Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sqaroi arsyet pse e ka paditur Sekretarin e Shtetit Amerikan, Anthony Blinken, pasi ky i fundit e shpalli “non grata”, duke i ndaluar hyrjen në SHBA, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.
Në një konferencë për media, Berisha deklaroi se padia nuk është për faktin që Blinken i ka ndaluar hyrjen në SHBA, pasi është e drejtë e tij të vendosë se kush duhet të hyjë e kush jo në vendin e tij, por kjo padi, sipas deputetit të zgjedhur, është për dinjitetin.
Teksa e cilësoi shpalljen e tij “non grata” një vendim politik, pasi së cilit, siç theksoi ai, fshihet George Soros dhe Edi Rama, Berisha u shpreh se deri më sot nuk është publikuar asnjë fakt apo provë për korrupsion të tij gjatë 30 viteve në politikë.
“Me këtë rast dëshiroj t’iu informoj, së pari sot pas 77 vitesh jetë, kjo është hera e parë që unë i drejtohem një gjykate dhe kurrë ndonjëherë nuk kisha imagjinuar se do të detyrohesha të ngrija padi ndaj Sekretarit të SHBA, të një vendi që e admiroj aq shumë. Së dyti, në këtë padi kërkoj të mbroj dinjitetin tim, të familjes sime dhe të gjithë shqiptarëve, që gjatë 30 viteve karrierë politike i kam përfaqësuar kudo me dinjitet. Pra, kjo padi është betejë për dinjitetin njerëzor. Së treti, në këtë padi kërkoj të bëj transparencë të plotë para shqiptarëve, që në 30 vite më kanë votuar më shumë se këdo tjetër në këtë vend, dhe para miqve të mi, dhe të provoj se ky vendim është fund e krye politik, pa asnjë bazë.
Karakterin politik të këtij vendimi e provon fakti se me gjithë kërkesën e paraqitur në letrën time drejtuar Sekretarit Blinken për të bërë publike çdo fakt e provë që disponon, deri më sot nuk është paraqitur asnjë e vetme, për shkakun e vetëm se ato nuk ekzistojnë. Kjo dëshmon se vendimi i marrë kundër meje e familjarëve të mi bazohet në shpifje e trillime të kundërshtarëve të mi, George Soros dhe Edi Rama. Është një hakmarrje për denoncimin tim kundër lidhjeve të Edi Ramës me drogën, krimin, si dhe një hakmarrje për denoncimin tim kundër Soros. Por edhe një hakmarrje të kundërshtimit tim të prerë për ndryshimin e kufijve të Kosovës.
Ky vendim është fund e krye politik. Pavarësisht nga këto, unë nuk kam ngritur padi kundër vendimit hakmarrës politik. Është e drejtë e Bliken të përcaktojë se kush do të hyjë e kush jo në vendin e tij, por unë kam ngritur padi mbi shpifjet. Që ky vendim është politik e dëshmon edhe kërkesa publike e ambasadores Yuri Kim për mosfutjen time në Parlament, duke mos pasur asnjë fakt, provë apo dokument për t’iu paraqitur shqiptarëve, përveç kërcënimeve, që ka përdorur dikur Enver Hoxha. Shpreh besimin tim të plotë te paanësia e gjykatës. Mbi këtë planet nuk ekziston person në botë, që mund të ketë një provë, që të faktojë korrupsionin për Sali Berisha”, tha Berisha.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nuk ndryshon qëdrim dhe thotë se s’ka forcë në botë ta ndryshojë nga vendimi që ka marrë për të vijuar si pjesë e parlamentit në shtator.
Ai siguron se dhe Basha i ka kërkuar në takim ambasadores së SHBA, Yuri Kim të ketë transparencë mbi vendimin për shpalljen non-grata të Berishës dhe akuzës për korrupsion.
Duket se dhe sot Berisha nuk ka surprizuar duke sulmuar sërish ambasadoren amerikane, Yuri Kim të cilën e quan unike në botë pasi lavdëron masakrën zgjedhore dhe kërkon ti diktojë vendit kush hyn në parlament dhe kush jo.
Ai shton se nuk po i ofron shqiptarëve bar madje po bën gjithcka që po bën është që qytetarët mos hanë bar.
PYETJA: Çfarë vendimi prisni të marrë Basha lidhur me rolin tuaj?
BERISHA: Së pari, më lejoni të shpreh mendimin tim se ambasadorja Kim është unike në botë, si ambasadore që pasi ka lavdëruar të nesërmen një masakër zgjedhore, kërkon ti diktojë atij vend, këtij vendi se kush duhet dhe nuk duhet të futet në parlament.
Do më lejoni pak ta zhvilloj këtë koncept. Ajo në konceptin e saj, qëndrimine saj e lidhi me dogmën e barit. Jo rastësisht. Ajo është njeri i shkolluar mirë, ka lexuar. Edhe Enver Hoxhën, edhe Abraham Linkolnin, e Kim Jong Un. Në politikë lexon. Por një gjë ju them, për të gjithë ata para gjeneratës suaj, diktati dhe bari janë binom i pandarë.
Shqipëtarët e dinë mirë se në diktaturë kur njerëzit kishin deleguar diktatorit, ai u ofronte si rrugë shpëtimi për mbrojtjen e tij barin. Shqiptarët kanë ngrënë bar dhe kanë vdekur, kanë ngrënë mish të ngordhur dhe kanë vdekur. Sepse njeriu par avdekjes përpiqet të shpëtojë. Kjo ka ndodhur dikur edhe në Korenë e Veriut. Tani ndoshta s’ndodh se i ka dhënë disa parcela. Diktatura dhe bari janë të lidhura. Gjithçka unë po bëj, pikërisht është që shqiptarët mos hanë bar. Dhe rruga e vetme është transparenca, unë s’po ofroj bar, por transparencë.
Në këtë kontekst. Dua të them prap, qëllimi im nuk ka të bëjë, nuk mbrohem unë nga imuniteti, nuk mbrohet Sali Berisha nga sovraniteti, por nuk pranon nën diktat ti shkel ato. Ky është ndryshimi.
Rruga e vetme është transparenca. Kështu që, cilido jetë qëndrimi im, nuk ka forcë në botë përveç të gjithfuqishmit që mund të më pengojë mua pa ushtruar misionin tim të besuar nga zgjedhësit shqiptarë. Kjo është përfundimtare. Kryetari i PD në takimin me znj.Kim, ka kërkuar të njëjtën gjë. Ftoj çdo shqiptar të kërkojë të njëjtën gjë, transparencën. Por ata që ofrojnë barin kanë një problem madhor, kanë frikë nga e vërteta. Ata i tremben. Unë kam deklaruar se mbi vendim, një fakt të jepet, unë marr vendimet e mia. Unë qëndroj i vendos, ta dini mirë që nuk ka forcë në botë që mund të më imponojë mua përveç transparencës.Kushdo tjetër.
Sali Berisha ka zbuluar se çfarë ka kërkuar kreu i PD-së, Lulzim Basha në lidhje me shpalljen e ish-kryeministrit non-grata nga SHBA.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Basha ka kërkuar fakte dhe prova nga SHBA gjate takimit me ambasadoren Yuri Kim lidhur me këtë çështje, ndërsa shtoi se ai ndihet i keqardhur.
“Për rekordet kriminale, secili do që akuzon pa fakte bazë ka probleme madhore me karakterin. Kam qenë në një vend mik para pak vitesh dhe më priti kryetari i Parlamentit. Kryetari i parlamentit ishte black-lisutar si Sali Berisha. Jo vetëm ai, por edhe nja 9 apo 11 të tjerë. Të gjithë në përballje me Georg Soros. Ata vazhduan me sukses punën e tyre në parlament, i fituan dhe zgjedhjet më vonë. Administrata tjetër hoqi ato vendime të marra mbi bazën e shpifjeve dhe trillimeve. Por thashë edhe një herë. Ai drejtonte parlamentin, sigurisht i keqardhur. Nuk ka njeri që nuk ka keqardhje kur sheh të vijë një vendim nga një vend që admiron, pa asnjë bazë, pa asnjë fakt, asnjë dokument. Lulzim Basha ka kërkuar gjatë gjithë takimit, fakte, prova dhe dokumente”, tha ai.
Berisha theksoi se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këto pretendime, ndërsa shtoi se ai është në betejë me mjetin e vetëm; të vërtetën.
“S’kam asnjë informacion kundrejt. Në këtë betejë, unë kam mjet të vetëm të vërtetën, dhe po përpiqem ta bëjë pa kërkuar. Nuk kërkoj unë ndryshimin e vendimit, jo! Ai është i zoti i shtëpisë për këtë çështje, ka të drejtë se kush të hyjë dhe të mos hyjë në vendin e tij. Kjo është krejtësisht tjetër. Mendoj se çdo njeri që nuk ka deleguar arsyet tjetërkund ka detyrë qytetarëve që të kërkojë fakte dhe dokumente, prova. Mendoj se ata të cilët nuk bëjnë këtë, janë dhe kanë probleme me veten e tyre. keni parë një hordhi hajdutësh, delikuentesh, trafikantësh që vrapojnë në studiot televizive dhe thonë; euceka, eureca, se menduan se shpëtuan nga denoncimet e Berishës. Ka të tjerë që preferojnë të delegojnë, për zgjedhje fatkeqe. Ajko që kërkoj nga shqiptarët është; kërkoni një fakt, një provë, që nesër mos të hani bar. Mos t’ua kujtoj kush barin. Kjo do t’ju mbrojë, nuk mbron Sali Berishën.”, tha ai.
A i druhet tradhtisë nga kryetari i PD? Berisha beson te Basha: I është përgjigjur kërkesës së znj.Kim, e falenderoj dhe përgëzoj. Ambasadorja po sillet si guvernatore
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha shprehet i sigurt se Basha i ka kthyer përgjigjet të qartë kërkesës së ambasadores së SHBA, Yuri Kim.
Madje Berisha në konferencë e ka falenderuar publikisht Bashën dhe e ka përgëzuar për përgjigjen.
Sipas tij, Basha i ka kërkur znj.Kim fakte , dokumenta e prova për akuzat e SHBA mbi Sali Berishën për shpalljen ”non-grata”.
PYETJA: A i druhet Berisha një tradhëtie në PD?
BERISHA: Kryetari i PD i është përgjigjur kërkesës së znj.Kim, paraqisni fakte, dokumenta, prova. Kjo është një përgjigje që i ka dhënë znj.Kim. E falenderoj dhe e përgëzoj. Kjo është e vetmja kërkesë që unë kam.
Nuk kam kërkesë për ndryshim vendimi, por për shpifjen që është bazuar vendimi.
Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do të largohet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, për t’u futur në Parlament në shtator si deputet i pavarur.
Në përgjigjen e tij, Berisha la të kuptohej se një gjë e tillë nuk do të ndodhtë, teksa u shpreh se “Në Parlament do të futem ashtu siç më kanë votuar qytetarët shqiptarë. Të jemi të hapur, çdo vendimi, i cili në vend të transparencës zgjedh diktatin, unë do t’i kundërvihem me një aleancë me çdo demokrat e çdo shqiptar, në betejë përfundimtare kundër këtij regjimi. Këtë do ta bëj edhe në kuadrin e PD.
Unë kërkoj nga PD të mos angazhohet në këtë betejë. PD dhe cilido tjetër mendoj unë ka një detyrë, të kërkojë fakte, prova, dokumente. Ka dhe një detyrë tjetër, në mungesë të këtyre, të mos pranojë diktatin. Sepse diktati të çon te bari. Unë po mbroj disa parime që janë jetike të çdo qytetari të lirë. Po mbroj dinjitetin ç’është e vërteta”.
Më tej, Berisha deklaroi se nuk ka frikë nëse KQZ mund t’i heqë mandatin e deputetit, pasi sipas tij, ky institucion është i detyruar të zbatojë Kushtetutën. Mes të tjerash, Berisha u shpreh se “Nuk i druhem aspak faktit. KQZ është e detyruar të zbatojë Kushtetutën. Këtu Kushtetuta shkelet çdo ditë, siç është shkelur në rastin ku duket se e ka zemëruar shumë ambasadoren, ku unë kritikova marrëveshjen e Delina Ficos me Llagamin, një marrëveshje që shkel çdo ligj e Kushtetutën, që jep me koncesion dosjet gjyqësore, që përbëjnë sekret. Ka krijuar Delina një skuadër të tërë militantësh të PS, i paguan, dhe tani ata do të marrin në dorë 30-40 mijë dosje të Gjykatës së Lartë. Njerëz pa asnjë eksperiencë, pa asnjë lloj prove, që mund të heqin e vënë çdo dokument në ato dosje, që mund t’i sheshin e blejnë ato dosje sa herë duan, dhe sepse këtu duhet që Delina Fico, ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe ish-bashkëshortja e ministrit të Brendshëm, të krijojë një çorbë, që nuk ekziston në asnjë vend të planetit”.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar deklaratat e ambasadores amerikane, Yuri Kim, për një bashkëqeverisje të mundshme mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në shtator, duke thënë se kjo do të ishte drama më e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Berisha u shpreh kategorikisht kundër një bashkëpunimi të tillë, duke thënë se opozita është shpresë për përmbysjen e narkoshtetit dhe nuk mund të shndërrohet në levë të narkoshtetit.
“Kategorikisht kundër. Do të ishte drama më e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve që opozita, e cila është shpresë për përmbysjen e narkoshtetit, të shndërrohet në levë të narkoshtetit. Jam i bindur se janë shumë të paktë, ose ndoshta askush nga demokratë, që e duan, por bashkëpunimin që iu referua zonja Kim mund të jetë, por edhe jo, për bashkëqeverisje”, tha Berisha.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha thotë se PD duhet ti kërkojë ambasadores së SHBA të kërkojë ndjesë publikisht për deklaratën.
Berisha thotë se znj.Kim ende nuk ka kërkuar falje për deklaratën të cilën ai e konsideron si më skandalozen e 30 viteve të fundit nga një përfaqësues i huaj në Shqipëri.
Për Berishën, PD mbetet një parti pro-perëndimore dhe pro-amerikane e hapur për bashkëpunim me partnerët.
”PD është dhe mbetet e hapur si një parti pro-perëndimore, pro-amerikane. Qëndrimi, mendoj se deklarata që bëri ambasadorja në oborrin e PD është deklarata më skandaloze e 30 vitevetë fundit e një përfaqësuesit të huaj në Shqipëri. Me barin kuptohet. Kërcënimi që i bëri demokratëve dhe shqiptarëve, dhe unë po atë ditë i kërkova të kërkoj ndjesë.
Mirëpo s’ka ndodhur, nuk është vonë. Mendoj se PD do ti kërkojë znj. Kim të kërkojë ndjesë publikisht dhe pa asnjë diskutim ajo mbetet e hapur për bashkëpunim me gjithë partnerët. Bashkëpunimi do të thotë bashkëpunim.”- tha Berisha.
(BalkanWeb)
Komentet