Ajo që e kompromentoi pozitën e Vlora Hysenit, përballë ligjit, ishin komunikimet e saj me Ergys Agasin, gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati. Pra që nga dhjetori i vitit 2025 deri në arrestimin e tij më datë 26 Gusht 2026.
Komunikime midis tyre të kryera në aplikacionet ‘Signal’, ku Vlora Hyseni përdor një gjuhë hakmarrëse fillimisht ndaj SPAK.
Gjuhë të cilën, siç ajo lë të kuptohet në këto mesazhe, e vë në shërbim të Ergys Agasit, të cilin e trajton si një person të cilit po i bien në qafë dhe ajo do ta mbrojë me çfarë të mundet, gati me thonj, kundrejt atyre që po i bëjnë keq.
Por duke përfshirë edhe veten, pra duke mos e ndarë veten nga Ergys Agasi dhe duke e parë edhe si një luftë ndaj saj. Si në këtë mesazh: “Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë, dua që të paguajnë”.
E vetmja mënyrë se si Vlora Hyseni, në rastin konkret mundej që këta njerëz të cilët u kishin bërë keq, ta paguanin, ishte nëpërmjet pushtetit të informacionit që SHISH, kishte. Edhe pse me ligj SHISH e ka të ndaluar të përdorë informacione pa autorizimin e organeve të tjera ligjzbatuese.
Kjo mëri ndaj atyre nuk e ndalte Vlora Hysenin, në betimin e saj ndaj Ergys Agasit, që për hir të së vërtetës, nuk e dimë se si u është përgjigjur këtyre mesazheve.
Shefja e Shërbimit Inteligjent kujdeset në vazhdim ta qetësojë atë që ajo në fillim e cilësoi si bashkëpunëtorin e saj në përpunim. Një histori e denjë për romanet klasikë, por që tregoi në vazhdim se në fakt ishte një thriller, i denjë për librat e verdhë me spiunë.
Hyseni që i kujton Agasit se nuk duhet ta humbasin kurrsesi toruan dhe se duhet të jenë bashkë në këtë hall që u ka rënë për pjesë.
Ndaj në këtë moment duhet përqendrim dhe vetëm përqendrim te halli që atij i ka rënë në këtë kohë që është në arrati dhe kërkohet nga policia, që mesa duket e kishte në gjirin e vetë Agasin dhe e mbronte nga çdo mundësi arrestimi.
‘Thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot.’, ishte një nga mesazhet mes tyre.
Po pavarësisht qetësisë që kërkonte t’i jepte herëpashere qoftë edhe shpirtërore, apo edhe duke i ngritur moralin e rënë poshtë, bashkëpunëtorit të saj, Vlora Hyseni, duket se ishte e ndërgjegjshme se një ditë fundi i tyre do të ishte i afërt. Madje edhe që ky fund po afrohej, ndaj duhet të nxitonin në hakmarrjen e tyre.
‘Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt.’, shkruante ajo.
Ajo që Vlora Hyseni lë të kuptohet në mesazhet e saj është se ata, d.m.th. ajo, Ergys Agasi dhe dikush tjetër, po luftohen nga një grup kundërshtar, që duket se ka po aq pushtet sa ata.
Madje mund të jenë edhe shumë më të fuqishëm se ata. Dhe se ky grup kishte mundur në një farë mënyrë t’i dëmtonte seriozisht, pavarësisht se ata kishin treguar forcë, pushtet dhe qëndrueshmëri gjatë gjithë kohës. Pushtet që Vlora Hyseni e tregon edhe mbi vetë shefin e saj, kryeministrin e vendit, ku me ligj ajo jep llogari.
Teksa në një nga mesazhet i tregon Ergys Agasit se po niset të shkojë te kryeministri, duke nënkuptuar Edi Ramën dhe do rrijë me të vetëm një orë, aq sa ajo do, duke lënë të kuptojë se oraret me kryeministrin i vendos ajo. Sikurse po ajo vendos se sa do rrijë me të dhe kur do ikë.
‘Çfarë na bënë o Zot. Po më presin me shku te Km. Jo mo zemër unë një orë, nuk rri më shumë me atë’, shkruan ajo.
E gjithë kjo bisedë bëhet vetëm dy ditë para se Ergys Agasi të arrestohet, pra, më datë 24 Gusht 2026. Dhe askush nuk mund të thotë deri më tani nëse takimi i Vlora Hysenit me kryeministrin Rama, kishte pikërisht në qendër këtë bisedë, apo përpjekjen e fundit të Vlora Hysenit për të shpëtuar Ergys Agasin.
Përpjekje të cilat shfaqen edhe në një mesazh tjetër që mban datën 19 Gusht 2026, vetëm një javë para se Ergys Agasi të binte në të vërtetë në pranga, mesazh në të cilin Vlora Hyseni teksa komunikon me Ergys Agasin, flet me të për një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj. Takim të cilin ajo thotë se do ta zhvillojë të hënën, që përkon me datën 24 Gusht 2026.
‘Skënderi më thirri me u taku të hënën…të shpresojmë që ka porosit km….’, shkruan ajo.
Pra nga sa shikohet, edhe pse mbetet për t’u verifikuar, Vlora Hyseni lë të kuptohet se ka biseduar me kryeministrin Rama për çështjen e Ergys Agasit. Dhe po kështu lë të kuptohet se kryeministri i ka premtuar se do flasë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj.
Por ajo që nuk dihet është nëse kanë folur për të mos e arrestuar Ergys Agasin, apo për të shtyrë arrestimin e tij, për të cilin tashmë informacionet ishin të qarta se ndodhej në Shqipëri. Por që të arrestohej dhe të shpëtonte prej tij, dikush duhet ta lëshonte.
Vlora Hyseni më datë 24 Gusht 2026, i shkruan Ergys Agasit duke e informuar se të nesërmen ka lënë një takim me kryeministrin Rama.
‘Nesër duhet ta takoj km në 8.30’, shkruan ajo.
Por nga sa lë të kuptohet, Vlora Hyseni me gjasa nuk e ka zhvilluar takimin me kryeministrin Rama, ose ka bërë një dopio lojë, duke mbajtur me shpresa të rreme atë që më vonë do ta quante bashkëpunëtorin e saj.
Vlora Hyseni i rrëfen Ergys Agasit, se duhet të niset për një takim urgjent me sauditët.
‘Më doli një takim urgjent… Me sauditët… Kthehem nesër në Ks prapë’.
Mesazhe midis të dyve të cilat janë të vazhdueshme dhe vazhdojnë të rrotullohen rreth personave që ata lënë të kuptohen se i kanë tradhtuar, apo u kanë bërë keq. Por është e vështirë të kuptohet se përse në këtë lojë është e përfshirë edhe shefja e Shërbimit Informativ. Dhe nëse është edhe ajo e tradhtuara në këtë lojë, si pjesë e grupit të Ergys Agasit.
‘Sa shumë gjëra na kanë bërë ne… kjo është një situatë që do ja hedhim… Problemi është koha… Sa konsistencë kemi…’, shkruan Hyseni.
Dhe pikërisht koha është ajo që ecën kundra për të dy. Sidomos për Ergys Agasin që mesa duket ka pritur gjithë këtë kohë të kaluar në arrati t’i falin kokën.
Këtu ku për herë të parë Vlora Hyseni në bisedat e saj me Ergys Agasin, përmend edhe disa informacione, të natyrës politike, që në fakt nuk janë subjekt i punës së SHISH.
Por ajo lë të kuptohet se SHISH mund të ketë futur në përpunim edhe qeverinë apo Partinë Socialiste dhe këto informacione Vlora Hyseni ia kalonte Ergys Agasit.
Siç është edhe ky mesazh ku ajo e informon se Taulant Balla dhe Belinda Balluku, janë pjesë e një grupi.
‘Taulant Balla kryetar kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku’
Por ajo që duket se e ngatërron keqasi këtë histori është nëse Ergys Agasi e dekonspiroi qëllimisht raportin e tij me Vlora Hysenin. Kjo pasi kuptoi që nuk kishte më rrugëdalje dhe fundi i tij ishte i sigurtë.
Edhe pse duket një hamendësim nuk është çudi që Ergys Agasi të ketë dashur të rrëzojë nëpërmjet Vlora Hysenit, pikërisht kryeministrin Edi Rama.
Kjo pasi për shumë muaj nuk mori siguri për shpëtimin e tij. Ndryshe nuk ka se si kuptohet që Ergys Agasi, një muaj para se të arrestohej të linte qëllimisht në makinën e tij materiale të SHISH. Të cilat pranoi pas arrestimit të tij se i kishte lënë aty enkas, që t’i kapnin hetuesit e SPAK.





Komentet