Një ditë të nxehtë vere, Nastradini mori rrugën për në fshatin fqinj. Pasi eci disa orë nën diellin përvëlues, ai u lodh. U ul poshtë një peme dhe filloi t’i lutet Zotit:
“Oh Zoti im, do të doja t’ia dërgoje shërbëtorit tënd një kalë që të hyp në të, sepse jam lodhur kaq shumë duke udhëtuar nën këtë diell përvëlues në këtë moshë të shtyrë.”
Pak minua më vonë ai pa një oficer kalorie, me një mëz 6 muajsh, të cilin ai po e ledhatonte. Ai iu afrua Nastradinit dhe e urdhëroi:
“Hej ti atje! Si rri poshtë pemës dhe dembelosesh. Mëzi im është lodhur duke ecur. Prandaj çohu dhe merre në kurriz deri në fshatin fqinj.”
Nastradini u përpoq t’ia shpjegonte se ishte i lodhur e i plakur, por oficeri as që ia vuri veshin.
Ai madje ia këputi Nastradinit një shqelm në kurriz. Nastradini nuk kishte nga t’ia mbante vetëm të merrte mëzin në kurriz deri në fshatin fqinj. Kur arritën në fshatin fqinj, Nastradini e zbriti nga kurrizi mëzin dhe ra i alivanosur përtokë. Pas pak, ai e mori veten, u ngrit në këmbë dhe tha:
“Zoti im, nuk dita unë të lutem si duhet apo ma keqkuptove ti lutjen time. Unë kërkova për një kalë që t’i hyp, nuk kërkova një kalë që ta mbaj në kurriz.”
Komentet