Fokus lufte
1. Linja të vjetra…
Ukrajina bashkoi Europën. Të vjetër e të re.
Veçse lëvizje syprinore e të nënujshme ftillohen ngadalë.
Disa tyresh janë të reja. Dhe, që këtej, mirë të njohura. Mirëpo dhe të tjera që, pas një perde mbi dramën e shekullit të ikur, rishfaqen në petkun e rinuar.
Franca e Macronit, fjala vjen, nuk do të mblidhte kurajo për të dënuar Rusinë me leksikun e zjarrtë e, poaq, arsyeplotë të Johnsonit të Britanisë. Aq më pak të premtojë armatim aktiv për Ukrainën e agresuar.
Sa në zor e ka vënë Parisin ky pushtim. Njësoj si “ngordhësirën e aleatëve” Serbinë, si do të shprehej Zhorzh Klemanso në vitet e Luftës së parë…
Ndaj dhe i çon depesh orë e çast t’zotit të luftës Putin. Pusho zjarrin, ndalo turrin e ulu në tryezë, sepse gjithçka mund të mbarojë keq, të kthehet kundër jush. E unë, do t’i ketë thënë, jam kaq i vetmuar këndej. Këndej perdes së re…
2. Njohja…
Pas rreshtimit të dukshëm, madje sfidues të Serbisë m’anë të Rusisë, Brukseli dhe Kijevi mund të kishin një orë reflektimi të hollë.
Belgradi kompromitoi egërsisht argumentin kulturor pse duhej të pretendonte Europën unitare. Rrjedhimthi, argumenti gjeografik doli t’mos mjaftonte për të hyrë në shtëpinë politike të saj.
Ajo ndërtohet dhe rikonfirmoi më prerë se kurrë filozofinë e saj të qytetnisë demokratike.
Dhe Serbia, ashtu si të gjitha Serbitë e ikura: monarkike, republikane, komuniste a kjo e Vuçiqit pas tyre, nuk shkëputet dot nga amza e vjetër e kulturës së krimit!
Porse me këtë anti-kulturë nuk mund shkelet pragu i fismë i Europës!
Ndërkaq, duke parë këtë aleancë ruso-serbe që mbijeton kohët, Kijevi do të duhej poashtu të rimendohej thellë: të njihte Kosovën. Natyrisht, jo për idhnakëri. Revansh. Apo taktikë, për t’u m’dyshë më pas. Por në dedikim interesash dhe vlerash të lirisë!
Ndryshe, thirrja e Volodimirit për aderim të rreptë e demonstrativ të Ukrainës në Bashkimin europian, s’ka asnjë kuptim. Dhe, pra, s’mund të ketë adresë që pret.
Ngjashëm me kohët e ikura, shqiptarët i gjen dhe në frontet e Ukrainës. Ndonëse ngjajnë pak mercenarë, meqë përleshen e bien për kauzën huaj si dikur në Çanak-Kale, Selenski, tashmë i burrnuar në luftë, është mirë të poentifikojë këtë solidarësi shqiptare.
Nëse armiqët e tij mallkojnë e ngrejnë pozicione politike në këtë temë, aherë dhe ky duhet t’i bekojë e, poashtu, të riformulojë qasjen politike ndaj tyre!
Ndaj Kosovës veçanërisht, si prova dhe esenca e interesit kombëtar shqiptar!
3. Mosdija e shtirur…
Invadimi rus dhe një Pararend i ri që konturohet në horizont, dërgoi reminishencën e vet deri poshtë në Arbëri.
Ja, a nuk frekuenton thirrja për deplasimin e Serbisë nga e drejta për anëtarësi Europe, një aluzion të vetishëm dhe tek aleatët e saj, pra dhe tek Shqipëria e Ramës?
Premieri shqiptar thotë naivisht t’mos ketë qenë në dijeni të lidhjes së Serbisë me Rusinë.
Sa komike po t’mos ishte kaq e rëndë e tragjike.
Çdo popull ka një intuitë kolektive. Dhe, gjithaq, një perceptim të etabluar historik për miqtë dhe armiqtë e vet.
Ndodhin nganjëherë çarje apo flirte akute që i sjellin furtunat e mëdha. Po sërish, shtyllat jetëmbajtëse të këtij skicimi të afrisë dhe interesave jetikë mbeten në pëmanencë absolute.
Të gjithë, kudo tokës shqiptare, e dinë se serbi e rusi janë armiqë. Se, prandaj, copëtimi i atdheut që u pasuan nga gjenocidët e serbëve grekëve, ka autorësinë barbare të tyre.
E dinë, e njohin këtë mësim e, gati doktrinë kombëtare, shkodranë e korçarë, gjirokastritë e tetovarë dhe, natyrisht, podujevas e gjakovarë…
Pastaj si një kod ekzistence, e dinë gjithmonë, sidomos motesh të liga, fëmijë e shkollarë, bujqë e kopshtarë, profesorë e dijetarë…
Por ka një njeri të vetëm që këtë urdhër race nuk e paskësh ditur.
Dhe, më keq akoma, ky i mosdituri ka rastisur të jetë në krye të punëve të Shqipërisë.
Edvin Rama dhe aleanca e tij vëllamërore me serbin e urrejtshëm Vuçiq, do t’i jepte së fundmi një thikë helmi gjeopolitikës pozitive shqiptare. Për pak t’a çorientonte drejt Serborusisë. Me dashuri ndaj saj dhe përbuzje ndaj atdheut të vet, nëse vërtetë e përjeton të tillë.
Madje, i ndërkryer në këtë mision, ai justifikonte qetësisht vëllamin e tij Aleksandër. Është distancuar, pohonte ftohtë, nga aktpushtimi rus.
Ndaj dhe druaj se, me t’u ulur gjakrat kur qielli kaltërohet sërish, Edvini ynë udhëhumbur do t’i kthehet Ballkan-hapurit, si dashurisë së ndaluar.
Janë vetëm shqiptarët që mund t’a largojnë nga tempulli i fatkeqësisë.
Askush tjetër.
A do t’a bëjnë këtë çlirim të madh?
r. k.
Komentet