Në periudhën e pasur me ngjarje politike e lëvizje kombëtare si ajo nga Kongresi i Berlinit në shpërthimin e luftës ballkanike të 1912-s, politika e jashtëme e Rumanisë, megjithëse ishte e drejtuar nga i ndjeri Mbret Karli (njeri i urtë e i ditur), nuk shënon asnjë fakt të rëndësishëm. Simbas mendimit tim, ajo ka qënë mjaft e mefshtë në krahasim me ngjarjet që piqeshin në Ballkan e që patën mbasthënien e tyre të natyrshme në luftën kundër Turqisë, një mefshtësi të karakterizuar nga mungesë guximi, shpirt nismash e përceptim të qartë historik.
Rumania i ndoqi rrymat politike të Ballkanit, pa i krijuar kurrë ato. E mbetur jashtë Katërpalëshes Ballkanike, gjatë luftës së parë kundër Turqisë, ajo ndërhyri atëherë kur Aleatët, mbasi u prishën lidhjet e vëllazërisë së armëvet, filluan të zihen mes tyre. U rendit në krah të Greqisë e të Serbisë, duke kapur rastin e volitëshëm për të zgjidhur me Bullgarinë çështjet e ndera tokësore në dobi të plotë të saj. Siç dihet, trupat rumune kapërcyen Danubin, e pa hasur asnjë lloj qëndrese nga ana e armikut arritën në dyert e Sofjes. Dorëzimi pa kushte i kombit bullgar, i vënë mes tre zjarresh, çoi në Traktatin e Bukureshtit, që u përmbyll e u firmos simbas dëshirave të Rumanisë. Rumania justifikoi ndërhyrjen e saj të vonuar në ndodhitë ballkanike, duke thënë se rregullimi i menjëhershëm i barazpeshave në Ballkan, të zhvendosura nga ambicjet e Bullgarisë, ishte pjesë e pandarë e misionit të saj.
Traktati i Bukureshtit i përfunduar, siç u tha, nën sundimin moral të Rumanisë, qe një dhunim i hapur i parimit : “Ballkani për popujt ballkanikë”. Interesat e bullgarëve e të shqiptarëve u flijuan dhe Rumania, e pandjeshme ndaj britmës së dhimbjes të arumunëve, të cilët kërkonin shpëtimin e kombësisë së tyre në bashkimin me të sapolindurën Shqipëri, në vënd të barazpeshueses, siç mbahej, u bë krijuese kryesore dhe e drejtpërdrejtë e sipërisë serbo – greke në Ballkan. Traktati i Bukureshtit në përmbajtjen e tij të pjesëshme e të njëanëshme, pa dyshim qe pikënisja e aleancës rumuno – serbe, aleanca që shohim sot, është e kotë të mohohet, të përforcuar nga fejesa e Mbretit Aleksandër të Serbisë me Princeshën Maria të Rumanisë.
Vlen të vërehet se mbeten në thelb të njëjta arsyet që e bënë të nevojshme ruajtjen e marrëveshjes rumuno – serbe mbas paqes së Bukureshtit. Shqetësimi mundues i Rumanisë qëndronte pikërisht në mundësinë e një hakmarrjeje bullgare. Duke pasë bashkuar provincat që i përkisnin mbretërisë austro – hungareze, ajo është po aq e shqetësuar për mundësinë e një hakmarrjeje nga ana e Hungarisë. Shqetësim i pabazuar, siç tregojnë dukshëm faktet e pakundërshtueshme, apo shqetësim i bërë i vërtetë nga drejtimi i ri i politikës së qeverisë së Bukureshtit ?
E nënështruar tashmë fatit të saj të pashmangshëm, Hungaria, e cila ka historikisht një funksion antisllav, në të vërtetë nuk është e munduar nga dëshira apo krenaria e fyer për t’u hakmarrë ndaj Rumanisë. Ajo shtyhet nga nevoja trysnuese për të gjetur një modus vivendi t’arsyeshme me Rumaninë, me qëllim që të mundet të dalë nga veçimi i tmerrshëm në të cilin e katandisën traktatet e paqes. Hungaria i ngjet sot një luani të tërbuar e të plagosur rëndë, të mbyllur në një kafaz të pamëshirshëm të hekurt, në pritje të pushimit e të daljes nga mbyllja. Të shmanget hedhja e saj me një dëshpërim të skajshëm në orbitën gjermane, për të ndjekur ngjarjet e pashmangëshme të popujve teutonikë, është një detyrë e ngutëshme e Rumanisë.
Bashkimi vetiak ndërmjet Rumanisë dhe Hungarisë, për shëmbull, do të ishte në pamjen e vërtetë të gjëndjes së re, shestimi më i arsyeshëm jo vetëm për t’i siguruar dy Vendeve një të ardhme të përbashkët paqeje dhe begatije, por për të filluar një kohë të re në Evropën qëndrore dhe juglindore. Veç asaj, bashkimi personal ndërmjet Rumanisë dhe Hungarisë do t’i hiqte gjysishullin ballkanik sipëranisë jugosllave dhe do të vinte popullsitë e ndryshme të nënështruara në mundësi të vendosnin për fatin e tyre.
Por politika e jashtëme rumune, e frymëzuar dhe e drejtuar nga z. Take Unesco “njeriu i marrëveshjes”, shfaqet edhe një herë tjetër pa përmbajtje historike dhe shpirt nisme vetiake. Ajo tashmë është e lidhur, pa asnjë përceptim të qartë të s’ardhmes s’afërt e të largët, me karrocën e shpejtë të politikës së sllavëve, politikë e drejtuar me ngulm baraz me largpamësinë e burrave të Pragës, e pra e tërhequr të ndjekë regëtimat e prirjeve ngritëse të s’ardhmes politike dhe kombëtare t’atyre popujve të ndryshëm, t’etur për zotërim dhe zgjerim. Kjo, në vlerësimin e fakteve të shkëlqyera dhe konkrete, a nuk përbën vallë një devijim historik të politikës rumune ? Kombi rumun nuk mund të lidhë t’ardhmen e tij me atë të sllavëve, pa hequr dorë nga misioni i pararojës latine në Lindjen e Ardhme e pa rrezikuar të dëmtojë në mënyrë të pandreqëshme vetë tërësinë e tij politike dhe tokësore.
Marrëveshja e Vogël, një pjellë e mrekullueshme e gjenisë politike të Pragës, në të cilën Rumania mori pjesë për arsyet e sipër përmendura, ka një funksion tërësisht e natyrisht kundër italian dhe tërthorazi kundër rumun. Në thellësi të mendimit të Masssaryk-ut dhe Benes-it ajo nuk u zhvillua si një mjet i fortë për zbatimin dhe ruajtjen e traktateve. Marrëveshja e Vogël, në të cilën ka hyrë në thelb edhe Polonia, përfaqëson parimin e bashkimit shpirtëror e moral të popujve sllavë, parimi i saj i vërtetë është ai i shkrirjes në një lidhje kompakte dhe harmonike të forcave të racës së madhe, duke përuruar një bashkëpunim të vërtetë e të dobishëm ndërmjet shteteve sllave. Në këtë ngjarje Çeko – Sllovakia , motra me një pozitë të mirë morale në botë e me një organizëm shtetëror të qëndrueshëm, do të donte të merrte rolin e Pjemontit.
Sa i përket sinqeritetit të qëllimeve lëndore, të afërta e të largëta, të veshura krijimit të Marrëveshjes së Vogël, ajo nuk do të jetë e aftë të imponojë zbatimin dhe ruajtjen e traktatevet dhe as të ndalojë bashkimin e Austrisë me Gjermaninë deri në ditën që të mos përbëjë për Fuqitë e mëdha një nevojë të domosdoshme dhe urdhëruese për vetë ruajtjen e paqes kontinentale. Fejesa, pra, e Sinajës është një ngjarje e caktuar për të bërë më të përzemërt e më të fortë aleancën e Rumanisë me popujt e Jugosllavisë e të Çekosllovakisë.
Në gostinë e Sinajës Mbreti Ferdinand i Rumanisë përshëndeti në personin e dhëndërrit t’ardhshëm aleatin besnik. “Përshëndes në Madhërinë Tuaj,” tha ai, “aleatin besnik dhe fqinj, që ka luftuar me ne krah për krah kundër ushtrivet armike. Të bashkuar në synimet e përbashkëta të fuqizimit të mbrendshëm dhe në dëshirën për të siguruar interesat e ndërsjellta, do të kemi mundësi të vazhdojmë në veprën e paqes edhe në t’ardhmen krah për krah si fqinj dhe aleatë të mirë. Prania e Madhërisë Suaj është siguria më e mirë e ndjenjave të miqësisë dhe të bindjes se edhe Ju ushqeni të njëjtat ndjenja dhe të njëjtën bindje sinqerisht dhe përzemërsisht të Aleatit Tuaj.”
Shtypi i Vendeve të aleancës së re përshëndet me një simpati të çiltër ngjarjen e gëzueshme të Sinajës duke nënvizuar kuptimin e saj politik. Lidhjet familjare mes dy shtëpive mbretërore, vërejnë gazetat jugosllave, do t’i lejojnë Mbretërisë S.K.S. forcimin e politikës së mbrendëshme. Rjeç i Zagrebit madje parashikon një fillim të fuqizimit dhe pohimit të politikës së jashtëme jugosllave, ndërsa Jutro i Lubjanës, duke i bërë jehonë ndjenjave të Vendit, nxjerr përfundimin se ky vëllazërim do të jetë një element i shkëlqyer mbrojtës përballë synimeve dhe të tjera intrigavet të Italisë drejtuar kundër Ballkanit.
SOTIR GJIKA
Corriere delle Puglie, 21 – 01 – 1922 Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet