Ajo po qëndronte më këmbë përpara shkallëve të Televizionit dhe, shkruante me ngut mbi një bllok të shkalafitur.
– Mirëmëngjes ! Çfarë po drithëron ashtu mbi letër, fjalë dashurie ?
– Përkundrazi , prozë të keqe. Po bëj një renditje të punëve të sotme. Këtu te ne, në Shqipëri, dita e Shën Valentinit, të kujton Tetë Marsin. Ja , provo të dalësh nëpër rrugë sot dhe, do t’i shohësh gratë grupe – grupe , të lyera dhe të zhgërryera që,pasi lodhin këmbët lart e poshtë, pasi hyjnë me radhë në të tërë dyqanet , zdërhallen më në fund në ndonjë piceri për të ngrënë një drekë të zhurmshme dhe të stërzgjatur.
– Ç’të bëjnë gratë e shkreta! Mesa duket, ato e kanë përvetësuar këtë festë të sapoimportuar më shpejt sesa disa burra të ashpër, për të cilët shoqërimi i bashkëshorteve në kësi ditësh dhe veçanërisht, dhurimi i luleve , konsiderohen një delikatesë e shpifur. Megjithatë , ngado që kalova gjersa mbërrita këtu , m’u përndezën ndër sy ngjyrat sensuale të luleve që shiteshin ndanë trotuareve . Dhe, ç’blinin! Të rinj dhe të moshuar. Kjo do të thotë se, ca burra si puna ime, që do t’i lija pa gojë të gjithë ata që do të më shihnin me një karafil në dorë për time shoqe, janë një racë në zhdukje.
– Ç’thua ? Mendja s’ta merr sa shumë ua ka qejfi grave të kapardisen para njera – tjetrës ; çanta të reja prerje e re flokësh, oh ! Do të bezdiseshin mjaft po t’i kishin edhe burrat nga mbrapa.Pale, ç’muhabete bëjnë!
– Mirë mirë, po ku do të xhironi sot ?
– E ku nuk do të xhirojmë ! Së pari përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, të mbushur me zemra plastike që kuqërrojnë e rrahin nëpër degët e pemëve ku i kanë varur, pastaj te Parku i Madh, ku vërshon tërë kryeqyteti dhe, së fundmi , te një burg,uf !
– Te një burg ?
– Po po; si përjetohet dita e Shën Valentinit te një burg shqiptar, si argëtohen, fjala vjen , me këtë rast, të dënuarit…
– O Zot i plotfuqishëm, i di ti këto ? Hehe ; po a është përgatitur ndonjë program i pasur artistik, apo, më së shumti, i kanë dhënë rëndësi takimit në dhomën intime të të burgosurve me gratë e tyre,apo edhe me dashnoret e tyre heroike,për të bërë një çikë seks festiv? Do të ketë lule, torta dhe menu të veçantë ?
– O, miku im ! Patjetër është përgatitur diçka, por se çfarë konkretisht , do ta mësojmë në vend. Megjithatë edhe këtë herë, patjetër do të kenë ftuar këngëtarë popullorë, ndonjë instrumentist virtuoz, apo edhe ndonjë aktor komik. Të burgosurit kanë nevojë të gëzojnë herë pas here, apo jo ?
– Pa dyshim. Dhe shih ç’ditë e bukur është ! Mimozat e diellta kanë çelur ngado…
– Eh, ç’të bësh,një farsë protokollare kjo,si edhe mjaft veprimtari të tjera në Shqipëri, sa për t’u mbushur mendjen atyre syleshëve të Komunitetit Europian se,te vendi i shqiponjave pa shqiponja,të drejtat e njeriut zbatohen me rigorozitet, madje edhe nëpër burgje…
– Mjaft, të lutem, sepse më përzihet, kur dëgjoj të tilla marifete të pambarueshme, megjithatë do të doja të vija me ju në burg. Vetëm në burg.
-Ke vendosur të vetëburgosesh ? O,ç’më bëre të qesh ! Hajde hajde,veçse më jep fjalën se, do të rrimë çdo herë bashkë…
Burgu më zymtoi në çast, sapo m’u shfaq përballë me betonin e ashpër gri si kërcënimi. Me të hyrë në atë mbyllësi, iu afrova një thurime vetëtitëse me tela dhe, duke u përqëndruar, i mëshova mollëzës së gishtit tregues mbi një gjemb tinëzar, duke dashur të ndiej dhembje, por jo gjersa të gjakosesha, sepse sigurisht që nuk kisha ndër mend ta ktheja mundimin fizik në një ushtrim dëlirësie për shpirtin . Nuk po hyja në një tempull adhurimi, përkundrazi, po hyja në ngrehinën e ca kriminelëve, (sidoqoftë më pak të fajshëm se politikanët ) të cilët, me anë të atij ritualit mëvetësor të ndjesisë së dhembjes, sikur desha t’i shoh me paqësi dhe me mirëkuptim. Fundja, unë nuk ndodhesha aty për të bërë një kronikë të thatë televizive, prandaj krejt në heshtje, mund të lutesha dhe të falesha për ata të burgosur edhe si një klerik dinjitoz…
O, Shën Valentini !
Ora shkoi njëmbëdhjetë dhe, ja në sheshin e lojërave, të qarkuar me mure të lartë, ia behu vetë ministri i Drejtësisë, duke na zënë të gjithëve tradhmend. Të burgosurit e ulur anëve të sheshit mbi ca biçim stolash të gjatë, u buzagazën tallshëm, kurse ne, dyzina e gazetarëve, u ngjeshëm rrëmujshëm në një qoshe. Sakaq u rreshtua artileria e kamerave , fotoaparateve dhe mikrofonave me qaforet e logove; gati gati gati . do të flasë ministri …
…ndonëse ju të gjithë keni kryer krime, ne prapëseprapë vijmë për t’ju parë, madje edhe në këtë ditë të dashurisë. Jua kemi përmirësuar së tepërmi kushtet e jetesës, këtu në burg dhe, asnjëherë nuk do t’ju harrojmë. Ja, gjykoni vetë; popullatës i mungon energjia elektrike, nganjëherë edhe dhjetë orë në ditë, kurse juve as edhe një sekondë të vetme, ashtu si edhe studentëve në atë qytezën e tyre. Popullatës i vjen uji nëpër çezma dy herë në ditë, kurse juve, përsëri ashtu si edhe studentëve,ju rrjedh ditë e natë.Sa do të dëshiroja të haja një vakt të shijshëm me ato gjellërat e kazanëve të kuzhinës suaj…
- Ç’është kjo praktikë e keqe kështu; të gjithë në këtë farë burgu erdhët dhe u plandosët ? – iu ktheva koleges sime – Këtë burg do të shohim sonte ?
- Lajmërojmë njeri tjetrin dhe, i biem shkurt , duke mos i shkaktuar vetes kokëçarje. Prit, prit; po flet edhe vëzhguesi europian,ai, që pi birrë dhe kollofit qofte skare nga mëngjesi në mbrëmje nëpër qebaptoret e pambarimta të Tiranës…
Ligjrata e tij makaronike nisi anglisht, pastaj vazhdoi në italisht, u përzie me ca fjalë serbisht dhe greqisht, kushedi përse, por së paku u mbyll me një urim në shqip…
O, Shën Valentini !
Dhe filloi sakaq veprimtaria e njëmendtë artistike ! Një këngëtare e bukur, i hodhi përpjetë njëherësh gjithë të burgosurit, sapo doli në shesh me një tyl që i vezullonte rrëshqitshëm mbi reçipetat dhe brekët e flakta.
Brohoria dhe fishkëllimat e tyre nuk shuheshin, ndonëse gardianët u jepnin urdhër prerazi që të mbanin qetësi.
- Ua, ua ; ç’bëhet kështu ! – u indinjua kolegia ime – ku pandeh se është kjo farë këngëtareje, në mjediset e ndonjë bordelloje ? Ika unë ika të bëj ca intervista me të burgosurit.
- Por mos e shpërfill as këtë këngetaren bujare ; hahaha …
Më zuri një dhembje koke e padurueshme , megjithatë i shihja e i shihja me vëmendje të burgosurit dhe, secilës fytyrë i ngjisja një prej atyre krimeve që dëgjoja pareshtur në mediet tona. Ata ishin të shëndoshë, madje si të enjtur, dhe të veshur me tuta, a thua se ishin sportistë, që do të dilnin në stërvitje .Por njeri nga ‘ta nuk gazmohej me të tjerët ; mbante dorën e djathtë përpara gojës si harmonikë, por kuptohej lehtësisht që kafshonte me nervozizëm thonjtë.Siç duket vuante nga onikofagjia, të cilën duhet ta kishte dhuratë nga vitet e burgut.
Kolegia ime, e përkapur nga ethet e punës, ishte futur mes radhëve të të burgosurve dhe po bënte intervista njera pas tjetrës, duke përqafuar çiltërsisht herë pas here ndonjerin prej tyre. Unë sigurisht që nuk i vajta pas, por ja, s’po ia shqisja sytë.
O , Shën Valentini …
Kur dolëm nga burgu,u rrasëm të gjithë rrëshqitshëm brenda në makinë,a thua se po na ndiqte ndokush me kallashnikov në dorë dhe, shfrymë sikur të kishim futur në munshkritë tona ajër të tepërt.
- E ? – iu ktheva koleges sime të shkathët,por ajo m’u duk e përhumbur dhe e mërzitur papritur, – Ç’ke,nuk të kanë ftuar për ndonjë drekë,me ç’rast të të bëjnë dhe një dhuratë surprizë ?
- Ah, është tjetër gjë, krejt tjetër gjë…
- Pa ta degjojmë !
- Ja , merre këtë copë letre dhe lexoje vetë.Shtrije pak me kujdes, sepse e bëra shuk nga nervozizmi.
- Shih ,shih …
- Ai që ma ngjeshi në dorë ishte një tip që kafshonte tërë kohës gishtat dhe, i shkëndijonin sytë, Më bëri përshtypje sapo e pashë dhe i thashë kameramanit t’i këpuste një plan .
- Po, po ; dale se po lexoj :…
… e dashura Suzi ! Je gazetarja më simpatike dhe më seksi e të gjithë televizioneve. Pas tre viteve, kur të jem liruar nga burgu , kam qejf ta bëjmë një herë bashkë…
Komentet