Politikania serbe dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, tash kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve
Trajkoviq e ka cilësuar të dëmshme krizën e shkaktuar për raportet mes dy vendeve.
Ajo thotë se është shqetësuese që kryeministri Albin Kurti nuk mund të zmbrapset nga ky vendim, sepse do të komprometohej në prag të zgjedhjeve lokale.
Në pozitë të njëjtë, sipas saj është edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka nisur forcat ushtarake drejt Rashkës, duke menduar për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.
Ndërsa, duke folur për Marrëveshjen e vitit 2016 lidhur me targat, Trajkoviq thotë se Vuçiq e kishte nënshkruar atë duke shpresuar se deri në vitin 2021 (kur do të skadonte afati i saj) do të vinte deri të ndarja e Kosovës ose shkëmbimi i territoreve, “si zgjidhje për të cilën ishin angazhuar ai [Vuçiq] dhe Thaçi”.
Trajkoviq thotë se momentumi i shkaktimit të krizës më reciprocitetin e targave është i papërshtatshëm, madje, sipas saj, i papërgjegjshëm, sepse po ndodh gjatë pandemisë së coronavirusit, i cili mori shumë jetë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe që tashmë po e vështirëson funksionimin normal.
“Kjo krizë po ndodhë edhe në atmosferën parazgjedhore në Kosovë, në vigjilje të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen në rrethana të vështira dhe për të cilat është shqyrtuar mundësia të mos mbaheshin [shtyhen]. Futja e Kosovës në një gjendje të jashtëzakonshme shtesë në rrethanat e një gjendjeje të jashtëzakonshme tashmë ekzistuese nuk është një vendim i përgjegjshëm. Nëse vazhdon kështu dhe nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për krizën, serbët dhe shqiptarët në gjendje të jashtëzakonshme vështirë se do të jenë në gjendje të bëjnë një fushatë efektive zgjedhore. Për më tepër, tani nuk dihet nëse serbët e Kosovës do të dalin fare në zgjedhje në këto rrethana. Kjo do të thotë kthim mbrapa i situatës dhe proceseve politike në Kosovë”, tha Trajkoviq për Telegrafin.
Politikania serbe thotë se “një problem tjetër është se tërë kjo vështirësi në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në vendkalimet administrative e izolon më tej Kosovën dhe e përjashton atë nga funksionimi normal në rajon.
Shumëkush tani do ta shmang Kosovën si rrugën e tyre transit, gjë që bart rreziqe dhe pasoja të mëtejshme ekonomike, politike dhe të sigurisë”.
Trajkoviq ka folur edhe për rreziqet që sjell gjendja e krijuar pas aplikimit të reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.
“Me gjithë vullnetin e mirë të Policisë së Kosovës dhe serbëve në Kosovë, një situatë kaq të ndjeshme kurrë nuk mund ta kontrolloni plotësisht. Ekziston një rrezik serioz që ndonjë reagim i papritur t’i çojë protestat në një drejtim të padëshirueshëm. Sa më gjatë të qëndrojnë në barrikada, aq më e madhe është mundësia e konfliktit dhe radikalizimit. Ndërsa tani shohim se forcat serbe i janë afruar vijës administrative të Kosovës”, tha ajo.
“Shqetëson fakti se kryeministri i Kosovës, Kurti, nuk mund të kthehet prapa pas vendimit të tij për reciprocitetin, sepse me këtë do ta komprometonte veten para zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Vuçiq është në një pozicion të ngjashëm në Beograd dhe ka nisur forcat serbe drejt Rashkës, sepse edhe ai mendon për zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe shqetësohet nëse do të veprojë fort dhe sa duhet te votuesit e tij. Të dyja palët kujdesen më shumë për rejtingun e tyre, dhe këtu nuk ka kushte për të lëshuar pe ose përgjegjësi të mjaftueshme personale për kompromis. Prandaj është një situatë shumë shqetësuese ku askush nuk mendon për njerëzit e zakonshëm. Ndërsa, përmes menaxhimit të keq të pandemisë, ne kemi parë tashmë se as Beogradi dhe as Prishtina nuk kujdesen shumë për njerëzit e thjeshtë”, tha Trajkoviq.
Ajo thotë se as rrethanat ndërkombëtare nuk janë ideale për zgjidhjen e krizës së shkaktuar me reciprocitetin për targat.
“Disa akterë ndërkombëtarë me deklaratat e tyre, që dënojnë vetëm njërën apo tjetrën palë, i hedhin vaj zjarrit dhe rrisin armiqësinë, sepse atyre u konvenon jo stabiliteti në teren. Nga ana tjetër, administrata amerikane, ndikimi i së cilës është i nevojshëm për të zgjidhur çdo krizë në Ballkan, është në proces të riorganizimit të qasjes së saj në rajon dhe tek pritet emërimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë. Pra Amerika është duke pritur iniciativën e BE-së për të zgjidhur këtë krizë. Ndërsa, kredibiliteti dhe fuqia e BE -së është komprometuar në terren, sepse kjo krizë ndodhi pikërisht gjatë vizitës së Miroslav Lajçakut në rajon. Pra, jemi në një situatë të palakmueshme dhe të rrezikshme ku aktorët lokalë nga të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësi”.
Trajkoviq ka folur për ndikimin e situatës së krijuar në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo thotë se “në një farë mënyre, negociatorët duhet të rifreskohen për të rifilluar procesin e negociatave”.
“Kjo nënkupton një pjesëmarrje më të fortë dhe më të drejtpërdrejtë të Amerikës në negociata, si dhe freskim të ekipeve negociuese të Prishtinës dhe Beogradit. Situata me tabelat tregon se nuk do të ketë përparim në këtë proces negociues. Vuçiq dhe Kurti janë njerëz të cilët janë shumë të ngarkuar me rejtingun e brendshëm politik për të arritur një marrëveshje, kështu që zgjerimi i ekipeve dhe përfshirja e përfaqësuesve të shoqërisë civile mund të sjellë energji të re dhe konstruktivitet në negociata”.
“Nëse e dimë se Asambleja e Përgjithshme e OKB -së autorizoi dialogun teknik midis Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2010, si dhe se mandati i UNMIK-ut u zgjat edhe për një vit tjetër, kjo do të thotë se na është dhënë më shumë kohë për t’iu kthyer seriozisht procesit të negociatave. Situatat si ajo me tabelat tregojnë se edhe çështjet më themelore teknike në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës nuk janë zgjidhur dhe se masat e papritura dhe zgjidhjet e shpejta shkaktojnë trazira dhe destabilizim të madh”, tha Trajkoviq.
Ajo mendon se ka shumë marrëveshje të mira që janë nënshkruar, por që nuk janë zbatuar plotësisht.
“Këtu kam parasysh marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, si dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, që problemin e Kosovës e sheh nga pikëpamja praktike dhe ekonomike. Në vend që kohën dhe energjinë ta fokusojmë kot në përpjekjen për të rishikuar marrëveshjet e nënshkruara, ne duhet të përqendrohemi në zbatimin efektiv të asaj që është nënshkruar tashmë dhe të vazhdojmë tutje. Nuk ia vlen ‘për të qarë për qumështin e derdhur’”.
Trajkoviqka komentuar edhe kritikat e opozitës në Serbi, e cila e akuzon Vuçiqin se e dinte që do të aplikohej reciprociteti, pasi ai personalisht e kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2016, e cila do të skadonte në vitin 2021.
Ajo thotë se “marrëveshja për targat nga shtatori i vitit 2016 – e cila u nënshkrua nga regjimi i Vuçiqit, d.m.th. Marko Gjuriq – shkoi një hap më tej sesa marrëveshja për lirinë e lëvizjes nga viti 2011”.
“Marrëveshja nga viti 2016 parashihte të mbuloheshin simbolet shtetërore në targat e automjeteve nga të dyja palët, që do të thotë se vërtet do të aplikohej koncepti i reciprocitetit në këtë çështje. Kjo zgjidhje u motivua nga marrëveshja që Greqia dhe Maqedonia e Veriut e kishin arritur atë kohë, por ndoshta ishte shumë ambicioze sepse natyra e mosmarrëveshjes midis dy vendeve është e ndryshme dhe shumë më e lehtë, sesa mosmarrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit [Kosovës dhe Serbisë]. Unë do të thosha se Vuçiq atëherë ishte ende në fillimin e sundimit të tij, dhe se në atë fazë të bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me bashkësinë ndërkombëtare, donte të tregohej si një negociator konstruktiv. Por më duket se mori përsipër një detyrim që nuk ka fuqi ta përmbushë, as para votuesve të tij dhe as sipas Kushtetutës së Serbisë”, tha ajo.
Trajkoviq thotë se Marrëveshja nga viti 2016 nuk është zbatuar deri më tani, sepse vlefshmëria e tabelave të KS është zgjatur në 5 vjet.
“Tani, në mungesë të një marrëveshjeje të re, ajo që u nënshkrua në vitin 2016 po aktualizohet sërish. Vuçiq thjesht nuk ka forcën politike për ta zbatuar atë në praktikë. Unë mendoj se ai (Vuçiq) nënshkroi marrëveshjen e vitit 2016 me shpresën se deri në skadimin e saj, në vitin 2021, do të ketë një ndarje të Kosovës, respektivisht shkëmbim të territoreve – ndryshe zgjidhjen për të cilën angazhohej ai së bashku me zotin Thaçi. Siç po shihet, kjo nuk ndodhi dhe zgjidhjet e nënshkruara nga e kaluara tani po paguhen”, ka thënë Trajkoviq.
Ushtrisë së Kosovës i janë bashkangjitur disa snajperë të rinj.
Ata përmbyllën me sukses kursin bazë për snajper, duke u certifikuar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.
“Kursantët u trajnuan dhe u testuan në distanca dhe kalibre të ndryshme të qitjeve”, lexohet në një njoftim të FSK.
Zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Kolonel Ilir Shyti, në fjalimin e tij ndër të tjera përmendi që “profesionalizmi ushtarak është qenësor për zhvillimin e aftësive ushtarake sidomos për qitës në distanca të largëta”. Kjo vjen si një përpjekje e Kosovës për të fuqizuar më tej ushtrinë.
Disa ditë më parë, FSK përmbylli me sukses të plotë 3 stërvitje të ndryshme.
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të premten Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim, për shtytje në vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, para 17 vjetëve.
“I akuzuari E.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëzet e pesë vjet… për shkak të veprës penale nxitje në vrasje të rëndë”, tha Gjykata Themelore në një komunikatë më 3 maj.
Sipas aktakuzës, Sekiraqa e kishte nxitur Arben Berishën në vrasjen e Triumf Rizës më 30 gusht 2007, në Prishtinë.
Triumf Riza ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Në këtë dënim, Sekiraqës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, sipas njoftimit.
Ai ka të drejtë të ankohet ndaj këtij dënimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, tha Gjykata.
Sekiraqa ishte dënuar dy herë me burgim për të njëjtat akuza në të kaluarën, në vitin 2016 me 37 vjet burgim, ndërsa më 2019 me 30 vjet burgim, por Apeli i rrëzoi secilin prej atyre dënimeve duke e kthyer dhe rikthyer rastin në rigjykim.
Më herët, gjykata e ka dënuar Arben Berishën, autorin e vrasjes së Triumf Rizës, me 35 vjet burgim. REL
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, pas kësaj ka reaguar duke publikuar dy fotografi.
Në një foto shihet përplasja e serbëve me trupat e KFOR-it, dhe ka shtuar edhe një fotografi tjetër të kreut të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot është vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit i papenguar nga askush.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, de-eskalimi ka ndodhur dhe shton se si rezultat i kësaj masat duhet të hiqen.sn
Sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të komandantit të UÇK-së Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorë e martirë që ranë në Drenicë për lirinë e Kosovës më 30 prill, 1999.
Në fjalën e rastit, presidentja Vjosa Osmani tha se heroi Kodra ishte “dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari”.
“Bashkë me të, jo vetëm që themeluan bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por zhvilluan trajnime në Shqipëri, për të qenë gati për ta mbrojtur atdheun”, tha Osmani.
Ajo theksoi se sulmet e regjimit gjenocidal të Serbisë mbi fshatrat e Drenicës, kishin për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.
“Përballë regjimit kriminal të Serbisë, Ilaz Kodra me bashkëluftëtarë qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësi dhe dinjitet shtetëror”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. /Klankosova.tv
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takoi sot në Prishtinë, nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Ađančić, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Nataša Tomanić dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojević.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, që erdhi pas vizitës dhe takimeve të shumta në Berlin në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Kurti diskutoi me tri nënkryetaret mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.
Nënkryetaret Ađančić, Tomanić dhe Bogojević thanë se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre dhe se një qëndrim të tillë do ta shprehin edhe në takime me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj nënkryetareve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve.
Ky ishte takimi i dytë në pak se dy javë që kryeministri Kurti ka pasur me tri nënkryetaret e komunave veriore, duke dëshmuar kështu interesimin dhe vullnetin e dyanshëm për komunikim të rregullt dhe bashkëpunim të afërt.- Zyra e Kryeministrit
Hartuesja e raportit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetja greke, Dora Bakoyannis, ka theksuar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në këtë organizatë.
Bakoyannis, ka thënë se “për të ardhur tek opinioni pozitiv, deputetja greke ka thënë se janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare”.
“Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka thënë Bakoyannis në një tekst autorial për “European Western Balkans”.
“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”.
Ajo ka shkruar për lidhjet e saj “speciale” me popullin serb. Duke mbrojtur raportin e vet me Serbinë, Bakoyannis ka thënë se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.
“Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për komunitetin serb në rajon, që për dekada, i ishte hequr e drejta për të ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, ka shkruar ajo.
Deputetja greke Bakoyannis ka përsëritur se në raport nuk ka dhënë qëndrim për shtetësinë e Kosovës duke thënë se po t’i kërkohej të shprehte mendim për shtetësinë, s’do ta kishte marrë përsipër përpilimin e raportit, pasi vjen nga Greqia që nuk e njeh Kosovën. Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb.
Bakoyannis ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për negocimin e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, më 2018.
“Pavarësisht faktit se negocimi i kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, me kë po negocion?), për çka unë e kundërshtoj, e kam konsideruar këtë akt trimërie nga presidenti Vuçiq dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është burim i paktë, por kritik në politikë dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve bazë të imagjinatës kombëtare”, ka shkruar Bakoyannis.
Raporti pozitiv i Bakoyannisit për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës pati marrë shumicën e votave në Asamblenë Parlamentare në prill. Tani pritet që për dy javë të mbahet votimi final në Komitetin e Ministrave, ku nevojiten 2/3 e votave për t’u pranuar si anëtare e plotë. /Telegrafi/
Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe nënkryetaren Saranda Bogujevci, bënë nderime pranë arkivolit të veprimtarit të çështjes kombëtare, ish-deputetit të Kuvendit, Ali Lajçi, në kuadër të ceremonisë së homazheve që po zhvillohet në hollin e Kuvendit.
Pas homazheve kryetari Konjufca nënshkroi në librin e zisë.
Homazhe bënë gjithashtu edhe kryeministri Albin Kurti me anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të institucioneve të tjera dhe qytetarë të shumtë.sn
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është duke marrë pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel në në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004, shkruan Gazeta Express.
Sipas njoftimit, Gërvalla për të marrë pjesë në këtë përvjetor është ftuar nga Presidenca belge të Këshillit të BE-së, më saktësisht me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme, Hadja Lahbib.
“Gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së. Në këtë takim, i cili mbledh ministrat e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, Republika e Kosovës do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Ministrja Gërvalla do të realizojë edhe takime bilaterale me Ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Prokuroria Speciale (PS), dhe Policia e Kosovës, njofton se, dje, në pikën kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë, konkretisht në Bërnjak, është ndaluar një person me inicialet J.Š.
Sipas njoftimit të Prokurorisë i njëjti person është i dyshuar se gjatë viteve 1998 – 1999, në Komunën e Gjakovës, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti individ është ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit individ, kjo prokurori do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.sn
Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ka evokuar kujtime nga koha kur ai ishte presidenti i fundit i Jugosllavisë, e cila po shkonte drejt fundit.
Ai gjatë Takimit të Madh të Prishtinës për integrimet ndërshqiptare e ndërballkanike, ka bërë përgjegjës ish-kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviç për të gjitha viktimat e shkaktuara në Kroaci, Bosnje e Kosovë.
Mesiçi ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç po i vazhdon politikat e Sllobodan Millosheviçit për krijimin e “Serbisë së Madhe”, e cila sipas tij nuk mund të bëhet kurrë, raportojnë mediat e Kosovës.
“Ende ka nga ata që si Millosheviçi duan të bëhet Serbia e Madhe, por unë ju them se ajo nuk mundet të bëhet. Për të gjithë ata që mendojnë që Serbia mundet të bëhet një shtet i madh, unë ju them që Serbia është një shtet i vogël në Ballkan”, tha Mesiç.
Takimi PanShqiptar- NdërBallkanik- EuroAtlantik me tematiken” Histori- Identitet- Integrim”, u mbajt në kuadër të 25-vjetorit të luftës legjendare të UÇK-NATO dhe lirisë së Kosovës në Prishtinë, me mbi 600 të ftuar nderi.
Në shënim të ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, në Kompleksin Memorial në Mejë u organizua tubim përkujtimor nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, njofton Klankosova.tv
Në 25-vjetorin e masakrës së Mejës, krerët e shtetit kërkuan drejtësi për viktimat, duke u zotuar se thirrja për drejtësi kurrë nuk do të mungojë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani masakrën e Mejës e quajti “Srebrenica e Kosovës”.
“Sot këtu jemi me zemër të rënduar pa fund, ky vend është “Srebrenica e Kosovës”, ky vend është edhe thirrja jonë me e fuqishme për drejtësi. 376 civilëve të pafajshëm ju këputën ëndrrat në gjysmë vetëm pse ishin shqiptarë. Familjet e të zhdukurve me dhunë asnjëherë nuk do të jenë vetëm”, tha presidentja Osmani, përcjell Klankosova.tv
Derisa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për shqiptarët stina e pranverës është stinë përkujtimore për masakrën e Mejës.
“Ju e keni të freskët mëngjesin e atij viti kur forcat paramilitare e ushtarake të Serbisë, i dëbuan civilët nga fshatrat e Gjakovës. Të dëbuarit i drejtuan nga Meja ku i plaçkitën dhe gratë e fëmijët i drejtuan për në Shqipëri, ndërsa burrat e djem të rinj u vranë në fshatin Mejë”, tha Kurti.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shkruar për Ditën Kombëtare të të Zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë.
Ajo bën thirrje që ky proces të mbyllet dhe familjarëve t’u jepen përgjigjet e merituara, njofton Klankosova.tv.
“Sot është Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur në Kosovë. Pas mbi dy dekadash, familjeve ende u mungojnë përgjigjet dhe mbyllja e këtij procesi për më të dashurit e tyre. Sot, ne qëndrojmë së bashku me familjarët që ende – dekada më vonë – nuk e dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre të zhdukur. Prioritet duhet të jetë gjetja e përgjigjeve që parashikojnë përfundimin e këtij procesi të familjarëve të të zhdukurve”, ka shkruar ambasada në Facebook.
Komentet