritet të sjellin ndryshim pasi partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, pritet ta ruajë mbizotërimin, në një sistem politik që kritikët thonë se nuk lejon kundërshtimin.
Kremlini me gjasë do ta paraqesë rezultatin e zgjedhjeve si dëshmi të mbështetjes publike për politikat e Putinit dhe për luftën, e cila tani ka hyrë në vitin e pestë dhe nuk ka shenja se do të përfundojë së shpejti.
Autoritetet zgjedhore thonë se tri ditët e votimit kanë vijuar pa ndonjë telash, pavarësisht sulmeve kibernetike të raportuara të shtunën.
Pjesëmarrja ishte mbi 50 për qind deri në orët e para të pasdites sipas orës së Moskës të dielën, raportoi agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Shumica e kandidatëve kundër luftës nuk janë lejuar të garojnë.
Ata që garuan nga partia liberale Jabloko, e cila në vitet e fundit ka marrë një përqindje njëshifrore në sondazhe, por shpresonte të përfitonte nga lodhja e publikut prej luftës, thanë se kishin frikë për lirinë e tyre pasi gjykatat dënuan me burgim dy figura të larta të partisë para zgjedhjeve, për komentet e tyre lidhur me konfliktin.
Diskreditimi i ushtrisë ose përhapja e atyre që autoritetet e cilësojnë si gjoja lajme të rreme, dënohet me burgim të rëndë.
Në një akt të vogël kundërshtimi, lideri i Yablokos, Nikolai Ribakov, e prishi qëllimisht fletëvotimin, duke shkruar emrin e partisë së tij dhe sloganin “Për paqe”.
Lufta në Ukrainë dhe ngadalësimi i ekonomisë janë faktorë që rëndojnë mbi zgjedhjet.
Megjithëse është e vështirë të bëhen sondazhe të opinionit për shkak të politikave represive që kanë kriminalizuar kundërshtimin ose opozitën ndaj luftës, disa sondazhe kanë treguar rënie të mbështetjes për Putinin, si dhe për Rusinë e Bashkuar.
Në prag të votimit, Putin u bëri thirrje rusëve të dilnin për të votuar, duke thënë se rezultatet do të shërbenin si tregues i mbështetjes për trupat ruse që luftojnë në Ukrainë.
Rezultatet zyrtare nuk priteshin para 21 shtatorit.
Ish-drejtori i CIA-s dhe gjenerali amerikan në pension, David Petraeus, ka dhënë një vlerësim të ri mbi humbjet e forcave ruse gjatë luftës në Ukrainë, duke thënë se numri i ushtarëve rusë të vrarë dhe të plagosur ka kaluar shifrën 1.2 milionë.
Petraeus deklaroi se Rusia ka pësuar humbje jashtëzakonisht të mëdha gjatë konfliktit, ndërsa në muajt e fundit ritmi i humbjeve ruse në fushë-betejëë është rritur ndjeshëm. Sipas tij, forcat ukrainase po i shkaktojnë ushtrisë ruse më shumë humbje sesa numri i ushtarëve që Moska arrin të rekrutojë.
Gjenerali amerikan theksoi se vetëm gjatë periudhave të fundit Rusia ka humbur më shumë se 20 mijë ushtarë në muaj, duke përfshirë të vrarë dhe të plagosur. Ai e përshkroi këtë nivel humbjesh si jashtëzakonisht të lartë për një konflikt të këtij lloji.
Petraeus ka vënë në dukje përmasat e mëdha të kostos njerëzore të luftës për Moskën.
Vlerësimet për humbjet ushtarake në luftën Rusi-Ukrainë ndryshojnë ndjeshëm dhe është e vështirë që shifrat të verifikohen në mënyrë të pavarur, pasi të dyja palët publikojnë të dhëna të kufizuara dhe shpesh kontradiktore.
Petraeus, i cili ka shërbyer si komandant i forcave amerikane në Irak dhe Afganistan dhe më pas si drejtor i CIA-s, vijon të jetë një nga zyrtarët amerikanë që ndjek nga afër zhvillimet ushtarake dhe strategjike të luftës në Ukrainë. bw
Ministria për Evropën e Mbretërisë së Bashkuar ka reaguar pas dënimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ministri për Evropën, Lord Wood i Anfieldit, tha se Mbretëria e Bashkuar respekton procesin gjyqësor të gjykatës dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.
Më tej, shteti britanik thekson se vazhdon të mbetet një mik dhe partner i afërt i Kosovës, duke mbështetur fuqimisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj.
“Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në të gjithë rajonin. Mbretëria e Bashkuar mbetet një mik dhe partner i ngushtë i Kosovës, duke mbështetur fuqimisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, si dhe paqen në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Jemi krenarë për rolin që luajtëm përkrah aleatëve të NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.”, thuhet në reagim.
Ai thotë se vendimi i sotëm nuk ishte një gjykim për shtetësinë apo sovranitetin e Kosovës, ndërsa shton se gjetjet ndaj ish krerëve nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione.
“Vendimi i sotëm nga Dhomat e Specializuara të Kosovës është një moment i rëndësishëm, por nuk është një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj. Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat dhe familjet e tyre.
Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individët dhe nuk duhet të përdoren për të ndezur tensione midis komuniteteve ose në të gjithë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësinë të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe të vënë sigurinë e njerëzve në radhë të parë.
Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerë në të gjithë rajonin dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet.”, shtohet më tej në komunikatë. Panorama
Në vitin 1963, në vendin aziatik kishte vetëm 153 njerëz mbi një shekull të vjetër, e ndjekur nga një rritje eksponenciale, e prirë nga gratë, të cilat tani përbëjnë gati 88% të popullsisë totale super të moshuar.
Kane Tanaka, e cila vdiq në vitin 2022, në moshën 119 vjeç e 117 ditë, ishte gruaja japoneze me jetëgjatësi më të madhe në histori.
VOAL- Numri i njëqindvjeçarëve në Japoni ka tejkaluar shifrën 100 000 për herë të parë: një rekord që ka qëndruar për 56 vjet, duke konfirmuar vendin si shoqëria kryesore në botë për jetëgjatësinë e grave. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies, në shtator numri i personave mbi 100 vjeç arriti në 107,677, një rritje prej 7,914.Gratë përbënin 87.6%, me 94,298 persona.Personi më i vjetër është Fuyo Kishimoto, 114 vjeç, banor i Kiotos.Ndër burrat, më jetëgjati është Hikaru Kato, 112 vjeç, nga Kumamoto. Në vitin 1963, kur filloi anketa, në Japoni kishte 153 njëqindvjeçarë, dhe që nga viti 1970, numri është rritur çdo vit: duke tejkaluar 1,000 në vitin 1981, 10,000 në vitin 1998 dhe 50,000 në vitin 2012. Në vitin 2025, jetëgjatësia mesatare ishte 87.33 vjet për gratë dhe 81.35 për burrat.Në krahasim ndërkombëtar, Japonia mban epërsinë e saj të përgjithshme falë grave, ndërsa burrat janë tejkaluar nga Suedia, Zvicra dhe Italia. ATS
Asnjë qeveri në botë nuk është vërtet e përgatitur për ndryshimet që Inteligjenca Artificiale do të sjellë në shoqëri. Paralajmërimi vjen nga bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili në një intervistë për Reuters tha se qeveritë kanë mbetur shumë prapa përballë zhvillimit të shpejtë të kësaj teknologjie.
Gates, i cili deri vonë ishte ndër zërat më optimistë për potencialin e Inteligjencës Artificiale, tashmë shpreh shqetësime më të mëdha për ndikimin e saj në tregun e punës, rrezikun e sulmeve të mundshme dhe varësinë që mund të krijohet nga “shoqëruesit” dixhitalë të IA-së.
“Nuk mendoj se ndonjë qeveri po merret me këtë në masën që duhet të merret”, tha Gates, duke shtuar se qeveritë kanë mbetur shumë prapa në këtë çështje.
Megjithatë, ai theksoi se IA ka edhe një potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar njerëzit më të varfër në botë, nëse përdoret në mënyrën e duhur dhe nëse sigurohet një akses sa më i barabartë.
Fondacioni Gates njoftoi të martën se planifikon të investojë të paktën 1 miliard dollarë gjatë dy viteve të ardhshme për të zgjeruar aksesin në Inteligjencën Artificiale.
Gates tha se shqetësimet e tij i ka diskutuar me liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe ekipin e tij. Ai gjithashtu tha se po përpiqet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping më vonë gjatë këtij viti.
Potenciali i IA-së në shëndetësi
Pavarësisht paralajmërimeve, Gates dhe fondacioni i tij besojnë se Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë në ngushtimin e hendekut mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra, në vend që ta thellojë atë.
Programi prej 1 miliard dollarësh është pjesë e një plani më të gjerë të Fondacionit Gates, i cili ka njoftuar se do të shpenzojë rreth 9 miliardë dollarë në vit. Fondet e reja do të përdoren për të mbështetur partnerët që punojnë në fusha si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.
Një tjetër synim është krijimi i bazave të të dhënave të nevojshme për zhvillimin e IA-së, duke përfshirë mundësinë që modelet e mëdha gjuhësore të funksionojnë në të gjitha gjuhët që fliten në botë.
“Në sektorin e shëndetësisë, është e vështirë të mbivlerësohet madhësia e mundësive”, tha Gates, duke iu referuar përdorimit të IA-së për të mbështetur punonjësit e kujdesit shëndetësor, si dhe për zbulimin e barnave dhe vaksinave të reja.
Por ai paralajmëroi se qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të shmangur probleme serioze, duke e krahasuar zhvillimin e IA-së me skenarët e filmave ku një kërcënim i jashtëzakonshëm i detyron vendet rivale të bashkohen.
“IA është në një farë mënyre si kjo inteligjencë aliene. Ata janë këtu dhe ne më mirë të bëjmë atë që i shohim të bëjnë në këto filma”, tha ai.
Çështja Epstein dhe ndikimi në reputacionin e Gates
Në qershor, Gates dëshmoi para Kongresit lidhur me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe që tashmë ka vdekur.
Gates nuk është akuzuar për asnjë krim dhe ka thënë vazhdimisht se i vjen keq për marrëdhënien me Epstein. Sipas tij, ai kishte shpresuar se financuesi mund të siguronte donacione për kauza globale në fushën e shëndetësisë.
Gates ka deklaruar gjithashtu se Epstein u përpoq ta shantazhonte duke përdorur informacione lidhur me marrëdhëniet e tij jashtëmartesore.
Çështja e shtyu Fondacionin Gates të kërkonte një auditim të jashtëm. Sipas materialit, hetimi nuk gjeti pagesa për Epstein apo përfshirje në aktivitete kriminale.
Gates ka deklaruar se, pavarësisht zbulimeve, marrëdhënia me Epstein nuk i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme as reputacionit të tij dhe as atij të fondacionit.
“Sa i përket aksesit tim tek udhëheqësit e qeverisë ose gatishmërisë së gazetarëve për të më intervistuar, nuk shoh ndonjë rënie”, tha ai, duke shtuar se interesi për ekspertizën e Fondacionit Gates në uljen e vdekjeve të fëmijëve dhe eliminimin e malaries nuk është zvogëluar “aspak”. bw
Anija ruse e logjistikës ushtarake “Sparta”, shihet e ankoruar në Tartus të Sirisë në fillim të shtatorit. Foto:. (RFE/RL)
Amos Chapple
Një muaj pasi u tha se bazat e Rusisë në Siri do t’i “dorëzoheshin” Damaskut, anijet ushtarake ruse janë rikthyer në portin e Tartusit, konfirmojnë imazhet ekskluzive të siguruara nga Radio Evropa e Lirë (REL).
Një flotë prej tri anijesh ruse, të shoqëruara nga një anije shkatërruese e marinës, u pa për herë të parë duke lundruar drejt jugut, në brigjet e Spanjës, në fund të gushtit. Destinacioni i deklaruar i autokolonës detare ishte Egjipti, por menjëherë pasi kaluan Ngushticën e Gjibraltarit, anijet i fikën transponderët për të shmangur gjurmimin e tyre.
Një imazh i publikuar në llogarinë “Russian Forces Spotter” në X tregon flotën ruse duke lëvizur në drejtim të jugut përgjatë bregdetit spanjoll, gjatë rrugës së saj për në Siri në fund të muajit gusht.
Imazhet e siguruara nga REL-i, të shkrepura në fillim të shtatorit, konfirmojnë se flota është ankoruar së fundi në portin sirian të Tartusit për të shkarkuar një ngarkesë të panjohur. Imazhet, të cilat nuk ishin publikuar më parë, duket se kundërshtojnë pretendimet zyrtare se pjesa e objektit të Tartusit, e cila më herët ishte nën kontrollin rus, i ishte dorëzuar Sirisë për përdorim civil.
Anijet që shihen në imazhet nga Tartusi janë anija shkatërruese e marinës, Admiral Levchenko, Sparta, një anije ushtarake logjistike, dhe Akademik Pashin, një anije furnizuese e projektuar për furnizimin e anijeve të tjera në det. Anija e katërt e flotës, cisterna e naftës, General Skobelev, nuk duket në imazh.
Ankorimi i anijeve ruse mbështet vlerësimet e analistëve se pazaret e ftohta gjeopolitike ia kanë mundësuar Kremlinit t’i mbajë bazat e tij në Siri, edhe pse deklaratat zyrtare duket se janë formuluar në mënyrë të tillë që të sugjerojnë të kundërtën.
“Udhëheqjes së re të Sirisë i duheshin gjëra që vetëm Rusia mund t’i ofronte”, tha për REL-in Ruslan Trad, analist për çështjet e Sirisë. Ndër faktorët e tjerë, rezervat e armëve të Sirisë janë kryesisht ruse dhe Damaskut “i duhet t’i rimbushë depot”, tha Trad.
Hyrja e portit në Tartus më 12 gusht.
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, kishte udhëhequr një grup rebel gjatë luftës civile në vend, i cili ishte shpesh objektiv i bombardimeve ruse, ndërsa Kremlini përpiqej të mbështeste ish-udhëheqësin sirian Bashar al-Assad. Në vitin 2017, Moska pretendoi se kishte plagosur al-Sharaan në një sulm ajror.
Assad u rrëzua nga pushteti në dhjetor të vitit 2024 dhe forcat ruse që po evakuoheshin nga Siria në atë kohë u goditën me gurë teksa largoheshin nga bastionet e tyre nëpër vend.
Në janar të vitit 2025, autoritetet e reja siriane i dhanë fund qirasë 49-vjeçare të Moskës për pjesën veriore të portit, e cila ishte e rezervuar për anijet ruse.
“Në përgjithësi, rusët bënë një bast të keq duke mbështetur Assadin, por më pas e luajtën dorën e tyre mjaft mirë dhe armiqtë e tyre sirianë rezultuan të ishin shumë pragmatikë”, tha Aron Lund, analist për Lindjen e Mesme në Agjencinë Suedeze të Kërkimeve të Mbrojtjes.
“Nafta dhe gruri rus e kanë ndihmuar Sirinë të qëndrojë në këmbë gjatë trazirave ekonomike”, ndërsa “votat ruse në OKB kanë mundësuar heqjen e udhëheqjes aktuale të Sirisë nga listat e OKB-së për terrorizmin. Dhe, natyrisht, bashkëpunimi sirian i ka mundësuar Rusisë t’i mbajë bazat e saj”, tha Lund, duke shtuar se objektet “mund të jenë duke funksionuar tani në një formë të kufizuar”.
Automjete ushtarake ruse të grumbulluara në portin e Tartusit para evakuimit të tyre nga Siria, pas rënies së Assadit në dhjetor të vitit 2024.
Tartusi është baza e vetme detare ruse jashtë ish-Bashkimit Sovjetik dhe është një qendër kyç furnizimi për praninë ushtarake të Kremlinit në Afrikë. Objektet alternative të mundshme në Libi dhe Algjeri kanë infrastrukturë më pak të zhvilluar dhe do të kërkonin marrëveshje të ndërlikuara diplomatike, përfshirë me Turqinë.
Një raport i qershorit nga Shërbimi rus i REL-it tregoi se baza ajrore Khmeimim, pika e dytë kryesore e pranisë ruse në Siri, vazhdon të përdoret nga avionët e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë që fluturojnë drejt Malit dhe vendeve të tjera afrikane. Korpusi Afrikan i Rusisë po përpiqet të ndihmojë ushtrinë e Malit të rimarrë kontrollin e zonave në veri të vendit, të mbajtura nga rebelët tuaregë dhe grupet xhihadiste.
Imazhet e fundit satelitore të bazës ajrore tregojnë se në bazë po zhvillohen punime të mëdha ndërtimore. Siria dhe Rusia kishin deklaruar se baza Khmeimim do të presë një “qendër të përbashkët trajnimi dhe rehabilitimi”.
Pasojat e një sulmi me dronë rusë ndaj një pike karburanti në Kiev, më 15 shtator.
Shërbimi ukrainas i REL-it
Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme gjatë natës duke goditur një pikë karburanti dhe një rafineri nafte, sipas autoriteteve vendëse dhe kanaleve vëzhguese në Telegram.
Këto sulme ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën mbrëma se Moska dhe Kievi ishin pajtuar të mos i sulmonin objektet energjetike të njëri-tjetrit.
Ndërkohë, autoritetet lituaneze thanë se një avion luftarak i NATO-s e rrëzoi një dron që hyri në hapësirën ajrore të vendit në orët e para të së martës.
Në kryeqytetin ukrainas, një pikë karburanti dhe disa objekte magazinimi u goditën të martën herët dhe një burrë u shtrua në spital në gjendje të rëndë pas sulmit, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.
Rusia i ka zgjeruar sulmet së fundmi edhe ndaj pikave të karburantit në Kiev, ndërsa autoritetet ukrainase thonë se rreth 300 pika karburanti janë goditur muajt e fundit, shumica e tyre në ose pranë rajoneve të vijës së frontit.
Ndërkohë, një sulm me raketa në qytetin rus Taganrog, pranë kufirit me Ukrainën, dëmtoi një magazinë në pronësi të shitësit online Ozon, si dhe magazina që u përkasin kompanive bujqësore, tha të martën guvernatori rajonal, Yuri Slyusar.
Rajoni i Samarës në Rusi u vu gjithashtu në shënjestër të dronëve gjatë natës, ndërsa një objekt industrial pësoi dëme, sipas guvernatorit rajonal, Vyacheslav Fedorishchev, i cili shtoi se 40 dronë u shkatërruan gjatë sulmit.
Ai nuk tregoi se për cilin objekt bëhej fjalë. Ky rajon është shtëpi e një numri rafinerish të mëdha të naftës.
Kanalet vëzhguese në Telegram raportuan se pas një sulmi me dronë, në zonën industriale të rafinerisë së naftës në Syzran, në rajonin e Samarës, u pa një zjarr.
Sulmet ndodhën pak pasi Trump tha në një postim në Truth Social të hënën se: “Ukraina është pahtuar për të mos i goditur caqet energjetike ruse. Rusia është pajtuar për të njëjtën gjë!”
Pas postimit të Trumpit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi ishte i gatshëm t’i ndalte sulmet ndaj Rusisë nëse aleatët e Ukrainës do të garantonin se Moska do t’i ndalte sulmet ndaj objekteve energjetike, infrastrukturës kritike dhe rrugëve të furnizimit me ushqime në Ukrainë.
Avioni i NATO-s rrëzon dronin mbi Lituani
Ndërkohë, në Lituani, një avion luftarak i NATO-s e rrëzoi një dron të martën herët në mëngjes, tha Qendra Kombëtare Lituaneze për Menaxhimin e Krizave, pasi më herët ishte lëshuar një alarm për dronë në kryeqytet, Vilnius, dhe në rajonin përreth.
“Së bashku me aleatët e vet të NATO-s, Lituania do ta mbrojë hapësirën e vet ajrore”, shkroi presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, në X pas incidentit.
Sipas transmetuesit publik lituanez LRT, i cili iu referua të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Krizave, droni kishte ardhur nga Bjellorusia fqinje dhe po lëvizte drejt perëndimit.
Incidenti në Lituani, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ndodhi pas sulmeve të fundit me dronë nga Rusia pranë kufirit me Poloninë.
Kievi ka paralajmëruar së fundi se Moska “po troket në derën e NATO-s”.
“Sulmet barbare të Rusisë në kufirin Ukrainë-Poloni, në Yahodyn, nuk janë thjesht vazhdim i sulmeve të saj ndaj kufijve shtetërorë”, shkroi në X të dielën ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha.
“Ky është terrori i Putinit që po ‘troket’ drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”, shtoi ai.
Forcat ukrainase kanë goditur dy objekte të rëndësishme të industrisë së gazit në Siberinë veriperëndimore, rreth 3 mijë kilometra nga kufiri me Ukrainën. Sipas forcave speciale ukrainase, objektivat ishin dy fabrika të mëdha të përpunimit të gazit në Novy Urengoy dhe në rajonin Purovsky, në Yamal-Nenets, një nga zonat kryesore të prodhimit të gazit në Rusi.
Ukraina e ka cilësuar sulmin si goditjen më të thellë në territorin rus që nga fillimi i luftës. Forcat speciale thanë se dronët përshkuan më shumë se 3 mijë kilometra për të arritur objektivat, duke theksuar se kjo zonë konsiderohej më parë si një hapësirë e sigurt në prapavijën ruse.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse konfirmuan se një dron ukrainas kishte sulmuar një objekt industrial në Novy Urengoy. Guvernatori i Yamal-Nenets, Dmitry Artyukhov, deklaroi se sulmi u zmbraps, ndërsa mbetjet e dronit shkaktuan një zjarr në një strukturë industriale.
Sipas tij, nga ngjarja nuk pati viktima apo të plagosur. Artyukhov u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe tha se situata ishte nën kontroll.
Sulmet me rreze të gjatë veprimi janë shtuar javët e fundit, me të dyja palët që po godasin objektiva industriale, ushtarake dhe infrastrukturore shumë larg vijës së frontit.
Sulmi në Urale është marrë përsipër nga grupi ukrainas Fire Point, i cili është përfshirë në zhvillimin e mjeteve të përdorura nga Ukraina për sulmet në thellësi të territorit rus.
Sipas ish-këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Serhiy Sternenkos, droni që kreu sulmin përshkoi rreth 3 mijë kilometra nga kufiri ukrainas, duke shënuar një tjetër rekord për sulmet ukrainase në distancë të largët.
Ukraina ka kryer edhe më parë sulme në rajone të largëta të Rusisë. Në fund të korrikut, dronët ukrainas goditën objektiva në zona si Bashkortostani dhe Çuvashia, duke treguar zgjerimin e kapaciteteve të Kievit për të goditur thellë në territorin rus. bw
Prezantuesja televizive egjiptiane Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me vdekje me varje, pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në një çështje të trafikut të drogës.
Sipas gazetës shtetërore Al-Ahram, të dënuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që importonte lëndë të para të përdorura për prodhimin e drogës, me qëllim shitjen e tyre. Autoritetet kanë sekuestruar më shumë se 750 kilogramë lëndë narkotike dhe materiale të importuara për prodhimin e tyre. Gjatë hetimeve janë zbuluar gjithashtu armë dhe municione të paligjshme.
Sarah Khalifa, 39 vjeçe, njihej kryesisht për programin televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje kriminale. Ajo i ka mohuar akuzat ndaj saj.
Në të njëjtën çështje, nëntë të pandehur të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë persona janë shpallur të pafajshëm.
Avokati i Sarah Khalifas ka deklaruar se do të apelojë vendimin për dënimin me vdekje.
Vendimi ishte shpallur fillimisht muajin e kaluar, por u konfirmua vetëm një muaj më vonë, pasi gjykata mori opinionin fetar të myftiut të madh të Egjiptit, një procedurë e detyrueshme në rastet kur gjykata jep dënim me vdekje.
Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria paraqiti dëshmi nga 20 persona, si dhe prova elektronike, përfshirë biseda dhe video. Sipas Akhbar al-Youm, gjatë një seance gjyqësore në shtator të vitit të kaluar, kur u pyet për rolin e saj të dyshuar, Khalifa tha se nuk kishte parë kurrë drogë deri në momentin kur u fotografua me të në ambientet e autoritetit kundër narkotikëve.
Sipas një raporti të Amnesty International për vitin 2025, në Egjipt u dhanë 492 dënime me vdekje gjatë atij viti, ndërsa 23 persona u ekzekutuan. Raporti thekson se dënimi me vdekje duhet të kufizohet sipas së drejtës ndërkombëtare vetëm për krimet që përfshijnë vrasje të qëllimshme. bw
Ukraina ka informuar zyrtarisht Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) se hapësira ajrore e Rusisë është e pasigurt për trafikun civil, tha të mërkurën Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha.
“Ukraina ka njoftuar zyrtarisht ICAO-n se hapësira ajrore ruse nuk është e sigurt për aviacionin civil për shkak të aktivitetit të shtuar ushtarak. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve ta shmangin këtë”, tha Sybiha në X.
Ai tha se Rusia kishte “injoruar qëllimisht kërcënimet ekzistuese” të krijuara nga lufta e saj e përgjithshme kundër Ukrainës, duke argumentuar se rreziqet kishin rezultuar tashmë në disa incidente aviacioni vitet e fundit.
“Ky është vendimi ynë i përgjegjshëm për të njoftuar ICAO-n dhe të gjitha linjat ajrore, si dhe qeveritë, që të tregojnë kujdes — edhe nëse Rusia refuzon të përmbushë përgjegjësinë e saj për t’i informuar ata. Ne duam të parandalojmë incidente të padëshiruara”, tha Sybiha.
Njoftimi zyrtar erdhi një ditë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi linjat ajrore, siguruesit dhe bizneset që përdorin aeroportet kryesore ruse se hapësira ajrore e vendit po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, ndërsa Kievi zgjeron operacionet e tij me dronë me rreze të gjatë veprimi.
“Sot duam të paralajmërojmë çdo linjë ajrore që përdor hapësirën ajrore ruse, çdo sigurues, të gjithë ata që ende përdorin aeroportet kryesore ruse: Qielli rus po bëhet plotësisht i rrezikshëm”, tha Zelenskyy të martën.
Ukraina nuk kërcënon aviacionin civil, këmbënguli Zelenskyy, ndërsa paralajmëroi se shkalla në rritje e operacioneve me dronë ukrainas brenda Rusisë do të thotë se rreziqet nuk mund të injorohen më.
Ai tha se hapësira ajrore ruse “do të mbyllet në mënyrë efektive”, ndërsa pasojat e luftës së Moskës do të kthehen gjithnjë e më shumë në territorin rus.
Pak orë pas deklaratës së Zelensky-t, disa fluturime midis Turqisë dhe Moskës u ndërprenë gjatë natës.
Kompania turke e fluturimeve me kosto të ulët Pegasus Airlines anuloi 12 fluturime për në dhe nga Aeroporti Vnukovo i Moskës gjatë natës së të mërkurës, sipas të dhënave të aeroportit.
Një fluturim i Pegasus nga Antalia për në Moskë u devijua gjithashtu për shkak të shqetësimeve të sigurisë në hapësirën ajrore ruse, sipas raportimeve të mediave turke.
Turkish Airlines, transportuesi kryesor i vendit, i mbajti kryesisht shërbimet e saj për në Moskë në funksion, megjithëse anuloi dy nisje dhe dy mbërritje nga dhe për në Stamboll.
Hapësira ajrore e Ukrainës ka qenë e mbyllur për aviacionin civil që nga 24 shkurti 2022, kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë.
Aviacioni civil rus, në të kundërt, ka vazhduar të operojë gjatë gjithë luftës, pavarësisht ndërprerjeve gjithnjë e më të shpeshta dhe mbylljeve të përkohshme të aeroporteve gjatë sulmeve me dronë ukrainasë.
Pavarësisht rreziqeve, hapësira ajrore ruse ende mbart trafik të konsiderueshëm ndërkombëtar pasagjerësh.
Aeroplanët transportues evropianë dhe amerikanë ndaluan fluturimet mbi Rusinë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.
Linjat ajrore kryesore, përfshirë Emirates, Turkish Airlines, Air India, Etihad dhe Qatar Airways, si dhe disa transportues kinezë, vazhdojnë të fluturojnë për në ose përmes vendit. bw
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mirëpriti praninë e një delegacioni të lartë rus në G20, duke injoruar protestat e zyrtarëve të BE-së, të cilët refuzuan të shfaqeshin së bashku me Ministrin rus të Financave, Anton Siluanov, në “foton tradicionale familjare” të takimit.
Siluanov mbërriti në Asheville, Karolina e Veriut për takimin dy-ditor të ministrave të financave të G20 dhe guvernatorëve të bankave qendrore të hënën me ftesë të administratës Trump. Paraqitja e tij e parë ballë për ballë në forum që nga përshkallëzimi i konfliktit në Ukrainë në vitin 2022 shkaktoi menjëherë protesta nga delegatët evropianë.
Ministri gjerman i Financave Lars Klingbeil e quajti vendimin për ta trajtuar Siluanovin si një pjesëmarrës të rregullt një sinjal “shqetësues” . Zyrtarë të tjerë të BE-së thuhet se kërcënuan të bojkotonin foton nëse zyrtari rus nuk përjashtohej, sipas Washington Post.
Trump i hodhi poshtë kritikat kur u pyet për vizitën e Siluanov.
«Do të shohim çfarë do të ndodhë, por na pëlqen të shkojmë mirë me të gjithë», u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale. «Një nga arsyet pse jam kaq i suksesshëm është se shkoj mirë me të gjithë».
Ndryshe nga evropianët, Sekretari i Thesarit Scott Bessent zhvilloi një takim dypalësh me Siluanov. Moska tha se të dy diskutuan bashkëpunimin ruso-amerikan mbi çështjet financiare dhe koordinimin brenda G20.
Zyrtarët amerikanë thanë se Bessent ngriti gjithashtu çështjen e planit të Trump për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe perspektivat për bashkëpunim dhe rritje ekonomike dypalëshe. Raportime të tjera sugjeruan se pala amerikane e bëri të qartë se nuk do t’i ofronte Moskës ndihmë ekonomike ose marrëveshje në fusha të tjera para se të përfundonin armiqësitë.
Siluanov mori pjesë në diskutimet e G20 mbi ekonominë globale, rritjen ekonomike dhe borxhin sovran. Ai paralajmëroi se “fragmentimi gjeopolitik” po pengon gjithnjë e më shumë lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit dhe teknologjisë, ndërsa vuri në dukje automatizimin, inteligjencën artificiale dhe zëvendësimin e importit si nxitës të rinj të rritjes ruse. bw
Komentet