Përfshirja e krerëve më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në trafikun e drogës dhe bashkëpunimi i tyre me rrjetet kriminale, ishte paralajmëruar prej kohësh nga ndërkombëtarët. Edhe kthimi i Shqipërisë në një Lazarat gjigant ishte paralajmëruar nga ndërkombëtarët. Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një sërë raportesh, ka dhënë alarmin për kriminalitetin dhe trafikun e drogës në vend.
Kanadaja nga ana tjetër, e ka cilësuar vendin tonë si tepër të rrezikshëm. Vetëm pak ditë më parë, Zvicra, Australia dhe Britania e Madhe publikuan nga një raport për Shqipërinë, ku vihej në dukje korrupsioni i theksuar në polici, siguria e ulët dhe pastrimi i parave nga pushtetarët dhe kriminelët, duke i nxjerrë ato jashtë shtetit. Në të gjitha këto raporte, kritikat binin mbi policinë dhe Ministrinë e Brendshme, duke rritur dyshimet se krerët më të lartë të tyre bashkëpunojnë me krimin dhe janë pjesë e trafikut të drogës. Byroja e Sigurisë Diplomatike në DASH e ka cilësuar vendin tonë si tepër të rrezikshëm për të huajt, ndërsa është theksuar se bandat dhe grupet e hajdutëve operojnë lirshëm nëpër rrugët e vendit.
Alarmi i SHBA
Më 18 mars 2015, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për trafikun e drogës në Shqipëri, ku theksohej se vendi ynë vijon të jetë një vendburim për marijuanën. Por edhe pse ministri Tahiri prej muajsh deklaronte se po luftohej kultivimi i drogës, DASH rrëzoi poshtë të gjitha pretendimet. Nga ana tjetër, pati kritika të forta dhe për statistikat, duke thënë se Shqipëria nuk ka asnjë të dhënë në këtë aspekt. “Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika për përdorimin e drogave”, thuhej në raport. Gjithashtu, Shqipëria është cilësuar edhe si një vend transporti për heroinën dhe kokainën, droga të cilat përmes vendit tonë kalojnë në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian. Megjithatë u theksua se arritjet në mjaft operacione janë bërë vetëm në sajë të partnerëve, sidomos Italisë. DASH publikoi dhe një raport për trafikun e qenieve njerëzore, ku i dha një goditje policisë dhe qeverisë, duke thënë se ka dhe deputetë të përfshirë në ngjarje të tilla.
Raporti i Freedom House
Freedom House, pak kohë më parë, nxori një raport për të drejtat e njeriut, ku kritikoi ashpër forcat e rendit për trajtimin e njerëzve. “Policia ka abuzuar gjatë arrestimit dhe marrjes në pyetje të të dyshuarve. Të burgosurit qëndrojnë në kushte të vështira dhe nuk kanë trajtimin e duhur mjekësor. Qeveria ka zëvendësuar një numër të zyrtarëve në burgje dhe të komandantëve të policisë dhe njësive të tjera për të luftuar korrupsionin dhe rritjen e krimit. Opozita kritikoi emërimin e personave të rinj”, theksohej në raport.
Raporti i Britanisë
Në datën 29 gusht, gazeta “SOT” publikoi një raport të qeverisë britanike, e cila deklaronte hapur për nivelin e lartë të korrupsionit në strukturat e policisë së shtetit dhe bashkëpunimin e tyre me krimin. “Herë pas here ka raste të korrupsionit dhe abuzime në radhët e pjesëtarëve të forcave të policisë. Infrastruktura e dobët, mungesa e pajisjeve, mbikëqyrja e pamjaftueshme, kanë kontribuar në vijimin e korrupsionit dhe në një sjellje jo profesionale të tyre. Mosndëshkimi mbetet një problem serioz. Qeveria i ka të gjitha mekanizmat për të ndëshkuar abuzimin në polici dhe korrupsionin, apo për të kryer hetime ndaj tij”, thuhej në raport, duke theksuar se janë vetë zyrtarët e shtetit ata që kanë nën kontroll policinë dhe gjyqësorin.
Raporti i Kanadasë
Më 23 maj 2015, gazeta “SOT” publikoi një raport të qeverisë kanadeze, e cila ishte në të njëjtën linjë me raportet e SHBA dhe vendeve të tjera, duke dhënë alarmin për nivelin e krimit në vend dhe neglizhencën e autoriteteve për ta luftuar atë. Theksi në raport është vendosur tek vjedhjet dhe grabitjet, ndërsa është thënë gjithashtu se ndërhyrjet e policisë janë të limituara. “Krime të vogla (si xhepizmi, plaçkitje të vogla apo rrëmbim qesesh apo çantash) ndodhin shpesh, sidomos në transportin publik. Shmangni zonat e izoluara, parqet, baret dhe restorantet në zona të largëta, sidomos natën”, thuhej në raport. Një raport të ngjashëm kanë nxjerrë dhe shumë shtete të tjera. Kliti Topalli
Komentet