Si ka mundësi, që për nëntë vite rresht , të mos më qëllonte ta shihja qoftë edhe një herë të vetme në rrugë atë, të dashurën time të dikurshme, të cilën , megjithatë e kujtoja shpesh , ashtu shqetësueshëm por edhe me dëshirë,duke e përfytyruar veçse të bukur, me flokë të verdhë,që,kur rigonte shi,më këndellnin tek i vështroja,sepse rrëzëllinin mes asaj grisë përthithëse…
Mesa dija ajo vazhdonte të jetonte në Tiranë, në të njëjtin apartament, si dikur, por ja që, e thashë një herë, për nëntë vite rresht, nuk ishim përballur as në rrugë, as edhe në ndonjë supermarket , restorant, apo kafene, ku ne futemi përditë, madje as në shëtitjet përgjatë bregdetit të njelmët, të uikendeve dimërorë me diell të pjerrët dhe të largët…
Eh,por në kryeqytetin tonë,me trafik të lemerishëm dhe me dyndje banorësh të rinj nga të katër anët,që nguliten ngutshëm ku të munden,e me ca të tjerë, të cilët ikin nëpër botë e mungojnë për shumë kohë,sigurisht që,takimi i rastësishëm me të njohurit mund të ndodhë rrallë,në mos asftare…
Por çfarë bënte ajo, Klodi,të cilës në celularin tim, emrin që s’ia fshiva asnjëherë, e kisha të shënuar KLD, pa zanoret pra ? Me çfarë merrej tashmë,a ishte në punë gjëkundi , dhe mbi të gjitha ,a ishte lidhur me dikë ndërkohë, sepse kush e linte Klodin të binte në tokë?
Sa e çuditshme; edhe për bashkëshorten me të cilën mund të jesh divorcuar prej vitesh ,edhe për të dashurën e braktisur,bëhesh xheloz i marrë dhe i bezdisshsëm dhe, për pasojë,interesohesh , madje acaroshesh dhe rebelohesh për lidhjet e reja që ato mund të krijojnë, ashtu të pavarura siç janë.
Unë, nuk isha nga ata meshkuj që mbërrijnë gjer aty,megjithatë çdo ditë e më shumë, më rritej kureshtja tunduese, të shihja nga afër ndryshimet që kishin ndodhur larg syve të mi. Por ndieja edhe mall, mall të vërtetë, besoja , që më sillte në mendje pandarshmërisht fytyrën e saj të vagullt…
A mbahej ende Klodi,a ishte përsëri yll e bukur, aq sa njerëzit të heshtnin në rrugë dhe ta shihnin të përqëndruar dhe pa takt ? Sepse bukuria e një femre ka gjithmonë një aureolë hyjnore…
Apo, më në fund, ishte lëshuar edhe ajo dhe, syri i kaltër prej qielli , i qe shuar, teksa gjoksi i madh, krenarisht i përpjetë , i kishte rënë? O Zot, a i kishin filluar ato rrudhat tinëzare në fytyrë dhe në gushë ? Sepse, kur u shkëputëm nga njeri -tjetri ishte plot dyzetepesë vjeçe ! E pra, shpejt e shpejt, i binte të ishte pesëdhjetë e katër…
Por sot mundësitë për t’u mbajtur në formë,janë të pambarimta dhe të frytshme. Edhe fare pak po të përqëndrohem mund të përmend sa e sa emra femrash të moshës gjashtëdhjetëvjeçare,që mbahen për mrekulli,duke vazhduar të ndjekin trendin e modës, duke shkuar rregullisht në palestër dhe pishina,duke pasur dashnorë të fshehtë apo të deklaruar, por edhe duke i zënë gjumi të gazmuara, pas argëtimeve të ditës.të përfshira nga ideja e ngulitur se,po rinohen,nuk po plaken. Jo më kot lonxhëritë trallisëse venë e i blejnë veçse te butikët e Victoria’s Secret, ngaqë ende kanë se kujt t’ia tregojnë…
Po ku këto femra me para nëpër duar, dhe ku Klodi modeste, që nuk kishte pranuar kurrë të përfitonte abuzivisht nga bukuria e saj e rrallë. Dhe,isha i sigurt se,edhe sot e kësaj dite, jetonte varfërisht,mjaft që të mos përlyej,a thua se i kishte përvetësuar më së miri ca mësime fetare…
Klodi ishte dukur çdo herë më e re se moshataret e saja dhe e freskët si një lule e çelur gjithë dritë, thjesht nga gjeni i saj, me vitalitet të programuar.
Por do ta takoja , do ta takoja se s’bën…
Aq shumë sa ç’e kishim dashur ne njeri – tjetrin, aq shumë sa ç’ishim përbetuar për të mos u ndarë kurrë (eh!) në këtë botë e përtej saj, aq shumë çaste lumturie të paharrueshme që kishim kaluar së bashku,kudo nëpër plazhe, nëpër restorante dhe hotele,brenda dhe jashtë Shqipërisë, nuk kisha përse të hezitoja t’i bëja një thirrje. Duke shpresuar se Klodi nuk do ta kishte ndryshuar numrin e celularit, ngaqë ishte e qëndrueshme në çdo gjë, hyra në një kafene dhe, me të zënë vend,ia gjeta emrin e shkurtuar, gati të koduar dhe, e nisa thirrjen; të dilte ku të dilte…
O Zot, ishte pikërisht Klodi,gjallërisht Klodi ! Vërtet s’e paskësh ndryshuar numrin .Mendo ca e ca e ndryshojnë edhe dy tri herë brenda vitit. Por përse habitesha aq shumë; a s’isha edhe unë si Klodi , a s’kisha edhe unë po atë numër që e vendosa që kur bleva celularin e parë, dhjetë vjet të shkuara ?
Por emrin tim, mesa duket, Klodi do ta kishte fshirë qyshkur në inat e sipër ndaj meje , përderisa nuk i doli dhe pyeti , kush je…
- Alo, kisha ca numra të hershëm në celularin tim ,pa emrat përkatës, të cilët gjithsesi nuk desha t’i prish,pa mësuar më parë se të kujt ishin dhe,në më nevojiteshin t’i ruaja ende,apo t’i hiqja. Unë jam Ed Fregeni; pra , mos pandehni se po vras kohën – ia këputa në tym, duke u shtirur sikur s’e njoha në cast,por sa mirë që s’m’u drodh zëri.
- Kush, Fregi ? !Po a e di ti se, po flet me Klodin ?
- Ah Klod ! Nuk më dukesh aspak e huaj dhe e pakapshme. U zhdukën në çast nëntë vitet e ndarjes që kishim në mes. Pale, m’u drejtove me Fregi, si dikur; ah , zemra ime…
- Mos i zër më në gojë ato vitet e ndarjes, të lutem !
- Nuk do t’i zë .Do të pijmë një kafe , Klod ?Patjetër në njerin nga ato lokalet , ku venim shpesh, që të mund të rimiqësohemi menjëherë. Pijmë një kafe për të qenë dhe më pas hidhemi dhe hamë një drekë diku, por ç’diku; shkojmë te Leopardi, në Golem!
- Po, i dashuri im, që s’e ke thënë kurrë një llaf të keq për mua. Ky qëndrim vlerësohet së tepërmi sot, po të kesh parasysh sesa të poshtër janë bërë njerëzit . Nesër do të marr unë në celular, dakord ?
- Do të durojmë gjer nesër në mëngjes , u pa puna.Mezi pres sa të të shoh dhe, të të puth me afsh…
Tetë vite më i madh se Klodi,edhe mua më nevojitej të tregohesha i kujdesshëm në paraqitje. Por,ashtu me flokët e prerë shkurt dhe,duke iu shmangur me këmbëngulje veshjeve demode për të ruajtur gjithmonë një sens sportiv, nuk e kisha cënuar asnjëherë identitetin tim prej kryeqytetasi. Hëm, kështu mendoja unë për veten,por Klodit ndoashta do t’i ngjaja me një birbo fshati,që zbret në Tiranë i ekzaltuar dhe fodull.
Por nesër,nesër…
Nuk më kishte ndodhur më parë t’i isha kthyer një dashurie të humbur dhe të prishur, pra, nuk kisha kurrfarë përvoje vetjake, por nga sa kisha dëgjuar dhe kisha lexuar,por edhe nga sa hamendësoja,këto lidhje të përsëdytura, nuk para funksiononin , madje se ç’të linin një shije të shpifur…
Dhe ja e nesërmja u bë e sotmja,por aty nga ora njëmbëdhjetë,e humba durimin, sakaq edhe shpresën se, Klodi do të më thërriste por, pikërisht atëherë, kur po turfulloja i nervozuar , ra zilja e celularit dhe n’ekranin e tij, së bashku me numrin, u shfaqën edhe tri shkronjat KLD.Por sa ashpërsisht shqiptohen bashkëtingëlloret pa zanoret në mes…
- Freg,më njëmbëdhjetë e gjysmë, të pres te Kafe Bardh e Zi…
- Po, zemra ime…
Koha ishte shumë e bukur , gështenjat e egra sapo i kishin fryrë sythet dhe, tiranasit, të etur për pak rreze të ngrohta dielli, i kishin zaptuar të gjitha tryezat e sëritura ndanë trotuarit, por Klodi, që ia pashë flokët e artë përmes derës së qelqtë të kafenesë, kishte preferuar të zinte një vend brenda , duke ia kthyer shpinën hyrjes ; përse ? Që kur të vija unë në kafene, të mos më pikaste drejtpërdrejt që tutje dhe të ngarkohej me emnocion? Ndoshta, por edhe mua më pëlqeu shpina e saj. Kishte shumë intrigë…
Hapa derën dhe hyra me vrull n’atë lokal të zbrazët dhe të mugët .Klodi që më ndjeu , apo që më pa tek iu shfaqa virtualisht si fantazmë te pasqyrat që kishte përballë, m’u hodh përsipër, duke më puthur në buzë.
Kur u shkëputëm,filluam të vëzhgonim njeri – tjetrin me vëmendje dhe, unë vura re se, e dashura ime ishte rrudhur paksa përreth syve melankolikë dhe në gushën e qarkuar me ca ruaza që feksnin mekshëm. Gjithashtu edhe flokët e kishin humbur volumin dhe të kujtonin ato kallëzat e grurit kur shemben.Por më shumë se ato pak rrudha dhe flokët e rrafshët, që gjithsesi e prisja t’i shihja, më bëri përshtypje keqardhëse bluza e saj e mbyllur gjer në grykë.Që kur e njihja unë atë femër, e kisha parë përgjithmonë veçse me dekolte, madje të tepruar, qoftë në verë, qoftë në dimër. Atëherë, çfarë ishte ajo bluzë ashtu ? Eh, nuk desha të thellohesha për të gjetur shkakun e heqjes dorë nga dekolteja e shumëpërfolur e Klodit, sepse sidoqoftë, ajo edhe me atë bluzë të mbyllur, dukej e hijshme dhe tërheqëse.
Zura vend fare pranë saj dhe ia kapa duart dhe ia putha ngjitshëm.
- Si je shpirti im ? Ja, jemi përsëri bashkë; kaq papritur dhe kaq lehtësisht.
- ..
- Më thuaj çfarë nuk di për ty, më thuaj si ia ke kaluar ?
- Kam pasur shumë telashe, por ç’t’i përmendim; do të mërzitesha shumë , por do të mërzisja edhe ty.Ah, sa e marrë jam, sa fajtore , pale sa kryeneçe! E si mund të ndahen njerëzit për së gjalli në këtë botë, si mund t’i humbin ata që i duan dhe i mbështesin ?
- Ç’thua ? Sa mirë më vjen që ke mbetur ende e bukur e bukur.Klod, erdhi një çast, kur nuk duroja dot më pa të parë. Sidomos , kërkoja sytë, sytë e tu që më shihnin , por që sakaq edhe më përvidheshin …
- Mbete miku im më i mirë; asnjëherë nuk të zëvendësova dot me një tjetër. Ndoshta jam treguar edhe e pazonja për t’u rindezur me një dashuri të re plot andralla të paparashikueshme, por ti e di si jam unë ; i them gjërat troç, pa pyetur për reagimin që shkaktojnë te tjetri. S’prek dot me dorë njeri po s’e desha !
- Asqë prisja të kishe ndryshuar .
- Në këtë moshë s’bëhet fjalë për ndryshime të karakterit. Ti,sa herë më ke zëvendësuar ? Kot të pyes,sa për muhabet,sepse s’jemi të detyruar të japim të tilla llogari.
- E ku zëvendësohesh ti !
- Ah, ç’përgjigje e dhelpërt,përmes një koplimenti të nënkuptuar !
Ajo zbërtheu pardysynë ngjyrë luleshege dhe tek i kaloi këmbët njera mbi tjetrën, vura re se kishte veshur minifund dhe një palë geta – rrjetë. Të paktën , thashë me vete,nga minifundi dhe getat – rrjetë i preferoka ende.
Desha t’ia kaloj dorën gjer lart, midis kofshëve, por u përmbajta në kohë, duke arsyetuar se,për momentin do të ishte një gjest banal dhe,ndoshta Klodi do të fyej nga përdhosja e asaj një çike fisnikërie të takimit tonë…
- A po punon gjëkundi Klod ?
- Oh, kam pesë vite që nuk punoj dhe nuk marr asnjë rrogë.Sot parapëlqejnë çupëlinat, ca fyryfyçka, që kanë një diplomë, por që nuk kanë ndjekur një herë të vetme një leksion gjer në fund.Në vend të auditoreve këmbët i kanë çuar gjithmonë te kafenetë rrotull oborreve të fakulteteve.
- Po Klod! Veçse ty kurrkush nuk të beson se rron pa asnjë të ardhur, të paktën të drejtpërdrejtë. Kaq mirë sa ç’mbahesh ti…
- Posi, posi. Rroj nën një çati me motrat dhe time më, përndryshe…
- Si s’u zgjove një herë Klod, si nuk shpërtheve dhe të më kërkoje?! Ti asqë dyshon që unë do të të përgjigjesha në vend!
- Ah, për sa gjera mund ta qortoj veten; prapë ta them këtë ? Një lëng të freskët portokalli , të lutem dhe një kafe – iu kthye më pas kamerierit që u avit.
- Mua një fërnet dhe një kafe; faleminderit .
- Kam një Ford të vogël që tashmë e ndez dhe e ngas shumë rrallë, kuptohet, por kur punoja te Spring TV, kur kisha para, me një fjalë, aqsa të jetoja si njeri, lëvizja çdo ditë me të lart e poshtë dhe, një mëngjes me shi të rrëmbyeshëm dhe me erë, m’u përhite ti ,te xhami anësor tek po ecje i përkulur me kapuç në kokë. Trafiku ishte i katrahurshëm dhe as ndaloja dot dhe, as kthehesha dot mbrapsht, që të të mbërrija.U trondita atë mëngjes dhe më rrahu zemra goditshëm, kur të pashë papritmas dhe mirë që s’bëra karambol! Po ta dija që më doje ende, që s’më përbuzje pra dhe , s’më shpërfillje, çnuk do të kisha bërë të të vihesha pas dhe të të mbërrija ! Do të dilja nga makina dhe do ta lija të fikur aty në mes të rrugës…
- Sa inat po më vjen që nuk ndodhi kështu nën atë shi!
E putha , por u pikëllova që s’ndjeva aromën e parfumit Chanel ,pa të cilin Klodi asqë përfytyrohej. Sa keq; një femër pa parfumin e saj sensual ! Ç’parfum; ajo kushedi si ia dilte edhe për të ngrënë një copë bukë! Por s’dukej , s’dukej në pikë të hallit.
- Do t’i hedhim benzinë plot e përplot Fordit tënd dhe , do ta ndalim vrullin ku të na teket, Klod, hë ? Kemi kaq shumë nevojë për dalldi dhe shkreptima; na mpiu rutina !
Ajo buzëqeshi trishtueshëm dhe, unë nuk e zgjata më.
- Freg, – dhe më pickoi drithshëm në krah, siç bënte shpesh dikur – më duhet të iki. S’rrimë dot sot aqsa na e ka qejfi. Më presin motrat për të kryer një punë që nuk mban më.
- Epo Klod; do të takohemi përsëri shumë shpejt, apo jo ? Nesër…
- Do të të marr unë në celular në çdo rast , pra jo ti, sepse, si të ta shpjegoj…- u nëpërdhëmb dhe buzëqeshi përsëri trishtueshëm. Ju siguroj se ky trishtim , i shprehur përmes buzëqeshjes, s’kishte si bëhej më i thellë…
- Merr kur të duash, Klod, veç mos harro ; hahaha !
- Ti e di që unë e mbaj fjalën.
- Po , madje si asnjë femër tjetër. Dale; – dhe i rrasa në dorë një shuk lekësh të cilat unë vazhdoj t’i mbaj dënueshëm pa portofol ,drejt e në xhep – s’patëm kohë sot të blinim gjësendi, por ti e di vetë çfarë të blesh; një parfum apo…
- Ç’bën Freg ! Ah , por ty çfarë s’të kam pranuar unë. Por si s’të qerasa një herë të vetme!
- Nuk do të më qerasësh dot. Nuk do të të lë unë.
- Pa para më gjete kur u njohëm , pa para më gjete edhe sot, ah…
- S’ka më të pasur se ty Klod; kaq e bukur sa ç’je ti…
U puthëm këtë herë përjashta dhe u ndamë pa e zgjatur…
Ç’u bë Klodi, vallë, ku humbi ? Kaloi një javë e tërë dhe, ajo nuk po më merrte në celular. Si të veproja, të duroja edhe ca, apo ta merrja vetë , pavarësisht se më porositi prerazi se, do të më thërriste e para veçse ajo ?
Sidoqoftë, kur të kalonin nja dy javë do ta merrja vetë i pari, nëse Klodi nuk do kujtohej, përndryshe , ç’kuptim do të kishte ajo thyerja trillane e akullit, siç do të quhej takimi ynë në letërsinë masive?
… Klodi nuk më telefonoi as pas dy javësh dhe, as pas një muaji. Gjithashtu, as unë nuk e prisha marëveshjen ; nuk i telefonova . Po çfarë rëndësie kanë kësi marrëveshjesh në raste të tilla ? Si kështu; u pamë një herë të vetme sa për të shuar kureshtjen tunduese, dhe kaq ?
… Nuk më kishte qëlluar tjetër herë t’i kthehesha një dashurie të humbur; për rrjedhojë, më mungonte përvoja vetjake,por ngasa kisha dëgjuar dhe kisha lexuar, por edhe mesa hamendësoja, këto lidhje të përsëdytura, nuk para funksiononin , madje se ç’të linin një shije të shpifur…
Komentet