Sot ditë e diel, 18 tetor 2015. Në Zvicer mbahen zgjedhjet nacionale. Është një e diel që nuk ndryshon nga të tjerat. Ora dhjetë e mëngjesit kur po i shkruaj këto rradhë e këtu s’pipëtin as miza. Në Zvicër flenë. Në çatinë e shtëpisë tonë ndihet troku monoton i shiut që e bën gjumin edhe më ndjellës.
E nxora në dukje këtë fakt për ta krahasuar me një ditë zgjedhore në Shqipëri apo Kosovë, që është çmendinë e vërtetë, ku të gjitha palët kalojnë në histeri kolektive, që zgjat me ditë e javë deri muaj.
E diela e këtij 18 tetori është si e diela e një jave më parë apo e një muaji më parë, apo si e diela e një viti më parë. Do të fillojë të jetë pak më ndryshe pas orës 12:00, kur në shtabet zgjedhore të partive të fillojnë të vijnë rezultatet e para, por me një ndryshim thelbësor se shtabet zgjedhore nuk janë palë në procesin e numërimit si ndodh në Shqipëri e Kosovë. Jo, jo, votat numërohen nga administratat lokale, pushteti lokal, nëpunës ekspertë, por assesi partiakë. Vota është sovrane dhe e shenjtë. Dhe procesi është i besueshëm. Prandaj këtu sot të gjithë ia kanë futur gjumit, për shtatë palë qejfe, të sigurt se askush nuk e prek sovranitetin e votës së tyre.
Votimi përfundon në orën 12:00, por duhet të jenë shumë të rrallë ata që ia prishin vetes rehatin e së dielës, që do të thotë se tashmë votimi ka përfunduar.
Ju tregoj se si kemi votuar ne si familje. Si zgjedhje vendosëm të katërt, ne dhe djemtë të votojmë për Partinë Socialdemokrate të Zvicrës ose Partinë Socialiste, po pa asnjë mundësi krahasimi me PS e Shqipërisë. PS është partia e dytë më e madhe në Zvicër dhe pjesë e formulës së konkordancës me dy përfaqësues në Këshillin Federal të përbërë prej shtatë anëtarësh. Kësaj partie i përket edhe Madame Micheline Calmy-Rey, ish-Këshilltarja Federale që mbulonte Departamentin e Punëve të Jashtme, një emër shumë i njohur dhe i dashur për shqiptarët e Kosovës. Aktualisht kjo parti përfaqësohet në Këshillin Federal nga zonja Simonetta Sommaruga dhe Alain Berset.
Votimi në Zvicër bëhet kryesisht me postë, në disa kantone tash aplikohet edhe votimi elektronik (E-Voting) si dhe votimi në kutinë e postës të Gemeindes, Komunës, ose direkt në kutinë e votimit.
Një muaj përpara të vijnë informacionet e duhura dhe tre-katër javë por jo më vonë se dhjetë ditë përpara votimit të vjen zarfi, të cilin e plotëson dhe mund ta dërgosh me postë A ose B. Kësaj here afatet e dërgimit të zarfit me postë ishin me Postë B jo më vonë se 13 tetor dhe me postë A jo më vonë se 14 tetor. Meqë ne familjarisht ishim të vonuar për votimin me postë, ditën e enjte, të katër zarfat i hodhëm në kutinë postare të komunës sonë. Dhe u krye.
Sipas lajmeve që vijnë nga ATS, tashmë kush ka dashur të votojë ka votuar. Me qetësi, pa e prishur gjumin e së dielës dhe pa ëndërra makthi për keqlexim të votës.
Nga ana e tyre, gazetarët janë të mirëpritur të ndjekin procesin, mjafton të akreditohen dhe mund të vjelin informacione sa të duan, statistika për pjesëmarrjen, të krahasuara edhe me zgjedhjet e katër viteve më parë, atyre që u mbajtën më 2011 etj.etj. Po ashtu është në dispozicion edhe siti zyrtar i zgjedhjeve ch.ch në pese gjuhë, ku merren njoftime në kohën reale.
Si lajm i veçantë, ATS duke iu referuar Zyrës Federale të Statistikave, jep faktin se në këto zgjedhje Federale ka një rekord të ri në listat e kandidatëve, ku për 200 vende në Këshillin Nacional dhe 46 vende për Këshillin e Shteteve garojnë 3802 kandidatë, nga ku 1308 kandidate janë femra. Sa i përket pjesëmarrjes në votime ajo është pothuaj e njëjtë me disa rritje të vogla në disa kantone në krahasim me zgjedhjet e 2011.
E reja e këtyre zgjedhjeve është edhe pjesëmarrja e kandidaturave shqiptare, por zgjedhja e tyre është një surprizë e paimagjinushme përveç Arber Bullakajt, zvpresidenti i PS në San Gallen, që ka shanse, dhe për shqiptarët do të jetë një fitore e madhe. Komuniteti i shqiptarëve në Zvicër është shumë i madh, por jashtëzakonisht i përçarë dhe i paorganizuar nga influenca e politikave që vijnë nga Prishtina. Komuniteti i shqiptarëve nëse kërkon të krijojë identitetin e tij në politikbërjen e Zvicrës, sepse është tërësisht i integruar në tregun e punës, duhet të shkëputet nga ndikimi i vendeve nga e kanë prejardhjen.
Mos harrojmë se për kandidaturat shqiptare duhet të votojnë edhe zviceranët. Kjo na kërkon të punojmë të unifikuar për të përmirësuar imazhin e shqiptarëve që jo shumë larg në kohë këtu në Zvicër identifikoheshin me shpërndarësit ose dealer-at e drogës , ndërsa sot është mrekulli që zviceranët krenohen me futbollistët me prejardhje shqiptare.
Një tjetër e re e këtyre zgjedhjeve janë edhe kandidaturat e 56 zviceranëve nga diaspora, që edhe këta garojnë për Këshillin Nacional.
Shpallja e parë e rezultateve provizore bëhet në orën 12:00, ndërsa rezultatet provizore finale shpallen midis orës 19:00 dhe 21:00. Ekspertët e zgjedhjeve pohojnë se ka një rezonancë pothuaj të plotë midis rezultateve provizore finale me ato finale zyrtare.
Çfarë do të uronim si komunitet, që të fitonte Arber Bullakaj dhe çdo surprizë me emra shqiptarë do të jetë e mirëpritur. Po ashtu që ky votim të mos i japë shansin e fitores SVP, partisë të Blocherit, e njohur për politikat agresive ndaj të huajve. Gjithësesi Zvicra si një demokraci e ndërtuar me një sistem sui generis, i ka të gjitha mundësitë dhe instrumentat me të cilat mbron dhe ruan ekuilibret.
Komentet