Irredentizmi ka patur gjithmonë një ndikim vendimtar në luftërat ndërmjet Kombeve. Ai ka qenë një rrezik i përhershëm kundër paqes dhe një turbullues i vazhdueshëm i marrëdhënieve mes popujve. Lufta e fundit evropiane duhej t’a kishte asgjësuar. Por irredentizmi, mbas flijimesh të pamasë të gjakut për triumfin e drejtësisë e të parimit të kombësive, ka pësuar një keqësim të ndjeshëm në format e tij tepër të mprehta. Ai paraqitet, edhe një herë më kërcënues, më i dhunshëm e më këmbëngulës në Ballkan, ku aleatët në kundërshtim me parimet e shpallura solemnisht, kanë dashur të vendosin një gjëndje krejt në dobi të serbëvet dhe të grekëvet.
Fillon kështu (një pasojë logjike dhe e pashmangëshme) të ravijëzohet veprimtaria e popullsive irredente të atij gadishulli të shqetësuar. Komitetet e Bashkuar të shqiptarëvet irredentë kanë dërguar së fundi në Lidhjen e Kombevet një dërgatë të posaçme të përbërë nga prof. Bedri Pejani, nga prof. Kol Balci dhe dok. Asaf Çami. Dërgata ka zhvilluar me sukses një veprimtari politike të madhe në dobi të çështjes së besuar. Falë asaj u arrit një pritje e veçantë e Këshillit Drejtues të Shoqërisë së Kombevet, në të cilën u bisedua gjatë, duke shprehur kritikat dhe aspiratat e shqiptarëvet irredentë, që u pranuan me një konsideratë dashamirëse. Dërgata i ka dhënë gjithashtu Lidhjes së Kombevet një fashikull të titulluar “ Të drejtat e Shqipërisë për kufijtë e saj natyrorë. Një thirrje botës së qytetëruar”, për të cilin do t’i flasim lexuesit.
Të arritur në një kthim solemn të historisë së tyre të pafat por të lavdishme, që qe një vazhdimësi flijimesh, vetmohimesh, luftërash, përndjekjesh, martirësh e humbjesh, shqiptarët – fillon thirrja Kombevet të Botës së Qytetëruar – të shpërndarë nga fati në të katër anët e botës, shohin sot me sytë e përlotur e zemrën e mbushur me emocion dhe shpresë, atë tokë të vogël bregdetare t’Adriatikut, mbi të cilën valëvitet përsëri flamuri i lavdishëm i Gjergj Kastriotit. Mbas pesë shekujsh errësire ai vjen të ndriçojë përsëri me një dritë të shkëlqyer tokën që qe djepi i të parëve të tyre; ai vjen të duket përsëri mbi hartat e para gjeografike të mbas luftës me fjalën Shqipëri, të kufizuar në caqet e ngushta e të pamjaftueshme, por që për ta përfaqëson një siguri për t’ardhmen, një shpresë drejtësie. Kjo pjesë e parë e thirrjes mbaron duke prekur dëshirat e “gjithë shqiptarëvet irredentë, të atyre që lëngojnë nën zgjedhën e jugosllavëvet e asaj të grekëvet”, kështu të përmbledhura : “kthimi dhe bashkimi mëmëdheut i të gjitha krahinavet që i përkasin atij për të drejtë historike, etnike, gjeografike dhe strategjike”.
Më poshtë flitet shkurtimisht për luftërat shekullore mes shqiptarëvet dhe sllavëve të jugut. Këta, që në fillim të ardhjes së tyre ranë në kundërshti t’armatosura me te gjithë popujt vendas. Shqiptarët i bënë një qëndresë të guximëshme dhe heroike mësymjes sllave për të shpëtuar tërësinë e tyre kombëtare e për t’i qëndruar besnik zakoneve të racës së tyre. “Populli shqiptar – thekson thirrja – arriti t’i shpëtojë një shkatërrimi të përgjithshëm, në sajë të shëmbjes së perandorisë sllave, të ndodhur më 1389. Por ai ruan traditën dhe kujtimet e atyre luftërave të përgjakëshme që zgjatën shtatë shekuj të tërë ; dhe sllavët, nga ana e tyre, nuk do të harrojnë kurrë se kundërshtimi energjik i shqiptarëve i pengoi ata të bëheshin zotër të plotfuqishëm të Ballkanit. Mbas luftëravet ballkanike të 1912 – 13 bota e qytetëruar ka qënë e pranishme në një sërë mizorish të kryera nga sllavët.
Ato lajmërojnë kthimin e atij mllefi shekullor, me të gjithë karakteristikat e veta origjinale : për të çfarosur e zëvëndësuar, për të pagëzuar dhe sllavizuar gjithshka që përbënte karakterin e shqiptarit në krahinat e pushtuara. Dokumenti jep një përmbledhje tfilluese të ecurisë metodike të sllavizimit të zbatuar nga serbët, duke e shqyrtuar në dy fazat e saj të ndara : atë të pregatitjes dhe atë të sendërtimit. Ajo qëndron :
- Në një propagandë të mbrendëshme të ushtruar ndërmjet ndikimeve më të mira të botës për të diskredituar kombësinë që do të sllavizohej.
- Në botimin e shumë broshurave romanceske që tregojnë përshkrimet e përfytyruara të një sëre martirizimesh të mëtuara të shkaktuar nga shqiptarët shkjave.
- Në krijimin e një historie legjendare të themeluar mbi një teori të qartë të “islamizimit” e “shqiptarizimit” të sllavëvet.
- Së fundi me përfshirjen në emrin e “Serbisë së vjetër” të gjithë krahinavet ballkanike për t’u pushtuar.
Mbasi kanë vënë në dukje rrezikun e popullsive të nënështruara të huajit, për t’u asgjësuar sistematikisht nga veprimet ngulmuese dhe metodike të serbëve, shqiptarët irredentë vërejnë :
“Arsyet diplomatike që na flijuan më 1878 dhe 1913 nuk janë më. Nuk ka më një perandori ruse për të mikluar dhe as një rrezik gjerman për t’a ndaluar në prag të Ballkanit. Sllavët zotërojnë në brigjet e Danubit dhe të Savës. Ata janë në Sarajevë, në Zagreb e në Lubjanë. Ata janë zotër të bregdetit lindor të Adriatikut, mbi të cilin, tetë vjet më parë kërkuan vetëm një dalje të vogël e të thjeshtë, e morën një zgjerim shumë të madh nga maja e Kuarnarit deri ngë Grykën e Kotorrit, me portet më të leverdisëshme dhe arqipelagët më të pëlqyer të këtij deti. Realizimi ka kaluar shumë shpresat e tyre më të guximëshme kombëtare. Nuk ka më asnjë arsye të drejtë apo të ligjërueshme, për të cilën një milion shqiptarë duhet të vazhdojnë të lëngojnë nën zgjedhën e tyre.”
Broshura flet gjithashtu për shqiptarët e nënshtruar Greqisë, kryesisht për Çamërinë. “Të gjithë autorët anglezë, francezë dhe italianë, që gjatë shekujve XIX e XX, kanë shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët – thotë ajo – nuk kanë patur as dyshimin më të vogël përsa i përket karakterit etnik të atdheut të Boçarit e Xhavellës, heronj të pavdekshëm të pavarësisë greke.”
Në pjesën kushtuar dokumentimit të rendit teknik dhe historik, janë sjellë pjesë të fjalimeve të parlamentarëvet të njohur, të raporteve diplomatike e të autorëve të ndryshëm evropianë dhe turq. Synimet e shqiptarëvet irredentë përfshijnë 35 rrethe me një popullsi prej 1.422.700 banorë (përjashtohen banorët e rretheve të Tivarit, Podgoricës e Strugës që janë harruar për mungesë të dhënash të fundit) të ndara kështu : shqiptarë 906.022, serbë 131.812, bullgarë 226.859, vlleh 53.822, grekë 22.834, të tjerë 7.762. Shifrat mbështeten në statistikat turke dhe austriake.
Statistikat, jo të plota, të bazuara mbi dëshmi të pakontrollueshme, të disa të dhënave nga serbët në Shqipërinë veriore (nga 1 shkurt 1919 deri në 25 shkurt 1919), japin këtë kuadër të përmbledhur : të vrarë 12.371, të burgosur 23.110, të rrahur 1.633, banesa të shkatërruara 6.000, familje të grabitura 10.525. Pasojnë dy statistika të mangëta të mizorive greke në krahinën e Çamërisë. E para ka të bëjë me masakrën e Shën Bartelemi të Selanit, të organizuar nga autoritetet greke e të vënë në zbatim më 13 e 14 prill 1913 nga banditi i njohur kretas Dellynakis. Viktimat, të masakruar me qyta pushkësh, arrijnë në 78. E dyta është masakra e bejlerëve të Çamërisë, e kryer nga bandat e ardhura nga jashtë më 15 qershor 1914.
- GJIKA
Fletore të besueshme angleze që paraqesin mendimin e Foreign Offic-it, kanë trajtuar këto ditë me një objektiv të dukshëm politik, zgjidhjet e mundëshme të çështjes shqiptare, duke sjellë pikëpamjen italiane. Heshtja dhe mëdyshja shumë e dukëshme e gjuhës me të cilën shtypi anglez, në kundërshtim me zakonin e tij, e trajton çështjen e Shqipërisë, e bën pothuajse të kotë çdo koment.
Mbas paditjes së marrëveshjes Titoni – Venizellos, mbas heqjes dorë nga ideja e protektoratit, së fundi mbas braktisjes së Vlorës, Italia ka treguar me fakte të prekëshme e konkretë se e dëshëron sinqerisht pavarësinë e Shqipërisë. Për sa i përket çështjes së Sazanit, ai ka qenë argument diskutimi ndërmjet qeverisë italiane dhe asaj shqiptare dhe duhet trajtuar e rregulluar prej dy Vendeve drejt për së drejti e thelbësisht t’interesuara. Hollësitë e shtypit anglez rreth çështjes së Sazanit nuk janë veçse sofizma. Ndërkaq është qeveria e Londrës që nuk pranon të sqarojë e të saktësojë pikëpamjen e saj për çështjen shqiptare.
S.G.
Corriere delle Puglie, 7 – 8 – 1921 Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet