Berlin, verë 2021
Liria e falur, si gjithçka tjetër, mund të merret. Mbetet në mëshirën e dhurimtarit mbajtja a ridorëzimi i saj. Ndërkaq, nga ç’mëson historia politike e botës, vendngjizja e shtetit është flijimi dhe, ndaj, lufta atdheu i tij.
Megjithatë popujt e vegjël, sado larg të dëgjohet pushka e tyre, e kanë vështirë të kapin kurorën e saj pa një përkitje interesi ad hoc apo natyral me kontekstin rrethanor ndërkombëtar dhe, njëkohësisht, pa mentorsinë e një fuqie bote.
Pikërisht një e tillë lidhje e çuditshme, gati metafizike, do t’u ndodhte shqiptarëve nga Gadishulli ilirik dhe gjermanëve nga epiqendra e Europës. Një kryqëzim fatesh e udhësh do të pjalmonte mbi horizontin e tyre. Panorama e ëndrrave ishte shpesh e përkundërt por, sërish, frekuencat ndërthureshin vetishëm, gati si një urdhër i vullnetit të epërm.
Ja, këto bisedonim me një mikun tim gjerman Dietrich N. (e njihja që nga vitet studentore në Prishtinë ku dhe ai ndiqte mësimet universitetare) një pasdite, tashmë të largët, vjeshte të vonë në Berlin.
1.
Koha e parë ekzistencialiste!
Në shekullin që lamë pas, landet e gjermanëve do të ndihmonin tri herë shqiptarët në ndërrim epokash përflakëse. Një herë austrohungarezët, edhe me çmimin e një lufte europiane, do të pozicionoheshin si dalëzotës të indipendencës shqiptare. E kjo ishte, si të thuash, pjesë e një politike shtetërore të shpallur: me qëllimet, mjetet dhe filozofinë e saj. Ndonëse Ballplatz-i vjenez kishte interesat e tij strategjikë, mbrojtja që do t’i bëjë të drejtës së truar shqiptare për vetëjetesë shtetërore, hidhte fillndërtimin e aleancave të mandejme ndër vite…
Dhe do ta përskajonte thjeshtësisht bukur këtë më vonë humanisti gjerman Ruppert Neudeck kur, me entusiazmin e tij të çiltër e popullor, thoshte një si paktim të farkuar natyrshëm: atë që Franca ishte dikur (apo dhe sot!) për serbë, ne jemi për shqiptarë!
Pastaj dy herë të tjera gjatë po këtij qindvjeti, si e parashkruar nga qiejt, gjermanët do të shpëtonin jetikisht shqiptarët nga zhbimja në truallin e tyre: fillimisht në meskohën e dy luftërave të përbotshme, e më pas në mbyllje mijëvjeçari, kur do të shkërmoqeshin Rendet e vjetër të etabluar keq mbi Europë. Por, ndryshe nga krahimi i mësipërm, tani përkitja do të kishte shenjë tjetër. Një gjedhë e rrjedhë e paskicuar askund. Në asnjë pakt, politikë a projekt bashkëpunimi. Ishte vetë ligjësia e historisë që inkarnonte bëmat e tyre në prurje frymëmarrëse për shqiptarë.
Kur dukej, prandaj, se kontinenti i paqëtuar rrejshëm, do të prekte i tillë fundin e historisë dhe kur, poashtu, monarkitë burgëtare sllave i kishin stërholluar doktrinat për popujt e poshtëvënë kolonialisht që i afroheshin ngadalthi zonës së vdekjes, papritur, në fundvitet 30-të, nis çarja dhe katrahura e tij. Do të binin, ashtu, njëra pas tjetrës, monarkitë, ushtritë dhe kryeqytetet e dhunës, e mes tyre dhe Belgradi që kompletonte repartin jugor të boshtit ruso-frëng për ngujimin unazor të gjermanëve të përunjur.
Ç’është e vërteta, koncerti i padrejtpeshuar i pasluftës së parë, do të përfundonte në pluhnajë nga një dhunë tjetër, programi dhe imazhi i së cilës ishte çnjerëzisht i frikshëm. Ariozofët që vinin me ngut si për të ndrequr një gabim, interpretonin ndryshe Rendin kontinental dhe mënyrën e rrëzimit të tij.
Në këtë interpretin nuk mund t’i zinin më frymën Europës gjermanike dy krahët e saj të pabesë, latinë e sllavë. Duhej pllenuar një Reich i tretë njëmijë vjeçar për të kompensuar dështatën e luftës, sedrën e cënuar ariane dhe të drejtën e parathënë hyjnisht të racës sipërore.
Dhe tani efekti anësor apo veprimi kolateral pozitiv zbriste poshtë deri tek Dhéu i shqiptarëve. Po a ka një të keqe të mirë?, do të pyes dikush habitshëm. Jeta është plot zhvillime të tilla paradoksale. Në kulmin e krizës europiane, vitesh më parë, gjermanët gëzonin që vendi i tyre jo vetëm mbijetoi, por madje, përfitoi prej saj.
Dhe, që këtej, analizat dhe esetë e shumtë, si një refren i hareshëm i shqiptuar me ofshamë shlodhëse, mbajnë titullin vlerësimtar: “Ah, kjo kriza e mirë”! Nga kjo arsye i trëmbur, ish-kryediplomati Joschka Fischer thoshte se vendi i tij asnjëherë nuk ka qenë më i vetmuar se sot, për shkak të cmirës së humbësve të krizës. Gjermania ime, shkruan ai, dy herë shoi Europën dhe nuk do të doja kurrë ta shihja se si do t’a bënte këtë gjëmë për herën e tretë.
Kësaj këmbane, por në mënyrën e tij, i binte dhe Filozofi frëng Emannuel Todd tek pohonte se gjermanët vjelën nga kriza pandershmërisht. Nuk ka ekzistuar asnjëherë miqësia e pompuar dhe, tekembramja, thotë ai për “Spiegel”-lin, bëhet fjalë për mosmarrëveshje kulturash: të asaj gjermane të konkurrencës brutale dhe të kulturës egalitare franceze.
Por ja që, për koinçidencë fati, kjo shuarja e dyfishtë që i bëri Berlini Europave të ndryshkura, rezultoi të ishin një krizë, një ambis i “mirë” a një fatkeqësi mrekullore për tokat veriore të shqiptarëve.
E përse?
Nuk besoj të ketë shqiptar që të mos ketë kuvenduar a përsiatur për këtë ardhje të dyzuar të historisë. A mund të imagjinohet një fat shqiptarësh, një fat i vijuar pafundshëm si një muranë e dhimbjes, në Mbretërinë serbe (me kroatë e sllovenë)? Aty ku ndiqeshin e vriteshin jo për delikt ndërgjegjeje, jo për një libër që s’e kishin, por për një ninull nëne në djep. Mbi djepin e pafajshëm që rriste shqiptarë, banorët e kryehershëm të truallit lashtoilirik. Dhe pikërisht aty do të binte tehu vrastar i Naçertanies, thika shpërngulëse e Çubrilloviqit dhe përligjja dinake e Andriqit për Kosovën pa shqiptarë.
Mirëpo ishte prilli i tymit gjerman mbi hirin e zi të letrave mortore, që do t’a vdiste kryeëndrrën e tyre për të pasur një dritare në Adriatik. Jovan Cvejiqi e shihte këtë ëndërr të ankthshme çdo natë e në mjes shkruante në projeksionet fantazmagorike tij: “Populli serb është i burgosur dhe ose do të dalë në det ose do të vdesë”!
Rrjedhimisht, si thamë, fakticiteti i ri në hartografinë e fuqisë do të sillte ipso facto një gjasë, një shpresë të re imagjinare. Natyrisht, ishte dhe ky një pushtim klasik. Një fatkob i Europës. Muzgu i arsyes dhe qytetnisë së saj. Fundja, jo për simetri, por megjithatë pse të jetë herezi pyetja: po Rendi i moçëm me se ishte vënë? Me mirësinë e së drejtës apo me forcën e armëve? Ishte i përsosur apo lëngatë kombesh, sidomos, si thotë E. Grey, i atij shqiptar?! Sidoqoftë shqiptarët bënë mirë që luftuan kryqin e thyer. U rreshtuan në anën e fitimtarëve për idealet e lirisë së Europës dhe, nyjëtuar me te, për të ruajtur në këmbë atë grimë shteti kombëtar.
Porse ky ishte një pushtim tjetërsoj. Suspendonte një program shfarosjeje, ndërkohë që vetë nuk kishte një të tillë për shqiptarë. Në përthekim të tezës, a nuk pledonte me intuitë gjeniale tribuni Haxhi Zeka që shqiptarët të miqësoheshin me një fuqi të madhe e të largët si Anglia: sepse edhe ishte pasunare me kulturë edhe sepse, sado gjatë të rrinte, do të largohej një ditë!
Rjedhoi, prandaj, kështu pasoja e mirë dytësore e shpartallimit të Jugosllavisë mbretërore. Shqiptarët e shkretë morën pak frymë. Në pritje të zotnisë së ri që s’qe e s’mund të ishte i egër e patogjenisht urrejtës ndaj tyre. Dhe të një kohe tjetër me besimin e vakët se e vjetra, ndoshta, ishte arkivuar përgjithmonë.
2.
Midiskohë!
Pastaj, në një ndërmjetkohë, erdhi e u legjitimua krejt krekosje e betim të ethshëm për një botë të re, Rendi komunist ( që s’mund të instalohej kurrë pa shëmbjen e Europës vjetrane). Por, i zi sa do Zoti, dhe ky do të përballte shqiptarët me sfidën e re ekzistenciale. Kombinimi ishte i padurueshëm: dogma e re e idesë bolshevike dhe formula e vjetër e represaljeve serbiane. Pamjet që prodhonte ky njësim i tmerrshëm, ishin dëshpërimtare: varfëri e padije, shpasurim e shpërngulje! Mirëpo toka e ngushtë arbnore dhe populli i saj i vogël, nuk u mposhtën. Pas vitesh të errta që i shenjonte ngasja serbiane për të restauruar fuqinë hegjemone mbështjellë me lëvoren e vëllaznisë së shpifur, agoi papritur një epokë e re.
Jugosllavia, siç është e njohur, ishte e ndarë barazisht në Jalltë dhe Titoja duhej ti bënte koncesionet e nëvojshme traktative perëndimit: edhe në konceptin ideologjik edhe në formulën e baraspeshës së brendshme etnike. Kjo, natyrisht, kishte dhe shtysë e interesa të tjera komplementare. Në themel ishte qendrestaria popullore, po, njëkohësisht, dhe vetë alkimia e tij e përsosur pushtetmbajtëse. Për shkaqe të sipërthëna, një nga këto tërheqje në udhën e lëshimeve ishte dhe subjektiviteti autonom dhe i federuar i shqiptarëve në Jugosllavinë e dytë.
Mirëpo epilogu kurorë ishte se shqiptarët do të shmangnin sërish vdekjen e madhe, atë që stolis varrezën e popujve, gjuhëve e kulturave të rroposura të botës.
3.
Koha e dytë ekzistencialiste!
Kjo intermezo, për fantazinë e bujshme të së keqes, nuk do të zgjaste shumë. Titoja do të vdiste dhe serbët do të gjenin rastin e shkëlqyer për të përtrirë levat e etnocidit shqiptar. Por gjermanët, sërish ata, trazojnë shpirtërat në Europë. Dhe sërish rrathët koncentrikë valëzojnë deri tek viset veriore shqiptare.
Imagjinoni tani prapë helmin e kësaj kohës së dytë paraprake: Serbia e Millosheviqit, më e fortë se kurrë, Bashkimi Sovjetik ende në këmbë, Muri gjithnjë kërcënues mbi popujt e ndarë. Skemë gjeopolitike më të zezë për shqiptarë zor të gjendej as në lektyrat e tmerrit. Atë që nuk e përmbaruan dot kralët në “bel-epokën” e mesluftës, kur Stalini zhvendoste e paatdhesonte përdhunshëm popuj të tërë dhe kur Qubrilloviqi thoshte se Europa nuk do të çajë kryet për një grusht arnautësh, apo që nuk ia dolën rankoviqët e fillimeve komuniste – do ta provonte Sllobodani në grahmën e fundme të tij.
Dhe kish nisur mirë. Amzës së moçme të pararendësve i kishte ndajshtuar përplotsueshëm një gjetje të re: bukën! Hekur e gjak në një anë dhe unazë urie në anën tjetër!
Evokojmë këtu një shfaqje makabre të saj nga fundi i viteve 80-të. Kisha dëgjuar a lexuar për grevat kudo mbarë botës. Moton e tyre në Europën ku vrujon përherë trazim a në Azinë e largët mistike, i bashkon kërkesa për ndërtuar diçka. Për të përmirësuar kushtet a pagën e punës. Por grevistë që kërkojnë të kundërtën nuk ishin parë kurrë deri atëherë në këtë botë. Një grusht arsimtarësh serbë të Prishtinës ishin hedhur në grevë. Nuk lypnin asgjë për vete. Programi i kërkesave të tyre ishte – vini re marrëzinë – që kolegët e tyre shqiptarë të mos merrnin të ardhura për punën e bërë. Një thirrje greviste unikale dhe e pangjashme në ultësinë e vet që paralajmonte stuhinë e tokës së djegur.
Shtrëngesa e darëve serbe ishte e rëndë dhe poshtëruese. Kishte kaluar pragun e dinjitetit kolektiv shqiptar. Morali kombëtar bjerrte kuptimin parak e shndërrohej në antipodin e tij. Në vetënështrimin si lëmoshë bestyte që do ti thërriste mëshirës së sundtarëve për më pak gjak, më pak shtypje dhe më pak pushtim. Për pasojë, hemoragjia brendësore shqiptare kishte marrë udhë. Udhën e Hadesit mërgimor. Një dyndje e njëmendtë, tragjike në përmasën dhe heshtjen e saj, ecte drejt botës. Kosova shkretohej varfërisht dhe shpopullohej kombëtarisht!
Në këtë sfond terri, vjega gjermane dhuronte prapë, si konsekuencë objektive, çelësin e humbur. Europa rikonfigurohej me qendërpeshë tjetër fuqie. Lëvizja epokale e tetorit të madh do rrafshonte Murin e bashkonte Gjermaninë. E tillë, kohëprerëse, ajo i jepte fund sajesave burgëtare të popujve dhe i ofronte historisë atë “krizën e mirë” ose anën e mirë të së keqes, me rrezatim mbarëbotëror.
Deklarata e famshme e Buntestagut gjerman e fillimdekadës së 90-të, se askush nuk mund të detyrojë forcërisht popujt të jetojnë bashkë, pa vullnetin e tyre politik, shpaloste konturat e fizionomisë së re të Europës së lirë. Helmut Kohl (si shkruan vetë në “Memoaret” e tij) ishte afishuar si më i vdekshmi armik serb pse, poashtu, në hulli të kësaj planimetrie të Berlinit të ri, pohonte se pa lirinë e Kosovës nuk mund të ketë paqe në Ballkan.
Ky vizion e rreshtim do të përshtrinte dritë e shpresë edhe për shqiptarët që vegjetonin nën skeptrin e hidhur të bantustanizmit serbian. Federatat sllave do të rrëzoheshin. Disa për të dytën herë e përgjithmonë. Popujve që ato (Rusia dhe Serbia) i mbanin me status skllavnor do tu hiqej rubi i zi “të ndaluar” dhe ndëshkimi i ëndrrave të lirisë! Rrjedhimisht, shqiptarët guxuan të projektojnë shkëputjen nga stema serbe, fillimisht drojshëm e shpesh të çorientuar nga elitat virtuale, por më pas, kur do të binin maskat dhe do të behte ora e madhe e tyre, luftuan si kolosë dhe fituan lirinë.
Ndaj, kjo sakrificë sublime në themelet e bekuara të vetëjetesës sovrane, si shumë herë në rropama historie, do të mund të mbetej lehtësisht vetëm kujtesë brezash në këngët epike, sikur gjermanët, përherë ata, të mos prishnin Perden e hekurt që mbante Europën në makthin robnor, të mos gjunjëzohej Rusia në asistencë sociale perëndimore dhe, së fundmi, sikur Serbia të mos ngujohej në rrethim të pashpresë nga patkoi i hekurt i botë së lirë.
4.
Tek i po thoshja këtë pandehmë a premisë mendimore mikut tim, ai, duke gjerbur ngadalë kafenë, më ndiqte vëmendshëm dhe me një nënqeshje kortezie shprehte habinë. Nuk kishte menduar, thoshte, kurrë për këtë përkitje të rastësishme e ndërvarsore të shtigjeve historike që do të kaptonin dy popujt e mirëkuptuar gjithmonë!..
Natyrisht, regjisori i madh global i fundeve të lumtura janë amerët e përtejdeteve, por ne u fokusuam në mikroplanin europian dhe pleksjen interesante të udhëjetëve, të ndara e sërish të përkitura, shqiptaro-gjermane gjatë ftomash zymtore të “krizave të mira” të historisë.
Të historisë së re, veçanërisht!
R. K.
Komentet