Balade e të Ardhunit
Kthehemi n’verë, çfarë ngjashmërie me zogjtë
Popull shtegtar deri në frymën e fundit,
Nomad bahesh kur andrren s’ta zen nji mëhallë, kur jorgani jot s’të mbulon as kambët.
Kam ardh aty ku kam lind
Do djerrina të mbetuna mbledhin djersë
Të harrueme janë gëzimet, kujtimet të ngarkueme në gji rrugave t’botës
Ala ky vend e ka emrin nanë
Çdo ditë dielli ketu le e djeg e me nxe, nxe diku tjetër
Me synin e dhimbjes e lotin e gëzimit ku me shku ma parë
Jo veç vijat e avionëve n’qiell që ikin perëndimit
Por merre nji dorë dhè e ven n’krye,
N’daç me e njoftë udhën nga vjen e ku ke me shkue,
E krejt të shfaqen pleqtë tanë të dikurshëm, t’mirët e botës, t’zest e vetes
Banu plak e hajde prapë, edhe dhè n’u bafsh të bajmë lis a lule e t’gdhenim n’gur
Kangë maj’ krahit t’i knojmë rrugës e ç’ka bane mu majt mend
Këtu shitim s’ka, vetëm për anmikun
Veç në vendlindje ta thirrin emrin tand t’plotë, t’kenun,
Me nji varg emna burrash mbrapa të zbritun prej kreshtave.
Shpirti pushon për qejf të vet fushave,
Ku andrra njeh veç ardhje
Erdha e s’po më iket…
Pa brigje
Valët më ngjajnë me ndjenjat
Të dyja ta përmbysin varkën
Nëse s’je detar
Brigjet s’i mbërrin me ëndërrim
As fron s’ngre mbi dallgë
As fre s’i vë shpirtit
Kur sulet me tërbim
Ti shpirti shtegtar
Spirancat s’janë për të kapur hijet
As yjeve s’është hedhur fati i askujt
Stuhia e ndjenjës t’i shpon ijet
“Kësaj i thonë vetmi!”
Dikush ia tha dikujt
E lypën tash molin e thërrmuar diku nëpër zemër
Që i thirrje nanë.
Që i thirrje motër
Që i thirrje grua
Që i thirrje shpi
Që të thirrnin në emër
Une të pata thanë:
“Varkat dhe shpirtnat e braktisun frymojnë poezi ?!”…
Çoban, a po mundesh…
Asht ma mirë me jetua si çoban,
Ku përtej tufës e tamlit që njomshton fmijtë
S’ke dhimt ma t’madhe se kur rrufeja bjen
Gardhet natën çahen e para ujkut
Duhet me ken luan…
Asht mirë me kenë çoban se dhimbjet e burgut t’i njehin
Aq sa njehin gurët e njatyne ndërtesave të vjetra në mal
Aq sa klithmat e kalave mbi mur e nën mur
Aq sa varret e harrueme të njerëzimit,
Sa me afër tokës, edhe stuhinat rrajt s’i nxjerrinlehtë,
Kur duhet me kenë i thellë sa zemra e tokës
Sa dhimta e nanës a mendimi i babës
E burrë sa krejt ç’ka u asht knua kanga t’marrun s’bashkut
Kështu a pa mundesh zotni?!
Me kenë bari malit
N’fusha t’gjana t’kombit tan e grigjës me ja gjet
Gjith’hera burimin ma t’mirë të ujit.
Vjen e tretesh e krejt ernat ta fshijnë emnin
Që mbetet veç n’zemra e n’do fleta që lexohen
N’dit sa pesedhjetë mijë vjet tonat
Me jetua si çoban e ma të mirit ogiç
Kumonën me ja vu derisa vlaku t’ia bajnë vij edhe gurit
Pusit me i kallxua se etja asht ma e fortë se guri
E fmija don ujë e dije e dorën me lshue ngadalë
Para syve te tij n’horizont
Tuj i kallxue rrugën
Shtegun që e nxjerr në dritë
E me e lanë me e përshkue vetë mbi vijën e muskujve
Ku malet përpjekin supat, thua kush po del i pari n’qiell
Çoban, a po mundesh?!
Kible
Dita ka sy e nata kibel do
Yll i natës perëndimin e arinjtë e qiellit të kujtojnë shtëpinë
Polare ke veç shpresën,
Që as shkymet as shkehet
Thjesht ndrit e bardhë.
Me ujë mos lag varret, por shpresat e të gjallëve të gjallnojnë
Shko pa fjalë shtegut se vijnë pas teje
Krejt të dobëtit, të thatit, të humburit
Busulla vec nje drejtim tregon
Tjetri eshte thjesht e kunderta
E mira, asaj shkoi afër
E keqja eshte tek mehalla tjetër
A i dëgjon tingujt e kitares ? S’kanë aheng tjetër as plan lumin ta kalojnë
Ata mbeten aty edhe kur varg yjesh u kalon përbri…
Vlla, kible a ke?!
Mbrëmje
Dielli përmallshëm skuqet, rrezet i fsheh pas vetes e veten pas malit…
Kur je gjigand.
At’ moment dalin mendimet për gjah.
Egër si n’ muzg savane…
Kur je i egër sa një burrë a grua xheloze.
Yjet i luajnë synë shtratit,
E poshtë fryhen të rrumbullakëta imazhe të kuqërremtë
Që presin m’u ba agim i kthjellet
Që endrra e geni të vazhdojnë zinxhirin e lidhur
Kur je i pagjume, i etur
Ikin e ikin shpendë mugëtire,
Dikush diku në dritare avioni sheh
Përposh, ku retë s’lidhin dot ushkur e jo te zgjidhin a të japin shi
Përmendesh diku mes qiejve e tokës
Shigjetë që pret të dalë nga harku.
Kur po vlon për tu bërë njeri.
N’dac me lind
Me jetu si profetët e me dasht si poetët,
Me shku deri n’qiellin e shtatē n’agim lyem flori,
E me lëmue kryet e përhime t’mbetunit jetim
Me pas n’dorë me shkatrrue botën
E me marr shpatën me e ba parmendë e me hedh n’krah e fjet shpellash
Njaty ku hartat e trupit
T’i ban toka
E ua tregon fmijve tu
Me tu pluhnue shpirti e me hedh lëndinash me lulëzue
Me ua ngrejt dorën qiejve kur te jesh ka nisesh dheut
E me i qesh amel fundit tan tuj prit ditën me lind prapë…
Anës
Ti ecën në këtë anë te detit,
Kur me lind kishe dasht me lind, në anën tjetër.
E ndjellma e pulbardhës të lajmëron, të bind kur me terheq rrjetën,
Që mendimet mos të të behen oqean,
ne nji moçal qe krejt çka të kujton është bota tjeter.
E ngadalë bahesh mal
Andrra e shqiptarëve, për shpinë, për nusen, për djalin, për vajzen
Nanen e babanë
Aa, mallet?
Ato s’maten me metër
Ne heshtje pret dallget tuj u kendua te pareve
Fatihane, kur krejt n’panik po knojnë nji avaz të vjeter.
Nëpër rreshta
Lumturinë tënde e gjen rreshtave , derisa i del në krye
Shpirti do t’shkrihet tuj qesh.
N’ket dynja kemi hy
Krejt n’rresht për nji, ushtar të pa sprovuar t’genit
Kalatë kanë ra me kohë,
Jo veç ato prej guri
Edhe ato tjerat krejt po bahen hi
Kushtrim i kotë, asnji nuk luan venit
Rrokopujë, veç hajde e shko e krejt ka hanë ditet e veta.
Rrugave ngelëm,
Edhe n’dalje te tuneleve të pret nata jo rrallë,
Je zemër derisa
Zemren e ban sofër edhe kur sofra është thatë.
Sa të jesh zemër je gjallë
Edhe n’u bafsh hi
Se nji ditë të bukur gjithë ikim n’radhë, krejt n’rresht për nji
Të kam thënë që lumturinë e gjen sa je nëpër rreshta!
Dashnia
N’nji thes ka qenë krejt dashnia,
E bajtun prej amshimit deri te ti
E leshueme si avull
Se bota s’ish hangër ndrysh
Melhem i shpendame, n’pupël vesh,
I thonë dashni
Plakun e ban t’ri t’voglin ban me qesh
Prej s’neltit ra fije-fije pa zhurmë zogj mali me knue e vida
E bani nanën mbretëreshë
Popuj bani me qa
Dikë-diku me ba piramida
N’nji thes ka kenë krejt dashnia,
Ra veç i fije për mos me përmbyt botën
Natë vjeshte
Shoh veriun dhe Arushën e Madhe
Në fakt unë gjithnjë shoh veriun,
Sa herë dua të ndjehem diku në fëmijëri
I pata besuar ndoshta ndër ara
Mendime të nxehta vere
Nuk e di,
Se atëherë
Dhe ëndrrat i kishim me arna
Shoh veriun dhe Arushën e Madhe
Kur shpirti është i bardhë, lypën pol
Bardhësinë thërret
E madhe është Arusha ndër qiej
Me yje si diej
Por vetë natën mallëngjen me veriun e vet
Romantikët thanë kanë ikur,
Diku andej, perëndimit
A kanë makina të shtrenjta e avionë
Se them dot, se di
Në arushë po u ktheve, natës së vonë
Atë anë horizonti e kthej në veri
Nje botë të lypë të kthehet
Të mallëngjehet
Me kasollën tonë!
21
Ky muaj ishte muaj dasmash.
Te bardha mbetën vetëm veshjet
Shtatzëna vijnë tradhëtitë
E lindin në shtretër
Kopilët brazdash
Të shekullit t’njëzet e njitë
Mbi tryezat e afshit ziliqar
Kush pas vetes fsheh hije
Ngre me fund urime shterpë
Kush varfërinë mbyt në pije
Muaj dasmash, muaj për nisje
Pandemi, pandemi, pandemi
Sot u festojmë dasmat
Neser qajmë braktisje
Kopilëve të shekullit
Njizet e nji
Baladë e papërfundueme
Kanë me të thanë se janë shpëtimi
Kanë me të thanë
Rrugës, këmbët kanë me të prekë dhè
Por jo dheun tan
Tuj tërheq mbrapa nji rrènë
Që t’thotë me pi nervin e trunit kanë me të lanë
N’breg të detit tuj t’prit
Me të ba statistikë
I mbytun, i hangëm deri ne leckën e fundit
Kanë me të lanë!
Vetëm
Derisa melaiket të vinë
Në frymën e mbramë
Ti që i pate qesh botës
Tash bota të bani gjamë.
Shko, shko se t’i tregova nanës
N’ këto vargje,
Që mbete i tretun
Që s’dole kurrë matanë
Ngrohtësi
Dimrave, nana jepte dashni dyfish
Atë t’ perhershmen me të marr në gji
E nje të re qe e thurte me gjypnera e matte me pllama
Derisa krejt muzgjet e veta i bante pulovër e çarape
Me mbulue t’merdhitunat tona.
Dimrave,u mbulojshim me jorgana të arnuem
Bukur si ëndrrat verore një fëmije
Para topit plasmas në mes të lagjes,
Kur pret të gjuaj penalltinë.
Dimrave,tash njehim kujtimet
Që ngrohin ma fort se oxhaqet e shtrenjta…
5.11.2021
Zanati i t’parve
Kam fjet me kuçedrat n’mendje qysh fmijë
Por n’zemër kam ken Halil.
S’di pse me kapte nji mall
Që shtrihej Lugjesh t’Verdha!
Nuk shkel kamba aty ku shkel shpirti.
Kjo asht kahere qysh se burrat
Vritnin per buken e ngranme e besen e thyeme
Tash asht ndryshe kulçedrat janë ba banka që tuj terheq per kambe,
Duan me ta marr o paren, o shpirtin!
Do zana japin cicë aq sa lekë ke te xhepi
E bahesh aq I forte sa n’vend me nxjerr i lis vendit
Rrah nanë e rrah grua
Tuj u zgërlaq me emnin burrë.
Edhe sonte Lugjeve t’Verdha po endem si i terbuem
Tuj vesh andrrat e mia me tanusha shtigjesh
Duke i mësu djemve si duhet Nana
Si gjuhet Hana
Duke u mesu djemve brimën e ujkut të vetmuem….
Tirane 10.12.2021
Pozitiv
“Gabimet sjellin trishtimet” edhe pse gojët e liga e beja thone
Se kjo asht rrene plakash!
Por, gojët hanë veten një ditë
I hanë kujtimet,
I hanë udhëtimet,
E plakat vdesin me ëndrra të reja
Dje, e keqja luante flakash, e jepte trishtim
T’kam thanë
Trishtimin bane gërshet
Që t’duket ma i vogël!
Sot duhet t’ia lëshojmë erës t’lahet ne pendim
E bukur është ajo zemër që brenda
Rrit veç një stinë
Pranverat s’duken veç në lulet e qershisë…
Janar 2022
Komentet