PRISHTINË – Në ambientet e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), sot është bërë prezantimi i Master Planit për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës nga konsorciumi francez i udhëhequr nga Compagnie des Alpes (CDA) dhe kompanitë MDP, EGIS, POMA, MND. Ato shpalosën projektin para bizneseve kosovare, anëtare të Odës Ekonomike të Kosovës, të interesuara për bashkëpunim dhe nën-kontraktim në ndërtimin e projektit të kësaj qendre turistike malore.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ky projekt është i një rëndësie të veçantë dhe me përfitime të shumanshme.
“Ky është një projekt që ka multidimensionalitet, ka ekonomi, ka strategji sa ka strategji, ka komponentë integruese, sa ka komponentë integruese ka komponentë ndëretnike dhe mbi të gjitha është konotacioni dhe rëndësia sociale e cila i jep veçanti një projekti të tillë” tha Gërxhaliu.
Ai tregoi se ka pasur hezitime por procesi ka marr mbështetje nga të gjitha shtetet e QUINT-it dhe se prezenca e përfaqësuesve të konzorciumit të procesit të privatizimit në këtë prezantim tregon se projekti i Brezovicës është vendosur në udhë të mbarë.
Kryetari i OEK-ut ndër të tjera tha se, ky projekt do të ndihmojë që Kosova të arrijë stabilitet ekonomik, social, politik dhe mbi të gjitha qytetarët të shijojnë frytet e këtij projekti. Ai falënderoi komunitetin e biznesit për interesimin duke cekur se pjesëmarrës ishin elita e biznesit në lëmi të ndryshme që lidhen me këtë projekt, nga Shtërpca, Mitrovica, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe kjo, projektit në fjalë i jep një frymë të veçantë. “Po e shihni se sot po promovohet një partneritet, po promovohet një dialog po ofrohet një mundësi sot nuk ka ndarje. Të gjithë jemi për ekonomi që e bën të veçantë projektin në fjalë. Në qoftë se një projekt ka volum 400 milion, në qoftë se një projekt mund të krijojë 3 mijë vende të reja punës, në qoftë se një projekt mund të përmirësojë imazhin e Kosovës dhe në qoftë se, një projekt e përmirëson perceptimin e krijuar të Kosovës përmes zhvillimit, atëherë kjo është Brezovica” tha Gërxhaliu.
Duke i falënderuar ata që e bënë këtë privatizim, kryetari i OEK-ut shprehu edhe dëshirën që në këtë projekt të ketë sa më shumë kompani vendore.
Gërxhaliu përmendi edhe situatën nëpër të cilën po ecën Kosova dhe se këto investime janë garanci e qëndrueshmërisë dhe suksesit ekonomik të cilën e quajti “vulë ekonomike”.
Pascal Roux, drejtori ekzekutiv i MDP Consulting tha se për rreth dy orë do të prezantohet projekti tek komuniteti i biznesit kosovar dhe se si do të mund të përfshihen këto të fundit, duke prezantuar projektin dhe terminologjinë.
Ai potencoi ndër të tjera se qëllim kanë edhe përfshirjen e interesave të kompanive vendore duke vënë theksin tek përfitimet që do të ketë ky makro investim për Kosovën, “Çdo euro që investojmë në projekt përkthehet në shtatë euro në ekonominë globale. Që të ketë kuptim për ju, ky projekt për të cilin po flasim në vitet e para do të sjellë 5-10 milion euro kthim të investimeve në vit dhe në etapën e mesme për rreth 15 milion euro në brenda 10 vjetëve. Dhe rezultati final që presim në përfundim të jetë 80 deri në 100 milion euro në vit.”
Jill Jamieson, këshilltare strategjike e projektit të Qendrës së Turizmit malor të Brezovicës, gjatë këtij takimi tha se ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin.
“Është e rëndësishme të kuptohet se; komuniteti ndërkombëtarë e shikon këtë projekt si prioritet të rëndësishëm për Kosovën, të hapjes së vendeve të reja të punës, përmirësimit të imazhit, dhe përmirësimit të tërheqjes së investimeve të huaja” tha Jamieson.
Ajo tha se ky konzorcium nga partnerët shihet si rivitalizim i kësaj Qendre Turistike dhe ka të bëjë me krijimin e parqeve ujore (Aquapark), vendeve të punës, trajtimit të ujit, infrastrukturën, qëndrueshmërisë së mjedisit etj.
Jamieson tregoi se ky është një projekt i veçantë i cili nuk është parë më herët në Kosovë. Ajo për fund tha se ky investim është i rëndësishëm dhe se dështimi nuk është opsion. Ajo theksoi se ky projekt është për të mirën, jo vetëm të Kosovës ku përfitojnë të gjitha komunitetet, por edhe për regjionin.
Ky konzorcium publiko – privat e ka marrë për ndërtim me koncesion Qendrën Turistike të Brezovicës për 99 vite.
Procesi i ndërtimit do të zgjas në tri etapa, gjatë 18 viteve të ardhshme.
Gjatë kësaj periudhe do të ndërtohen mbi 100 kilometra shtigje, me rreth 35 ski-lifte më moderne dhe infrastrukturë e cila Brezovicën do ta fusë në hartën botërore të turizmit malor sepse kjo qendër do të punoj gjatë tërë vitit, 365 ditë. aa
Komentet