Pjellë inçestare, Dolfi
I papunë i pashpresë e shëndetlig;
Mbi të gjitha
I pamotivuar,
Rrugëve të Vjenës u end
Ashtu i veshur me rroba të vjetra,
Blerë për hiçgjë te shitësit ambulantë
Hebrenj,të cilëve,
Ah,ç’do t’u punonte
Kur të shpallej Fyhrer…
Akademia e Arteve e Vjenës kozmopolite,
Dy herë e rrëzoi Dolfin,
Artistin aspirant,
Kur konkurroi për pikturë.
Ishte pa talent djaloshi Dolf,por ju,
Anëtarët e përkorë të jurisë,
Si ta merrnit me mend që,një i ri,
Që ëndërron të bëhet artist,
Një ditë të lume,
Botën mbarë do të digjte ?
Ç’shans i humbur për njerëzimin !
Nëse Dolfi pas shkarravinave të tij
Do t’ish hutuar,
Mund të mos rendte në ballë të luftës.
Më pas prift iu shkrep të bëhej ;
Amani,përfytyrojeni në mundshi Dolfin prift !
Të devotshëm, madje në komunikim
Të drejtpërdrejtë me vetë Zotin…
( Çfarë koicidence !
Edhe Stalinin
Në seminar ortodoks e mbyllën
Ta bënin prift…)
S’u bë sigurisht as prift;
U bë pikërisht antikrisht,
Kështu,bota sërish shansin humbi
Të mos shkrumbohej
Dhe,të mos vdisnin
Miliona e miliona…
Por ç’po ju kërkoj,
Të përfytyroni Hitlerin prift ?!
Hitlerin ju
S’e përfytyroni dot,e madje gati
S’e besoni
Që ka qenë si çdokush i lindur në këtë botë,
Një foshnjë e engjëllt
Që gugatej si pëllumb
Para se të tretej në gjumë…
Në Luftën e Parë Botërore,
Ky Dolfi dy herë rëndë u plagos,
Dhe u verbua prej gazrave toksikë.
Por e mjekuan gjithë kujdes
Dhe,ia kthyen shikimin
Ushtarit të mirë Dolf;
Ç’shans humbi bota sërish,
Që të mos shkrehej në luftë…
Ai gazi helmues,në kujtesë të Dolfit,
Ndoshta një ditë,me fjollat e tij,
Konturet e para të kampeve të përqëndrimit
I ravijëzoi Dolfit mes haluçinacioneve.
Dhe,ai s’vonoi t’i ngrinte
Me t’u shpallur Fyhrer
I perandorisë naziste,e cila
Një mijë vjet botën
Duhej ta sundonte…
Sërish,përgjatë Luftës së Parë Botërore
Korrieri i zellshëm Hitler,
Me të dalë nga transheja – varr
Përballë pushkës
Së një ushtari armik anglez u gjend !
Shtangu Hitoja tek pa vdekjen,
Por ushtari axhami u mëdysh…
Ç’urdhër i solli Djalli vallë atij,
Pasi mendjen ia pushtoi dhe …
Ia kontrolloi ?
“Mos e qëllo Hitlerin ,
Lëre t’ik’…”
Dhe ,të mendosh se,në një tjetër transhe,
Ndoshta fare pranë Dolfit ,
Erih Maria Remarku luftonte,
Siç luftonin përballë tyre
Apolineri,Henri Barbys…
Eh,dhe pale sesa poetë,shkrimtarë
Dhe artistë të tjerë,
Të cilët,në veprat e tyre e shmangën,
Por,dhe s’e shmangën dot
Natyralizmin në pasqyrimin
E luftës…
Ia mbathi Hitleri
Dhe…
Bota pa u djegur
Nuk shpëtoi sërish…
Dhjetëra atentate i bënë
Me bomba me sahat,me pistoletë
Si në duel,me helm,e me çfarë jo…
Por Dolfi nga këto shpërthime
T’urrejtjes dhe smirës njëherësh
Asqë u gërvisht dhe bota
Vazhdoi të digjej e të digjej,
Dhe Gjermaninë për hunde
Dolfi vazhdoi ta hiqte…
Pinjoll i paligjshëm,Dolfi
Pas serialit të atentateve,
I paprekshëm të gjithë besuan se ishte,
Kësisoj sociopati narcizist,
Idioti gjenial,e ku ta dish
Ç’nofka e vlerësime të njëmendta ka…
Pikturonte peizazhe shumëngjyrësh,
Ndërkohë që bota bardh e zi ishte…
(Ah,Akademia… )
Dhe,ekuilibrohej Dolfi njëfarsoj mendërisht,
Teksa mjeku i trembur personal,
Ekstrakte të testikujve të demave të rinj
Gjithë merak i injektonte
Për t’i gjallëruar paksa
Libidon e tij të fjetur…
Dhe Dolfi armën e luftës
Vetes ia ktheu në finale.
Ky ishte destini absolut i historisë,
Siç ishte njëherësh për shanset,
Që ,me naivitet dëntues,
Rastësisht të humbur quhen …
Si mundet vallë
Të themi se,bota
S’do të kish vajtur në luftë
Kurrsesi,
Nëse ,që në Luftën e Parë Botërore
Hitleri do t’ish vrarë ?
Apo se,Revolucioni i Kuq i Tetorit
Asqë do të kish ndodhur,
Në qoftë se,Leninin,udhëheqësin suprem të tij,
Do ta kishin zhdukur
Që kur ish n’egzil,
Atje në Razliv…
Ç’mjerim filozofik,
E ç’idiotësi,
Të psherëtish kështu…
Kush nxori mësim të vyer
Nga historia;
Vallë, kujt i pëlqeu të nxirrte ?
Deliri i lavdisë
I rindezur nga nostalgjia,
Që zhdramatizon dhe romantizon
Dhe masakrat më të përgjakshme
Dhe biografitë e nxirosura të tiranëve mizorë
Nxit riciklimet e gabimeve .
Do ta përmend gjithmonë
Këtë dukuri fatale…
Fund e krye u shemb Gjermania;
Pas Luftës gjëkundi nuk gjeje
Xhama pathyer,rrugë përmbys pakthyer ;
Ngado dolën filozofët dhe ekonomistët,
Që deklaruan me argumente shifrash e faktesh
Se,kombi gjerman,ndonëse vital,
Vëstirë t’ekzistonte më gjatë…
Gjermania u ringrit
Mbi shkrumbin e saj si feniksi,
Por deliri i lavdisë ,
Ja,që të ndjek fatalisht me instinktet.
Sot,te tregu i lodrave për fëmijë,
Në Alexanderplatz të Berlinit,
Figura ushtarësh nazistë shiten,
Pancera dhe avionë po se po,
Me emrat origjinalë të luftës :
Tiger, Luftwaffe,
Një ushtri shumarmëshe në miniaturë
Keni në dispozicion,
Deri edhe çokollata t’ëmbla
Në formë topash e mortajash…
Mbështjellë me varakë rrëzëllitës.
Përse të mos i prodhojmë e t’i reklamojmë,
Këto lodra të bukura,
Që të formatojnë ideologjikisht
Më shumë se vetë tekstet ;
Këto lodra që,vogulushët mezi presin
T’ua bëjnë dhuratë prindërit,
Shfryjnë t’indinjuar fort nga kritikat tregtarët :
Ato,tekefundit,historinë tonë krenare
Evokojnë…
Përrallë me Hitler…
1997
Komentet