NDUE DEDAJ
Familja e mirënjohur Gjinaj e Fushë-Arrësit mori rrokullimën në vitin 1952, kur Prenushi, djali i madh i Mark Pjetër Gjinajt, u arratis nga Shqipëria për në Jugosllavi bashkë me të shoqen Lizën, ku pasi qëndroi disa vite në Kosovë, u vendos me familje në Bruksel dhe ndërroi jetë në vitin 1973. Por “fantazma” e tij nuk iu hoq asnjëherë nga sytë Sigurimit të Shtetit, që i persekutonte familjen këtu, duke iu kërkuar vazhdimisht vëllezërve, sidomos Ndoit, të tregonin lidhjet që mbanin me të arratisurin e bujshëm të fillimviteve ‘50, krahas nacionalistëve të tjerë në zë: Pjetër Çup Qafa, Gjon Gjinaj, Mark Cara etj. Mbas arratisjes së Prenushit familja e tij u internua e gjitha në Tepelenë, i zoti i shtëpisë, plaku i urtë Mark Pjetri bashkë me të bijtë Nduen dhe Pjetrin, ku Ndoi ka ndenjur 7 vjet në internim dhe ka qenë i dënuar në burgun e Spaçit. Shtëpia që nga ajo kohë ka qenë gjithmonë nën vëzhgim e survejim, se mos aty hynin dhe dilnin të arratisurit. Disa herë është dyshuar se Prenushi ishte hedhur me parashutë si diversant, për rrëzimin e pushtetit popullor. Njerëzit e Sigurimit përgjonin në arë me orë të tëra, ndonjëherë dhe gjithë natën, kush hynte dilte nga shtëpia në Tuç, që ishte në mes të pyllit. “Ne nuk kishim se çfarë t’u banim, tregon e moshuara 90-vjeçare Nanë Dila, por u lëshonim qentë, që ishin të fortë me farue tokën. Të nesërmen spiunët e zonës donin me na e përhumbë mendjen, tue thanë, “nuk kanë qenë njerëz, por bishat e egra të malit, arushat…” Por nuk ishte ashtu, pasi aty ku kishin qëndruar kishte gjurmë njerëzish, bishta cigaresh e të tjerë. Kur familja Gjinaj ndërtoi shtëpinë e re në Tuç, më 1965, njerëzit e Sigurimit iu ishin hakërryer: “E keni bërë shtëpinë për “Ambasadë Jugosllave”, që të vijnë diversantët nga Jugosllavia dhe të strehohen këtu mes pyllit të dendur…”.
DOSJA E NDUE PJETRIT
Shfletojmë dosjen e Ndue Mark Pjetrit, marrë nga familjarët në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. “I pandehuri Ndue Mark Gjinaj, duke qenë një element me prejardhje dhe qëndrim të keq politik, i karakterizuar nga ndjenja pakënaqësie e armiqësore kundër pushtetit popullor, i zhytur me dashje në veprimtarinë e tij, në mënyrë të vazhdueshme është munduar me format më të stërholluara për t’iu kundërvënë politikës parimore të partisë sonë, masave me karakter revolucionar që janë marrë për vazhdimin e revolucionit dhe ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste në Shqipëri. Të gjitha transformimet që janë bërë në vendin tonë, si në fushën ekonomike, ideologjike e politike, ky i pandehur i ka parë e interpretuar me syrin e një armiku të klasës, ku konkretisht, i karakterizuar nga ndjenjat armiqësore, ua ka komentuar në mënyrë të shtrembër personave të ndryshëm, për të bërë sa më shumë për vete njerëz të pakënaqur e për t’i hedhur ata në rrugën e armiqësisë ndaj pushtetit popullor…”. Asnjë krim kundër shtetit. Propagandë e pastër! Një llomotitje politike që të zë frymën. Ja dhe “argumentet” mjerane. I pandehuri Ndue Gjinaj, në bisedë me dëshmitarin X, në muajin shtator të vitit 1967, në shtëpinë e tij, ndër të tjera i thotë: “Tani në fshat nuk jetohet, tokat na i kanë marrë, jetesa është bërë shumë e vështirë, sepse punon gjithë ditën e ditës në kooperativë bujqësore dhe kur vjen fundi nuk marrim gjë, ato pak lekë që marrim nuk na dalin për të ushqyer fëmijët. Me sa duket, kjo qeveri do të rrëzohet e ky sistem do të ndryshojë”. Po në vazhdim të bisedës, me këtë dëshmitar, kur ra fjala për vëllain që është i arratisur jashtë shtetit, Ndueja, ndër të tjera, i thotë: “Vëllai im Prenushi që është jashtë shtetit jeton shumë mirë, sepse jashtë shtetit gjithë populli jeton me pasuri të mëdha e jo si këtu tek ne që populli po vuan”. I pandehuri Ndue Gjinaj, duke mos hequr dorë për asnjë çast nga rruga e nisur, në muajin korrik të vitit 1979, pasi takohet me dëshmitarin Y ndër të tjera i thotë: “Kjo qeveri që është sot në fuqi tek ne, i ka prishur marrëdhëniet me të gjitha shtetet, tani dhe me Kinën, dhe kështu ka mbetur e vetme e pa përkrahjen e asnjë shteti; kësaj qeverie i ka ardhur fundi e së shpejti do të rrëzohet”. Gjithashtu ky i pandehur, në pranverën e vitit 1974, pasi është takuar tek qendra e fshatit Tuç me një tjetër dëshmitar, ndërmjet të tjerave i thotë: “Tani jetesa në kooperativë bujqësorë është bërë shumë e vështirë, populli tek ne po vuan, ndërsa përpara kemi pasur tokat tona dhe kemi jetuar mirë. Jashtë shtetit, si në Jugosllavi, populli atje jeton mirë dhe ka të ardhura të shumta, sepse e ka tokën të tij, bagëtinë të tij e jetesën e bën të mirë e jo si këtu tek ne që po vuajmë për bukën e gojës”. Më tej aktakuza vazhdon me formulime të përgjithshme stereotipa që hasen dhe në të tjera të ngjashme, se “vepra e kryer paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore”, ashtu siç “paraqet rrezikshmëri të theksuar dhe vetë i pandehuri për krimin që ka kryer”; se “fajësia e tij provohet plotësisht”, “akuzohet se me dashje ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës kundra pushtetit popullor, vepër e parashikuar nga neni 55/1 i Kodit Penal. Kjo aktakuzë së bashku me materialet e tjera të dosjes penale nr. 41 i kalon drejtpërsëdrejti gjykatës popullore të rrethit Pukë për gjykim”. Kujton i afërmi i tij Zef Pemati. “E sillnin Nduen me “Xing-Fu”-në e Degës së Punëve të Brendshme Pukë dhe e qitnin në malin e Poravit, duke i kërkue me kambëngulje: “Fol, ku je takuar me Prenushin, kur ai është hedhur me parashutë si diversant! Te cila shpellë? Te cili gur? Te cila pishë? Ne e dimë që ai ka ardhur nga matanë kufirit dhe ti e ke takuar. Fol, me kë ishte? Çfarë të tha?”. Ndoi ishte i habitur me ato që i dëgjonin veshët. Ata e provokonin pareshtur, por ai nuk e kishte takue të vëllanë qysh atëherë që ishte arratisun. Për ma tepër ai nuk e dinte që Prenushi kishte ndërrue jetë pak kohë ma parë në Belgjikë….”
RRËFIMI I BIRIT PËR TË ATIN
Është folur e shkruar jo pak për Spaçin brenda telave, por thuajse nuk është thënë asgjë për “Spaçin” jashtë telave, njerëzit që merrnin përditë rrugët e gjata gjithë pluhur për tek të afërmit e tyre të burgosur në Burrel, Spaç, Qafë-Bari dhe kamp-burgjet e tjera politike të vendit. Një kalvar më vete i qindra njerëzve, sidomos gra e fëmijë, që u kishte rënë kjo barrë, për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen të dashurve të tyre të ngujuar me vite e vite në galeritë e bakrit etj.. Mark Gjinaj, është biri i Lenës së Marka Dod Alisë dhe Ndue Mark Pjetrit. Në një intervistë të pabotuar rreth jetës së tij, sjell një dëshmi të dhimbshme nga fëmijëria e tij, që lidhet po me Spaçin, ku qëndroi si i burgosur politik i ati, Ndue Mark Pjetri. “Mbasi arrestuan babën, herën e parë, ditën e nesërme kur shkova në shkollë, pas një ore ecje në këmbë, në klasë gjykimet ishin të ashpra. Mësuesja ime ishte anëtare Partie. Shkolla, në atë kohë, përbëhej nga 4 klasa plot e përplot me nxënës, por asnjë fëmijë nuk më fliste. Asnjë nuk rrinte me mua. Ishte një përjetim i papërshkrueshëm. Megjithatë, ditët kalonin dhe unë u mësova me këtë fakt. Herën e dytë babën arrestojnë në vitin 1979 dhe u dënua me 8 vite burg për ‘agjitacion e propagandë’, ku qëndroi në burgun e Spaçit rreth tre vjet. Nëna ime Lena dhe unë udhëtonim me orë të tëra për ta takuar, shpesh në temperatura të akullta. Unë isha 13 vjeç. Niseshim nga Poravi i Tuçit në orën 4 të mëngjesit për të arritur në Spaç. Nëna ecte ngadalë, pasi kishte mbi shpinë plot 20 kg me ushqime për t’i dërguar babait. Na linin në pritje edhe 1 – 2 orë të tjera, e më pas e takonim. Ajo ishte një dhomë e ngushtë, e vogël, mezi shiheshim, veç t’i dëgjonim zërin dhe t’i preknim duart. Më pas ktheheshim në mesnatë. Unë shkoja një herë në 15 ditë. Sa herë që shkonte një person nga familja, unë gjithmonë shkoja me të deri në ditën që u lirua nga burgu. Spaçi, plot me ngrica, njerëz që punonin nëntokë, grevat që bëheshin, ishte një tmerr i vërtetë. Nuk flas dot më shumë, pasi të gjithë tashmë e dinë çfarë ndodhte aty…”
ISH-BASHKËVUAJTËSI
Nikoll Zef Prenga (Tuci), 90-vjeçar, me banim në Belgjikë, tregon: Sapo erdha nga burgu i Burrelit në Spaç, gjatë apelit, kur po lexoheshin emrat, Ndue Mark Pjetri ndigjoi emnin tim dhe erdhi e më takoi, ai e dinte se unë isha kushëri i së kunatës, edhe pse nuk ishim takue deri atëherë, pasi unë kisha hy i ri në burg. Ndoit i vinin në takim nga shtëpia rregullisht. Në një rast organizuem një drekë në burg, duke i hapun ushqimet mbi një çarçaf. Aty u bamë ma të afërt. Vështirësitë të miqësojnë dhe ma tepër. E kanë thirrë Nduen ata të Komandës dhe e kanë pyet rreth marrëdhanieve tona, i kanë thënë ti e ke mik Nikollë Zef Prengën (Tuci) dhe duem që të na dalësh dëshmitar, se ai flet kundër pushtetit, ban agjitacion e propagandë dhe këtu. Ndoi ua kthen: “Keni ba gabim që më keni thirrë mue për këtë gja, jam moshë e kalueme për kësi punësh. (Ishte rreth të 70-ve). E kam mik shtëpie Nikollën, nuk kam gja për të thanë për të, dmth., kundra tij…”
GRUAJA E FORTË E FUSHË-ARRËSIT
Lena pati fatin të ishte e para nxënëse që u ul në bankat e shkollës në rrethin e Pukës, në vitin 1934. Në një fotografi të rrallë të atij viti, Lena e vogël ka dalë bashkë me të atin Mark Dod Alia, mësuesin shkodran Filip Lacuku dhe një bashkëfshatar. Shkrimtari Bashkim Hoxha, në librin “Aliajt e Kryeziut”, shkruan: “Migjeni, kur ishte kryemësues në Pukë, mori regjistrat e shkollave në fund të vitit shkollor dhe i bën përshtypje emri i një nxënëseje, Lena Marka Dod Alija. Bashkë me kolegun e tij, mësuesin shkodran Abdulla Çanga, nisën nga Puka për në Kryezi për t’u njohur me vajzën dhe prindërit e saj. Migjeni impresionohet nga mikpritja, respekti, biseda, rregulli në familje dhe pastërtia shembullore, ushqimet e gatuara me shije etj.”. Lena rritet në një mjedis të tillë plot virtyte dhe tradita. Jeta e bëri atë një personazh të veçantë në familjen prindërore dhe atë ku u martua. Në vitin 2014 Këshilli i Bashkisë së Fushë– Arrësit, i ka akorduar të moshuarës Lena Mark Gjinaj, titullin “Qytetar Nderi” e Fushë-Arrësit me motivacionin: “Veprimtare e spikatur dhe e guximshme në përkrahje të arsimimit dhe emancipimit të femrës malësore, duke sfiduar paragjykimet e kohës”. Një nënë fisnike me shumë fëmijë që përcolli në breza vlerat dhe virtytet e kësaj krahine duke qëndruar e paepur në përballimin me dinjitet të pasojave të persekutimit të sistemit komunist. Qytetarë të Fushë-Arrësit, historianë e studiues në ceremoninë e dhënies së këtij titulli evidentuan vlerat dhe kontributin e Lena Mark Gjinaj si një nënë fisnike e bujare, patriote e arsimdashëse që vjen nga një derë e njohur e familjes me tradita të shkëlqyera, atdhetare të Marka Dodë Alisë. Familja Gjinaj i ka mbijetuar represionit të regjimit falë harmonisë familjare, unitetit vëllazëror dhe qëndrimit me dinjitet në shoqëri, pa u keqpërdorur nga njerëzit e “pushtetit popullor”. Ky ka qenë një tipar i shtëpive të para, familjeve në zë, mos me e shkelë kurrë besën dhe traditën e të parëve. Kjo ishte masa me të cilën “mateshin” malësorët në votrën e tyre, si burrat, ashtu dhe gratë, të cilat sakrifikonin shumë për familjen ku kishin shkuar nuse. Ndoi dhe e shoqja Lena, në njëzet e një vjet, lindën 10 fëmijë, të cilët i edukuan me traditat më të mira familjare dhe kombëtare. Familja ishte gjëja më e shenjtë për familjen dhe fisin Gjinaj, e cila ruhej me shumë mundim nga familjarët.
MARK DOD ALIJA, NË BURG 80-VJEÇAR
Fati sa e kishte lumturue Lenën, duke u bërë nënë e dhjetë fëmijëve, aq dhe e kishte ndëshkue në rrafshin politik, pasi dy motrat e saj të martuara në Iballe në familjen e njohur të Pematëve, Mrika dhe Shukja kishin qenë në internim, burri në burg politik, por dhe ati, Mark Dod Alia, për më tepër kur ishte në moshën 82-vjeçare. Ka qenë personi më i moshuar në Shqipëri mbi duart e të cilit kanë rënë prangat e regjimit komunist. Më 17 janar 1978 është bërë gjyqi i tij në Pukë, ku është dënuar me 6 vjet burg politik dhe 5 vjet të tjera “pa të drejta civile”, që nënkuptonte mos të zgjidhej në organet e pushtetit dhe mos të ushtronte veprimtari publike. Ky kishte qenë “krimi” i tij, ndikimi i fortë publik që e kishte çuar pas hekurave, pasi i dëgjohej fjala prej një gjysmë shekulli në Pukë dhe Mirditë e më gjerë në Veri. Sipas burimeve arkivore, burri i shquar i Kryeziut, Mark Dod Alia ka qenë ndër përfaqësuesit e Dheut të Spaçit në kuvendin e parisë së Mirditës në Shpal më 29 maj 1928. Lena, e bija, nuk dinte ku të shkonte më parë, kishte mbetur dyerve të burgjeve politike, nga Spaçi në Ballsh, stoike dhe sojnike, një zonjë e vërtetë. Dy vëllezërit Ndue dhe Mark Dod Alija i kishin ndarë rolet, i pari kishte “punët e brendshme” të familjes, mbarëvajtjes së ekonomisë, frekuentimit të miqësisë, kurse i dytë ishte më shumë për “punët e jashtme”, ato të kuvendeve të krerëve dhe parisë, luftës dhe paqes, ndaj dhe do të goditej disa herë, vetëm e vetëm që të bëhej i parrezikshëm për bashkësinë ku rronte. Mirëpo kjo kishte dhe efektin e kundërt, qëndrestarë të tillë si Elez Hoxha i Pukës, Mark Dod Alija, Pashk Curri, Pal Qafa e të tjerë të mbajtur gjatë në burg apo jashtë tij, por nën kontroll të rreptë politik, në popull kishin adhurim të heshtur.
RUAJTJA E VARRIT TË NACIONALISTIT
Mark Gjinaj (i riu) na ka rrëfyer me emocion se si familja e tij në Tuç kishte ruajtur për 40 vjet kujtimin e një varri, që asokohe nuk e dinte askush veç atyre. Ndaj ne menduam të takonim familjarët e Gjetës, djalit që ishte varrosur atje, në rrethana aspak të zakonshme, siç kishte qenë e tillë dhe vdekja e tij. Gjeta kishte qenë i biri i nacionalistit të njohur, Pjetër Llesh Gjoni nga Gjegjani. Ungj e nip, Zef dhe Gjon Lleshi, banues në Lezhë, na rrëfejnë historinë tragjike.
..Ishte viti 1946. Grupet e rezistencës antikomuniste ishin në male. Me to përveç Pjetër Lleshit ishte bashkuar dhe i biri, Gjeta, por jo në të njëjtin grup me të atin. Grupi ku ishte Gjeta bie në pritë në fshatin Shkozë dhe në përballje me Forcat e Ndjekjes plagoset rëndë në këmbë. E kanë marrë shokët e vet dhe e kanë strehue në pyll, që të vinin e ta merrnin natën. Ishte një jetë mundimesh të jashtëzakonshme. Nga plagët mbas një jave Gjeta ndërroi jetë në malin e Poravit. Nuk ishte i lehtë as varrimi, pasi ku të kërkoje ndihmë. Si shtëpi besnike në Tuç ishte ajo e Mark Pjetër Gjinit, të cilës i janë drejtue dhe kanë marrë veglat e punës, kazma, lopata etj.. Vendi ku do të varrosej Gjeta ishte tre kilometra prej fshatit. Atë e dinte bariu i shtëpisë së Mark Gjinajt, që kishte ndihmuar. Varri është hapur në një vend me shenj, që të gjendej lehtë, nëse do të vinte puna të zhvarrosej, pasi askush nuk e besonte se i ndjeri do të mbetej atje në vetmi për gati një gjysmë shekulli. Mbas 1990-ës, një i afërt i Gjinajve, që ishte në Amerikë, ka shprehur dëshirën me i vu në dijeni njerëzit e familjes së Pjetër Lleshit, se ku ishte varri i Gjetës në Porav, në malin e Munellës. Ka ardhë ai dhe kanë shkue bashkë me Frrok Pjetër Lleshin, djalin e Pjetrit dhe vëllain e Gjetës dhe e kanë kërkue varrin në Porav dhe e kanë gjetur sipas shenjave që mbaheshin mend nga ajo kohë e largët… Pavarësisht qëndrimit të ashpër të shtetit ndaj familjeve të të vrarëve, arratisurve dhe persekutuarve, në popull ruhej një mirësi që nuk shqiptohej me fjalë, por tregohej me sjellje, çka e tregon dhe rasti i mëposhtëm.
HISTORIA E NËNËS SË FRANIT
Persekutimi komunist në Veri nuk ka qenë vetëm në disa familje, por përderë, si i thonë fjalës. Ka histori nga më të pabesueshmet. Ish-i dënuari politik, Shkëlqim Abazi, ka sjellë me pak radhë një histori të pazakontë të një nëne pukjane: “Gjithë të dënuarit e viteve…70 – 73 e kujtojnë nanën e Franit, atë grua kreshnike, tepër të vobektë, që nisej në këmbë nga thellësitë e Pukës për të mbërritur në Spaç pas tri ditë-netësh. Si mbushte torbën me fruta pylli, si arra, lajthi, mollçinka, gështenja apo ç’t’i ofronte natyra, mësynte derën e burgut me rregullsi ciklike dy mujore dhe nuk largohej pa u takuar me të birin. Ne ishim mësuar me rregullsinë e asaj nëne fisnike, sa kur mbushej dymuajshi, dilnin mbi tarracë dhe vrojtonim drejt portës. Dhe ajo s’na zhgënjeu ndonjëherë, do vinte në ditën fikse, sillte frutat e pyllit me porosi që i biri të na i ndante secilit nga një kokërr. Por kaluan disa dymujorë dhe nana s’po dukej, u merakosëm. Ç’ti kish ndodhur vallë? Kur nëpërmjet ca të lirëve vendas mësuam se plakën e gjorë e kishin gjetur të ngrirë mes maleve të Pukës dhe Spaçit, me strajcën e pandashme në dorë, na pllakosi zia. Humbjen e saj e përjetuam me dhimbje, si ta kishim njeriun tonë të afërm”.
/Gazeta Panorama






Komentet