Vdekja, në mes të dhimbjes së përgjithëshme të Benediktit XV, i cili, ndër të gjitha Qeverítë e botës, qe i pari që njohu Shtetin e ri Shqiptar, na sjell ndërmënd marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Vatikanit, të cilat datojnë në fillimin e erës së krishterë. Populli shqiptar, i pari ndër popujt e Lindjes, përqafoi fenë e Kryqit të predikuar nga Apostujt, duke u ngritur si mbrojtës i paepur i doktrinës së re.
Periudha në të cilën këto marrëdhënie i shtuan nji kapitull mjaft të rëndësishëm historisë së tyre, të pasur në ndodhi të shquara, përfaqësohet nga epopeja e lavdishme e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ngadhnjyesit të turqvet, i kaluar në histori si një nga mbrojtësit më të vlefshëm të Krishterimit.
Heroi i pathyeshëm kërkoi dhe pati ndihma lëndore e morale nga Vatikani për të përballuar luftën gjigande kundër hordhive barbare të Sulltanëvet, që sulmonin pa prerë Shqipërinë e vogël e cila, me një guxim të pakrahasueshëm për përmasat e saj, ishte ngritur si një pritë e pathyeshme ndaj hyrjes së turqvet në Evropë.
Nga mesi i qershorit të vitit 1466 Sulltan Mehmeti II rrethoi me nji ushtrí të fortë 150.000 vetësh Krujën, kryeqytetin e Shqipërisë. Sulmet e shumta të një fuqie skajore dhe përpjekjet e dëshpëruara të turqvet për të pushtuar qytetin heroik, u thyen nga mbrojtja e pamposhtur e garnizonit kreshnik. Mehmeti, i tërbuar, u shtrëngua të largohet në ditët e para të gushtit, i ndezur nga një dhimbje e papërballueshme, duke i besuar vazhdimin e rrethimit Ballaban Pashës në krye të 70.000 njerëzve t’armatosur.
Ngulmimi i armikut e bënte më të rëndë rrezikun që kërcënonte lirinë dhe vetë qenësinë kombëtare të Shqipërisë. Gjergj Kastrioti, i veshur si kalorës i thjeshtë, shkoi vetë në Romë për të kërkuar ndihmë nga Papa Pali III. Pritja që pati fatosi ynë në Qytetin e Amëshuar, kështu përshkruhet prej Pisko-s në veprën “Scanderbeg„ faqe 103:
“Sapo hyri në qytetin e mbushur me famën e emrit e të vlerës së tij u prit menjëherë në prani të Papës sepse, siç dihet prej romanëvet, ishte bërë e pabesueshme sasia e njerëzve që kishin ardhur për t’a parë nga të gjitha anët. Pali, mbasi takoi Gjergjin, duke admiruar pamjen e tij, e priti me nderime shumë të mëdha, deshi që të çohej në Kolegjin e Senatorëvet e të fliste në publik për kushtet e Epirit dhe mbi ndodhitë e sundimin e turqvet, për t’i njohur më mirë e për të ditur të bisedojë me më shumë njohuri se të tjerët.”
Selija e Shenjtë vazhdoi të interesohet për kombin shqiptar edhe mbas vdekjes së Kastriotit dhe rënies së pashmangëshme të Shqipërisë nën sundimin turk.
Gregori XIII themeloi në Romë në vitin 1571, me t’ardhura të rëndësishme, Kolegjin e Shën Thanasit i cili, si thotë historiani, “qe i madhërishëm në qëllim, i përpjestuar në mjete, duk e u bërë fidanishteja e parë prej nga dolën shqiptarë të kthjelltë për kulturë e për famë“. Urbani VIII me Dekret 17 Dhjetor 1631, ngriti në Romë Kolegjin e Shën Vasilit me qëllim edukimi të shqiptarëvet, të cilët, duke u dyndur prej atdheut të tyre për rrethana të dhimbëshme ngjarjesh fatzeza, ishin ngulur n’ Italí. Për të përfunduar veprën e Urbanit VIII, pasuesi i tij, Benedikti XIV, me Dekret më 15 Dhjetor 1743, vendoi që “t’u caktohen përgjithmonë në Kolegjin Shën Vasilit katër vënde djemve të koloníve shqiptare të Siqilísë, tre vënde atyre të kolonive të krahinave kontinentale të Mbretërisë së Napolit e tre të rinjvet shqiptarë të tjera Shteteve mbas pëlqimit të Eprorëvet t’ Urdhërit të Basilianve.” Klementi XI Albani i cili, “në zyrat e larta të fronit Papnor, e pati për nam t’a njihte veten t’ ardhur prej Shqipërisë, duke dashur të lerë një shenjë të këtij kujtimi që ruante” ngriti në Kolegjin e Propagandës Fide një konvikt me bursë për djemtë e krahinave t’ Epirit ku përherë njëri do të zinte vëndin e tjetrit n’ ushtrim të misjoneve në dobi të kombit të vet. Klementi XII themeloi Kolegjin Italo-Shqiptar të Shën Mitër Koronës.
Benedikti XV me Dekretin e 10 korrikut 1918 të Kongregacjonit të Shêjtë për Kishën Lindore e themeloi në Badín historike të Grottaferratës, “Seminarin Greko-shqiptar Benedikti XV.„ Seminari i ri, i ngritur e i mbajtur me të gjitha shpenzimet nga ana e Selísë së Shenjtë, do të zgjerohet dhe do të ngrihet në lartësinë e dinjitetit të kërkuar prej qëllimit tepër fisnik, në sajë të të cilit lindi. Ky ka për qëllim të pregatisë meshtarët e rinj të Shqipërisë së re, duke ia tërhequr me vënd propagandës kombëtarizuese të klerit grek. Në të janë pranuar 15 djelmosha, të lindur në Shqipëri e në kolonitë shqiptare t’Italísë. Këta djelmosha që, pa dyshim, do të sjellin një ndihmesë të vlefshme e tepër të domosdoshme për lartësimin urgjent moral e shpirtëror të klerit të prapambetur ortodoks në Shqipërinë e jugut, edukohen në disiplinat liturgjike nën drejtimin e etërvet italo – shqiptarë të Badisë të Shën Nilit.
Në sallonin e madh ku flenë nxënësit e Seminarit, Etërit kanë vënë në shenjë mirënjohjeje këtë epigraf:
Benedetto XV Pont. Max – quod litteris ritubus disciplinae-Ecclesiae ad Orientem promovendis-summa cum munificentia – sacrum Eprotumi pedagogium-in hoc coenobis instituerit monachi grati animi ergo-monumentum posuimus – Anno P. Christum MCMXVIII.
Për të dhënë provën e mprehtësisë së tij politike dhe dëshminë e prekëshme të simpative atërore kundrejt kombit të Gjergj Kastriotit, Benedikti XV ka emëruar pranë qeverisë shqiptare një Delegat Apostolik, Imzot Cozzi, duke njohur zyrtarisht Vatikani Shtetin e Shqipërisë e para ndër të gjitha Fuqitë.
Në prill 1921, Papa i shtyrë nga ndiesia e dhimsurisë, denjoi t’i vijë në ndihmë fëmijëvet shqiptarë me një shumë prej 200.000 lirash. Duke njoftuar me një letër të posaçme nga Vatikani, në datën 22 prill 1921, për bujarinë papnore drejtorin e periodikut “Kombi Shqiptar”, Anselmo Lorecchio, Imzot Tedeschini shkruante mes të tjerash : “Shuma që, fatkeqësisht nuk mundi të ishte më e bollshme, i është drejtuar Imzotit Delegat Apostolik në Shqipëri, me porosinë që të shpërndahet ku më të rënda dhe urgjente shfaqen nevojat e fëmijëvet shqiptarë, pa bërë asnjë dallim në rite apo besime fetare.” Ndarja nga jeta e Benediktit XV ka pezmatuar mjaft sinqerisht e thellësisht popullin shqiptar i cili do të ruajë mirënjohjen e duhur dhe të përjetëshme kundrejt Papës.
Në Shqipëri është e njëzëshme dëshira që raportet e traditës mijëvjeçare me Selinë e Shenjtë të vazhdojnë edhe në t’ardhmen me përzemërsi gjithënjë në rritje e besim e që marrëdhëniet mes Shtetit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë të marrin dhe veshjen e përshtatëshme dhe të domosdoshme, të kërkuar nga vetë kushtet politike të ndryshuara në Shqipëri.
Është e nevojshme, pra, që Qeveríja shqiptare të dërgojë pa vonesë pranë Selísë apostolike nji përfaqësues të vetin e të vazhdojë marrëveshjen e duhur për të zbuluar çdo përpjekje apo dëshirë të Qeverisë së Beogradit, qi synon të zëvendësojë ish monarkínë austro-hungareze në marrëdhëniet me katolikët e Shqipërisë.
SOTIR GJIKA
Corriere delle Puglie, 27 – 01 – 1922 Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet