VOAL

VOAL

Deklarata publike e LQShA: i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të ndreq historinë e rrejshme të paraqitur në pllakën për Senatorin Bob Dole

September 7, 2020

Komentet

UGSHPD interviston pianisten, pedagogen dhe aktivisten e njohur në SHBA Dr.Elida Dakoli: Nuk mund të ketë demokraci të shëndetshme pa kujtesë historike

UGSHPD interviston Dr.Elida Dakoli, që jeton e punon në SHBA. Ajo është pianiste me emër, pedagoge, autore librash, sipërmarrëse dhe aktiviste e njohur qytetare që posa është zgjedhur në bordin administrativ të VOC, Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit, The Victims of Communism Memorial Foundation, me qendër në Washington D.C, një organizatë jofitimprurëse edukuese për të drejtat e njeriut, që i është dedikuar përkujtimit të më shumë se 100 milionë njerëzve të vrarë nga regjimet komuniste dhe edukimit të publikut mbi historinë e Marksizmit dhe totalitarizmit. Presidenti Bill Clinton nënshkroi ligjin për themelimin e Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit më 17 dhjetor 1993, i cili u miratua unanimisht nga Kongresi i SHBA-së si Ligji Publik 103-199 (Seksioni 905).

Dr. Elida Dakoli është një pianiste koncertesh, pegagoge, autore, edukatore, sipërmarrëse dhe aktiviste qytetare, puna e së cilës lidh përsosmërinë artistike, arsimin dhe ndërgjegjen historike. Karriera e saj pasqyron një angazhim të vazhdueshëm ndaj përgjegjësisë kulturore dhe peshës morale që artet mund të mbajnë në jetën publike.

Në vitin 2023, Qyteti i Durrsit, Shqipëri, e nderoi atë si Ambasadore të Qytetit. Ky përcaktim njohu përfaqësimin ndërkombëtar që ajo i bën kulturës shqiptare, punën e saj në arsimi dhe edukim si dhe aktivizmin e saj në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo shërben në Bordin e Administratorëve të Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, VOC. Dëshmia e saj para Legjislaturës së Teksasit kontribuoi në krijimin e Ditës së Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Teksas. Aktivizmi i saj shtrihet në iniciativat e drejtësisë tranzicionale të mbështetura nga BE në Shqipëri, duke dokumentuar varret masive të epokës komuniste dhe duke avancuar përballjen publike me të kaluarën.

Dr. Dakoli ka patur një vend qendror në panele në Qendrën Presidenciale George W. Bush, Shkollën e Lidershipit Qytetar të Universitetit të Teksasit në Austin dhe konferenca akademike amerikane mbi autoritarizmin dhe rezistencën demokratike. Ajo është prezantuar nga BBC, Zëri i Amerikës dhe Euronews. Intervista e saj në BBC dhe Zëri i Amerikës mbi gjetjen e varreve masive të të burgosurve politikë shqiptarë u transmetua në më shumë se dyzet gjuhë. Në vitin 2024, ajo u zgjodh Personi i Vitit nga Marquis Who’s Who* për kontributet e saj në muzikë, arsim dhe të drejtat e njeriut.

Ajo është themeluese e Institutit DFW për Përparimin Muzikor (DIMA), një institut gjithëpërfshirës muzike dhe lidershipi që u shërben më shumë se 500 studentëve çdo vit në 15 shkolla në zonën e Dallasit, me një fakultet prej 25 instruktorësh dhe një sezon me më shumë se 70 shfaqje çdo vit. Në vitin 2025, ajo themeloi Inspired Sounds, një organizatë jofitimprurëse që ofron udhëzime falas për muzikë dhe lidership për refugjatët dhe të rinjtë në nevojë. Ajo ka shërbyer si Profesoreshë e Sipërmarrjes në Arte në Universitetin Baptist të Dallasit, ku ka hartuar dhe lançuar kurrikulën e sipërmarrjes në arte të universitetit. Ajo është një këshilltare e kërkuar për doktoraturë në sipërmarrjen në muzikë dhe arte dhe punon me kandidatë në universitete në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj.

Si pianiste koncertesh, Dr. Dakoli ka performuar në Carnegie Hall në Nju Jork, Brahms-Saal në Vjenë dhe në skena koncertesh në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Ajo ka një Doktoraturë të Arteve Muzikore në Interpretim Pianoje nga Universiteti Shtetëror i Luizianës, një Master në Muzikë nga Universiteti Baylor dhe një Bachelor në Pedagogji Pianoje nga Universiteti i Muzikës në Tiranë. Disertacioni i saj i doktoraturës ishte libri i saj i parë : Aleksandër Peçi: Muzika Shqiptare Para dhe Pas Perdes së Hekurt (Academica Press, 2018), një shqyrtim shkencor i krijimit artistik nën sundimin totalitar.

Dr. Dakoli lindi në Durrës, Shqipëri, në vitet e fundit të sistemit të mbyllur komunist të vendit. Stërgjyshi i saj, Hysen Myshketa, ishte një avokat i hershëm i demokracisë në Shqipëri, i cili u vra gjatë ngritjes së regjimit. Gjyshi i saj, Sadik Dakoli, një figurë e respektuar qytetare dhe biznesi, u arrestua nga regjimi dhe vdiq në paraburgim. Këto histori formësojnë perspektivën dhe punën e saj.

Në nëntor 2026 del në qarkullim libri i saj: Beneath the Silence: The Names a Regime Tried to Erase, Nën Heshtjen: Emrat që një Regjim u përpoq t’i fshinte, nga Post Hill Press dhe do të shpërndahen nga Simon & Schuster. Libri ndjek gjurmët e re brezave të përvojës së familjes së saj nën komunizëm dhe rrëfimet personale dhe historike që kanë mbetur kryesisht të pathëna.

Dr. Dakoli flet rrjedhshëm anglisht, shqip dhe italisht, dhe lexon frëngjisht dhe spanjisht. Ajo përfaqësohet për angazhimet e saj si folëse nga Folësit e GDA-së** dhe jeton në Dallas, Teksas.

*Marquis Who’s Who është një kompani e famshme amerikane, e cila prej 1899 publikon biografi të personaliteteve nga e gjithë bota.

**Termi GDA Speakers i referohet kryesisht agjencisë së njohur botërore të folësve GDA Speakers (Gail Davis & Associates), një zyre të udhëhequr nga gra si oratore dhe liderët të mendimit me seli në Dallas, Teksas.

INTERVISTA

Pyetjet e Alba Kepit

Alba Kepi:- Cili është prioriteti juaj kryesor si anëtare e bordit të Fondacionit të Memorialit të Viktimave të Komunizmit? Çfarë ndikimi konkret synoni të sillni në punën e fondacionit?

Elida Dakoli:- Prioriteti im kryesor është që kujtesa historike të mos mbetet thjesht një çështje përkujtimore, por të kthehet në edukim, ndërgjegjësim dhe përgjegjësi publike. Për mua, Fondacioni i Viktimave të Komunizmit nuk ka si mision vetëm të nderojë të shkuarën, por të mbrojë të ardhmen, duke u treguar brezave të rinj se çfarë ndodh kur shteti shkel lirinë, dinjitetin njerëzor, pronën, besimin dhe të vërtetën.

Duke qenë vetë e rritur në një familje të goditur drejtpërdrejt nga diktatura komuniste në Shqipëri, unë e shoh këtë angazhim jo vetëm si detyrë institucionale, por edhe si detyrim moral. Familja ime ka paguar një çmim të rëndë: kemi pasur të të vrarë, të burgosur, të zhdukur, dhe mbi të gjitha kemi jetuar me peshën e heshtjes që komunizmi imponon mbi familjet për dekada të tëra.

Ndikimi konkret që dua të sjell në bord është në disa drejtime. Së pari, dua të ndihmoj që zëri i Shqipërisë të jetë më i pranishëm në diskursin ndërkombëtar mbi krimet e komunizmit. Shqipëria ishte një nga regjimet më të egra dhe më të izoluara të Europës, por shpesh nuk njihet sa duhet jashtë vendit. Së dyti, dua të shtyj përpara programe arsimore dhe kulturore që i flasin brezit të ri në një gjuhë të kuptueshme, jo vetëm përmes statistikave, por përmes historive njerëzore, artit, letërsisë dhe dëshmive familjare. Dhe së treti, dua të forcoj lidhjen mes kujtesës historike dhe çështjeve të sotme të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, sepse komunizmi nuk është vetëm një kapitull i mbyllur i historisë. Pasojat e tij jetojnë ende në kulturën politike, në institucionet, në frikën, në heshtjen dhe në mungesën e drejtësisë që shumë shoqëri postkomuniste vazhdojnë të mbartin.

Alba Kepi: –Ju posa keni botuar librin tuaj “Beneath the Silence” nga Simon & Schuster. Libri ka karakter autobiografik. A mund të na thoni diçka më hollësisht?

Elida Dakoli:-Po, libri im Beneath the Silence është thellësisht personal dhe ka një bazë autobiografike, por në të njëjtën kohë ai shkon përtej historisë sime personale. Është historia e familjes sime, e tre brezave të goditur nga komunizmi në Shqipëri, por është edhe një reflektim mbi atë që diktatura u bën familjeve, fëmijëve, kujtesës dhe vetë identitetit njerëzor.

Unë kam lindur në Durrës, në një familje që e ka përjetuar persekutimin në mënyrën të drejtpërdrejtë. Nga njëra anë kam historinë e stërgjyshit tim, Hysen Myshketa, një figurë e njohur e jetës publike shqiptare, i vrarë në vitin 1943. Nga ana tjetër, kam historinë e familjes së babait tim, e gjyshit tim te dashur Sadik Dakoli, me burgime, humbje, zhdukje dhe damkën e “biografisë së keqe”, që në Shqipërinë komuniste ishte një dënim i heshtur, por i përditshëm. Famijet e tij dhe gjyshja nuk paten kurre nje varr per t’a qare. Edhe fëmijëria ime u formua nga kjo klimë. Unë e nisa muzikën në një kohë kur ëndrrat e një fëmije përcaktoheshin nga biografia e familjes. Kam luajtur në një piano prej letre para se të më lejohej të studioja ne një të vërtetë, dhe kjo për mua është një metaforë e fortë e asaj që ishte komunizmi: një sistem që përpiqej të kontrollonte jo vetëm jetën, por edhe imagjinatën.

Ky libër nuk është shkruar për të rikthyer dhimbjen si viktimizim, por për të dëshmuar se çfarë ndodh kur një regjim përpiqet të fshijë emra, histori, kujtesë dhe mundësi. Është një libër për mbijetesën, për familjen, për lirinë, për besimin, për dinjitetin, dhe për mënyrën se si arti, kujtesa dhe e vërteta mund të bëhen një formë rezistence. Për mua ishte e rëndësishme që kjo histori të mos mbetej vetëm brenda mureve të familjes sime, por të dilte në dritë si pjesë e një historie më të madhe njerëzore.

 

Pyetjet e Ardian Murrajt


Ardian Murraj:- Sa shpesh e vizitoni Durrësin dhe Shqipërinë, dhe cila është mbresa juaj për ndryshimet krahasuar me kohën kur jeni larguar? Gjithashtu, a mendoni se ideologjia komuniste vazhdon të shfaqet në forma të ndryshme në Shqipëri dhe më gjerë?

Elida Dakoli:-Unë kthehem në Shqipëri rregullisht dhe Durrësi mbetet për mua një vend me ngarkesë shumë të thellë emocionale. Është qyteti ku linda, ku u formuan kujtimet e para të jetës sime, ku filloi marrëdhënia ime me muzikën, por edhe ku familja ime mbarti peshën e historisë së vet. Çdo kthim është një përzierje emocionesh: nga njëra anë ka mall, rrënjë, kujtesë, njerëz që i dua dhe vende që më formuan; nga ana tjetër, ka edhe një ndjenjë përgjegjësie, sepse kthehem gjithmonë me pyetjen se sa kemi arritur vërtet të përballemi me të shkuarën tonë.

Shqipëria ka ndryshuar shumë në pamje, në ritëm, në mundësi, në hapje me botën. Kjo është e pamohueshme. Por unë mendoj se sfida e madhe nuk është vetëm modernizimi i fasadës, por pjekuria e brendshme e shoqërisë për t’u përballur me të vërtetat e veta. Diktatura nuk lë pas vetëm varfëri materiale; ajo lë frikë, heshtje, deformim të moralit publik, mungesë besimi te institucioni, relativizim të së vërtetës dhe një prirje për t’u përshtatur me padrejtësinë. Këto janë plagë që zgjasin më shumë se regjimi vetë.

Sa i përket ideologjisë, unë mendoj se komunizmi nuk rikthehet domosdoshmërisht gjithmonë me të njëjtat simbole, por mund të rikthehet me të njëjtat impulse: me përçmimin ndaj pronës, me armiqësinë ndaj lirisë individuale, me kontrollin e mendimit, me justifikimin e shtetit të pakufizuar, me normalizimin e censurës dhe me urrejtjen ndaj kujtesës historike. Kjo është arsyeja pse biseda për komunizmin nuk është thjesht një bisedë për të shkuarën shqiptare, por për një rrezik universal që mund të marrë forma të reja në shoqëri të ndryshme.

Ardian Murraj:-Çfarë vendi zë problematika e Shqipërisë në VOC dhe sa është përcjellë në media? Cila duhet të jetë strategjia?

Elida Dakoli:-Shqipëria duhet të ketë një vend shumë më të dukshëm në narrativën ndërkombëtare për krimet e komunizmit sesa ka pasur deri më sot. Në Victims of Communism Foundation, ekziston një vetëdije për faktin se Shqipëria ka qenë një nga diktaturat më represive të Europës, por unë besoj se ka ende shumë punë për ta bërë historinë shqiptare më të njohur në SHBA, në botën anglisht folëse dhe më gjerë.

Një pjesë e sfidës është se Shqipëria, për shkak të madhësisë së saj dhe izolimit të gjatë, shpesh ka mbetur në periferi të vëmendjes ndërkombëtare, edhe pse ajo që ndodhi aty ishte ekstremisht e rëndë. Pikërisht këtu mendoj se duhet të jetë strategjia: më shumë dokumentim, më shumë përkthim të dëshmive dhe historive shqiptare në anglisht, më shumë përfshirje të studiuesve, artistëve, të mbijetuarve dhe familjeve shqiptare në programet publike, në muze, në panele, në tekstet edukative dhe në platformat mediatike.

Një strategji serioze duhet të ketë tre shtylla. E para, edukimin e brezit të ri, sepse një shoqëri që nuk i mëson fëmijët e saj se çfarë ka ndodhur, i lë ata të pambrojtur ndaj manipulimit. E dyta, arkivimin dhe dokumentimin, sepse pa fakte, emra dhe dëshmi, e vërteta dobësohet. Dhe e treta, ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, në mënyrë që historia jonë të mos mbetet një histori e vogël lokale, por të kuptohet si pjesë e historisë së madhe të shekullit XX dhe e betejës së sotme për liri dhe dinjitet njerëzor.

 

Pyetjet e Artan Kutrës

Artan Kutra: -Ju keni analizuar cenimin e të drejtave të njeriut gjatë diktaturës komuniste. Po sot, si e vlerësoni respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri? Cilat janë fushat që duhet të përmirësohen?

Elida Dakoli:-Sot Shqipëria nuk është Shqipëria e diktaturës dhe kjo duhet thënë qartë. Ne jetojmë në një sistem pluralist, me liri që në komunizëm ishin të paimagjinueshme. Por kjo nuk do të thotë se çështja e të drejtave të njeriut është e mbyllur. Përkundrazi, respektimi i të drejtave të njeriut duhet parë jo vetëm si mungesë e burgjeve politike, por si cilësi e shtetit ligjor, e drejtësisë, e meritokracisë, e lirisë së shprehjes, e barazisë para ligjit dhe e dinjitetit të qytetarit.

Mendoj se Shqipëria ka tepër nevojë për përmirësim në disa fusha themelore. Së pari, te besimi te drejtësia dhe pavarësia e institucioneve. Së dyti, te lufta kundër korrupsionit dhe klientelizmit, sepse kur institucionet kapen nga interesa të ngushta, qytetari i zakonshëm humbet mbrojtjen. Së treti, te trajtimi serioz i së shkuarës komuniste, sepse mosndëshkimi moral dhe institucional i krimeve të djeshme krijon kulturën e pandëshkueshmërisë së sotme. Dhe së katërti, te krijimi i një klime ku të rinjtë të ndihen se mund të ndërtojnë një të ardhme me dinjitet në vendin e tyre.

Për mua, respektimi i të drejtave të njeriut nuk është vetëm çështje ligjesh. Është çështje kulture shtetërore dhe morale publike. Është mënyra si trajtohet e vërteta, si trajtohet qytetari, si trajtohet kujtesa, si trajtohet ai që mendon ndryshe.

Artan Kutra: Largimi me ritme të larta i shqiptarëve në emigracion a mund të dëmtojë memorien historike kombëtare?

Elida Dakoli:Po, nëse nuk ndërtojmë me vetëdije mekanizma për ruajtjen e kujtesës, rreziku është real. Kur brezat largohen, kur fëmijët rriten jashtë, kur historia mbetet vetëm në bisedat e gjyshërve dhe nuk hyn në libra, në shkolla, në kulturë publike, atëherë kujtesa fillon të dobësohet.

Por unë e shoh diasporën edhe si mundësi. Diaspora shqiptare mund të bëhet një forcë shumë e madhe për ta ruajtur dhe ndërkombëtarizuar memorien tonë. Vetë libri im është një përpjekje në këtë drejtim: ta çoj historinë shqiptare përtej kufijve dhe ta vendos në një bisedë më të gjerë për lirinë, diktaturën dhe dinjitetin njerëzor.

.

Pyetjet e Skënder Buçpapajt

Skënder Buçpapaj: Ju vini nga e njëjta shtresë e të deklasuarve nga vjen edhe Lea Ypi. A i keni lexuar librat e saj dhe a mendoni se marksizmi mund të jetë sot një vizion bashkëkohor që ia vlen të përqafohet?

Elida Dakoli:E njoh debatin që kanë hapur shkrimet e Lea Ypit dhe pikërisht kjo më shqetëson thellë. Unë jam e alarmuar nga mënyra se si marksizmi po ripaketohet për brezat e rinj si një ide elegante, intelektuale apo madje humane, ndërkohë që historia e Europës Lindore, e Shqipërisë dhe e miliona familjeve dëshmon të kundërtën.

Unë vij nga një familje që nuk e ka njohur marksizmin si teori seminari, por si realitet dhune. E ka njohur si vrasje, burg, frikë, humbje të pronës, humbje të së drejtës për arsim, për dinjitet, për të ardhme. Prandaj për mua është tronditëse kur shoh se si një ideologji që ka lënë pas aq shumë viktima, trajtohet sërish me butësi, me romantizëm apo me një lloj nostalgjie të rafinuar akademike.

Marksizmi nuk është thjesht një tekst filozofik që mund të ndahet pastër nga pasojat e veta historike. Kur ai është bërë pushtet, ka prodhuar terror, shtypje, varfëri, zhdukje të lirisë dhe shkatërrim të njeriut të lirë. Shqipëria është provë e gjallë e kësaj. Prandaj unë nuk besoj se marksizmi është një vizion bashkëkohor që ia vlen të përqafohet. Besoj se është një ideologji që duhet studiuar me ndershmëri, por edhe me kujtesë morale, jo me amnezi.

Skënder Buçpapaj: A duhet një kundërvënie e hapur ndaj prirjeve të sotme për ta rikthyer marksizmin si teori fitimtare?

Elida Dakoli:

Po, duhet një kundërvënie e qartë, serioze dhe intelektualisht e ndershme. Jo me slogane, jo me histeri, por me fakte, me edukim, me dokumente, me histori njerëzore dhe me kujtesë morale.

Problemi më i madh i kohës sonë është se një pjesë e brezit të ri e sheh socializmin, komunizmin dhe marksizmin pa i njohur pasojat konkrete që këto ideologji kanë pasur kur janë bërë sistem politik. Kjo ndodh sepse kemi dështuar t’i mësojmë si duhet. Kur harrohen krimet, rikthehen iluzionet. Kur humbet kujtesa, fitojnë sloganet.

Kundërvënia duhet të jetë e hapur në kuptimin që shoqëria, akademia, mediat, shkolla dhe institucionet duhet të kenë guximin të thonë të vërtetën: se ideologjitë që justifikojnë shtypjen në emër të një utopie, herët a vonë prodhojnë viktima reale. Dhe Shqipëria është një nga dëshmitë më të forta të kësaj. Heshtja bëhet bashkfajësi.

Pyetjet e Elida Buçpapajt

Elida Buçpapaj: Ju vini nga një familje që i ka përjetuar direkt krimet e diktaturës komuniste. Stërgjyshin e gjyshin të vrarë, keni patur të afërm në burgje dhe e ke ndjerë edhe ti që e vogël këtë persekutim. Por këto krime kanë patur shtrirje të gjërë. Rezultojnë 6000 të vrarë si armiq të diktaturës pa varr. Por çka e shoh të pafalshme është qendrimi i shtetit shqiptar këta 35 vjet, që në vend se të vendosë drejtësinë, të paktën përmes sanksionimit të së vërtetës historike, përmes ligjeve, memories etj duke i dënuar këto krime si kundër njerëzimit, kur kemi parasysh breza të tërë lindur e rritur në internime, të privuar nga e drejta e shkollimit apo integrimit në shoqëri, si popullësi civile pa kryer asnjë vepër penale, këtu përfshihen edhe 400 fëmijët e vdekur nga uria në Kampin e Tepelenës, ka mbyllur sytë. Në administratēn publike kemi trashëgimtarë biologjikë apo ideologjikë që nuk janë konvertuar, që postet i kanë trasheguar si pasojë e prejardhjes dhe jo meritokracisë që nuk e njohin institucionin e të kërkuarit ndjesë apo falje. Ju që keni një angazhim të gjatë në Fondacionin e Viktimave të Komunizmit, tash jeni edhe në bordin administrativ, a mund që VOC të ketë ndikim për situatën në Shqipëri, ku krimet e komunizmit janë të padënuara dhe e shkuara diktatoriale duke mos u dënuar po shkon drejt rehabilitimit?Duke qenë se shteti shqiptar nuk ka vendosur drejtësi për krimet e komunizmit, a mund VOC të ketë ndikim për situatën në Shqipëri?

Elida Dakoli: Victims of Communism Memorial Foundation mund të ketë ndikim real për Shqipërinë, por duhet thënë qartë se asnjë institucion ndërkombëtar nuk mund ta zëvendësojë detyrën që ka vetë shteti shqiptar ndaj së vërtetës së tij historike. Për mua, dështimi i Shqipërisë për t’u përballur seriozisht me krimet e komunizmit nuk është thjesht një boshllëk institucional. Është një plagë morale që vazhdon të rëndojë mbi ndërgjegjen tonë kombëtare.

Kur për 35 vjet nuk arrin të emërtosh krimet, të nderosh viktimat, të dëgjosh të mbijetuarit dhe të ndërtosh një kulturë të qartë kujtese e përgjegjësie, atëherë rreziku nuk është vetëm harresa. Rreziku është rehabilitimi i së keqes. Dhe kjo, për mua, është shumë e rëndë. Nuk mund të ketë pajtim të vërtetë pa të vërtetë. Nuk mund të ketë demokraci të shëndetshme pa kujtesë historike. Dhe nuk mund të ketë meritokraci të ndershme nëse një shoqëri nuk ka guximin të ndahet moralisht nga trashëgimia e diktaturës.

Roli i VOC është i rëndësishëm pikërisht këtu: në dokumentimin e së vërtetës, në edukimin e brezit të ri, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe në mbështetjen e një kujtese publike që nuk i lë viktimat në heshtje. Por Shqipëria vetë duhet të bëjë hapin vendimtar. Duhet të ketë më shumë guxim institucional, më shumë vullnet politik dhe më shumë ndershmëri historike për t’i quajtur krimet me emër dhe për t’u dhënë vendin që meritojnë viktimave të komunizmit në historinë tonë kombëtare.

Për mua kjo është ndoshta beteja më e rëndësishme. Nëse brezat e rinj nuk e dinë çfarë ka ndodhur, atëherë ne nuk kemi ndërtuar kujtesë, por vetëm kemi mbajtur plagë private brenda familjeve tona. Kam pasur nderin të flas para ligjvënësve në Texas për të mbështetur njohjen zyrtare të 7 Nëntorit si Ditën e Viktimave të Komunizmit, një ditë kujtese për mbi 100 milionë viktimat e regjimeve komuniste. Sot, Texas është ndër shtetet që e ka përfshirë këtë temë edhe në arsim: duke nisur nga viti shkollor 2026, nxënësit nga klasa e katërt deri në klasën e dymbëdhjetë do të mësojnë, në mënyrë të përshtatshme sipas moshës, për krimet dhe rreziqet e komunizmit, përmes materialeve edukative, librave dhe leksioneve të mbështetura nga Victims of Communism Memorial Foundation. Po punojmë gjithashtu që programe të tilla të shtrihen edhe në shkollat private në Texas. Besoj fort se edhe Shqipëria duhet të ndërtojë një platforme të ngjashme, ku historia e persekutimit gjatë komunizmit të mësohet seriozisht, me përgjegjësi dhe me ndershmëri historike në shkolla. Sepse pa kujtesë, një komb bëhet i pambrojtur.

Elida Buçpapaj: Brezat e rinj në Shqipëri nuk dinë asgjë për të shkuarën diktatoriale, në Shqipëri nuk kemi asnjë datë si ju në SHBA që keni 7 Nëntorin që kujtoni viktimat e konunizmit apo sikur BE, SHBA e Kanadaja kujtojnë Black Ribbon Day çdo vit më 23 Gusht duke kujtuar viktimat e nazizmit dhe të diktaturave staliniste, a keni ndonjë inisiative përmes VOC?

Elida Dakoli: Për mua kjo është ndoshta beteja më e rëndësishme. Nëse brezat e rinj nuk e dinë çfarë ka ndodhur, atëherë ne nuk kemi ndërtuar kujtesë, por vetëm kemi mbajtur plagë private brenda familjeve tona.

Kam pasur nderin të flas para ligjvënësve në Texas për të mbështetur njohjen zyrtare të 7 Nëntorit si Ditën e Viktimave të Komunizmit, një ditë kujtese për mbi 100 milionë viktimat e regjimeve komuniste. Sot, Texas është ndër shtetet që e ka përfshirë këtë temë edhe në arsim: duke nisur nga viti shkollor 2026, nxënësit nga klasa e katërt deri në klasën e dymbëdhjetë do të mësojnë, në mënyrë të përshtatshme sipas moshës, për krimet dhe rreziqet e komunizmit, përmes materialeve edukative, librave dhe leksioneve të mbështetura nga Victims of Communism Memorial Foundation. Po punojmë gjithashtu që programe të tilla të shtrihen edhe në shkollat private në Texas. Besoj shume se edhe Shqipëria duhet të ndërtojë një qasje të ngjashme, ku historia e persekutimit gjatë komunizmit të mësohet seriozisht, me përgjegjësi dhe me ndershmëri historike në shkolla. Sepse pa kujtesë, një komb bëhet i pambrojtur.

Libri im, Beneath the Silence është pjesë e kësaj përpjekjeje. Unë e kam shkruar që kjo histori të mos mbetet vetëm e familjes sime, por të bëhet pjesë e një kujtese më të gjerë për lirinë dhe çmimin e saj.

Elida Buçpapaj: Doktoratura juaj titullohet “Aleksandër Peçi: Muzika shqiptare para dhe pas Perdes së Hekurt”. A ka qenë frymëzuese vepra e Maestro Peçit për ju dhe si?

Elida Dakoli: Aleksandër Peçi ka qenë një figurë e rëndësishme në formimin tim intelektual dhe artistik. Interesi im për veprën e tij nuk ka qenë vetëm muzikor, por edhe historik e kulturor, sepse muzika e tij më dha një mënyrë për të kuptuar më thellë marrëdhënien mes artit dhe sistemit politik në Shqipëri.

Ajo që më ka frymëzuar te vepra e Maestro Peçit është fakti se ai përfaqëson një brez krijuesish shqiptarë që punuan nën kufizime të mëdha ideologjike, por që sërish kërkuan gjuhë, thellësi dhe individualitet artistik. Për mua, studimi i muzikës shqiptare para dhe pas Perdes së Hekurt ishte edhe një mënyrë për të kuptuar jo vetëm çfarë i ndodh një artisti nën diktaturë, por çfarë i ndodh vetë shpirtit krijues kur liria kufizohet.

Në një kuptim më personal, kjo temë lidhej edhe me jetën time. Unë nuk e kam përjetuar muzikën kurrë të shkëputur nga historia. Përkundrazi, muzika për mua ka qenë gjithmonë e lidhur me kujtesën, me identitetin, me rezistencën dhe me lirinë. Prandaj edhe studimi im mbi Aleksandër Peçin ishte më shumë se një projekt akademik. Ishte një mënyrë për të hyrë më thellë në pyetjen se si mbijeton arti kur njeriu nuk është i lirë.

Libri i Dr.Elida Dakolit kushtuar Maestro Peçit – Aleksander Peçi: Albanian Music Before and After the Iron Curtain

landing

Kalbësira që shkatërroi Shqipërinë për 35 vite, sot po shkatërron institucionet e diasporës – Federata Pan-Shqiptare Vatra ka rënë në batak Nga Agustin M. Mirakaj

 

Ajo tashmë është kthyer në ngjashmërinë më të shëmtuar të politikës shqiptare: bëhen zgjedhje pa kundërshtarë realë, vendosen disa dordolecë për fasadë dhe rizgjidhen të njëjtët pa pasur opozitë të vërtetë.

Një praktikë e importuar nga Tirana dhe Prishtina, ku demokracia përdoret si dekor, ndërsa vendimet janë marrë shumë kohë përpara se të hapet kutia e votimit.

Kjo nuk është më Vatra e Nolit dhe Konicës. Kjo nuk është më federata që mbrojti Shqipërinë në ditët më të errëta të saj. Kjo është një strukturë që po ngjan çdo ditë e më shumë me sistemin që shqiptarët lanë pas kur morën rrugën e emigrimit.

Sot në Vatër shohim të njëjtat metoda:

degë të përjashtuara, zëra të mbytur,

dyer të kyçura, gjyqe të hapura ndaj vetë Vatranëve, sulme publike dhe linçime morale.

Dhe më e rënda, heshtje. Tre kandidatë përballë liderit, por asnjëri nuk ngriti zërin për padrejtësitë.

Asnjëri nuk foli për degët e përjashtuara.

Asnjëri nuk foli për mbylljen e dyerve.

Asnjëri nuk foli për manipulimin e mandateve.

Asnjëri nuk foli për mënyrën si u prodhua shumica.

Kjo tregon qartë se nuk ishin aty për ndryshim.

Ishin aty për të vulosur vazhdimësinë e të njëjtit sistem.

Kur një degë me rreth 252 anëtarë prodhon 20 mandate, atëherë pyetja nuk është më kush fitoi.

Pyetja është; si u prodhua kjo fitore?

Kur shfaqen çeqe personale me $10,000 mijëra dollarë për “anëtarësi” dhe askush nuk jep transparencë mbi llogaritë, atëherë demokracia pushon së qeni proces.

Ajo bëhet investim për pushtet.

Shqiptarët në Amerikë duhet ta kuptojnë mirë: ajo frymë e kalbur që shkatërroi Shqipërinë për 35 vite, sot po tenton të shkatërrojë edhe institucionet e diasporës.

Dhe kjo është tragjedia. Sepse ne menduam se kishim ikur prej saj. Por duket se ajo na ka ndjekur pas. Ka kaluar oqeanin. Ka hyrë në zemër të Vatrës. Dhe kur sëmuret Vatra, sëmuret një pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Ky nuk ishte kuvend, ishte një skenar, një teatër, një farsë e organizuar për të ruajtur pushtetin.

Por historia ka një ligj, asnjë manipulim nuk zgjat përgjithmonë. E vërteta vonon. Por nuk humbet.

Federata Pan Shqiptare Vatra po RRENOHET nga e keqja.

 

Emigrantët shqiptarë në SHBA i bashkohen protestës kombëtare kundër Ramës: Zemra jonë rreh sot në Tiranë

SHBA- Protesta antiqeveritare e cila mblodhi të gjithë diasporën shqiptare përballë kryeministrisë nuk ka mjaftuar me kaq. Emigrantët shqiptarë në Waterbury, Connecticut në SHBA u mblodhën më 28 qershor në protestë për të shprehur një formë solidariteti për qytetarët që protestojnë në Shqipëri.

Pjesa më e madhe e protestuesve ishin të rinj, të cilët shprehën dëshirën për të pasur një Shqipëri në të cilën mund të rikthehen për të kontribuar në zhvillimin e tij, si dhe për të jetuar në të.

Zemra jonë rreh sot në Tiranë. Dhimbja e tyre është edhe dhimbja jonë”, ishte mesazhi kryesor i përcjellë gjatë protestës.

Emigrantët shqiptarë në SHBA i bashkohen protestës

Emigrantët shqiptarë në SHBA i bashkohen protestës

Emigrantët shqiptarë në SHBA i bashkohen protestës

Shumë prej protestuesve u shfaqën të emocionuar gjate tubimit në formë suporti për qytetarët shqiptarë teksa në duar mbanin pankarta dhe thërrisnin “Rama jepe dorëheqjen”./Dosja.al

 

 

 

Veterani i Vatrës Z.Sergio Bitiçi i këndon gjamën dhe ngushëllon Vatranët për mortjen e rëndë të Vatrës për mbarë kombin

 

Veterani i Vatres, Sergio Bitici i “kendon gjamën” Kuvendit ne shtetrrethim te Vatres qe u mbajt sot:

“Me vjen keq qe sot t’i kendoj gjamen dhe t’i ngushlloj Vatranet e sinqertë per kete mortje te rande per mbar kombin”

Ne “Kuvendin” e sotshem te VATRES u rizgjodh kasta e vjeter qe para 4-5 vitesh ilegalisht e paten uzurpue.

I vetmi sukses qe mund te deklarojne ky grup asht qe ky grup e perçau komunitetin tue shkele çdo norme demokratike dhe vepruen ne te kunderten e KANUNORES historike.

Prandaj nese asht VATRA asht pa Vatrane.

Sot mbas 58 vjetesh si anetar, nen kryetar, aktivist, investitor dhe donator.

Me vjen keq qe sot t?i kendoj gjamen dhe t?i ngushlloj Vatranet e sinqert per kete mortje te rande per mbar kombin.

Emni i saj mbetet legjendar.

Sergio Bitici

New York City

27 Qershor 2026

Protestë masive në New York, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Protestat e shqiptarëve prej ditësh kanë kaluar tashmë kufijtë e Shqipërisë, duke u shtrirë në shumë vende të botës ku jeton diaspora shqiptare. Revolta e nisur në Tiranë ka gjetur jehonë edhe jashtë vendit, me tubime dhe protesta të organizuara nga shqiptarët në qytete të ndryshme.

Një protestë e madhe është zhvilluar së fundmi në New York, ku qindra shqiptarë janë mbledhur për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit kanë ngritur shqetësime lidhur me situatën politike dhe sociale në Shqipëri. Në fjalimet e mbajtura u përmend edhe oligarku i Ramës, Gjergj Luca, pas publikimit të një videoje ku ai shihet se përdor të miturit duke i shfrytëzuar ata për punë të rënda.

Sipas prtoestuesve, qytetarët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve që ndikojnë në të ardhmen e vendit. Ata u bënë thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që të vazhdojnë të ngrenë zërin dhe të kërkojnë largimin e Ramës e qeverisë.

 

Nga Protesta në Troy, Michigan, SHBA: RAMA JEPE DOREHEQJEN Nga Valentin Lumaj

Sot në Troy, Michigan më 15 Qershor 2026,  rreth 150 shqiptarë u mblodhën në një protestë qytetare në mbështetje të protestuesve në Shqipëri. Shumica e pjesëmarrësve ishin të rinj dhe studentë shqiptaro-amerikanë, të cilët jo vetëm morën pjesë, por organizuan, drejtuan dhe menaxhuan të gjithë programin.

Protesta nisi me këndimin e Himnit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Himnit Kombëtar Shqiptar, duke reflektuar lidhjen e fortë që komuniteti shqiptaro-amerikan ka me të dy vendet. Gjatë aktivitetit, shumë studentë dhe pjesëmarrës morën fjalën lirisht, duke ndarë shqetësimet, zhgënjimin dhe revoltën e tyre ndaj korrupsionit, mungesës së transparencës dhe gjendjes politike e ekonomike në Shqipëri. Zëri i tyre ishte i sinqertë, i guximshëm dhe plot shpresë për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për brezin e ri.

Kjo protestë nuk u thirr nga asnjë parti politike. Ajo lindi nga zëri i komunitetit dhe nga zëri i rinisë shqiptare. Ishte një mesazh i qartë për qeverinë dhe opozitën në Shqipëri se shqiptarët kërkojnë ndryshim dhe se qytetarët nuk janë të kënaqur as me qeverisjen aktuale dhe as me opozitën aktuale.

Energjia që solli rinia ishte e jashtëzakonshme. Ata sollën idetë e tyre, vizionin e tyre dhe besimin se Shqipëria mund të bëhet më e mirë. Kur të rinjtë ngrihen dhe kërkojnë të ardhmen e tyre, është një thirrje që askush nuk duhet ta injorojë.

Pothuajse çdo pjesëmarrës mbante flamurin kuqezi ose ishte veshur me ngjyrat kombëtare. Sheshi ishte i mbushur me pankarta dhe mesazhe të ndryshme, ku protestuesit shprehën shqetësimet e tyre për realitetin në Shqipëri. Mesazhet kërkonin transparencë, luftë kundër korrupsionit, mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe ndalimin e shitjes së tokave shqiptare.

Megjithatë, thelbi i protestës shkonte përtej çështjes së tokave apo mbrojtjes së bregdetit shqiptar. Mesazhi kryesor ishte politik dhe i drejtpërdrejtë: kërkesa për ndryshim në drejtimin e vendit. Gjatë protestës u dëgjuan vazhdimisht thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, “RAMA JEPE DOREHEQJEN”, ndërsa protestuesit kërkuan përgjegjësi, transparencë dhe lidership që i shërben interesit publik. U kërkua gjithashtu më shumë përgjegjësi nga e gjithë klasa politike, si nga socialistët ashtu edhe nga demokratët.

Protestuesit theksuan se protesta nuk ishte kundër Amerikës, investimeve amerikane apo zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Përkundrazi, ajo ishte qartësisht pro-amerikane dhe në mbështetje të investimeve të ndershme që krijojnë vende pune dhe zhvillim për vendin. Shqetësimi kryesor i protestuesve lidhej me mungesën e transparencës, dyshimet për korrupsion dhe mënyrën se si po miratohen dhe menaxhohen disa projekte të mëdha. Mesazhi i tyre ishte se Shqipëria ka nevojë për investime, por investime me transparencë, llogaridhënie dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Të rinjtë duan demokraci, të drejta njerëzore, mundësi të barabarta dhe një vend ku mund të ndërtojnë jetën e tyre me dinjitet. Ata duan një Shqipëri ku të mos detyrohen të largohen për të realizuar ëndrrat e tyre.

Një falënderim i veçantë për Valon Vuçitërna dhe të gjithë ekipin e tij studentor për përkushtimin dhe punën e palodhur që e bëri këtë protestë realitet.

Rinia është shpresa e kombit. Dhe sot, zëri i saj u dëgjua qartë.

🇦🇱 Shqipëria kërkon ndryshim!�🇦🇱 Shqipëria nuk është në shitje!�🇦🇱 Shqipëria është e shqiptarëve!�🇦🇱 E ardhmja i përket rinisë

Sami Milloshi: Në protestën në Boston: POSHTË NARKODIKTATORI !

SOT MË 14 QERSHOR NË PROTESTËN KUNDËR
NARKO DIKTATORIT NË BOSTON
Për mendimin tim protesta e sotme ishte e shkëlqyer.
.
Dhe ndoshta, me aq sa kam ndjekur edhe të tjerat në botën e emigrantëve shqiptarë kjo ishte më e bukura.
.
Edhe mesazhet që përcolli ishin për dorëheqjen e narkodiktatorit Rama. Rini e bukur plot shpresë për të ardhmen.

Regjisori i njohur Bujar Alimani nga protesta në New York: Mos kini frike se do humbni nje kocke qe u hedh pushteti! Turpi i historise do jete dhjetefish me i madh e me i rende ! Ndaj flisni ! Flisni !

14 Qershori ishte dite e diele. Ne shume raste protestash ne ftesat qe kam marre shumica e tyre ka qene per dite te shtune , dite te cilat une kam qene ne pune e nuk mund te merrja dot pjese ne to pavaresisht deshires.

Sot kam qene shume i lumtur qe bashke me Teften dhe Erjeten ( Erjeta Cufaj) shkuam ne mes te protestes dhe aty pame ne distance te shkurter edhe Vilmen ( Vilma Hodo) qe me nje pankarte te madhe protestonte afer tribunes.

Gjithnje kam menduar se artistet do duhet qe t’u rrahe zemra njeheresh me tempin e popullit te tyre, me rezistencen karshi padrejtesive, vjedhjeve, korrupsionit, mashtrimeve, abuzimeve… Artistet duhet te flasin ! Duhet te ngrejne zerin ! Artistet e vertete jane perhere ne front dhe ne opozite kunder qeverisjeve cilado qofshin ato sepse ne te shumten e hereve ato jane kunder zhvillimit te vendit , manipulatore dhe bashkepuntore me oligarkine ne kurriz te njerezve dhe ne rastet tragjike ne shitje te interesave kombetare.

Mos kini frike se do humbni nje kocke qe u hedh pushteti! Turpi i historise do jete dhjetefish me i madh e me i rende ! Ndaj flisni ! Flisni !

Prej disa ditësh jam shënjestruar në hapësirën digjitale për publikimin tim më të fundit ndaj Gent Bejkos Nga Florida Doci

Prej disa ditësh jam shënjestruar në hapësirën digjitale për publikimin tim më të fundit ndaj Gent Bejkos. Personalisht, nuk mendoj se individi meriton më shumë vëmendje, por fenomeni që ai përfaqëson është po i njëjti fenomen shqetësues që e ka lënë Shqipërinë në vend numëro prej dekadash, andaj ia vlen një përpjekje për ta analizuar.

Postimi im nuk ishte çështje opinioni. Faktet janë publike: fjalët e përdorura ndaj nismëtarëve të peticionit, pjesëmarrja në event me një figurë problematike dhe komunikimi publik rreth tij. Qëllimi i postimit tim nuk ishte fotografia në vetvete, por një çështje më e gjerë: marrëdhënia e figurave publike me pushtetin dhe përgjegjësia që vjen me ndikimin publik. Sepse në fund të ditës është zgjedhje se çfarë poston, komenton, pëlqen apo shpërndan online. Është zgjedhje se si e përdor platformën që të është besuar nga publiku. Këto nuk janë rastësi, por vendime të vetëdijshme.

Përgjigjja ndaj këtyre fakteve nuk ishte reflektimi, por sulmi personal, i cili ka eskaluar

në sulme te koordinuara nga “luftëtarët e tastierave”, që nxitojnë të përndjekin pa gjykuar. Kjo është pikërisht arsyeja pse debati nuk është më për një individ, por për kulturën tonë të refuzimit të përgjegjësisë.

Thonë se gjuha është pasqyra e kulturës. Kjo bëhet edhe më e dukshme përmes fjalëve unike që gjenden në gjuhë të ndryshme dhe që përshkruajnë emocione, fenomene apo vlera të vështira për t’u përkthyer në gjuhë të tjera.

Accountability është një nga ato fjalë dhe vlera që duket se mungon si në fjalor, ashtu edhe në qasjen historike të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të figurave publike në veçanti. Përkufizimi i saj është i thjeshtë: detyrimi për të shpjeguar, justifikuar dhe mbajtur përgjegjësi për veprimet, vendimet dhe pasojat e tyre. Në praktikë, kjo do të thotë të pranosh gabimet si hapin e parë drejt ndryshimit.

Accountability nuk ka për qëllim ndëshkimin, por zhvillimin. Askush nuk është i pagabueshëm. Dallimi qëndron tek aftësia për të pranuar gabimet, për të mësuar prej tyre dhe për të ndryshuar, me ndershmëri, transparencë, dhe guxim.

Kalimi nga “më ftuan” te “pranova ftesën”, apo nga “më nxorën fotot” te “dola në foto”, mund të duket i vogël. Në të vërtetë, ai përfaqëson dallimin thelbësor mes shmangies së përgjegjësisë dhe pranimit të saj.

Kjo vlen edhe për popujt, shoqëritë dhe qeveritë. Për sa kohë kritikën e shohim si akuzë dhe përgjegjësinë si ndëshkim, rrezikojmë të humbasim rolin tonë aktiv në formësimin e fatit tonë. Nuk mund të krijojmë një version më të mirë të vetes, vendit dhe shoqërisë, nëse refuzojmë të marrim përgjegjësi aktive për zgjedhjet e shkuara apo të tashme. Sepse një njeri apo një shoqëri që nuk përballet me të kaluarën e vet me ndershmëri rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime.

Postimet e ditëve të fundit nxjerrin në pah se shumë figura publike nuk janë të gatshme të marrin përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tyre. Njëherazi, është përgjegjësia jonë qytetare t’i vëmë personat publikë përballë përgjegjësisë për mënyrën se si e përdorin fuqinë që buron nga vetë publiku.

Persekutuesit e sistemit komunist kurrë nuk u vendosën përballë përgjegjësisë, qoftë kjo ligjore apo publike. Rezultati i asaj qasjeje është sistemi politik aktual, ku të njëjtat figura kanë akumuluar pasuri dhe pushtet në kurriz të po të njëjtëve njerëz, por me një tjetër teknikë. Mungesa e llogaridhënies nuk është thjesht problem individual, por edhe një problem kulturor dhe institucional, pasojat e të cilit i vuajmë ende sot. Në fund të fundit, thelbi i protestës së javëve të fundit është pikërisht vënia përpara përgjegjësisë e një sistemi që për dekada ka abuzuar me pushtetin që buron nga populli 🦩

Ka ardhur koha që brezi ynë të jetë ndryshe dhe të krijojë një standard të ri përgjegjësie për figurat publike, qofshin ata politikanë, artistë, influencer etj. Një standard që nuk shpërblen oportunizmin, vetëpromovimin dhe shmangien e llogaridhënies, por ndershmërinë për të pranuar gabimet dhe guximin për të mbajtur përgjegjësi për to. Vetëm atëherë mund të pretendojmë se po ndërtojmë një kulturë demokratike më të shëndetshme se ajo që trashëguam.

Kjo është forca e diasporës Nga Florida Doci

 

Prej thuajse një dekade, një pjesë e madhe e organizatave të diasporës është vënë në shërbim të pushtetit në Shqipëri.

Për disa pjesëmarrës, këto organizata shihen si trampolinë për një post drejtues në atdhe; për të tjerë, si mundësi për të siguruar fonde apo marrëveshje nga ambasada.

Ka edhe nga ata që janë kthyer në gaztorë të oborrit diplomatik, të gatshëm të sakrifikojnë dinjitetin e tyre për një foto a një mikrofon në një aktivitet zyrtar.

Andaj nuk është aspak çudi që përballë protestave të ditëve të fundit organizatat “zyrtare” të diasporës në Kanada, në rastin më të mirë, zgjodhën heshtjen, ndërsa në rastin më të keq u përpoqën në mënyrë qesharake të “distancohen” nga protestat “politike”.

Tashmë është e qartë se KKD-ja dhe organizatat që vazhdimisht vetpromovohen nëpër Samite nuk përfaqësojnë larminë, vlerat dhe zërin e vërtetë të diasporës.

Megjithatë, diaspora ka të rinj energjikë, plot shpresë, idealistë e madje naivë në kuptimin më të bukur dhe frymëzues të fjalës, të cilët nuk zgjedhin heshtjen përballë padrejtësisë.

Protesta në Toronto, që mblodhi qindra anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez, u organizua tërësisht vullnetarisht nga një grup të rinjsh.

Prej ditësh pata mundësinë të ndiqja prapaskenat e koordinimit të këtij aktiviteti, dhe zemra më është mbushur plot!

Plot për qytetarinë që treguan, përkushtimin e palëkundur, frymën gjithëpërfshirëse, kreativitetin, këmbënguljen, vendosmërinë dhe bujarinë për të mbështetur me forma nga më të ndryshmet një kauzë të drejtë e të rëndësishme.

Këta të rinj më kujtuan se shpresa nuk jeton te strukturat formale, por te njerëzit që veprojnë me ndërgjegje, kurajo dhe idealizëm.

Kjo është forca e diasporës

Diaspora shqiptare proteston edhe në SHBA, mblidhen para ambasadës në Uashington dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe Ramës

Valës së protestave të Diasporës i janë bashkuar edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në SHBA.

protestat shba

Shumë prej tyre janë mbledhur sot (6 qershor) para godinës së Ambasadës Shqiptare në Uashington DC, duke iu bashkuar organizimeve të ngjashme që po ndodhin në shumë qytete dhe kryeqytete të Evropës.

Me thirrje të forta kundër qeverisë, shqiptarët e mbledhur në kryeqytetin amerikan, me pankarta dhe thirrje kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.

Përveç kërkesës për largim, protestuesit kanë artikuluar përpara selisë diplomatike edhe thirrje për arrestimin e kreut të qeverisë, duke e bërë përgjegjës për situatën në vend.

uashington

Ky tubim në Uashington DC vjen si pjesë e një koordinimi të gjerë të diasporës në rang global, pasi protesta të ngjashme janë regjistruar më herët në qytete si Vjena, Berlini, Milano dhe Stokholmi, ndërkohë që brenda Shqipërisë revolta qytetare në rrugët e Tiranës vijon prej një jave. gsh

Prej pesë ditësh mijëra qytetarë në Bulevard, të rinjtë shqiptarë në New York dhe New Jersey i bashkohen protestës: Shqipëria nuk është në shitje

Ndërsa protesta kundër projektit në Zvërnec dhe largimin e qeverisë Rama vijon prej pesë ditësh radhazi në Tiranë, jehona e saj ka kaluar tashmë kufijtë e Shqipërisë. Të rinj shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht në New York dhe New Jersey, kanë vendosur t’i bashkohen thirrjeve të protestuesve në vend, duke organizuar një tubim para Konsullatës Shqiptare në New York.


Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për kauzën e mbrojtjes së Zvërnecit dhe kundërshtimin ndaj projektit që ka nxitur debat të gjerë publik. Në pankartat e mbajtura nga protestuesit binte në sy mesazhi: “Shqipëria nuk është në shitje”, slogan që është kthyer në simbol të protestave të ditëve të fundit.

Tubimi i zhvilluar para Konsullatës Shqiptare në New York vjen në një kohë kur në Shqipëri qytetarë të shumtë po mblidhen çdo mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec, më shumë transparencë dhe mbrojtjen e zonave natyrore të vendit. Po ashtu ata kane bere thirrje per revolucion dhe largimin qe qeverise aktuale.

Organizatorët e protestave në diasporë kanë bërë të ditur se lëvizja nuk do të ndalet vetëm në New York. Sipas kalendarit të publikuar në rrjetet sociale, tubime të ngjashme janë planifikuar edhe në qytete të tjera të Evropës dhe Amerikës së Veriut, përfshirë Londrën, Berlinin, Mynihun, Stokholmin, Toronton, Brukselin dhe Bolonjën.

Në New York, protesta u zhvillua pranë Konsullatës Shqiptare, ku pjesëmarrësit deklaruan se po ngrejnë zërin për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kundër çdo vendimmarrjeje që, sipas tyre, cenon interesin publik. Ata theksuan se, edhe pse jetojnë larg Shqipërisë, mbeten të lidhur me zhvillimet në vend dhe ndihen pjesë e kësaj kauze qytetare.

Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë tërhequr vëmendje të madhe në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ndërsa organizatorët vijojnë të bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë. Mesazhi kryesor që po përcillet nga protestuesit mbetet i njëjtë: “Shqipëria nuk është në shitje”.

Protesta Ney Jork

Komunikate Zyrtare e te Rinjve Shqiptare ne New York dhe New Jersey;

Komunikata i drejtohet atyre qe jane te interesuar

Mesazhi kryesor i Protestes Paqesore perpara Konsullates Shqiptare ne New York eshte:
“Shqiperia nuk eshte ne shitje.”

Pavaresisht se jemi shqiptare te diaspores, nuk kemi qendruar indiferente ndaj veshtiresive qe kjo qeveri, pas dekadash, i ka shkaktuar vendit tone. Sot ngrihemi per te mbrojtur mjedisin tone, duke perfshire Zvernecin, Narten, Rrjollin dhe cdo cep te trojeve tona.

Ngrihemi per t’u bere krah vellezerve dhe motrave tona ne Shqiperi dhe per t’u thene se nuk jane vetem. Ngrihemi gjithashtu per te terhequr vemendjen nderkombetare ndaj ceshtjeve qe prekin mjedisin, trashegimine natyrore dhe te ardhmen e vendit tone.

Qellimet kryesore te protestes jane:

* Per mbrojtjen e ekosistemit Zvernec–Narte, nje nga zonat natyrore me te rendesishme ne Shqiperi.
* Per mbrojtjen e habitateve te shpendeve, biodiversitetit dhe ekuilibrit natyror te zones.
* Kunder nderhyrjeve qe rrezikojne te demtojne ne menyre te pakthyeshme nje zone te mbrojtur.
* Per me shume transparence mbi projektet qe prekin mjedisin dhe pasurite publike.
* Per informim te plote te qytetareve dhe konsultim real me komunitetin dhe ekspertet.
* Per ruajtjen e trashegimise natyrore qe u perket brezave te sotem dhe te ardhshem.
* Per shqyrtim te kujdesshem te ndryshimeve ligjore te vitit 2024 qe prekin mbrojtjen e zonave te mbrojtura.
* Per zhvillim qe respekton natyren dhe ligjin, jo zhvillim ne kurriz te tyre.
* Per te treguar se qytetaret kane ze kur behet fjale per mbrojtjen e mjedisit.

Kjo proteste eshte nje thirrje qytetare per mbrojtjen e natyres, trashegimise sone kombetare dhe te ardhmes se brezave qe do te vijne. bw


Send this to a friend