Durrësi për arkeologjinë është një qytet i trishtë: ai shtrihet nëntokë, mbi tokë dhe në fundin e detit. Kazma e punëtorit që hap themele të reja në këtë qytet shpesh është zanafillë dhe prolog i kazmës së arkeologut. Po si qëndron puna në fundin e detit? A fshehin dallgët pjesë të qytetit të vjetër, të përmbysur nga tërmetet dhe inondatat?
Gojëdhëna popullore flet për Durrësin e nëndetit, për lashtësinë që e ruan deti i madh dhe shekullor. Kjo gojëdhënë është besuar brez pas brezi si e vërtetë, por ka pasur edhe raste që është konsideruar thjesht si një fantazi e këndshme dhe tërheqëse, një trill dhe asgjë më tepër. Dhe ky qëndrim skeptik deri-diku justifikohej me mungesën e zbulimeve konkrete. Por gojëdhëna popullore megjithatë nuk u zhduk.
Në vitin 1860 arkeologu francez Leon Hezei desh të bindej për dëshminë e tërthortë dhe vërtetësinë në origjinë të gojëdhënës së qytetit. Në shënimet e veta ai tregon se iu lut kapitenit të anijes franceze “La Biche”, që ish ankoruar në limanin e Durrësit, të bënte një sondim të kujdesshëm mbi shtresën e shkëmbinjve nënujorë në perëndim të bregut të qytetit (është fjala për shkëmbinjtë dhe gurorët e Currilave (shënimi im, M. Z.) për të parë në se të vjetrit kishin përfituar të mbështetnin mbi to themelet dhe strukturën e një moloje. Përgjigja qe negative; nuk mund të zbulohej asnjë shenjë punimi nga dora e njeriut. Por në fakt kjo përgjigje nuk spjegoi asgjë.
Kanë kaluar 115 vjet nga ajo kohë. Në muzeumin arkeologjik të Durrësit janë grumbulluar mjaft materiale të lashta (kryesisht amfora) të nxjerra nga fundi i detit prej rrjetave të peshkatarëve, ose, edhe nga vetë dallgët. Por, siç dihet, amforat janë material i transportueshëm dhe në një shumicë rastesh kanë rënë në fundin e detit nga hambarët e anijeve të lashta të mbytura në brigjet. Duhej pra zbulimi i një konstruksioni të palëvizshëm, elementë të një ndërtimi njerëzor. Është e vetmja dëshmi me peshë, që vërteton në mënyrë të padiskutueshme ekxistencën e qytetit nëndet, të përmbytjes së tij nën dallgë.
Çështja e topografisë së qytetit antik, e përcaktimit të qendrës dhe periferisë së tij, si edhe të gjitha pikave të banimit është një çështje e ndërlikuar, e hapur dhe shumnë pak e studjuar. Kjo çështje kërkon një angazhim të madh dhe sistemim shkencor të të dhënave dhe në fund fare konkluzione të sakta. Hidroarkeologjia, zbulimi i pikave arkeologjike nëndet këtu ka rëndësinë e vet, të cilën s’mund të mos e përfillësh dhe ta lesh mënjanë.
Të pajisur me një akualang të thjeshtë, gjatë muajit gusht të vitit që shkoi u zhytën, natyrisht të nisur nga amatorizmi në disa pika të bregut, kryesisht tek pika e quajtur Batlla dhe në Currila. Rezultati: tri gryka amforash me vegje të dyfishta dhe shumë copa që u përkasin me siguri atyre. Pastaj, të informuar nga polumbari pensionist R. Balashi dhe peshkatari i vjetër H. Istrefi, për disa gërmadha gurësh në det pranë Portëzës (Porto Romanës), vazhduam kërkimet aty.
Disa qindra metra në veri të molit të vogël të Portëzës dhe hidrovorit, mbi dajlanin e ish kënetës dhe detit, gjatë rrypit ranor që bashkon kepin e Bishtit të Pallës, si edhe 40-50 metra në det që nga bregu, mbas disa zhytjesh hasëm në trakte muresh nënujë. Thellësia ishte e vogël: 1,80 m. deri në 2 m. Dallohet qartë një trakt muri në drejtim verilindje – jugperëndim ndërtuar me gurë të mëdhenj poligonalë, material shtufi, të vendosur njëri mbi tjetrin pa llaç, me nga një kanal të gdhendur për t’u kapur dhe mbajtur. Ja disa nga përmasat e tyre: 0,79 m x 0,64 m x 0,32 – 0,97 x 0,61 x 0,38 – 1,02 x 0,85 x 0,55 – 0,73 x 0,45 x 0,58 etj. Ky trakt afro 3,5 m. mbaronte me një gur trekëndësh me brinjë 1,04 x 0,99 x 0, 93, kundrejt, një gur qosheli ku lidhej një mur me gurë me përmasa më të vogla përpendikularisht me faqen e brendshme. Disa metra më tej, paralelisht me traktin e parë, zgjatej një trakt i tretë, pjesërisht i ruajtur mirë, por pa lidhje me njëri tjetrin.
Fundi i detit ishte plot leshterikë dhe midis gurëve kishte iriqë deti të panumërt. Rretheqark në një sipërfaqe të madhe qenë shpërndarë nënujë mjaft gurë të shkulur nga dallgët. Ajo që të bënte më tepër përshtypje në mënyrë të veçantë qe qeramika masive, një numër mjaft i madh tjegullash antike të thyera, disa prej tyre edhe të ruajtura plotësisht të pathyera. Derdhjet e hidrovorit në det në këtë zonë kanë bërë që fundi të mbulohet me një shtresë llumi, nën të cilin duhen bërë pa tjetër kërkime të kujdesshme. Tjegullat ishin solene, të sheshta dhe të mëdha me trashësi 2,5 cm. Dhe buzë me lartësi 5,5 cm., etj. Kishte edhe tjegulla kaliptere me buzë konvekse. Tjegulla të tilla janë përdorur në sh.IV p.e.r. deri në sh.I e.r. Janë të epokës helenistike. Dalloheshin mirë disa tjegulla kulmi si edhe tjegulla të periudhës romake të gjata deri në 0,80 cm. bile njëra prej tyre ishte e ngjyrosur nga brenda me ngjyrë të kuqe të fortë dhe në pjesën e jashtme ishte e sigluar me dy vija të thelluara të ndërprera. Në materialin e nxjerrë në breg mund të klasifikoje pesë lloje të kësaj qeramike masive. Tjegulla të tilla helenistike dhe romake janë përdorur edhe në nekropolin e Apollonisë, si edhe atë të Durrësit të vjetër. Mbishkrime dhe monograme, vula mbi tjegullat, deri tani s’kemi gjetur, por mundësia për të gjetur ekziston, sepse fundi i detit është ende plot me këtë qeramikë.
Ç’përfaqëson ky zbulim? Ku qëndron rëndësia e tij? Le t’i referohemi kronikanëve të vjetër. Ata thonë se qyteti i Dyrrahut u ndërtua në gadishullin kodrinor me të njëjtin emër, por nuk përmendin se ku, në veri apo në jugë. Disa të dhëna nga Pausania (historian grek i sh.II e. sonë), flasin për banorët e Dyrrahut që banojnë në një qytet që është pak larg nga qyteti i vjetër i braktisur (ndoshta më në jug. Shënimi im, M.Z.). Sipas Ana Komnenës dhe Gulielmit të Apulies (autorë të shek.XI) në veri të murit të qytetit ka patur gërmadha shtëpish të vjetra, me të cilat u ngrit kampi i normanëve dhe u strehuan, kur Robert Guiskardi rrethoi Durrësin në vitin 1081. Muri dhe fortifikimi i Porto Romanës ndodhet 7 kilometra larg nga qyteti i sotëm. Ky mur me tulla konsiderohet më i vjetër dhe i një tipi tjetër nga muret bizantine në juglindje të qytetit. Që qyteti ka lëvizur në hapësirë dhe e ka çvendosur pikën e gravitetit të tij disa herë në drejtime të ndryshme kjo s’ka dyshim. Një gjë është lehtë për t’u kuptuar: pika e Portëzës ka patur përherë rëndësi strategjike për qytetin. Në lashtësi kjo pikë mund të ketë qenë bile moli i parë dhe kryesor sepse krijonte me kënetën grykëhyrjen e një limani të madh të brendshëm, të mbrojtur nga të gjithë erërat, të përshtatshëm për anijet e lashtësisë që s’kërkonin shumë thellësi për të lundruar dhe lëvizur për shkak të konstruktit dhe madhësisë së tyre jo të konsiderueshme. Ç’mund të jetë ahere ky ndërtim i lashtë, me sa duket i mbuluar nga uji i detit nga ndonjë fundosje tektonike? Mos kemi të bëjmë me mbeturinat e tempullit të famshëm të Artemisit në portat e të cilit arritën dikur legjionet e Cezarit në luftën me Pompeun, siç dëshmon Apiani? Me sa duket jo, sepse tempujt, zakonisht ndërtoheshin në lartësi dhe mbeturinat e tempullit të Artemisit për shumë arsye duhen kërkuar në majë të kepit të Bishtit të Pallës, ku është pozicioni më i përshtatshëm.
Mos kemi të bëjmë me mbeturinat e një sistemi fortifikimi që dublojnë atë të Porto-Romanës në takimin e kënetës me detin? Gurë të mëdhenj shtufi të tillë të një mënyre ndërtimi arkaik të kujtojnë faktin që jep Prashnikeri për ekzistencën e gurëve të tillë prej shtufi në murin juglindor, si ato të ndërtimeve arkaike, ndoshta të murit të parë rrethues fillestar, shumë të afërt me ndërtimet ilire për të cilin deri tani s’kemi asnjë provë dokumentare të ruajtur sepse kanë humbur. Apo kemi të bëjmë thjesht me një shtëpi banimi të lashtë ose ndërtesë publike? Sasia e madhe e tjegullave masive (të punuara padyshim në punishtet vendase) tregon se ky objekt ka qenë përdorur nga njerëzit për një kohë shumë të gjatë, në vazhdimësi shekujsh. Më së fundi shprehim mendimin se ky s’do të jetë një objekt i vetmuar.
Peshkatarët që peshkojnë në këtë zonë, domethënë midis Porto Romanës dhe Bishtit të Pallës, përdorin toponimin “qyteti” për fundetin e zonës në fjalë dhe pikërisht këtu rrjetat e tyre kanë nxjerrë edhe tulla, edhe elementë arkitektonikë, copa kolonash etj. Sidoqoftë, zbulimet e ardhshme hidroarkeologjike do të sqarojnë gjithçka dhe specialistët do të thonë fjalën e tyre. Arkeologu i pajisur me akualang është diçka e re për lashtësinë e këtij qyteti. Deti fsheh nën peshën e kaltërisë, si një arkiv i jashtëzakonshëm vigan, fragmente të historisë së Durrësit të vjetër.
Komentet