Prishtinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me operacionin policor që u zhvillua në 4 lokacione të ndryshme të Kosovës ka thënë se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kurti, në një shkrim në rrjetet sociale tha se veprimet policore që nisën me bastisje nga mëngjesi i sotëm me qëllim luftimin e kontrabandës në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë si dhe në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut, janë paraprirë nga hetime intensive dhe janë bërë me urdhër të prokurorive dhe gjykatave kompetente.
“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen, do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, shkroi Kurti.
Ndaj bastisjeve të Policisë së Kosovës në Mitrovicë Veriore ka reaguar një numër i qytetarëve serbë të cilët edhe kanë sulmuar automjetet e policisë e cila më pas ka përdorur edhe gazin lotsjellës.
Kryeministri Kurti në reagimin e tij, u ka bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës së Veriut të mos bien pre e mediave që mbrojnë krimin.
“Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa mediave në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, shkroi Kurti.
Në operacion policor janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve policore dhe të Doganës së Kosovës, në 4 lokacionet e lartpërmendura në Kosovë janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat sipas Policisë së Kosovës “shërbejnë si prova materiale”.
Komentet