Nëna dhe babai
na e pyesin:
– Blertë,
Çfarë vizatove
përmbi atë fletë?
– Vizatova veten,
a nuk e shikoni?
Ju jeni të rritur
si nuk e kuptoni?
-Po ç’ke ngatërruar
bletë edhe qershi
flutur e kalem
mollë dhe kuti?
Jo asgjë, asgjë
nuk kam ngatërruar,
në fletore veten
unë kam vizatuar!
Po habitet nëna
babai bën çudi…
– Ti nuk je kalem,
ti nuk je kuti!
Mollë edhe qershi
ti nuk je, moj Blertë,
pastaj këtu ç’duan
një flutur,
një bletë?
– Jua thotë gjyshja
pritni kur të vijë…
– Kur s’e dimë ne
gjyshja s’mund ta dijë!
– Jo e di, e di!
Gjyshe moj, vrapo,
se ç’kam vizatuar,
eja na trego.
Ja ku erdhi gjyshja,
vizatimin pa…
– Kjo këtu është Blerta! –
prindërve u tha.
Se, kur afron mbrëmja
edhe do të flerë,
i këndoj një këngë,
që gjumi ta zerë.
Gjumi mbi qepalla
vete edhe vjen
unë, një këngë, mbesës
nis edhe i them:
“I ke faqet mollë,
sytë si qershi
hundën si kalem,
gojën si kut”.
Pa, i them: “Je bletë”
Pa i them: “Je flutur”,
se është punëtore,
sepse është e bukur.
Pra në vizatim
është vetë Blerta
veçse ka harruar
të bëjë… gërshetat!
Komentet