VOAL

VOAL

Ukrajina e vetmuar dhe një President… – Nga REX KASUMAJ

January 29, 2022

Komentet

Gazeta austriake: Rama viziton Vjenën ndërsa vendi është në kaos dhe shqiptarët kërkojnë largimin e tij

Gazeta e njohur austriake, Kurier, shkruan sot se ndërsa Shqipëria është zhytur në kaos dhe flakë, Edi Rama do vizitojë Vjenën.

Gazeta shkruan se shqiptarët kërkojnë largimin e Ramës, ndërkohë që protestat janë përshkallëzuar.

“Për kryeministrin shqiptar, vizita në Vjenë të hënën do të jetë një pushim i mirëpritur nga protestat që prej muajsh ziejnë në vendin e tij. Për më tepër, një vizitë e shkurtër në Austri është gjithmonë si vizita e mirësjelljes te i afërmi i pasur – Austria është investitori i gjashtë më i madh i huaj në vend, në 2025 mes dy vendeve u tregtua më shumë se kurrë më parë.

Kompani si Verbund, Strabag, Raiffeisen Bank, Vienna Insurance Group apo CINEPLEXX janë aktive aty. Vitet e fundit vendi ka lulëzuar edhe si destinacion turistik, edhe për austriakët. Pikërisht për shkak të lidhjeve të tij ekonomike, Austria është një nga mbështetësit më të zëshëm për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, të cilin Shqipëria, kandidate për anëtarësim që prej qershorit 2014, e synon deri në 2030. Në letër, Tirana pas Malit të Zi ka shanset më të mira për këtë.

Ndërsa Edi Rama do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari federal Christian Stocker (ÖVP), protestuesit në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit që qeveris prej 13 vitesh. Të ashtuquajturat “Protestat Flamingo”, të cilat fillimisht ishin kundër një projekti të planifikuar turistik luksoz, në të cilin thuhet se është i përfshirë edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, në një zonë shumimi për flamingot, janë shndërruar në një zjarr masiv kundër qeverisë – fjalë për fjalë,” shkruan gazeta. sn

‘Ky është revolucion’- Gazeta gjermane: Demonstratat ushqehen nga pakënaqësia e përgjithshme ndaj Ramës

Fillimisht bëhej fjalë për flamingot e rrezikuar, tani për problemet në të gjithë vendin: Protestat në Shqipëri kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi. Kampi qeveritar fajëson “aktorë të huaj”.

Nga Sina-Maria Schweikle dhe Tobias Zick, SUEDDEUTSCHE ZEITUNG

Të enjten në mbrëmje, në ditën e tretë të protestave të fundit, një grup njerëzish, kryesisht të rinj, u mblodh pranë selisë së kryeministrit Edi Rama. Ata e vëzhgojnë situatën nga një distancë e sigurt. Mes tyre dhe policisë shtrihet një zonë e askujt, e mbushur me tension, fishekzjarrë dhe gaz lotsjellës. Shumë prej tyre mbajnë maska për të mbrojtur veten nga gazi lotsjellës që djeg sytë dhe rrugët e frymëmarrjes.

Pse qëndrojnë këtu, pak më larg nga protesta kryesore? Njëri prej tyre përgjigjet pa hezitim: “Sepse gjithçka është keq. Sepse gjithçka duhet të ndryshojë”. Burri me bluzë me kapuç thotë se ka një fëmijë të vogël dhe se gruaja e tij është në muajin e katërt të shtatzënisë. Për të, nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen. Bëhet fjalë për të tashmen.

Stefani, 40 vjeç, i cili, ashtu si të gjithë të pranishmit këtu, dëshiron të bëjë publik vetëm emrin e tij, vjen nga Majami, por prej pesë vitesh jeton në Tiranë. Gruaja e tij është shqiptare. Ai thotë se e kupton mirë zhgënjimin e demonstruesve. Në fund të fundit, vendi është i korruptuar dhe në fund nuk mbetet shumë për të jetuar. Ai thotë se vetë, së bashku me familjen e tij, jeton mirë. Por shumë të rinj po largohen nga vendi, sepse nuk shohin të ardhme në Shqipëri.

Prej muajsh, mijëra deri në dhjetëra mijëra njerëz mblidhen vazhdimisht për të protestuar kundër qeverisë së Edi Ramës. Shkëndija që ndezi lëvizjen protestuese ishte fillimi, në fund të majit, i punimeve të ndërtimit në skajin e lagunës së Nartës, një zonë e madhe e mbrojtur natyrore në grykëderdhjen e lumit Vjosë. Disa investitorë ndërkombëtarë, mes tyre edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, planifikojnë të zhvillojnë atje projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme. Mbrojtësit e mjedisit shohin rrezik për disa lloje kafshësh. Flamingot që jetojnë në lagunë u shndërruan në simbolin e lëvizjes protestuese që po rritet.

Ndërkohë, çështja nuk ka të bëjë më kryesisht me mbrojtjen e natyrës. Demonstratat ushqehen nga pakënaqësia e përgjithshme ndaj qeverisë, nga akuzat për korrupsion dhe mungesë transparence. Këto ditë, në qendër të vëmendjes janë kushtet në universitetet, kostot e larta të arsimimit dhe mungesa e perspektivave profesionale.

Nga ana e tij, Edi Rama i akuzon protestuesit se kontrollohen nga opozita, e cila, sipas tij, dëshiron të pengojë anëtarësimin e vendit në BE. Për më tepër, ai fajësoi për trazirat disa “aktorë të huaj”, pa i identifikuar më konkretisht.

Një prej protestuesve prezantohet si Uestli, 23 vjeç. Ai thotë se për më shumë se 135 ditë, ai dhe të tjerët kanë protestuar paqësisht në kuadër të të ashtuquajturave protesta të flamingove, por askush në politikë nuk i ka dëgjuar. “Tani është një revolucion”, thotë ai.

Ajo që nënkupton bëhet e qartë nga dhuna në rrugë: kazanët e plehrave dhe dyqanet e vogla të rrugës janë në flakë. Semaforët dhe tabelat rrugore shkulen, ndërsa vitrinat e dyqaneve thyhen. Në xhamat e tyre është ngjitur një fletë në formatin A4, ku shkruhet: “Ne i mbështesim protestat”.

Uestli mban një maskë për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës. Ai thotë se sapo ka përfunduar studimet dhe punon për një kompani të huaj. Në Shqipëri, sipas tij, të rinjtë si ai nuk kanë punë dhe as perspektivë.

Të premten në mesditë, policët në qendër të Tiranës ulen të rraskapitur në hije. Gjatë natës, qyteti ishte mbuluar nga gazi lotsjellës, koktejet Molotov kishin shpërthyer dhe disa godina ishin djegur plotësisht. Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera përtej kryeqytetit. Parlamenti shqiptar e ka shtyrë për javën e ardhshme seancën që ishte parashikuar të mbahej të enjten, për shkak të protestave.

Zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë u bëri thirrje të premten “të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna, të tregojnë vetëpërmbajtje, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të zhvillojnë një dialog konstruktiv”.

Kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm të diskutojë për çështje si kostot e arsimit, por hodhi poshtë mundësinë e dorëheqjes, të cilën e kërkojnë protestuesit. sn

DW: Shtetet anëtare të BE-së po i vënë veton gjithnjë e më shumë procesit të pranimit të vendeve kandidate! Rasti i Shqipërisë

Shtetet anëtare të BE-së po i vënë veton gjithnjë e më shumë procesit të pranimit të vendeve kandidate. Shpesh shkaku ka të bëjë me politikat e tyre të brendshme. DW shpjegon këto raste dhe arsyet themelore.

Zgjerimi i fundit i Bashkimit Evropianndodhi më shumë se një dekadë më parë, kur Kroacia iu bashkua BE-së në vitin 2013. Tani, kjo mund të ndryshojë sërish së shpejti: Mali i Zi, një vend i vogël në Adriatik me rreth 620 mijë banorë, mund t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit në muajt e ardhshëm dhe të bëhet anëtar i BE-së në fillim të vitit 2028. Kjo u bë e ditur së fundmi nga Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.

Megjithatë, ky optimizëm u zbeh nga njoftimi se Kroacia mund të vendosë veto ndaj anëtarësimit të Malit të Zi nëse Podgorica nuk plotëson një sërë kërkesash kroate. Ky qëndrim shkaktoi zhgënjim te politikanët e BE-së dhe deputetët e Parlamentit Evropian.

Kjo nuk është aspak e pazakontë. E drejta e vetos, të cilën shtetet anëtare e gëzojnë në shumë procese vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, është përdorur gjithnjë e më shpesh vitet e fundit si mjet presioni dhe armë politike. Kjo ka bërë që në disa raste BE-ja të përballet me bllokada serioze. Deutsche Welle shpjegon rastet më të rëndësishme, sfondin e tyre dhe pasojat politike që kanë sjellë.

Mali i Zi: Kroacia paraqet tetë kërkesa
Mali i Zi mbetet vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në BE, me perspektivën për t’u bërë anëtar në vitin 2028. Vendi ka mbyllur tashmë disa nga 33 kapitujt negociues dhe pritet të përfundojë edhe të tjerë në muajt e ardhshëm.

Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, deklaroi së fundmi se procesi po ecën “shumë shpejt”. Zagrebi ka përsëritur një sërë kërkesash ndaj Malit të Zi, duke argumentuar se ato do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të integrimit. Megjithatë, në sfond mbetet kërcënimi i nënkuptuar për përdorimin e vetos.

Ndër kërkesat e Kroacisë janë kompensimi për ish-të burgosurit e kampeve malazeze gjatë luftërave të viteve 1990, sqarimi i fatit të kroatëve të zhdukur dhe ndjekja më efektive e të dyshuarve për krime lufte. Dy vendet vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje edhe për kufirin detar, ndërsa Kroacia kërkon gjithashtu rreth 2.4 miliardë euro si kompensim për asetet e ish-Ushtrisë Popullore Jugosllave.

Disa nga këto kërkesa, veçanërisht ato që lidhen me zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe trajtimin e së kaluarës së luftës, konsiderohen të arsyeshme. Të tjera, si pretendimet për asetet ushtarake, mbeten të debatueshme. Lista e kërkesave lidhet edhe me politikën e brendshme kroate. Asnjë qeveri në Zagreb nuk dëshiron të perceptohet si e butë ndaj çështjeve që lidhen me Luftën e Kroacisë (1991-1995). Për më tepër, Kryeministri konservator i moderuar Andrej Plenkoviq mund ta përdorë këtë çështje për t’u paraqitur si mbrojtës i vendosur i interesave kombëtare.

Ukraina: Politika e brendshme hungareze dhe çështja e pakicës
Në qershor 2022, si shenjë solidariteti ndaj Ukrainës pas agresionit rus, BE-ja i dha Kievit statusin e vendit kandidat, së bashku me Moldavinë. Edhe pse disa shtete anëtare kanë rezerva për një anëtarësim të përshpejtuar, Hungaria ka qenë vendi që ka mbajtur pozicionin më bllokues.

Viktor Orbán bllokoi hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues deri në humbjen e tij në zgjedhjet e prillit 2026. Pasardhësi i tij, Péter Magyar, e hoqi veton në qershor 2026, por vazhdoi të bllokonte hapjen e kapitujve të tjerë.

Budapesti zyrtar e justifikonte këtë qëndrim me nevojën për të mbrojtur të drejtat e pakicës hungareze në rajonin ukrainas të Transkarpatisë. Megjithëse Ukraina ka ndërmarrë hapa për përmirësimin e të drejtave të pakicave që nga viti 2023, Orbán e përdori vazhdimisht këtë temë në fushatat e tij politike, duke e paraqitur Ukrainën si një shtet problematik.

Edhe Péter Magyar ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Ukrainës, duke kërkuar mbrojtje më të madhe për pakicën hungareze. Megjithatë, pasi parlamenti ukrainas miratoi më 12 tetor 2026 një ligj për forcimin e të drejtave arsimore të pakicave kombëtare, Hungaria i dha fund bllokadës së saj ndaj negociatave të mëtejshme të anëtarësimit.

Maqedonia e Veriut: Një bllokadë e pafund
Asnjë vend kandidat nuk e ka përjetuar politikën e vetos në mënyrë kaq të gjatë dhe të dhimbshme sa Maqedonia e Veriut. Ajo mori statusin e vendit kandidat në vitin 2005, por negociatat zyrtare me BE-në nisën vetëm në korrik 2022.

Për 13 vjet, Greqia bllokoi procesin për shkak të mosmarrëveshjes rreth emrit “Republika e Maqedonisë”, duke pretenduar se ai nënkuptonte aspirata territoriale ndaj rajonit grek të Maqedonisë. Kjo bllokadë kontribuoi edhe në forcimin e tendencave autoritare gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Konflikti u zgjidh në vitin 2018 me Marrëveshjen e Prespës, e cila çoi në ndryshimin e emrit të shtetit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Megjithatë, pak më vonë, Bullgaria bllokoi nisjen e negociatave, duke kontestuar identitetin kombëtar dhe gjuhësor maqedonas.

Një kompromis i ndërmjetësuar nga Franca në vitin 2022 mundësoi hapjen e negociatave, por ai parashikonte që bullgarët të përfshiheshin në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si komunitet shtetformues.

Deri më sot, shumica e nevojshme prej dy të tretash në parlament nuk është siguruar. Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon garanci se Bullgaria nuk do të vendosë pengesa të reja pas ndryshimit kushtetues, ndërsa Sofja refuzon të japë një zotim të tillë. Për pasojë, ngërçi vazhdon.

Serbia: Kroacia nuk është pengesa e vetme
Serbiaka hapur negociatat e anëtarësimit që në vitin 2014, por përparimi ka qenë i kufizuar. Në korrik 2026, tetë shtete anëtare të BE-së, përfshirë Kroacinë, u shprehën kundër hapjes së kapitujve të rinj negociues.

Shqetësimet kryesore lidhen me gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe korrupsionin. Nga ana tjetër, Kroacia vazhdon të ngrejë çështje të pazgjidhura nga periudha e luftës së viteve 1991-1995, si personat e zhdukur, krimet e luftës, të drejtat e pakicave dhe interpretimet historike. Marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara edhe për shkak të retorikës nacionaliste.

Shqipëria: Greqia kërcënon me çështjen e pakicës
Shqipëria, e cila mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014, i hapi negociatat e anëtarësimit me BE-në në korrik 2022. Pas Malit të Zi, ajo konsiderohet një nga kandidatët më premtues për anëtarësim.

Megjithatë, Greqia ka paralajmëruar vazhdimisht, së fundmi edhe në qershor 2026, se mund të bllokojë procesin nëse të drejtat e pakicës greke, veçanërisht ato që lidhen me pronat, nuk garantohen në mënyrë të mjaftueshme.

Fundi i sistemit të vetos?
Përballë këtyre përvojave, në Bruksel po diskutohet prej kohësh reforma e procesit të zgjerimit dhe kufizimi i përdorimit të vetos. Në fillim të tetorit 2026, Komisioni Evropian propozoi që vendimet për hapjen e negociatave me vendet kandidate të merren me shumicë të kualifikuar dhe jo më me unanimitet.

Sipas propozimit, anëtarët e rinj të BE-së do të duhej gjithashtu të pranonin kufizimin e përdorimit të vetos në fusha të caktuara për një periudhë të caktuar. Megjithatë, ekziston një pengesë e madhe: vetë këto reforma kërkojnë miratim unanim nga të gjitha shtetet anëtare. Kjo do të thotë se një shtet i vetëm mund t’i bllokojë ato përmes të njëjtit mekanizëm që synohet të reformohet.

“Të acaruar nga përbuzja e Ramës” Le Monde: Protestat në Shqipëri, të paprecedenta që nga viti 1991, demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Gazeta e njohur franceze “Le Monde” i ka kushtuar një artikull protestave antiqeveritare në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë që nga rënia e diktaturës komuniste në vitin 1991. Sipas medias franceze, pas katër muajsh e gjysmë demonstratash, zemërimi i qytetarëve është përshkallëzuar, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Në artikullin e publikuar më 17 tetor, “Le Monde” shkruan se lëvizja, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, ka ndryshuar formë, duke lënë pas tubimet paqësore të mbrëmjes dhe duke u zhvendosur drejt protestave të tensionuara që nisin që në orët e para të ditës. Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës, duke kërkuar largimin e Ramës, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe luftën kundër korrupsionit.

“Pas katër muajsh e gjysmë protestash, demonstruesit, të acaruar nga ajo që e përshkruajnë si ‘përbuzje’ dhe ‘indiferencë’ të kryeministrit Edi Rama, kanë zgjedhur një qasje të re”, shkruan gazeta franceze, duke iu referuar përshkallëzimit të protestave dhe përplasjeve të ditëve të fundit. Studiuesja Gresa Hasa, e cituar nga “Le Monde”, e lidh këtë revoltë me pakënaqësinë e akumuluar ndër vite. “Njerëzit duan të jetojnë në një vend demokratik. Ky është rezultat i 35 viteve të frustrimit të akumuluar që nga rënia e diktaturës komuniste në vitin 1991”, shprehet ajo.

Sipas artikullit, zemërimi është përhapur edhe në pesë qytete të tjera të vendit. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, në pushtet që nga viti 2013, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, duke akuzuar opozitën për nxitjen e trazirave. Megjithatë, “Le Monde” vëren se edhe përfaqësues të opozitës janë përballur me reagime dhe fishkëllima nga protestuesit, çka pasqyron pakënaqësinë ndaj të gjithë sistemit politik. Shkrimtari dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë, Besnik Mustafaj, i cilëson zhvillimet si të paprecedenta që nga fundi i regjimit komunist. Sipas tij, përshkallëzimi është pasojë e protestave të gjata paqësore, të cilat, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigjen e kërkuar nga autoritetet.

“Kjo dhunë është rezultati logjik i 137 ditëve protesta paqësore që nuk u dëgjuan. Njerëzit po humbasin durimin”, citohet të ketë thënë Mustafaj. Megjithatë, ai ngre shqetësimin për mungesën e organizimit dhe të një strukture përfaqësuese brenda lëvizjes, duke vlerësuar se kjo e vështirëson dialogun. “Le Monde” vëren se protesta, e cila nisi me kërkesa të caktuara, është zgjeruar për të përfshirë pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisjes dhe sistemit politik. Radikalizimi i lëvizjes, sipas gazetës, ka shtuar pasigurinë për zhvillimet e ardhshme në Shqipëri. bw

“Ma mirë një e hikme me nder se sa një e qëndrume për gazep”- Profesori Edmond Faber letër të hapur Ramës: Largohu, dëgjo studentët dhe kërko falje!

Dr. Edmond Faber, bashkëshorti i ish-ambasadores së Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli Faber, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga detyra në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë.

Në mesazhin e tij, Faber kujton mbështetjen që i ka dhënë Partisë Socialiste dhe Ramës në vitin 2013, kur ky i fundit erdhi në pushtet, ndërsa shpreh zhgënjimin për mënyrën se si është qeverisur vendi gjatë viteve të fundit. Ai ngre akuza për korrupsion dhe skandale, duke përmendur edhe zyrtarë të qeverisë. Faber i bën thirrje kryeministrit të reflektojë dhe të largohet nga pushteti, duke përdorur një shprehje mirditore: “Trim nuk është vetëm ai që qëndron, por edhe ai që ikën. Ma mirë një e hikme me nder se sa një e qëndrume për gazep”.

Në letrën e tij, ai thekson se largimi në momentin e duhur do të ishte një akt dinjiteti dhe, sipas tij, do të ndihmonte në qetësimin e situatës dhe përfundimin e protestave. “Dëgjoi studentët dhe kërkoji falje në televizion”, i drejtohet Faber kryeministrit, duke e paralajmëruar se nëse nuk vepron tani, mund të jetë tepër vonë. Në përfundim të mesazhit, ai i drejtohet Ramës me fjalët “Lamtumirë i dashur Edi, suksese në jetë”, duke e cilësuar veten si një qëndrestar të hershëm të Partisë Socialiste.

LETRA
I nderuar Kryeministër Rama,
I dashur Edi,

Kam shkruar mjaft herë për problemet e
shumta të keq-qeverisjes, dhe jam kritikuar nga pushtet-mbajtes, por jam lëvduar nga mijra e mijra qytetarë dhe miq të mij si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj.
Këto ditë kam kujtuar me orë të tëra kalvarin e gjatë te perpjekjeve dhe përplasjeve për sjelljen ne pushtet të PS dhe Ty si Kryeministër. Ti në atë kohe të largët të fillim pranverës te vitit 2013, erdhe në Spitalin e Traumës dhe çele fushatën elektorale ku gjithë populli të përkrahu dhe ti erdhe në pushtet. Atëherë isha krenar, sepse isha idealist, desha nje zhvillim ekonomik dhe kulturor europian për gjithë shqiptarët. Dalë nga dalë pushteti yt degjeneroi në skandale të pa dëgjuara ndonjë herë, deri ne korruptimin e shefit të shërbimit sekret…… Ku Gysi dhe Beqiri vodhën me qindra milionë euro, ku banda e drejtorëve të tu…..ishte në garë kush e kush të bënte më shumë lekë se shoshoqi. Ku Deputetet e listave të tua si motrat e Këpëratës, bëjnë sfilata mode në një vënd të drobitur nga varferia. Nuk do zgjatem më shumë, sepse Elisa ti kishte rreshtuar më mirë se unë. Unë dua vetëm të të ndihmoj edhe një herë, për herë të fundit, duke të siellë nie shprehie mirditore.
Trim nuk është vetëm ai që qëndron, por edhe ai që ikën, dhe mirditorët thonë: Ma mirë një e hikme me nder… se sa një e qëndrume për gazep. Të largohesh në momentin e duhur (edhe pse je ca me vonesë) është dinjitet. Largohu me nder, që protestat të mbyllen, populli të qetësohet dhe jeta te rifillojë. Mos i lër turpin Zahos dhe Gregut të dëgjojnë jo mirë per babanë e tyre. Dëgjoi Studentët, dhe kërkoi
falje në televizion (sepse po tu dalësh përpara……do të të turpërojnë). Bëje sot këtë……..se nesër do jetë shumë vonë. Lamtumirë i dashur Edi, suksese në jetë.
Me respekt, një qëndrestar i hershëm i PS.
Dr Edmond Faber.

bw

Jehona e protestave shqiptare në mediat botërore- EFE: Studentët në revoltë, kërkojnë largimin e Ramës dhe akuzojnë qeverinë për korrupsion

Protestat e studentëve në Shqipëri po shndërrohen në një nga zhvillimet kryesore politike të ditëve të fundit, ndërsa pakënaqësia ndaj qeverisë po shoqërohet me përplasje me policinë dhe thirrje për mobilizim më të gjerë qytetar. Agjencia spanjolle e lajmeve EFE i ka kushtuar një artikull situatës në vend, duke raportuar për kërkesat e protestuesve, qëndrimin e kryeministrit Edi Rama dhe përhapjen e tubimeve edhe jashtë Tiranës.

Sipas EFE, Shqipëria përjetoi të premten ditën e katërt radhazi të protestave studentore kundër qeverisë, të cilat u shoqëruan me episode dhune dhe përplasje me forcat e rendit. Në artikullin e saj, agjencia thekson se protestuesit akuzojnë autoritetet për korrupsion dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike, ndërsa qeveria ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes. Ndërkohë, opozita e djathtë ka bërë thirrje për vijimin e mobilizimit.

Sipas raportimit, protestuesit dhe policia kishin arritur një marrëveshje në orët e mëngjesit për zhvillimin paqësor të marshimit. Megjithatë, situata u tensionua sërish gjatë pasdites dhe mbrëmjes, fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas përpara Kryeministrisë. Gjatë përplasjeve, grupe protestuesish hodhën gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.

“Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, ku ndodhet selia e qeverisë, u mbush sërish me gurë kalldrëmi të përdorur gjatë përplasjeve dhe me copa xhamash nga vitrinat e thyera të bizneseve”, shkruan agjencia spanjolle.

Rama përjashton dorëheqjen, Berisha bën thirrje për mobilizim
EFE ndalet edhe te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, i cili ka përjashtuar sërish mundësinë e dorëheqjes. Kreu i qeverisë u ka kërkuar qytetarëve durim, duke shprehur bindjen se vendi do ta kapërcejë krizën dhe do të dalë prej saj më i fortë. Agjencia kujton se Rama është në pushtet që prej vitit 2013 dhe se në zgjedhjet e majit siguroi një tjetër mandat qeverisës me shumicë absolute. Sipas EFE, kryeministri ka akuzuar opozitën se qëndron pas protestave, ndërsa Partia Socialiste pretendon se synimi i tyre është të pengojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të solidarizohen me studentët dhe të marrin pjesë në protestat e së shtunës. “Historia po u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të mblidhen nesër në Tiranë”, deklaroi Berisha, sipas agjencisë spanjolle. EFE kujton gjithashtu se Berisha ka qenë president i Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997 dhe kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013. Ai aktualisht është nën hetim për korrupsion.

Protestat përhapen edhe në qytete të tjera
Përtej Tiranës, protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Sipas EFE, që prej së enjtes janë zhvilluar tubime dhe marshime në Lezhë, Shkodër, Elbasan, Kurbin, Rrëshen dhe Fushë-Arrëz, mes qyteteve të tjera.

Agjencia vë në dukje se Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës dhe përballet me shqetësime të vazhdueshme për korrupsionin dhe koston e jetesës. Në përfundim, EFE e lidh valën e protestave studentore me një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila nisi në maj kundër planeve të qeverisë për zhvillimin e një projekti luksoz në jug të vendit. Me kalimin e kohës, kjo lëvizje është zgjeruar, duke përfshirë pakënaqësitë për korrupsionin, rritjen e kostos së jetesës dhe problemet në sistemet e shëndetësisë dhe arsimit. Protestuesit dhe kundërshtarët politikë të kryeministrit kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj asaj që e cilësojnë si arrogancë të kreut të qeverisë. Ndërsa tubimet vijojnë dhe situata mbetet e tensionuar, kërkesat e studentëve dhe reagimi i qeverisë po mbajnë në vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri. bw

“Financial Times”: Protestat janë përshkallëzuar! Kërcënim serioz për Ramën, një nga sfidat më të mëdha politike të tij

Protestat që nisën kundër një projekti luksoz në bregdetin shqiptar, të lidhur me Jared Kushner, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe qeverisë së Edi Ramës.

Studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, tarifa më të ulëta studimi dhe përmirësimin e sistemit arsimor, ndërsa përplasjet me policinë janë intensifikuar.

Kryeministri Edi Rama po përballet me një nga sfidat më të mëdha politike të qëndrimit të tij në pushtet, pasi protestat studentore dhe qytetare në Shqipëri janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme me policinë.

Sipas raportimit, demonstratat, të cilat fillimisht u nxitën nga kundërshtimet ndaj planeve për një investim luksoz në bregdet, janë zgjeruar duke përfshirë kërkesa për luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshime politike.

Gjatë kësaj jave, protestuesit janë përplasur me policinë dhe kanë sulmuar godina shtetërore, ndërsa autoritetet kanë përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat. Në protesta janë përfshirë edhe nxënës të shkollave të mesme, pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve drejtuar prindërve për të shmangur pjesëmarrjen e adoleshentëve në tubime.

Tensionet nisën të rriteshin që në muajin maj, pas kundërshtimeve ndaj planeve për ndërtimin e një resorti luksoz me vlerë rreth 4 miliardë dollarë, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Projekti, i planifikuar në bregdetin shqiptar pranë ishullit të Sazanit, ka shkaktuar shqetësime për ndikimin e mundshëm mbi mjedisin dhe një zonë natyrore të mbrojtur, ku jetojnë edhe flamingot.

Zhvilluesit e projektit, nga ana tjetër, kanë këmbëngulur se investimi do të respektojë mjedisin.

Me kalimin e kohës, protestat janë zgjeruar përtej kundërshtimit ndaj projektit, duke u shndërruar në një lëvizje të njohur si “Revolucioni i Flamingove”. Qytetarët kanë ngritur shqetësime për korrupsionin e perceptuar, cilësinë e arsimit dhe mënyrën se si qeveriset vendi.

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e largimit nga detyra, ndërsa ka pretenduar se protestat po nxiten nga “duar të huaja” dhe nga forca që, sipas tij, synojnë të pengojnë zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Në një video të publikuar në Facebook, Rama kritikoi përfshirjen e të miturve në protesta dhe dënoi aktet e dhunës.

“Si mund të inkurajohen të miturit të vendosin maska, të shqyejnë trotuarin dhe të sulmojnë policinë?”, citohet të ketë deklaruar kryeministri.

Ai ka argumentuar gjithashtu se përshkallëzimi i protestave vjen në një moment kur Shqipëria po shënon përparim në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“A mendoni se është rastësi që, pikërisht kur Shqipëria merr një dritë tjetër jeshile, pikërisht kur Shqipëria mbyll një kapitull tjetër \(pranimi\), pikërisht kur Shqipëria i afrohet asaj ambicie, atij objektivi historik, flakët shpërthejnë këtu? Nuk është aspak rastësi”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kryeministri nuk ka specifikuar se cilat janë forcat për të cilat pretendon se po nxisin protestat.

Pavarësisht intensitetit të protestave, analisti i lartë Mario Bikarski, nga kompania e inteligjencës së riskut Verisk Maplecroft, vlerëson se ato nuk kanë gjasa të çojnë në rrëzimin e qeverisë Rama apo të pengojnë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Sipas tij, protestat përbëjnë një sfidë të rëndësishme për kryeministrin, por anëtarësimi në BE vijon të gëzojë mbështetje të gjerë në vend.

Bikarski vlerëson se Rama mund të detyrohet të bëjë lëshime ndaj protestuesve, përfshirë rishikimin ose braktisjen e planeve për investime shumë të mëdha në bregdet.

Ai thekson gjithashtu se kryeministri ka treguar më parë qëndrueshmëri përballë sfidave politike, ndërsa opozita nuk shihet nga të gjithë protestuesit si një alternativë e besueshme qeverisëse.

## Integrimi në BE, në sfondin e krizës politike

Protestat zhvillohen në një moment të rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Vendi ka avancuar në negociatat e anëtarësimit, ndërsa sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten çështje kyçe për përmbushjen e standardeve evropiane.

Përtej përplasjeve në rrugë, kërkesat e protestuesve për arsim më cilësor, mbrojtje të mjedisit dhe luftë kundër korrupsionit kanë zgjeruar objektivat e lëvizjes.

Mbetet për t’u parë nëse presioni qytetar do ta detyrojë qeverinë të bëjë ndryshime konkrete, veçanërisht lidhur me politikat arsimore dhe projektet e mëdha të zhvillimit bregdetar. bw

Sot është turp të jesh socialist! – Nga Irena Beqiraj

Teksa shikoj videot e të rinjve që hiqen zvarrë, ndiej turp për të majtën kriminale të këtij vendi.

Më përzihet stomaku sa herë shoh socialistë të vjetër, disa të plakur në politikë e të tjerë në prag të portave të Shën Pjetrit, që, për të ruajtur privilegjet personale, kanë humbur vetëdijen politike.

Karakteri i një politikani nuk matet vetëm nga fitoret që arrin, por nga vendimet që merr kur çmimi për të bërë atë që është e drejtë është pikërisht humbja e pushtetit. Në momente të tilla, humbja e pushtetit mund të bëhet forma më e lartë e vetëdijes politike.

Sot, besnikëria juaj politike bie ndesh me përgjegjësinë që keni. Bindja ndaj autokratit socialist ju detyron të sakrifikoni integritetin personal, atë integritet që, ndoshta me naivitet, besoja se disa prej jush ende e kishit.

Politika nuk është  profesion, është mision. Me politikë duhet të merret ai që dëshiron të lërë gjurmë në histori, jo ai që kërkon të qëndrojë me çdo kusht edhe me dhunë mbi fëmijët në pushtet.

Historia nuk nderon ata që qëndruan më gjatë në pushtet. Ajo nderon ata që patën guximin të mbronin vendin kur të tjerët, nga frika, zgjodhën heshtjen.

Një politikan që zgjedh anën e duhur mund të humbasë karrierën, por fiton diçka shumë më të qëndrueshme: respektin e historisë.

Pushteti, në fund të fundit, është i përkohshëm. Për dreq, të gjithë jemi të vdekshëm! Janë zgjedhjet e vështira ato që përcaktojnë vlerën e një politikani dhe gjurmën që ai lë në jetën publike.

Të shumtë janë ata që më thonë se nuk keni këllqe, se keni skelete në dollap, se pushteti ju ka ç’burrëruar. Por, edhe sikur të jetë kështu, më mirë një fund i tmerrshëm sesa një jetë politike  pa nder. Më mirë të humbasësh gjithçka sesa të mbetesh peng i një sekti politik që, sipas bindjes sime, përfaqëson një nga deformimet më të rrezikshme të jetës publike shqiptare që prej themelimit të shtetit më 1912.

Karma is not a bitch. Përkundrazi, është një llogaritare hyjnore. Mos e harroni këtë!

Jam përpjekur maksimalisht ta mirëkuptoj pamundësinë tuaj për të vepruar. Por nuk mund ta pranoj kurrsesi justifikimin e askujt prej jush se janë të rinjtë ata që po i vënë zjarrin Shqipërisë.

Zjarrin Shqipërisë po ia vini ju!

Për 136 ditë, njerëzit protestuan në mënyrë paqësore. Çfarë bëtë ju gjatë gjithë kësaj kohe?

Vazhduat të miratonit ligje dhe të mbanit në këmbë mekanizma që,  lejojnë kalimin e parave publike pa garë e pa mbikëqyrje te Roni dhe shokët e tij. Jo vetëm kaq, por u tallët me njerëzit që protestonin.

Dhe, si qershia mbi tortë, ofruat praninë tuaj besnike, me orar të përcaktuar, për të admiruar modelin e ri të flokëve të Zeqinesë dhe të një mori personazhesh të tjera pa vlerë që i shërbejnë pushtetit.

Zjarrin Shqipërisë po ia vini ju, sepse me modelin tuaj ekonomik të ‘dolce vitta-s’, me kazino, hotele, verë, drogë e prostitucion, po ndërtoni një vend ku të rinjtë humbasin shpresën për të ardhmen.

Jeni ju që e kthyet Shqipërinë në atdheun e dashur të çdo maskarai dhe në tokë armike për çdo shqiptar që nuk pranon të bëhet horr.

Dhe kufomën politike të Ramës në pushtet e mbani ju. Po ju . Sepse nuk u bëtë kurrë politikanë. Mbetët transaksionalë, të burgosur të formulës «më jep, të të jap». Mbetët të vegjël. Mbetët ushtarë të bindur, aty ku duhej të ishit përfaqësues të qytetarëve.

E kthyet bindjen politike në bindje personale, partinë në strehë privilegjesh dhe përfaqësimin qytetar në pazar interesash. Në vend që të ushtronit pushtetin për të mbrojtur interesin publik, zgjodhët të mbronit pushtetin edhe kur ai bie ndesh me përgjegjësinë tuaj morale.

Dhe kjo është tragjedia juaj: ju e dini që nuk po i shërbeni më një ideali politik, por mbijetesës së një pushteti që e ka zëvendësuar idealin me interesin, bindjen me frikën dhe përgjegjësinë me llogarinë personale.

Hekuri i mirë nuk përdoret kurrë për gozhdë. Prandaj, sot, të quhesh socialist është turp. Jo thjesht për shkak të Ramës, por për shkakun tuaj: sepse ju, që duhej të mbronit dinjitetin e së majtës, e kthyet politikën nga mision në biznes, partinë nga ideal në instrument privilegjesh dhe përfaqësimin politik nga përgjegjësi në pazar.

“Korrupsioni qeveritar nxiti protestat” – The Guardian jehonë situatës në Shqipëri: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

Media prestigjioze britanike The Guardian i ka bërë jehonë protestës në Shqipëri dhe zhvillimeve të ditëve të fundit, teksa qytetarët vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

The Guardian:

“Ne po protestojmë për një Shqipëri të Re, një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ku qytetari i zakonshëm ka të njëjtat të drejta dhe të njëjtat mundësi si të pasurit dhe të fuqishmit”, tha artistja dhe aktivis bwtja Mei Seva, e cila ka muaj që proteston në Shqipëri.

Dhjetëra mijëra studentë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit të vendit, Tiranës, duke i vënë flakën një ndërtese qeveritare dhe dy bankave, si dhe duke hedhur gurë ndaj policisë. Protestat u nxitën nga rritja e kostove të arsimit dhe korrupsioni i dyshuar qeveritar, me shumë që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama.

Vala e fundit e demonstratave erdhi pas muajsh demonstratash kryesisht paqësore, të etiketuara si “revolucioni i flamingove”, mbi planet për një kompleks turistik të diskutueshëm të mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.

Trazirat janë pjesë e një vale më të gjerë të aktivizmit studentor që përfshin Evropën mbi arsimin dhe kushtet e jetesës.

Washington Post: Dita e tretë e përplasjeve në Shqipëri, protestat kundër qeverisë zgjerohen

Demonstruesit e udhëhequr nga studentët janë përplasur me policinë shqiptare në Tiranë për të tretën ditë radhazi, duke iu bashkuar një lëvizjeje më të gjerë kundër qeverisë.

Të enjten, demonstruesit e udhëhequr nga studentët u përleshën për të tretën ditë radhazi me policinë shqiptare në kryeqytetin Tiranë, duke iu bashkuar një lëvizjeje më të gjerë kundër qeverisë. Të rinjtë që protestojnë kundër qeverisë socialiste, e cila ka qenë në pushtet prej kohësh, hodhën gurë drejt kordonit policor para Ministrisë së Arsimit. Policia e ndërhyrjes së shpejtë u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë uji. Disa demonstrues u ndaluan nga policia.

Përplasjet e fundit vijnë pas trazirave të së mërkurës, kur protestuesit sulmuan ndërtesa qeveritare, banka dhe biznese. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 89 persona mbetën të plagosur, mes tyre 61 efektivë policie.

Protestat udhëhiqen nga grupe studentore që kërkojnë reforma në arsim. Ata i janë bashkuar të ashtuquajturës “Lëvizja e Flamingove”, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama për shkak të akuzave për korrupsion të përhapur dhe kundërshton projektin e madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë.

Të enjten, nxënës të shkollave të mesme iu bashkuan mijëra protestuesve në marshimet në qendër të kryeqytetit, duke brohoritur “Rama, jep dorëheqjen!” dhe duke paralizuar qarkullimin në qytet.

“Do të jemi çdo ditë në shesh”, shkroi në një postim në internet Mateo Yskollari, një nga organizatorët e njohur të protestës. “Përgjigjja jonë ndaj çdo përpjekjeje për të na mbyllur gojën do të jetë zgjerimi i protestës, mobilizimi qytetar dhe mosbindja civile”.

Megjithëse protestat kanë qenë kryesisht paqësore, ato janë kthyer në përplasje të dhunshme kur demonstruesit janë përballur me kordonët e policisë. Grupe të rinjsh janë shkëputur gjithashtu nga tubimet për të sulmuar ndërtesa qeveritare dhe vitrina biznesesh.

Të enjten, Rama përshëndeti punonjësit që po pastronin zonat e dëmtuara dhe publikoi një videomesazh nga një godinë universitare e djegur. Ai akuzoi drejtpërdrejt kundërshtarët politikë për nxitjen e dhunës dhe premtoi se do të qëndrojë në detyrë si kryeministër për të çuar më tej përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Do t’i kalojmë të gjithë së bashku këto orë të vështira, sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, sepse Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj drejt Europës”, tha ai. “Askush nuk mund ta kapë Shqipërinë për fyti. Kushdo që mendon se ligji nuk vlen për të, e ka gabim”.

Socialistët e Ramës fituan mandatin e katërt radhazi në zgjedhjet e vitit të kaluar, ndërsa Shqipëria nuk pritet të zhvillojë zgjedhje të tjera parlamentare deri në vitin 2029.

Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës konservatore, mbështeti protestat studentore dhe i kërkoi Ramës të emërojë një qeveri kujdestare për të përgatitur zgjedhje të parakohshme.

“Kjo lëvizje nuk është thjesht një protestë kundër qeverisë”, deklaroi partia. “Është një revoltë kundër një modeli qeverisjeje të krijuar nga Edi Rama, i cili ua ka vjedhur shpresën të rinjve, ka shkelur besimin e qytetarëve dhe po e largon gjithnjë e më shumë Shqipërinë nga e ardhmja e saj europiane”.

Një delegacion i Bashkimit Europian në Shqipëri bëri thirrje të mërkurën në mbrëmje që autoritetet të reagojnë në mënyrë proporcionale, duke shprehur shqetësim për “përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë”. /Washington Post – Syri.net

Jehona e protestave në Shqipëri kalon kufijtë! Media greke: Protestat studentore kundër Ramës përhapen në të gjithë vendin. Incidente, lëndime dhe arrestime

Jehona e protestave të studentëve dhe të rinjve në Shqipëri ka kaluar kufijtë, duke tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Demonstratat kundër qeverisë, që kanë përfshirë Tiranën dhe disa qytete të tjera të vendit, po pasqyrohen edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat raportojnë për zgjerimin e protestave, bojkotin e mësimit dhe përplasjet me policinë.

Mes mediave që i kanë kushtuar vëmendje zhvillimeve në Shqipëri është edhe media greke “Protothema”, e cila shkruan se protestat antiqeveritare po përhapen çdo ditë në më shumë qytete, ndërsa të premten situata u përshkallëzua me përplasje të reja me policinë, dëmtime të ndërtesave publike dhe raportime për persona të lënduar. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universitarë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë në shtatë qytete: Lezhë, Shkodër, Burrel, Laç, Elbasan, Korçë dhe Vlorë.

Në disa prej këtyre qyteteve, protestat po zhvillohen për të dytën ditë radhazi, ndërsa në Burrel dhe Laç janë regjistruar tubime që prej fillimit të valës së demonstratave. Të rinjtë po protestojnë kundër situatës ekonomike dhe mungesës së perspektivës në vend, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në Korçë, ku në protestë janë mbledhur kryesisht nxënës të shkollave të mesme, të rinjtë kanë ngritur shqetësimin se Shqipëria nuk u ofron një të ardhme të sigurt, duke vënë në dukje pagat e ulëta dhe pasigurinë në tregun e punës.

ARTIKULLIPërplasjet në Lezhë dhe raportimi për një nxënëse të lënduar

Media greke ndalet edhe te incidentet e regjistruara në Lezhë, ku protestuesit janë përplasur me forcat e policisë. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, tensionet u shtuan pasi një grup protestuesish tentoi të hynte në ambientet e bashkisë, por nuk ia doli.

Më pas, u raportuan dëmtime në godinën e një shkolle të mesme, ku u thyen xhama, si dhe dëmtime të kangjellave dhe sinjalistikës rrugore. Gjatë përplasjeve, disa protestues dyshohet se hodhën gurë në drejtim të policisë. Sipas të njëjtave raportime, një nxënëse u lëndua në fytyrë pasi u godit nga një gur gjatë incidenteve. Pas përshkallëzimit të situatës, drejtues të policisë urdhëruan tërheqjen e efektivëve, me qëllim shmangien e përplasjeve të mëtejshme me të rinjtë.

Sulm ndaj zyrave të Partisë Socialiste në Shkodër
Incidente janë regjistruar edhe në Shkodër, ku një grup të rinjsh kanë sulmuar për të dytën ditë radhazi zyrat e Partisë Socialiste. Sipas mediave shqiptare, protestuesit kanë hedhur gurë drejt dritareve të godinës, ndërsa policia ka ndërhyrë për të ndaluar sulmin. Paralelisht, një grup adoleshentësh ka vijuar marshimin në rrugët e qytetit, ndërsa protestuesit kanë bllokuar edhe një rrethrrotullim, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Tensione në Elbasan, Korçë dhe Laç
Në Elbasan, ku nxënësit e shkollave të mesme kanë bojkotuar mësimin për të dytën ditë radhazi, protestuesit u kanë vënë flakën disa kazanëve të mbeturinave. Ndërkohë, në Laç është raportuar për dëmtime në Pallatin e Kulturës, ku janë thyer xhamat e godinës. Në Korçë dhe Burrel janë zhvilluar gjithashtu protesta, ndërsa mediat shqiptare raportojnë për arrestime pas incidenteve të regjistruara.

Përhapja e protestave në qytete të ndryshme tregon zgjerimin e mobilizimit të nxënësve dhe studentëve, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

Bizneset në Tiranë ulin qepenat nga frika e incidenteve
Në kryeqytet, protestuesit janë mbledhur sërish pranë Ministrisë së Arsimit, pas disa ditësh demonstratash dhe përplasjesh. Në zonat ku pritet të kalojnë protestuesit, shumë biznese kanë ulur qepenat nga frika e dëmtimeve të mundshme. Pronarët e bizneseve u kanë bërë thirrje protestuesve të shmangin shkatërrimin e pronës private. Një tregtar, biznesi i të cilit ishte dëmtuar një ditë më parë, është parë duke mbledhur xhamat e thyer dhe duke u përpjekur të riparonte dëmet.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, ai ka shprehur mbështetje për studentët dhe kërkesat e tyre, por ka kundërshtuar format e dhunshme të protestës që prekin bizneset e vogla.

Rama viziton bizneset e dëmtuara: Këto zjarre nuk janë të studentëve
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka vizituar bizneset e dëmtuara nga zjarret dhe incidentet e natës së kaluar në Tiranë. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur solidaritet me pronarët e prekur dhe ka premtuar mbështetjen e qeverisë për familjet që kanë pësuar dëme. Rama i ka cilësuar dëmet si shkatërrim të punës dhe mundit të familjeve të zakonshme, ndërsa ka argumentuar se aktet e dhunës nuk përfaqësojnë kërkesat e nxënësve dhe studentëve. Kryeministri ka akuzuar opozitën se po përpiqet të shfrytëzojë protestat për të nxitur dhunë, duke ngritur pretendime edhe për përfshirjen e aktorëve të huaj, të cilët, sipas tij, synojnë të pengojnë rrugën evropiane të Shqipërisë. bw

DW: Studentët vijojnë protestat, në Tiranë vijnë edhe të rinj nga qytete të tjera! A mund të sjellë ndryshim?

Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijuan protestën për të tretën ditë radhazi. Në Tiranë mbërritën edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit.

Në orën 08:03 të mëngjesit të së enjtes (15.10.2026), pas dy ditësh protestash studentore të shoqëruara me tensione dhe dhunë në rrugët e Tiranës, kryeministri Edi Rama theu heshtjen. Nga godina e djegur e Kolegjit të Europës, vetëm pak metra larg zyrës së tij, Rama publikoi një videomesazh, duke fajësuar opozitën për dhunën dhe shkatërrimet në kryeqytet. “Këto janë duart e një opozite që me maska të verbërish përpara kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë” – deklaroi ai. Por përgjigjja ndaj kërkesës kryesore të protestuesve erdhi më vonë gjatë ditës. Në një deklaratë për agjencinë Reuters, Rama e bëri të qartë se dorëheqje nuk do të ketë.

Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijojntë protestën dhe në Tiranë mbërriten edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit. Protesta ka pasur gjithashtu edhe në qytete të tejra. Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe zjarre, ndërsa pati të plagosur dhe dëme në ndërtesa e biznese.

Revoltë kundër klasës politike

Në themel të revoltës qëndron pakënaqësia e të rinjve me qeverisjen, vështirësitë ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. “Ne nuk kemi ku studiojmë, ne nuk kemi të ardhura, jetojmë me qira, nuk mbulojmë dot shpenzimet tona. Qeveritarët na kanë pirë gjakun me vite dhe nuk ndiejnë përgjegjësi për të gjithë këta njerëz që janë në shesh” – shprehet një studente për DW.

Për Rigels Xhemollarin, nga Qëndresa Qytetare, revolta studentore është e lidhur me pakënaqësitë e shprehura gjatë muajve të lëvizjes”Flamingo Revolution”. “Mungesa e reflektimit të kryeministrit gjatë katër muajve protestë në bulevard dhe tallja e tij me protestuesit. Pastaj arsyet e tjera lidhen me situatën ekonomike, aferat korruptive dhe skandalet e njëpasnjëshme” – shprehet ai për DW.

Por pakënaqësia e studentëve nuk kufizohet vetëm te qeveria. Krahas kërkesës për dorëheqjen e Edi Ramës, në shesh janë dëgjuar thirrje edhe kundër opozitës, ndonëse kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën.

A ka një rrugëdalje politike?

Analisti politik Mark Marku, njëherësh dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, e sheh protestën e studentëve si reagimin e një brezi që zgjoi shoqërinë dhe riktheu debatin për ndryshimin. Por ai paralajmëron se dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhjet e reja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndryshim politik. “Një veprim politik nuk matet nga qëllimet, por nga rezultati” – shprehet Marku.

Për këtë arsye, ai thekson nevojën që protesta të ketë një platformë dhe një alternativë politike që qytetarët të mund ta votojnë, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje. “Protesta nuk votohet” – thotë analisti.

Ndërsa Xhemollari, e sheh dorëheqjen e kryeministrit si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund revoltës. “Protesta ka vetëm një kërkesë politike, e cila kërkon një zgjidhje politike, dorëheqjen e kryeministrit” – shprehet ai për DW. Sipas aktivistit, pas largimit të Ramës, Presidenti i Republikës duhet të mbledhë partitë politike për krijimin e një qeverie kujdestare me kryeministër apartiak, për t’i hapur rrugë zgjedhjevelokale dhe parlamentare në maj të vitit 2027.

Në vitin 2018, Shqipëria u përfshi nga protesta masive studentore, të përqendruara kryesisht te problemet e arsimit të lartë. Tetë vjet më vonë, studentët janë rikthyer në rrugë, këtë herë duke kërkuar ndryshim politik./DW


Send this to a friend