Dy hulumtime që janë publikuar gjatë këtij viti tregojnë se banorët e Kosovës janë duke e humbur besimin tek Bashkimi Evropian. Ekspertët thonë se kjo nuk është aspak befasuese, duke marrë parasysh faktin që katër vjet pasi Kosova zyrtarisht ka përmbushur të gjitha kushtet vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkan pa liberalizim të vizave me zonën Shengen. Më 13 tetor Këshilli i BE-së e ka futur në rend dite këtë çështje, mirëpo ekspertët thonë se ka edhe arsye tjera, pse jo vetëm pakënaqësia me BE-në po rritet, por edhe ndjesia se Brukseli është i anshëm ndaj Kosovës. Kolegu Artan Haraqija sjell detajet.
Sipas një hulumtimi të fundit 64% e të anketuarve në Kosovë besojnë se BE-ja dhe EULEX-i janë të anshëm.
64% e të anketuarve në Kosovë – BE-ja dhe EULEX-i janë të anshëm
Sipas të njejtës anketë, vetëm 42% kanë qëndrim pozitiv për BE-në
Në një kohë që 94% e të anketuarve thonë se janë të kënaqur me punën e NATO-s.
Cameron Mailhot, autor i hulumtimit me 1600 banorë të Kosovës, i cili është duke kryer studimet e doktoraturës në Universitetin Cornell në Nju Jork, thotë se mes shqiptarëve vihet re një ndjenjë se BE-ja ka pritje pro-serbe.
Të dhënat flasin për pakënaqësi në rritje në Kosovë ndaj BE-së dhe EULEX-it”
“Pyetësori nuk kishte pyetje konkrete nëse BE-ja është anti-shqiptare apo pro-serbe, por të dhënat flasin për pakënaqësi në rritje në Kosovë ndaj BE-së, misionit të saj EULEX-it dhe kjo viher re lehtësisht me mënyrën se si shprehën njerëzit atje. Për shembull në Kosovë sheh parulla gjithandej si ajo që thotë se EULEX-i është prodhim i Serbisë”, thotë zoti Mailhot.
Përpos tij, edhe një hulumtim i Institutit Republikan Ndërkombëtar, i publikuar në fillim të këtij viti, tregon se për dallim nga viti 2020, kur 85% e të anketuarve kanë thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe perëndimit, në vitin 2022, kjo shifër ka rënë në 77%.
Viti 2020 – 85% e të anketuarve kanë thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe perëndimit, në vitin 2022 kjo ka rënë në 77%
Ish Drejtori për Ballkanin Perëndimor tek Komisioni Evropian, nga viti 2006 deri më 2013, Pierre Mirel, thotë se një nga arsyet e qarta është mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së: Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.
“Banorët në Kosovë mendojnë se fakti që 5 vende nuk e njohin Kosovën, kjo e bën BE-në të anshme ndaj Serbisë në shumë çështje. Këto 5 vende thonë që do ta ndryshonin qëndrimin nëse Sërbia do ta njihte Kosovës”, tha Pierre Mirel, ish Drejtor për Ballkanin tek Komisioni Evropian.
Ky perceptim në Kosovë ushqehet edhe më tej nga fakti se dy zyrtartët e lartë të BE-së, që drejtojnë sot dialogun me Serbinë, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, vijnë nga qeveri që nuk e kanë njohur Kosovën. Por zoti Mirel thotë se kjo nuk është e drejtë.
Ndoshta kjo është përshtypja e popullit të Kosovës, por është e gabuar.
“Ndoshta kjo është përshtypja e popullit të Kosovës, por është e gabuar. Të marrim rastin tim, kur punoja në Komisionin Evropian. Unë jam francez dhe në rastin ta zëmë, kur autoritetet franceze kanë pasur vështirësi në lidhje me njëren apo tjetrën çështje në Ballkan, atëherë roli im, apo detyra ime ishte që të flisja me ta dhe të bëja përpjekje ppër të gjetur një zgjidhje”, thotë për Zërin e Amerikës Pierre Mirel.
“Dhe, nëse dështoja, kjo padyshim nuk kishte të bënte me faktin që unë jam francez. Nga pervoja ime ju them që kjo nuk ka ndikim.”
Profesori i Universitetit Georgetown në Uashington, Elton Skëndaj thotë se arsyeja për paknaqësinë ndaj BE-së në Kosovë, është mënyra se si funksionon EULEX-i.
EULEX-i mbetet neutral ndonëse duhet të punojë me vetë ato institucione, që përbëjnë bazën e shtetit të pavarur të Kosovës”
“EULEX-i mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës, ndonëse këtu ekziston një paradoks, që edhe studiuesit e kanë parasysh: EULEX-i duhet të punojë me vetë ato institucione, që përbëjnë bazën e shtetit të pavarur të Kosovës. Mendoj se kjo paqartësi përplaset me qëllimet dhe dëshirat e popullatës shqiptare të Kosovës”, tha për Zërin e Amerikës, Elton Skëndaj dhe shton se paknaqësia në Kosovë me EULEX-in rritet edhe nga pritjet e mëdha që banorët kanë pasur në zgjidhjen e problemeve të trasheguara nga misioni i OKB-së, UNMIK-u, lidhur me sundimin e ligjit dhe trajtimin e krimeve të luftës.
Shumë zyrtarë të lartë në Kosovë nuk e kanë fshehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më të madh, për të arritur një zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Kjo pasqyron në një farë mënyre mungesën e besimit tek BE-ja, si ndërmjetësuese.
“BE-ja luan rol vërtetë të rëndësishëm si ndërmjetësues në Kosovë në raport me lidhjet me Serbinë dhe në raport me komunitetin ndërkombëtar. Pra, që të ketë mundësi ta luajë rolin e ndërmjetësit, ka rëndësi mënyra se si e shohin njerëzit në atë vend rolin e saj dhe nëse e konsiderojnë atë si aktor të anshëm apo të paanshëm. Kjo ka rëndësi, pasi ekziston një grup i madh banorësh, që e shohin si të anshme dhe dy-të-tretat nuk është një grup i vogël”, vlerëson autori i hulumtimit Cameron Mailhott.
Por, për ish Drejtorin për Ballkanin Perëndimor tek Komisioni Evropian, Pierre Mirel ka arsye për optimizëm.
“Deri më tani BE-ja nuk ka kërkuar njohje. BE-ja thotë që Serbia duhet të pranojë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Kosovën, që do të lejonte normalizim të plotë të marrëdhënieve. Nëse kjo do të ndodhë dhe nuk ndodhë njohja, atëherë unë nuk mendoj që Serbisë do të lejohej t’i bashkohej BE-së”, tha për Zërin e Amerikës zoti Mirel.
Ai kujton se vendi më me ndikim në BE, Gjermania së fundmi e bëri të qartë se njohja do të ishte rruga e Serbisë drejtë anëtarësimit.
Nuk mund të mendohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së
“Është e qartë se një marrëveshje përfundimtare duhet të sqarojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse nuk mund të mendohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së”, tha zoti Scholz gjatë qëndrimit në Prishtinë më 10 qershor.
Kjo duket se erdhi si e papritur për Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç i cili disa orë pas kësaj deklarate u takua kancelarin gjerman në Beograd.
Asnjëherë më parë nuk kemi dëgjuar dikë në Evropë të bëjnë thirrje për njohje reciproke.
“Ne dëgjuam sot se ka kërkesë për njohje reciproke. Asnjëherë më parë nuk kemi dëgjuar dikë në Evropë të bëjnë thirrje për njohje reciproke. Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, përveç amerikanëve, që e miratuan këtë doktrinë tre vjet më parë”, tha në Beograd presidenti serb, Vuçiç.
Qëndrimet e ShBA-ve dhe BE-së ndaj pavarësisë, pasqyrohet edhe nëpër anketa, kur mendimi për Shtetet e Bashkuara ka qënë vazhdimisht pozitiv, për shkak të mbështetjes së palëkundur pro shtetësisë së Kosovës, kundrejt përshtypjeve, ndonjëherë edhe të gabuara ndaj BE-së, për shkak të pozicionit të saj neutral ndaj pavarësisë.
Sipas hulumtimit të Institutit Republikan Ndërkombëtar, shumica absolute e të intervistuarve në vitin 2022 në Kosovë besonin që SHBA është donatori më i madh i huaj, ndëkohë që donatori më i madh i huaj është Bashkimi Evropian me rreth 1.5 miliardë euro të investuara nga viti 2007 deri më 2020, sipas të dhënave zyrtare të BE-së.
Ekspertët gjithashtu vlerësojnë se megjithë pakënaqësinë me BE-në, një fakt i rëndësishëm mbetet i pandryshuar.
“Nëse do e bëje një hulumtim ku do pyesje a dëshironi liberalizim vizash dhe t’i bashkoheni BE-së, unë iu garantoj që mbi 90% do thonin po. Po, ka njerëz që nuk janë të kënaqur ndërsa ata mendojnë pse BE-ja nuk ka bërë aq sa duhet për të ndihmuar duke e pasur parasysh që është donator më i madh?” vlerëson për Zërin e Amerikës, profesori Elton Skëndaj.
Por, arsyeja kryesore për fajësimin e BE-së është mos liberalizimi i vizave. Ky proces nisi në qershor 2012, kur Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizim vizash me më shumë kushte, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.
“Jam shumë i kënaqur të njoftoj për propozimin tonë për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës”, njoftonte në maj të vitit 2016 Komisioneri Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos, në prani të ministrit të brendshëm të Kosovës, Skënder Hyseni në Bruksel.
Kosova, deri në miratimin e propozimit duhej të ratifikonte marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe të arrinte rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Një ditë më pas, kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini në fjalimin e mbajtur në Parlamentin e Kosovës foli e gëzuar për lajmin.
“Sot nuk është ditë vetëm për të festuar, por sot është ditë për të parë drejt të ardhmes sonë të përbashkët”, tha zonja Mogherini në Prishtinë më 5 maj 2016.
Por, festa nuk zgjati dhe u deshën edhe dy vjet të tjera derisa Komisioni Evropian bëri rekomandimin përfundimtar për liberalizim vizash për Kosovën.
“Ne mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim e vizave. Nuk ka qenë e lehtë, e dimë këtë”, tha Komisioneri Avramopoulos.
Në shtator të vitit 2018 Parlamenti Evropian votoi pro nisjes së negociatave të brendshme për këtë çështje.
“Kredibiliteti i Parlamentit është jo pak në rrezik. Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim vizash. Unë ju kërkojqë të votoni pro. Qytetarët e Kosovës e meritojnë këtë”, tha para euro deputetëve raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizim Vizash, Tanja Fajon.
“Vizat do të duhej të ishin liberalizuar deri më tash. Ky vendim nuk është marrë për shkak se disa vende anëtare e kanë kundërshtuar pasi kishin vlerësim ndryshe në lidhje me përmbushjen e kushteve nga Kosova. Prandaj, kjo çështje është bllokuar prej katër vjetësh. Unë e kuptoj që qytetarët e Kosovës e konsiderojnë këtë si diskriminim”, tha për Zërin e Amerikës, Pierre Mirel, ish Drejtori për Ballkanin tek Komisioni Evropian.
Më 13 tetor Këshilli i BE-së, me propozimin e Çekisë e ka futur në rend dite diskutimin e kësaj çështjeje, por deri tek udhëtimi pa viza kërkohen edhe një mori procedurash dhe votimesh brenda strukturave të BE-së:
Procesi mund të ecë para nëse Ambasadorët e BE-së votojnë pro nisjes së negociatave brenda bllokut evropian.
Nëse kjo fazë kalohet, atëherë fillojnë diskutimet mes tre shtyllave të bllokut: Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
Nëse arrihet marrëveshje, atëherë ajo i shkon për miratim Ambasadorëve të BE-së.
Më pas, Parlamenti Evropian duhet të votojë pro liberalizimit të vizave.
Pas Parlamentit, prapë janë ambasadorët e BE-së ata që duhet të votojnë pro liberalizimit të vizave.
Votimi i fundit duhet të bëhet nga Ministrat e BE-së.
Nëse edhe ministrat evropian e miratojnë liberalizimin e vizave, atëherë akti ligjor duhet të nënshkruhet nga të tri shtyllat e BE-së, Komisioni Evropian, Parlamenti dhe Këshilli Evropian.
Vendimi, përfshirë ditën kur ai hyn në fuqi, duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe me këtë merr fund odiseja për udhëtim pa viza.
Megjithë marrëdhëniet e komplikuara, ekspertpt janë të një mendimi se Ballkani Perëndimor nuk ka alternativë tjetër veç BE-së.
Një kamerë e vendosur në pjesën malore të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
Policia e Kosovës tha se ka gjetur të hënën dy kamera me panele diellore në kufirin lindor me Serbinë, për të cila dyshon se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistë të dyshuar.
Në një njoftim për media të martën, Policia tha se kamerat ishin vendosur në një rrugë malore nga fshati Ranillug i Kosovës, në drejtim të fshatit Konçul të Serbisë.
Policia e ka ndaluar në vendin e ngjarjes një 30-vjeçar, me shtetësi të dyfishtë: kosovare dhe serbe, thuhet në njoftim.
“Në vendin e lartcekur, është ndaluar edhe automjeti me targa serbe me drejtues J. S., 30 vjeçar… I njëjti dyshohet se aty ka shkuar për t’u kujdesur për kamerën që veç e kishin marrë më herët njësitet policore”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti i tij është sekuestrohet, sipas njoftimit.
Policia shtoi se i dyshuari e kishte përdorur “këtë automjet e kishte përdorur vetëm për kontrabandë të mallrave përmes rrugëve ilegale”.
Në korrik të vitit 2023, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, për arsye “sigurie”, kur tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe.
Në dhjetor, Policia e Kosovës hoqi qindra kamera në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Paraprakisht, ajo kishte hequr kamera edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug – komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër.REL
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Një kohë të gjatë kemi pranuar kërkesat tuaja për marrjen e një vendimi të këtillë. Ne duam t’ua lehtësojmë qytetarëve tanë problemet e përditshme, me të cilat ballafaqohen”, tha kryeministri Albin Kurti, përmes një adresimi në gjuhën serbe.
“Kalimi në patentë shofer të Republikës së Kosovës, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve”, njoftoi të martën Zyra e kryeministrit të Kosovës, në një komunikatë për media, në të cilën ishte bashkëngjitur linku me video-adresimin e Kurtit.
MPB-ja bëri të ditur se kalimi në patentë shofer RKS nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentës së shoferit, “por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.
Dokumentet që duhen përfshirë në aplikim, sipas MPB-së, janë letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës dhe origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS “në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se ky vendim hyn në fuqi me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.
Ditë më parë Bashkimi Evropian tha se mbetet në qëndrimin e shprehur më herët se në Kosovë mbështet vetëm një strukturë të vetme institucionale dhe administrative, sipas kornizës ligjore të Kosovës.
Por, në të njëjtën kohë, blloku u shpreh se çështja e institucioneve që mbështeten nga Serbia duhet të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill, kur u diskutua për çështjen e dinarit serb.
Gjatë takimit, pala serbe ka kërkuar që të gjitha institucionet serbe, që Kosova i konsideron ilegale, të vazhdojnë të financohen nga Beogradi deri në kohën kur të krijohet Asociacioni. REL
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ai i Bashkimit Evropian, EULEX, dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët më 7 maj.
E quajtur “Golden Saber 2024”, stërvitja do të zhvillohet në kampin Vrelo.
“Kjo stërvitje do ta testojë aftësinë tonë për të zbatuar procedura të përbashkëta të menaxhimit të krizave, në skenarë të ndryshëm sigurie”, tha KFOR-i përmes një komunikate për media.
Aty thuhet, po ashtu, se stërvitja do të përfshijë “një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe mjetesh që operojnë në të gjithë zonën e stërvitjes, si dhe në rrethinat e saj dhe përgjatë rrugëve kryesore fqinje”.
“Kjo stërvitje e përbashkët simbolizon përkushtimin tonë të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Duke i bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për t’i adresuar sfidat, si dhe përkushtimin tonë për të ruajtur stabilitetin rajonal”, tha KFOR-i.
Misioni paqeruajtës shtoi se pret që stërvitja të kryhet me sukses.
KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Nëse përzihen, tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.
Sipas një deklarate që lëshoi zyra e tij, Kurti i bëri këto komente në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” dhe se “procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit – vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”, thuhet në deklaratën për media.
Ditëve të fundit ka pasur raportime se Franca dhe Gjermania po përgatiten ta bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si rezultat i një fushate të bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kjo organizatë – lidere në Evropë për të drejtat e njeriut – pritet të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.
Në favor të Kosovës, muajin e kaluar, votoi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti iu tha përfaqësuesve ndërkombëtarë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe se i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Me letrën e garancisë, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, citohet të ketë thënë Kurti.
Tash për tash nuk ka ndonjë reagim nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, por ata, vazhdimisht, i kanë bërë thirrje Kosovës që të bëjë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke formuar fillimisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe./ REL
Ndalohen në Jarinjë dy persona me pasaporta ruse. Ata nuk kishin viza të Kosovës dhe dyshohet se kanë ardhur me anë të rrugëve ilegale, ka deklaruar policia e Kosovës.
“Jarinjë 05.05.2024-20:10. Raportohet se në dalje në SPK Jarinje janë hasur dy persona me pasaporta ruse një mashkull dhe një femer të cilet nuk kishin viza të Republikës së Kosovës. Pas verifikimit të personave, të njejtit nuk kishin hyrje/dalje në Republiken e Kosovës. Sipas tyre, të njejtit kanë ardhe nga Nishi i Serbsë dhe kanë përfunduar në SPK Jarinje, dyshohet se kanë ardhur rrugëve ilegale.”
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në arrest. sn
Ushtrisë së Kosovës i janë bashkangjitur disa snajperë të rinj.
Ata përmbyllën me sukses kursin bazë për snajper, duke u certifikuar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.
“Kursantët u trajnuan dhe u testuan në distanca dhe kalibre të ndryshme të qitjeve”, lexohet në një njoftim të FSK.
Zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Kolonel Ilir Shyti, në fjalimin e tij ndër të tjera përmendi që “profesionalizmi ushtarak është qenësor për zhvillimin e aftësive ushtarake sidomos për qitës në distanca të largëta”. Kjo vjen si një përpjekje e Kosovës për të fuqizuar më tej ushtrinë.
Disa ditë më parë, FSK përmbylli me sukses të plotë 3 stërvitje të ndryshme.
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të premten Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim, për shtytje në vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, para 17 vjetëve.
“I akuzuari E.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëzet e pesë vjet… për shkak të veprës penale nxitje në vrasje të rëndë”, tha Gjykata Themelore në një komunikatë më 3 maj.
Sipas aktakuzës, Sekiraqa e kishte nxitur Arben Berishën në vrasjen e Triumf Rizës më 30 gusht 2007, në Prishtinë.
Triumf Riza ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në këtë dënim, Sekiraqës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, sipas njoftimit.
Ai ka të drejtë të ankohet ndaj këtij dënimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, tha Gjykata.
Sekiraqa ishte dënuar dy herë me burgim për të njëjtat akuza në të kaluarën, në vitin 2016 me 37 vjet burgim, ndërsa më 2019 me 30 vjet burgim, por Apeli i rrëzoi secilin prej atyre dënimeve duke e kthyer dhe rikthyer rastin në rigjykim.
Më herët, gjykata e ka dënuar Arben Berishën, autorin e vrasjes së Triumf Rizës, me 35 vjet burgim. REL
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, pas kësaj ka reaguar duke publikuar dy fotografi.
Në një foto shihet përplasja e serbëve me trupat e KFOR-it, dhe ka shtuar edhe një fotografi tjetër të kreut të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot është vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit i papenguar nga askush.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, de-eskalimi ka ndodhur dhe shton se si rezultat i kësaj masat duhet të hiqen.sn
Sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të komandantit të UÇK-së Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorë e martirë që ranë në Drenicë për lirinë e Kosovës më 30 prill, 1999.
Në fjalën e rastit, presidentja Vjosa Osmani tha se heroi Kodra ishte “dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari”.
“Bashkë me të, jo vetëm që themeluan bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por zhvilluan trajnime në Shqipëri, për të qenë gati për ta mbrojtur atdheun”, tha Osmani.
Ajo theksoi se sulmet e regjimit gjenocidal të Serbisë mbi fshatrat e Drenicës, kishin për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.
“Përballë regjimit kriminal të Serbisë, Ilaz Kodra me bashkëluftëtarë qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësi dhe dinjitet shtetëror”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. /Klankosova.tv
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takoi sot në Prishtinë, nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Ađančić, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Nataša Tomanić dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojević.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, që erdhi pas vizitës dhe takimeve të shumta në Berlin në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Kurti diskutoi me tri nënkryetaret mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.
Nënkryetaret Ađančić, Tomanić dhe Bogojević thanë se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre dhe se një qëndrim të tillë do ta shprehin edhe në takime me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj nënkryetareve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve.
Ky ishte takimi i dytë në pak se dy javë që kryeministri Kurti ka pasur me tri nënkryetaret e komunave veriore, duke dëshmuar kështu interesimin dhe vullnetin e dyanshëm për komunikim të rregullt dhe bashkëpunim të afërt.- Zyra e Kryeministrit
Hartuesja e raportit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetja greke, Dora Bakoyannis, ka theksuar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në këtë organizatë.
Bakoyannis, ka thënë se “për të ardhur tek opinioni pozitiv, deputetja greke ka thënë se janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare”.
“Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka thënë Bakoyannis në një tekst autorial për “European Western Balkans”.
“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”.
Ajo ka shkruar për lidhjet e saj “speciale” me popullin serb. Duke mbrojtur raportin e vet me Serbinë, Bakoyannis ka thënë se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.
“Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për komunitetin serb në rajon, që për dekada, i ishte hequr e drejta për të ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, ka shkruar ajo.
Deputetja greke Bakoyannis ka përsëritur se në raport nuk ka dhënë qëndrim për shtetësinë e Kosovës duke thënë se po t’i kërkohej të shprehte mendim për shtetësinë, s’do ta kishte marrë përsipër përpilimin e raportit, pasi vjen nga Greqia që nuk e njeh Kosovën. Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb.
Bakoyannis ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për negocimin e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, më 2018.
“Pavarësisht faktit se negocimi i kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, me kë po negocion?), për çka unë e kundërshtoj, e kam konsideruar këtë akt trimërie nga presidenti Vuçiq dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është burim i paktë, por kritik në politikë dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve bazë të imagjinatës kombëtare”, ka shkruar Bakoyannis.
Raporti pozitiv i Bakoyannisit për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës pati marrë shumicën e votave në Asamblenë Parlamentare në prill. Tani pritet që për dy javë të mbahet votimi final në Komitetin e Ministrave, ku nevojiten 2/3 e votave për t’u pranuar si anëtare e plotë. /Telegrafi/
Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe nënkryetaren Saranda Bogujevci, bënë nderime pranë arkivolit të veprimtarit të çështjes kombëtare, ish-deputetit të Kuvendit, Ali Lajçi, në kuadër të ceremonisë së homazheve që po zhvillohet në hollin e Kuvendit.
Pas homazheve kryetari Konjufca nënshkroi në librin e zisë.
Homazhe bënë gjithashtu edhe kryeministri Albin Kurti me anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të institucioneve të tjera dhe qytetarë të shumtë.sn
Komentet