Ime më,
Ja, si qenkësh:
Edhe pse s’arrita të të njoh
Që,thjesht do të thotë se,
Ti ike nga kjo botë,kur unë
Isha veçse katër vjeç dhe…
Gjithçka për ty i mësova,
Aqsa mund të mësohet në kësi rastesh
Nga rrëfimet e motrave dhe vëllezërve
Të mi,më të mëdhenj se unë,
E pra,nga bijat dhe bijtë e tu.
Unë ty gjithmnjë të kujtoj !
Përballë tryezës,ku shkruaj,
Kam fotografinë tënde,
Ikonën time të vetme .
Sa herë ndërpres shkrimin e mendohem
Kryet ngre e të vështroj
Tipar më tipar,gjersa ndal
Te sytë.
Eh,ç’fotografi
E shkëputur nga letërnjoftimi yt,
I lëshuar në Tiranë
Fill pas Luftës II Botërore…
Ajo ka ende lart e poshtë
Dy vragat e kapseve prej teli
Të sertë,të cilat,
Edhe pse fotografinë e zmadhova
Së paku njëzet herë
Duke e përpunuar e përpunuar,
Vijat e thella të tyre s’i retushova,
Përkundrazi,i theksova edhe më;
Ato janë padyshim një vulë më vete
E identitetit të kohës,
Ashtu si edhe fokusi i humbur
Dhe paraqitja e portretit tënd
Largësisht flu flu
Në gjysmëshekullin e shkuar…
Këtë fotografi kemi nga ty
Por ah,kemi dhe një frutierë porcelani
Të dekoruar brenda – jashtë
Me trëndafila të kuq zemre;
E solle në pajën
Gjithë qëndizma ëndrrash
Të vajzërisë tënde
Atje në Kolonjën farfuritëse,
Prej së cilës ju shkuli lufta italo- greke,
Kur jua shkrumboi shtëpitë e larta
Me gurë të latuar…
Është thyer kjo frutierë relikte
Tek mbartej bashkë me plaçkat
Sa herë ne ndëruam shtëpi
Skaj më skaj Tiranës…
Thyer keqazi është,por unë
Me kujdes të madh e kam ngjitur,
E kam restauruar madje,mund të shprehem,
Si t’ishte një artefakt arkeologjik…
Pastaj janë edhe dekoratat e tua,
Prej metali të thjeshtë e të rëndë,
Si të modeluara e të derdhura
N’Epokën e Hekurit…
T’i dhanë ato si nënë e dalluar
Me shumë fëmijë,
E ca të tjera t’i dhanë
Si aktiviste që mësoje nënat e reja
Të mëhallës, si t’i mëkonin
Të vegjlit e tyre,
Si t’u flisnin me fjalë të plota,
E t’i edukonin…
Sa pak gjëra për një zonjë shtëpie
Që lindi gjashtë fëmijë !
Ah,por kur vdes Ajo
Shpërbëhet rendi institucional i familjes…
Ose,e thënë në zhargon
Ca më drejtpërdrejt e më hidhnueshëm :
E ha dreqi gjithë shtëpinë…
Në imazhet e mia t’ëndërrimit,
Kjo fotografia jote gjallohet e flet
Dhe unë të shoh të tërën,
Ashtu trupvogël si përkora,
Tek vije rrotull shtëpisë
Në punët e përditshme.
Shoh herë – herë dhe veten time
Në prehrin tënd,tek më përkedhelje,
Po po,veten time shoh tek më ushqeje,
Tek më laje, më vishje e më krihje
Me ç’rast dhe më qortoje dhembshurisht…
Besomë; surrealizmi,jo më kot
Është interesant dhe intrigues,
Sa edhe plotësues
Në shijet artistike…
Me rrëfenjat e motrave dhe vëllezërve të mi,
Bijave dhe bijve të tu,ime më,
Një skenar kam shkruar
Virtualisht në mendje dhe…
Më shfaqesh si gatuaje,si dilje
N’oborrin plot pemë
Të mbushje ujë,apo të mblidhje
Erëza gjysmë t’egra.
Më shfaqesh si visheshe e ndreqeshe,
Kur vije në kishë të dielave…
Dhe të gjithë thonë se,ti
Një herë të vetme s’e ngrite zërin,
Si kështu ?
Unë që jam
Fotokopja besnike e portretit tënd,
Si s’të ngjava një grimë në karakter ?
Unë jam nga ata,
Që s’e mbyll anjëherë
Një ditë të vetme
Pa ulëritur …
Eh,por ike herët
Ime më,
Dyzetvjeçare …
Herët për vete
Herët për ne,bijtë e tu,
Që,sidoqoftë
U rritëm,u martuam,
U bëmë me fëmijë
Nipër e mbesa…
Të gjithë me rrënjët e tua,
Ime më !
Po, kush e di si rrjedh jeta,
Si mbyllet ajo,
Kush e di ?
Te fotografia,
Ikona ime,
Përballë tryezës,ku shkruaj
Të cilën ,sa herë ndal
E mendoj,
Ngre sytë dhe e shoh…
Ke një pikëllim,
Ndonëse të përmbajtur,
Të ravijëzuar nëpër portret
Si në një gravure.
Unë jam tërësisht i bindur
Se,atë pikëllim s’ta kanë
Fshirë dot
As çastet e paktë të gëzimit
Që ke pasur në jetë,
Fjala vjen,kur na ke lindur
Radhazi ne,
Apo kur ke kënduar
Ninullat mjaltë të gjumit…
Në fotografi
T’i shoh vathët
Me dy perla rrëzëllitëse,
Si dy pika loti që,s’t’u thanë
E i more me vete…
Ime më,
Unë s’të qava dot kur vdiqe;
Të qava gjersa u rrita,
Lavdi Zotit,
I papërfshirë asnjëherë
Nga filozofia e vdekjes,
Absurdit dhe fatalitetit…
2000
Komentet