Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian vlerësoi përparimin e bërë nga Shqipëria në procesin e saj integrimit ndërsa shpreh shqetësim për nivelin e lartë të korrupsionit dhe për sfidat e tjera me të cilat do të duhet të përballet vendi. Në një rezolutë të miratuar të martën, me 44 vota në 5, me 5 abstenime, deputetët e parlamentit e “mirëpresin përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në reformat lidhur me BE dhe hapat e mëtejshëm të ndërmarrë për të rritur pavarësinë dhe profesionalizmin e gjyqësorit të vendit”.
Ndërsa vlerësojnë “përmirësimet e rëndësishme të bëra nga Shqipëria për të forcuar kornizën e saj ligjore dhe institucionale, si dhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar”, thuhet në tekstin për Shqipërinë, “deputetët gjithashtu mbeten të shqetësuar për nivelin e lartë të korrupsionit, ritmin e ngadaltë dhe joefikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe fakti që mangësitë e sundimit të ligjit dhe procedurat e vështira rregullatore vazhdojnë të pengojnë investimet në vend”.
Megjithatë, rezoluta “miraton rrugën e përcaktuar nga Këshilli për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë në qershor 2019, me kusht që vendi të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme”.
Këshilli europian në rekomandimet e tij të qershorit theksoi “nevojën kritike të Shqipërisë për të konsoliduar më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore në veçanti përmes rivlerësimit dhe për të dhënë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke ruajtur dhe duke thelluar momentin aktual të reformës”, përcaktohet në pjesën për Shqipërinë, duke saktësuar se “Kjo përfshin: – avancimin e mëtejshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke përmbyllur të gjitha dosjet prioritare dhe finalizuar ngritjen e strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet me reformën kushtetuese; – finalizimin e ngritjes së organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH) dhe Gjykatës; – forcimin e rezultateve konkrete në hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe ato të niveleve të larta”.
Ecuria në këto drejtime sipas Këshillit do të duhet të monitorohet nga afër nga Komisioni europian, dhe ai do të japë vlerësimin e tij në bazë të raporti vjetor të Komisionit. “Këshilli rikujton se vendimi për të hapur negociatat me Shqipërinë do të jetë subjekt i përfundimit të procedurave parlamentare kombëtare dhe miratimit nga Këshilli Evropian dhe do të pasohet menjëherë pas kësaj nga Konferenca e parë ndërqeveritare brenda fundit të vitit 2019, në varësi të progresit të bërë”.
Komentet