Brenda pak orëve gjatë mbrëmjes së të enjtes deri në mëngjes 2 pacientë ndërruan jetën, duke rritur në 8 numrin e të vdekurve nga COVID-19.
Një 85 vjeçare nga Tirana dhe një 66-vjeçar nga Fieri në Spitalin Infektiv, duke rritur në 8 numrin e personave që kanë ndërruar jetë nga COVID-19.
66-vjeçari nga Fieri me COVID-19 pësoi vdekje të papritur mëngjesin e sotëm në Spitalin Infektiv.
Zyrtarët e shëndetësisë njoftuan se ai trajtohej prej dy ditësh në spitalin infektiv në QSUT, por vuante nga sëmundje kronike pulmonare, hipertension, hemorragji gastro-intestinale, ndaj nuk arriti të mbijetojë.
Pacientja 85-vjeçare nga Tirana mbërriti gjatë pasdites në Spitalin Infektiv, në gjendje të rëndë, ka humbur jetën mbrëmjen e së enjtes.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se “pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për disa orë, 85-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë. E moshuara vuante nga disa sëmundje kronike dhe u konfirmua me COVID-19 në Spitalin Infektiv”.
Autoritetet shëndetësore njoftuan sot se janë zbuluar edhe 12 raste të reja me qytetarë të prekur nga COVID-19, që i shtohen totalit 186 raste të prekur.
Janë testuar 102 persona të dyshuar, duke zbuluar edhe rastet e reja, ndërsa testime gjithsej janë bërë në 1246 raste të dyshuara.
Në Spitalin Infektiv aktualisht janë të shtruar 77 pacientë, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, pjesa tjetër janë në gjendje të qëndrueshme.
Listës së qyteteve të prekur nga COVID-19 iu shtua edhe Puka me 2 raste, ndërsa gjendja vazhdon të rëndohet në Tiranë me 107 raste, në Fier me 20, Korça me 12 raste, dhe Durrësi me 11 raste.
Ndërsa 12 qytete të tjera kanë nga 1 deri 4 persona të prekur. Ministria e shëndetësisë njoftoi po ashtu për 31 të shëruar, midis tyre edhe një mjek dhe një infermier.
Komentet