1.
“Pesë minuta pas shuarjes së jetës, trupi njerëzor nis shformimin. Njëherë së brendshmi e, mandej, përshfaqet qartja e tij jashtësore. Dhe fundi i tij, nuk është veçse fillim i një gostie të madhe festive për organizma të tjerë të uritur”.
Pikërisht kështu fillon “Kimia e vdekjes”. Në dukje e trishtme, por, thelbësisht, këtu nuk ka asgjë shpirtthyese. Përkundrazi. Përvoja e prekshme e përkohësisë së jetës që jepet në tabllonë e sipërme të trilerit nga Simon Beckett dhe ideja e transcendencës do të duhej, si thonë dhe Shkrimet, të paqësonin njeriun. T’a bënin më të dashur e të dhëmbshur, më të prajshëm e modest. Me të gjithë. Por ai, me gjasë, është i pandreqshëm.
2.
Indusi i çuditshëm Prahlad Jani tash 70 vjet jeton pa ngrënë asgjë. Merr, thotë, energji kozmike nga meditacioni dhe hyjnitë që e kishin kontaktuar kur ishte vetëm 8 vjeç. Mirëpo, shëmbuj të tillë ngjajnë dëshpërues, jo pse ky njeri duke qenë në kufi të mbinatyrores, është i paimitueshëm, por pse meditacioni i tij çlirues si armë e mbijetesës, nuk i qaset shpirtërave të vobektë.
Që këtej dhe rreshtat e autorit të “Kimisë …”, të larta si yjet, nuk kapen dot nga thundrat e deleve (si do të thoshte Niçe). Ndaj, mneri i asgjësë dhe frika e ndëshkimit qiellor sikur nuk mjaftojnë për t’a disiplinuar njeriun. Aq më pak për ta fisnikëruar atë. Mbase, një tjetër drojë e ndëshkim, toksor tashmë, i shkon më shumë natyrës së tij.
Ndoshta ky do të ketë qenë kryemotivi frymëzues që Ramikshan Alipur Radavi, i njohur si Guru dhe mjeshtër i Jogas, të vendoste para ca vitesh të përfshihej në garën zgjedhore për legjislaturën e Kuvendit federal të Indisë. Në vendin e tij i kishte dalë nami si konservator e nacionalist dhe kjo, në të parë, nuk bënte një lajm të veçantë. E veçanta e kandidaturës së tij ishte filozofia elektorale dhe një premtim i vështirë. Janë, ndërkaq, interesante dy mesazhe që i jepnin veprimsisë së tij politike njëlloj idealizmi mesianist: i pari, i drejtohej ndjekësve të tij, kurse i dyti – gjithë botës. Vetëm kur t’kemi spastruar shpirtërat tanë, pohonte ai me bindje gati fanatike, do të spastrohet demokracia e Indisë dhe, pastaj, vetëm një Indi e dlirë do t’mund të shpëtojë krejt botën.
Mirëpo i vetëdijshëm për pamjaftësinë e Jogas, ligjërimit mistik dhe praktikave spiritiste, si për të përplotësuar këtë, ai premtonte një ligj-rrufe të padëgjuar: ligjin për dënim me vdekje të autorëve të veprës korruptive!
3.
Anipse i ashpër, fillimisht do të mrekullohesha me idenë-ligj të Gurus. Por, duke përsiatur mbi përmasat e tejshtrira të korrupsionit në Kosovë, do t’a humbja entusiazmin shpejt më pas. Thashë: lehtë e ka ai të dënojë me vdekje krimin e korrupsionit. Të korruptuar ka më pak ndër bashkëvendës (relatorët e huaj u rezervojnë përherë shqiptarëve një ndër vendet e para të nderit në këtë zejë) dhe India e tij është aq e paanë. Ndërkohë që në Kosovë ky shpërpjestim është i kundërt: të shumtë, si krimbat, janë korruptantët e palodhshëm dhe i ngushtë – sa i ngushtë është trualli verior i shqiptarëve! Dhe, prandaj, do të shfaqej për pasojë, një problem madhor: ata do iknin por duke lënë pas, në formë varresh, nishanet e tyre të pështirosura. Të shumta, të shpeshta dhe monumentale, ato, varret e heronjëve tanë të korrupsionit, do të shtriheshin rëndshëm gjithandej Kosovës së vogël.
Varret e rëndomta civile, madje edhe ato të dëshmorëve të kombit, do të pakoheshin e përbuzeshin ndanë varrezave gjigante të martirëve që janë fikur për të mbajtur sa më lartë pishtarin e bëmës historike të hajnisë popullore. Dhe, tutje, ndërsa ato të vdektarëve të thjeshtë do të rrafshoheshin gati të paemër, të mbuluar me bar e harresë – ato të të dënuarve nga gjahtarë të drejtësiprerës europianë me “procese të montuara politike”, do të ndrinin me kurora lulesh përherë të freskëta, vënë plot dhimbje e politesë nga mehybët, të mëshiruarit dhe përfituesit e skemës bashkëhajnore.
E pra, ku do të marrin shqiptarët e gjorë, si indusët në subkontinentin e tyre të pafund, gjitë atë tokë, atë rezervat shtetëror për varrezat e titajve të idealit të ri? Për të gjallë, ata ua vodhën elektorëve të tyre bukën e fëmijëve, kurse me vdekjen pompoze do ua rrëmbenin, ashtu, hapsirën jetësore e s’do tu mbetej veç braktisja dhe mohimi i atdheut…
Kremosja, nga ana tjetër, nuk do të ishte zgjidhje më komode. Tagri i saj do të ishte njësoj i rëndë: vendstacionimi i qendrave të tyre, shpenzimet e ndërtimit, mirëmbajtja e kujdesshme profesionale, bëjnë të gjitha bashkë, një rëndesë aspak të lehtë në kushtet e stanjacionit zhvillimor dhe kufizimeve energjetike!..Mandej dhe shtjella e pluhnajës së ngritur nga kremosja e çdoditshme (se e gjatë do ishte radha e tyre) do të ndotte ambientin dhe skandalizonte natyralistët, zyrtarë apo adhurues të flaktë të natyrës së pafajshme.
Madje jo vetëm kaq. Si shpërblim mbarëpopullorë për trashëgiminë e tyre që s’i bindet as mortit, turma e lumnuar, tashmë në sferat e epërme të shpirtit e kulturës,
do ndjenin detyrimin e përuljes, pastaj për kujtimin e paharruar, përrallat me legjenda uliksësh për fëmijë para gjumit, kapituj të tërë lektyrash shkollore, festa, përvjetorë, betime të zjarrta, akademi solemne ku do të flisnin përlotur pleq të rrjedhur…Dhe do të përçudnohej ashtu e gjithë kulla vlerore: edhe tradicionale edhe kontemporane!
Pastaj do të pllakoste, e padurueshme në sfondin e saj romantik, zallahia e gjyqeve të mëdhenj. Gjyqeve epokalë me fjalime solemne të të pandehurve që janë krenarë e s’kanë përse të pendohen dhe faqe gazetash të stërmbushura me kronika luftëtarësh të dalluar për shtimin e rendimentit të të lashtave korruptive, avoketër të ndërkryer pas fitimesh përmbytëse që u vijnë nga “fonde për mbrojtjen e vjedhjes patriotike” dhe familjarë që betohen, heshturazi disa e zëshëm ca të tjerë (me grusht a me dy, tre e me shumë gishtrinjë të ngritur, s’ka rëndësi) për hakmarrje dinjitoze si e do besa e nderi i fisit…
Po, së mbrami, do të rrjedhonte natyrshëm dhe hapja e diskursit, të madh e të lodhshëm kombëtar, për mënyrat e ekzekutimit të të dënuarëve të panumërt e ballhapur! Propozimet e “institucioneve provizore”, shoqatave të bamirsisë, veteranëve të torturës, personaliteteve emblematikë, të specialistëve të dhimbjes shpirtërore e të tjera, do të ishin të ndryshme, të egra ose më të mëshirshme, por gjithsesi të habitshme e marramendëse: që nga teknikat moderne e deri te ato mesjetare me elefantë të shkujdesur (që duhet importuar enkas, si kosto shtesë e buxhetit të konsoliduar) apo peshq të uritur!..
I gjithë spektakli (u muar vesh, po u miratuan dënimet mesjetare) do të ishte madhështor, madje me një hir të rëndshëm perandorak, si kompensim i vonë për shkëlqimin e munguar, por poaq dhe i pakollajtë për menaxhim, ngaqë do të duhej të dëshmonte efiçencë të lartë për të kapur ashtu kurorën e lavdisë së “shtetit shkurtabiq” (për të shmangur hatërmbetjet saktësojmë se të tilla cilsohen, rëndom, krijesat shtetërore – ose me banorësi të paktë, ose me territor voglan ose me sovranitet të cunguar!) me emrin e lashtë Kosovë!
4.
Përfundimisht, nga sa do të reflektoja (anipse kjo punë nuk është në dorën time) ideja e Ramikshan Alipurit të urtë, mu duk jo pak e zorshme dhe e huaj. E bukur, po njëkohësisht e largët, si India e tij magjishme.
Ndërkaq e besoj, mjerisht, një epilog krejt më të lumtur. Ashtu si ndodhi ditë më parë në një konte amerikane (raportuar nga mediat gjermane), edhe në Kosovë, kur ligjzbatuesit do të çojnë korruptantët e pranguar në vuajtje dënimi, drejtoria e burgjeve do t’u thotë ankueshëm e shkurt: nuk ka vend, jemi plot. Aherë ata, më në fund, do të marrin urdhërin e shumëpritur e gazplotë nga autoriteti suprem: lërini të lirë!
Komentet