“Pse ndodh kështu vallë?! Jemi në shekullin XXI dhe vazhdohet ende me mendësi arkaike. Mos vallë njerëzit janë kthyer pas në kohë dhe kanë kaluar në fillimet e shoqërisë njerëzore, në matriarkat apo patriarkat?” – këto pyetje dilema e shqetësuese, i bëja vetes, pasi u trondita nga një ngjarje shumë e shëmtuar.
Gazetarja televizive e një kanali privat, duke bërë humor, ashtu kalimthi, dha një kronikë tronditëse: “Një burrë ka bërë divorc me bashkëshorten, sepse paskësh lindur vajzën e dytë. S’ke ç’i bën! Gjëra që ndodhin…Kështu e ka jeta!” –përfundoi gazetarja “hokatare”. Veçse mungesa e seriozitetit të saj më habiti. Asaj i mungonin finesa, ndjenjat njerëzore, solidariteti femëror, ndaj një gruaje fatkeqe. Ndoshta po gaboj, por instiktet njerëzore që e dallojnë njeriun si qenie humane, madje për të ishin të huaja, natyrisht lidhur me këtë lajm të transmetuar pa takt. Ky mendim për të, më lindi për një arsye të vetme, sepse këto dukuri janë tiparet morale që karakterizojnë dhe klasifikojnë çdo njeri si individualitet apo personalitet. Ndoshta ajo nuk e di se,të jesh i virtytshëm, duhet të kesh këto cilësi dhe të udhëhiqesh nga mirësia. Më e keqja ishte, se pas lajmit, ajo vazhdoi me qeshje sarkastike, gjë që për çdo shikues dhe dëgjues të vëmendshëm, apo dhe skrupuloz, një sjellje të tillë do ta quante amorale.
Nuk thonë kot: “gjuha tule është por kocka thyen.” Ndërkohë nënzërita e revoltuar: “U prish bota…!Eh, sikur…, në atë çast, vetëm një çast dëshiroja që botën ta kisha në dorë, t’ia shtrydhja gjithë ligësitë që shpirtrat helmojnë.”
-Eh sikur…?!
Po ç’do të bëja vallë? Mos do t’i ndalja rrjedhat e kohës dhe do të ndryshoja botën intrigante, botën hileqare dhe laramane?
Jo, kurrë…
Aty për aty vetëtimthi, si padashur belbëzova: “Sikur të isha djalë!” Pikërisht titulli i romanit të shkrimtarit, Haki Stërmilli, botim i viteve ’30, të shekullit XX, më erdhi ndërmend, sa dëgjova këtë lajm të hidhur. Ky realitet i dhembshëm, ishte i dalëmode për kohën, gjithsesi u hodh në tregun e thashethemeve si një send me ofertë. Vajza, për fat të keq, edhe sot quhet një barrë e rëndë, e cila mund të vërvitet me neveri dhe pa mëshirë jashtë shtëpisë, në rrugën e madhe të asgjësë. Ka shumë njerëz në këtë botë, të cilëve u është mohuar e drejta më legjitime për të qenë prindër. Ata, dhe vetëm ata, e dinë se ç’ vuajtje shpirtërore dhe dhembje ndiejnë nga mungesa e gëzimit që të dhuron një fëmijë.
Madje, madje te ata prindër që kanë patur fatin të kenë fëmijë, diferencimi gjinor mes djalit dhe vajzës, është shumë i dukshëm dhe tejet mizor. Por të jesh jashtë të realitetit të kohës, si kushdo, edhe unë pyes veten: “Nuk di ç’emër t’i vë sjelljes së atij babai. A ka zemër vallë?! Po shpirt dhe ndjenja atërore, ka ky njeri?”– pyetjet e mia morën si shkak vorbullën e jetës pa krye dhe pa anë. Nëse zhytesh në të, je fatcaktuar, që do të ngelesh rob i saj, sepse nuk del dot më prej aty. Jeta është sa e pabesë dhe po aq e vështirë dhe e koklavitur. Cinizmi mesjetar është rrënjosur aq thellë në mendjet e prindërve pa kulturë, sa nuk i lë hunda të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë detyrën që u ka caktuar Zoti, si prind. Si mund t’i bëj zemra një babai e t’i thotë vajzës: “Vërtet ti je ime bijë,por unë doja të ishe djalë. Ndaj dil nga jeta ime, largohu nga shtëpia, se je e tepërt. Brenda kësaj hapësire nuk ka as vend, as oksigjen për ty, sepse je vajzë.” Ky Atë katil i cili arrin sa të mohojë vajzën, nuk meriton të quhet njeri. Shoqëria e sotme, tejet e hallakatur, e molepsur pas parasë, luksit, shabllonizmit të jetës fars të ekranit, e ka pyetur ndonjëherë veten pse shumë vajza kërkojnë një botë tjetër më të mirë se aktualiteti që jetojnë? Pa logjikuar ato i falen rastësisë, duke lënë gjithçka pa kthyer kokën pas. Pa u thelluar, pa logjikuar se ç’udhëtim pa krye kanë nisur, bien viktima të rrugës, të drogës dhe të trafikut. Cila baltë do ta mbajë si bijën e vet, një vajzë që vjen nga asgjëja? Atë e përbalti, e shvlerësoi, ia vrau ëndrrat mizorisht babai, si vazhdimësi e shoqërisë me paragjykime mesjetare. Atëherë si mund të shpresojë që lumturinë do ta gjejë në një vend të huaj, ku rrethohet nga e panjohura? Fatkeqësisht ka shumë vajza të tilla, të brishta, të bukura, të dëlira, plot ëndrra të vrara, të cilat nuk arrijnë ta realizojnë vetveten.
Qysh në kohë të tjera, më të hershme, ka ekzistuar mendimi i padrejtë kundër lindjes së një vajze. Zakonisht të moshuarit, si burrat dhe gratë, por në mënyrë të veçantë, meshkujt, teksa shihnin një grua shtatzënë, gjithmonë e uronin: “Ju gëzoftë Zoti me një djalë!” Për kohë luftrash, quhej i drejtë një urim të tillë.
Po kjo ndodhi në kohë moderne, më bëri që të sjell nga kohërat një ngjarje që tregon se sa vlera ka një vajzë.
Është e vërtetë që djali duhet për shtëpi, për gjenezë dhe për trimëri. Mos vallë vajza është më pak trime dhe punëtore se djali? Jo…Kjo varet se si edukohet nga familja. Megjithatë, gjithë meshkujt kërkojnë të kenë djem dhe jo vajza.
Po sjell një histori pak a shumë identike me rastin në fjalë…
Në lagjen tonë, madje në të njëjtën rrugicë, jetonte një familje e rregullt, prindërit me tre fëmijë. Djalin e kishin më të vogël nga dy vajzat. U rritën bashkë me fëmijët tanë, ashtu si dhe çdo familje tjetër, me hallet dhe gëzimet që të dhuron jeta. Pasi u martuan vajzat, u rrit dhe djali.
Artani, kështu quhej djali, kishte njohur një vajzë, me të cilën u dashurua. Pasi e njohën mirë njëri-tjetrin, shpallën fejesën dhe pa e zgjatur shumë, ndjenjat e tyre i kurorëzuan me martesë. Pas një viti Periana, nusja e tij, lindi vajzë. Prindërit u gëzuan shumë për mysafiren e re që u mbushi shtëpinë plot gëzim. Po kështu edhe nëna e re fluturonte nga gëzimi dhe i shndriste fytyra. Mamaja e re ëndërronte për të bijën, që nesër do t’i bëhej motër, pse jo dhe shoqe. Ndryshe nga ata të tre, Artani nuk shprehte ndonjë gëzim. Si prindërit dhe bashkëshortja e kishin vënë re, por nuk ia hodhën në sy asnjëherë. Vajza rritej nga dita në ditë, shëndoshej, zbukurohej dhe kur filloi nga gugat, atëherë i ati nisi ta përkëdhelte të bijën. Ndryshimi i sjelljes së tij, e qetësoi disi Perianën dhe ia ngrohu zemrën. E gëzuar, i këndonte ninulla së bijës duke i thënë:
“Rritu, rritu zemëro,
se ty babi shumë të do!”
Pas pak vitesh, Periana lindi përsëri vajzë. Të moshuarit, gjyshat përsëri u gëzuan, kurse Periana ishte në merak. Pavarësisht se Artani nuk i a kishte shprehur asnjëherë dëshirën për të qenë baba i një djali, por si çdo grua, ajo e njihte mirë burrin e saj. Të gjorën nuse e vriste qëndrimi i ftohtë dhe i menduar i të shoqit. Ç’është e vërteta ajo nuk kishte asnjë faj, se vajzat nuk i kishte lindur e vetme dhe as me frymën e shenjtë. Gjithësesi jeta vazhdonte normalisht, madje dhe marrëdhëniet e tyre ishin shumë të mira. Si ajo, edhe ai interesohehin për mirërritjen dhe edukimin e vajzave. Të dy, si çift planifikuan të lindnin edhe një fëmijë të tretë se ndoshta dilte djalë. Për fatin e tyre jo të dëshiruar, përsëri lindi vajzë.
Atëherë Artani i thotë Perianës si me shaka:- Zemër, në krye të çdo nëntë muajve, do të jesh në Shtëpinë e Lindjes, derisa të më bësh “baba me djalë”. Porse shakaja nganjëherë të bënë të mendohesh, ose në të shumtën e rasteve, është gjysma e së vërtetës. Si përfundim shakaja ishte bërë realitet dhe Periana lindi vajzën e gjashtë. Dëshpërimi i Artanit arriti kulmin. Nuk e donte veten. Gjithsesi ishte i ndërgjegjshëm se nuk ishte ajo fajtorja. Gjashtë vajzat si drita rriteshin sikur i tërhiqje prej flokësh, njëra më e mirë se tjetra. Ishin të bukura si yje dhe shumë të dashura e të sjellshme si me gjyshërit, me prindërit, edhe me njëra- tjetrën. Në shkollë ishin të rregullta dhe me rezultate të mira në mësime. Ndërkohë që vajza e madhe përgatitej për të shkuar në Universitet, e ëma ngelet shtatzënë. Pasi u siguruan që Periana priste fëmijën e shtatë, Ai i thotë prerë:
-E dashur grua, nëse edhe ky fëmijë do të dalë vajzë, unë nuk e dua. E kam seriozisht. Mos më thënçin Artan, se…!
-Se…? Ç’do të thuash me këtë? Çfarë ke ndërmend të bësh?
-Do ta hedh në rrugë.
-Si…, si the? Thuaje edhe një herë, të lutem, se dua ta dëgjoj mirë.
– Do ta flak tej…
-Më vjen keq që flet kështu.Të bën zemra vallë, të marrësh më qafë një jetë të pafajshme? Artan, ky fëmijë që pret të vijë në jetë, së pari është njeri. Pastaj mos harro se nuk është pronë, me të cilën mund të bësh ç’të duasah, por një qenie njerëzore. Kjo foshnje nuk është vetëm produkti yt, por edhe imi. Madje jam unë, ajo që e rrita me gjakun e zemrës sime dhe e ushqeva nëntë muaj në bark. Ti nuk e do, por e dua unë. Është gjaku i gjakut tim dhe mish i mishit tim, ndaj nuk vendos vetëm ti për të…për jetën e saj…
Ishte një vendim i gabuar dhe i njëanshëm mashkullor. I kishte folur goja para mendjes. Fatin dhe zgjedhjet e jetës, nuk i vendos dot njeriu, por është një fuqi e mbinatyrshme, Zoti. Ai të falë jetën e fëmijës… Kurse ti, o njeri, mos e prish zemrën, por prite krahëhapur se foshnjat janë dhurata më e bukur e jetës. Nëse e pret apo e sheh gjithë jetën me zemër të thyer lindjen e një vajze, fati të dënon. Ndaj mos e mbush zemrën me mllef.
Por gruaja e tij e mençur, e përqafoi dhe iu kalavar në qafë, duke e vështruar ngultas në bebe të syve, si bënte dikur kur ata i shprehnin ndjenjat e dashurisë njëri-tjetrit. Përmes atij shikimi të thellë, për një çast asaj iu duk sikur depërtoi në ndërgjegjen dhe shpirtin e bashkëshortit të saj. Në atë vegim tejpamor, madje tej reales, përmes dritës së brendshme të ndjenjave të veçanta të nënës, ajo vuri re një trishtim dhe brengë të të shoqit, gjë që nuk ia kishte pikasur kurrë më parë. Madje përmes atij zhbirimi përsa parandjeu se ç’bluante brenda ndërgjegjes së tij, u rrëqeth e tëra, trup e shpirt. Iu duk sikur brenda qenies së Artanit të saj, me shpirtin e artë, jetonte një njeri i egër, i cili ishte shndërruar në skllav të idesë për t’u bërë domosdoshmërisht me djalë. “Çudi si nuk ma ka shprehur vuajtjen e tij shpirtërore? “- mendoi ajo mes një tronditjeje të thellë që e pushtoi të tërën. Një drithërimë i përshkoi kurmin, nga thoi i këmbës deri tek majat e flokut. Për gjendjen e krijuar, ajo mendoi se ishte një lloj presioni psikologjik mes pamundësisë për t’u bërë realitet dhe dëshirës përvëluese të të shoqit për të patur një djalë. Burrat ngrehosen kur u thërrasin : “babai i djalit”. Më pas filloi të dridhej si ndër ethe. Flokët me krela, çuditërisht u shndërruan në shkopinjë të drejtë , të ngrirë, të ngritur përpjetë si gjemba iriqi. Pa vetëdije nisi të kërcasë dhëmbët, porse keqësimin e gjendjes së saj, ai nuk e vuri re. E mbuluan djersë të ftohta dhe u plandos e pafuqishme mbi divan.
Ndërkohë Artani po dilte nga shtëpia dhe e përshëndeti, por Periana nuk iu përgjigj. E përsëriti përshëndetjen, por u pasua me heshtje. Ktheu kokën nga e shoqja, kur ç’të shoh? Ajo qëndronte e shtrirë pa ndjenja dhe e mbledhur kruspull. Gjithë ai trup i të shoqes, iu duk si një lëmsh i braktisur. I shqetësuar, shkoi pranë gruas që e donte sa jetën. U habit me gjendjen e saj. Ajo merrte frymë me vështirësi. Nga spazmat dukej tejet e kapitur dhe dridhej nën efektin e etheve. U mundua që ta përmendëte me pak alkool. Ajo hapi sytë me vështirësi, gjithsesi vazhdonte të kishte vështrim të turbullt dhe qepallarënduar. I ndërroi teshat e lagura, që gjasonin sikur ishte futur në dush e veshur. E ndërroi, e mblodhi me batanie dhe ndezi ngrohësin.
I bëri një kafe të fortë. Periana e piu me zor dhe pa dëshirë, gjithsesi ajo e solli në vete.
-Zemër, nëse ndihesh pak më mirë, eja të të çoj te mjeku.
-Jo i dashur, jam pak debul, po nuk kam asgjë shqetësuese.
-Duhet të bësh një kontroll mjekësor. E dashur, në radhë të parë për shëndetin tënd, pastaj nxjerrim merakun edhe për djalin,- sa zuri në gojë djalin, ajo u zhyt në vetvete dhe nuk donte të lëvizte nga vendi.
Periana e gjorë pas kësaj, gjithë muajt e shtatzënisë ishte në ankth. Kur mendonte se mund të lindëte përsëri vajzë, nuk e mbante vendi dhe rrinte zgjuar. Kalonte netë të tëra pa gjumë. Erdhi koha që të lindëte. Ishte në Shtëpinë e Lindjes, në shtrat, duke lindur. Veç dhembjeve të lindjes ku, nga njeriu lind njeri, atë nënë e mundonte së tepërmi meraku se çfarë gjinie do të ishte foshnja që po sillte në jetë. Ajo torturohej fizikisht dhe ndërgjgjësisht, kur Artani tërë ankth, vente e vinte nëpër sallën e lindjes, sikur dhimbjet e tmerrshme të nënës, po i hiqte ai dhe jo ajo. Sa u dëgjua e qara e foshnjës, ai klithi. –Djalë, djalë… është?…
-T’ju rroj! Jeni bërë baba me një vajzë si kartolinë, – u përgjigj doktoresha.
Ai vuri duart në kokë, nsi të shkulë flokët dhe pastaj filloi t’i binte kokës me grushta!
-Mblidhe veten, zotëri! Bota çfarë nuk japin që të kenë një fëmijë, kurse ju i keni dhe nuk i doni. O Zot, si nuk ia dini vlerën kësaj dhurate kaq të vyer?!
-Nuk e dua…nuk e dua. Nuk e marr… Le ta marrë kush të dojë. Faljani dikujt që kërkon fëmijë. Kjo vajzë nuk e kapërcen pragun e portës sime.
-Ka disa rregulla.Ne nuk falim sepse shkelim ligjin. Ju si prindër, jepjani dikujt që ta birësojë.
-Çojeni në jetimore.
-Zotëri, shteti nuk merr për të rritur dhe edukuar fëmijë që i kanë prindërit shëndosh e mirë. Zakonisht marrin jetimët ose fëmijët e paligjshëm.
-Gjithsesi unë nuk e dua këtë vajzë.
-Si vajza dhe djali janë fëmijë, kanë në gjene embrionin tënd dhe të gruas, janë gjaku i ju të dyve. Tani jeni i dëshpëruar se e donit djalë. Më vonë do ta duash më shumë se vajzat e tjera. Këtu do jemi dhe do të flasim.
-Edhe vajzat e tjera i kam mallkuar: “U shofshi, vdekshi dhe kurrë mos u rritshi”!
-Keni hyrë në mëkate për secilën nga vajzat. Mos e mallko, se vajzat nganjëherë janë më të mira se djemtë…- përfundoi doktoresha dhe bëri daljen nga Shtëpia e Lindjes.
-Periana, unë po iki në punë dhe do vij të të marrë në mbrëmje, por…
E gjora Perianë! Psherëtinte, qante dhe pyeste veten: “ Ku do përfundojë vogëlushja ime e mjerë? Fëmijët janë të lidhur me shpirtin. Të gjithë njëlloj ta dhurojnë, si gëzimin, edhe dhembjen. Cilin gisht të presë nëna dhe nuk e ka dhembjen njëlloj?” –me pyetje të tilla orët zvargeshin të nemitura, të lodhura, të tensionuara, prej pritjes së ethshme. Periana nuk kishte faj. Ishte shqetësimi i një nëne për fatin e foshnjës të sapolindur.
Mjekja i foli dhe e këshilloi që të mos e lëshonte veten.
-Të duhet kurajë, Periana. Duhet të bëhesh e fortë, për burrin se ka nevojë për ty, për vajzat dhe për vete. Je nënë dhe e gjithë familja i ka sytë tek ti, – e qetësoi disi doktoresha dhe bëri të dilte. Te dera e dhomës, ndali e u kthye.
– E kam lënë pa emër kartelën e vajzës, se duhet të vendosnit të dy bashkë. Të lutem më thuaj se si ta regjistrojë?
-Jua kam lënë Juve në dorë, doktoreshë….Quajeni si të doni.
-Atëherë unë po i vendos një emër të veçantë. Ta gëzojë emrin “A’ja” !
-Nuk e kuptoj, çfarë emri është?
-Shkronja e parë e alfabetit tonë , ‘A’ dhe theksohet “A’ja”, A, me apostrofë.
-Mase nis një fillim i ri për familjen tonë,- psherëtiu Periana e gjorë.
Në mbrëmje, kur ishte errësuar fare, Artani shkoi e mori bashkëshorten me gjithë vajzën. Ajo nuk nxori asnjë fjalë nga goja. Priste me padurim dhe në ankth, se ç’do të ndodhte. Kur hynë në lagjen e tyre periferike, ai devioi makinën në një rrugicë që të nxirte tek sheshi i xhamisë. E mori vajzën nga duart e së shoqes dhe e vendosi te shkalla, buzë asfaltit. Aty mund ta shtypnin me këmbë, me makinë, biçikletë ose mund ta merrte dikush.Më e keqja ishte se mund ta shqyene ndonjë kafshë, e cila mund ta sakatoste. E shoqja brofi në këmbë e revoltuar.
-Nuk e lë vajzën aty.
-Nuk e lë ti , po e lë unë. Nuk është vetëm e jotja , por është edhe imja.
-Vërtet?! Tani u kujtove për të? Po të ishte edhe jotja, nuk kishe për ta braktisur në mes të rrugës. Si duket ajo foshnjë ka lindur me frymën e shenjtë dhe jo nga një baba. Ajo ka vetëm nënë. Unë dhe vetëm unë e kam mbajtur nëntë muaj në bark, e kam rritur me gjakun e me mishin tim. Ndaj e dua si… dhe sa gjashtë vajzat e tjera.
-Të kam thënë që ky fëmijë po të lindte vajzë, nuk do të hynte në shtëpi.
-Nuk të vjen keq? Është aq e pafajshme, sa të këputet shpirti që ta lësh në mëshirën e fatit.
-Tani ti do të shkosh në shtëp, se po të presin vajzat. Për këtë do të kujdesem unë.
Donte apo s’donte, gjithë merak ajo shkoi në shtëpi, kurse ai tha se do të punonte turnin e natës. Periana nuk vuri gjumë në sy. E gdhiu gjithë natën ndenjur në shtrat. Vente e vinte e tronditur nga shtrati deri ta porta. Ndërkohë
Artani e kaloi natën i fshehur diku, nga ku mund ta kontrollonte foshnjën. Qëndroi deri në mëngjes, por askush nuk e ktheu kokën nga vogëlushja që ngjante me një bohçe plaçkash ngjyrë rozë. E mori vajzën dhe e çoi në shtëpi. E gjeti të shoqen te dera. Ishte ulur në shkallën e parë dhe qante heshturazi. Si lehonë, ajo kishte nevojë për qetësi, ngrohtësi e ushqim, por shqetësimi, dashuria dhe dhembja e pakrahasueshme e nënës, e kishin mbajtur aty ngërthyer në shkallë.
E rrëmbeu vajzën dhe e zbuloi për ta parë nëse ishte ende e gjallë. E vogla filloi të qante mne një zë të shuar, sikur i ankohej së ëmës, që e kishte braktisur. I bëri banjë me ujë të ngrohtë. Meqë ende nuk i kishte rënë kërthiza, ia izoloi me një monedhë metalike. I dha për të pirë. Çudi, ajo foshnjë pesëditshe, herëpashere hiqte gjoksin nga goja dhe psherëtinte duke hequr në zemër. Pastaj e zuri një gjumë i thellë.
Gjatë ditës i bëri shërbimin e duhur Ajas…Në mbrëmje, pa folur fare, Artani mori vajzën dhe e çoi përsëri në anëledhin, pranë xhamisë. E la deri në mëngjes, por përsëri askujt nuk i ra në sy . Për çudi ajo rrinte urtë si një njeri i bindur në fatin që i ishte caktuar. Në mëngjes e mori dhe e solli në shtëpi. Kurse Periana e kalonte natën te shkalla, ku priste gjëmën e foshnjës Këtë braktisje të vajzës, duke ia dorëzuar asgjësë, i ati e vazhdoi dyzetë ditë. Kur pa se askush nuk e mori të bijën, mendoi se ky fëmijë ishte fat i shtëpisë. E solli në shtëpi dhe nuk e nxori më jashtë. Porse jeta e së shoqes kishte marrë rrokullimën. Aq netë sa e bija qëndroi jashtë, aq vite jetë iu shkurtuan Perianës së gjorë. Sa ditë e muaj kalonin, ajo binte nga pesha. Pësoi një traumë që i shkaktoi depresion nervor. Mbahej me qetësues. Papritur bie një epidemi që infekoi njërën nga vajzat. Motrat duke i shërbyer të sëmurës, u infektuan nga njëra- tjetra gjatë shërbimit që bënin. Gjashtë vajzat e mëdha vdiqën njëra pas tjetrës. Periana në gjendjen shëndetësore që ishte, nuk i rezistoi dot humbjes së vajzave të saj. Kaloi në Pleqëri të Parakohëshme. Ajo nënë e helmuar deri në palcë, ndahet nga jeta duke marrë me vete dhembjen e humbjes së fëmijëve, e vajzave të saj që i rriti, i edukoi dhe iu bën të mira. Por vdekja i donte të gjitha për vete, si vajzat, dhe atë. Shtëpia që dikur buçiste nga zërat dhe të qeshurat e vajzave tani kishte rënë në zi nga tragjedia e familjes. Mes dhembjes, e vetme, në mungesë të kujdesit atëror, A’ja e vogël u rrit para kohe. E vogla që sa kishte nisur klasën e parë u bë zonjë shtëpie. Bënte punët, mbante shtëpinë, gatuante me duart e vogla dhe i përballonte vuajtjet apo lodhjen me trupin e njomë e të brishtë të saj. Herë-herë harrohej, duke parë nga dritarja shoqet që luanin jashtë në rrugë, kurse ajo kujtohej si një e rritur se kishte shumë punë për të bërë. Kurrë nuk harronte se kishte dhe babanë, për të cilin duhej të kujdesej. I ati as fliste dhe as e përgëzonte të bijën. Kurse ajo si një vajzë e lindur me mend, e rritur para kohe, kujdesej që atij të mos i mungonte asgjë.Por ai baba nuk ia falte vetes që shkatërroi familjen e tij, për shkak të egos së tij mashkullore humbën jetën gjashtë vajza dhe gruaja që donte me gjithë shpirt.
Është e drejtë shprehja : “Vonon , por nuk harron!”
Ishte ai që mallkonte me gjithë shpirt lindjen e çdo vajze dhe përsëri ishte ai baba, që përcolli për në banesën e fundit gjashtë vajza dhe nënën e tyre. U plak, u mpak, u kërrus, u rrëgjua, u sëmur nga skleroza. Kërkonte vajzat, gruan, i thërriste me emër që t’i plotësonin ndonjë kërkesë. Por ajo që i qëndroi pranë, ishte A’ja.
Artani arriti dhe e martoi. Madje ishte dëshmitar kur e bija u bë nënë me djalë. Sa doli nga Shtëpia e Lindjes, ajo u drejtua tek i ati. Ia dha në duar duke i thënë:” Baba ta gëzojë emrin Artan Kaoni!”
-Të faleminderit, bija ime! Nuk di, moj bijë, nuk di- dhe buza i dridhej.- A do t’më falësh një ditë për fajet që kam bër? Bija ime, më duket sikur ka rënë mali e më ka zënë…
-Baba, nuk ke se ç’falje më kërkon. Çdo fëmijë ka detyrime ndaj prindit. Si ti, edhe unë jot bijë, i lutesha Zotit që të bëhesha nënë me djalë. Doja të të plotësoja dëshirën, të ta realizoja ëndrrën, baba. Netëve lutesha që të ta mbushja shpirtin tënd të zbrazët, që nuk t’u realizua dëshira së paku një herë…
Faleminderit bija ime e shtrenjtë! Past jetë të gjatë Artani, u bëftë i mirë dhe uroj të rritet me të dy prindërit! Tani nuk dua të jetoj më.
Ajo e pleqëroi dhe e përcolli me nderimet e duhura babanë e saj drejt përjetësisë. A’ja u bë trashëgimtare e gjithë shtëpisë, pasurisë së familjes dhe përtëriti genet e të atit, i cili e dëshironte aq shumë një djalë.
Vetëm në fund të rrugëtimit të tij të gjatë, ai baba i lënduar deri në palcë, gëlltiti helmin, pasi gjeti vetveten dhe bashkë me të, edhe lumturinë, fjalët e fundit të të cilit ishin: “Mos u helmo, o i helmuar; mos u gëzo, o i gëzuar! Ti, o njeri, që Zoti të bëri baba me një vajzë, mos e prish zemrën, se foshnja është dhurata më e bukur e jetës! Hidhërimi me gëzimin, jetojnë dhe udhëtojnë bashkë në të njëjtat shina. Ndaj, çdo çast sido që të të vijë, prite me gaz, se mirësia vjen pas tij…!Vetëm kur e ke zemrën të hapur merr bekimin e Zotit.”
Komentet