Një numër i gazetarëve dhe përfaqësuesve të mediave në Shqipëri po mbajnë një protestë para parlamentit, për të kundërshtuar pakon “anti-shpifje”, të cilën pritet ta shqyrtojnë të mërkurën ligjëvënësit shqiptarë.
Grupet e gazetarëve e kanë kundërshtuar projekt-ligjin, pasi pretendojnë se ai rrit kontrollin qeveritar ndaj mediave.
Njëri nga protestuesit, Besart Likmeta, përfaqësues i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), i tha Zërit të Amerikës se projektligji është jodemokratik.
“Ky është një proces thellësisht jodemokratik. Këshillat e Shoqatave të gazetarëve, Komisionit Evropian dhe OSBE-së nuk janë dëgjuar nga parlamenti”, tha Likmeta.
“Ligji është antidemokratik, cenon lirinë e shprehjes dhe orientimin pro- evropian të Shqiperisë”, shtoi ai.
Shqetësime për pakon ligjore kanë shprehur edhe Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian.
Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, tha të martën, se pakoja e propozuar ka nevojë për “përmirësim urgjent”, pasi disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirisë së shtypit. Mijatoviq u kërkoi ligjvënësve shqiptarë të ndryshojnë legjislacionin në përputhje me rregullat evropiane.
Konkretisht, ajo shprehu shqetësime lidhur me kompetencat që ky ligj u jep dy organeve rregullatore, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të bllokuar faqet e internetit të mediave, pa një urdhër gjykate.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i pyetur nga Zëri i Amerikës, ka thënë se varianti i fundit nuk merr paraysh një sërë rekomandimesh që i janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtar.
Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se projektligji që do ta shqyrtojë parlamenti është përgatitur pas një punë të përbashkët me OSBE-në.
“Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë; për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin”, ka shkruar Rama.
Komentet