Piktori i njohur shqiptar Samedin Asllani nga Kosova që jeton në Zvicër të premten më 21 prill në orën 18.30, ka hapur « Ekspozitën personale 2017 » në Galerinë Faubourg në qendër të qytetit Porrentruy, Kantoni Jura – Zvicër. Ajo mblodhi rreth vetës publikun zviceranë dhe shqiptarë.
Me ketë rast fjalën hyrëse e mbajti zoti Pierre Maurer një personalitet zviceran që ndërton ura bashkëpunimi mes zviceranëve dhe shqiptarëve, dha një vlerësim për veprat e piktorit Asllani si një pjesë e çmueshme e kulturës dhe artit shqiptar pavarësisht që po krijohet në Zvicër, artisti shqiptar po pasuron artin në përgjithësi me elemente të reja mbi një estetikë të re tha ai.
Pas tij fjalën e mori znj Nazane Breca, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, hedh një vështrim të shkurtër, të sotmes të kësaj vepre, në shkallët e saj të ngjitjes drejt së ardhmes. Ajo tha: “Për mua, për një Ambasadore është një ndjenjë e jashtëzakonshme kur sheh për së afërmi të arriturat e bashkëkombësve të vet të cilët në çdo fushë janë duke arritur suksese të larta përmes së cilave ata po behën ambasadorë të vërtetë të imazhit të vendit të tyre të origjinës. I tillë është padyshim edhe Samedin Asllani i cili me përsosmëri artistike jetëson përjetimet e tija në vepra arti. Autori Asllani është një nga qytetarët tanë të cilët përjetuan një kohë të rëndë në vendlindje por me punë ia dolën të gjejnë vetën jo vetëm një vendstrehim këtu në Zvicër por duke krijuar në një vendlindje të dytë në të cilën ndjehen të barabartë dhe të vlerësuar për punën që bëjnë… Uroj që të vazhdoni të jeni ndër ato ura të forta që lidhin popujt ndërmjet veti sepse sot më shumë se kurdoherë bota ka nevojë për njerëz që kapërcejnë vetën dhe kufijtë, për njerëz që gjejnë mirëkuptimin përmes të bukurës, përmes artit ashtu siç thoshte Shiller: ” Arti është dora e djathtë e natyrës. Natyra nxori vetëm krijesa kurse arti bëri njeriun”.
Kënaqësia që këndelli të pranishmit qenë këngët shqipe të kënduara nga nxënësit e Shkollës shqipe në Jura, enkas për të nderuar një vepër të kulturës sonë kombëtare që po krijohet në një vend tjetër larg atdheut.
Në ketë rast ishte e pranishme edhe znj Eliverta Radomi, nga stafi diplomatik i Shqipërisë në Bernë.
Në fjalën e tij z. Samedin Asllani tha më gëzon pjesëmarrja juaja, kjo nuk është aspak e rastësishme me këtë nënkuptoj një vlerësim i punës sime. Ju falënderoj për pritjen bujare që ju sot më afroni këtu në Jura!
Ekspozita e autorit Samedin Asllani do të qëndron e hapur deri më 26 maj 2017. Ajo ka gjetur shprehje edhe me një artikull në gazetën e përditshme zvicerane “Le Quotidien Jurassien” të Juras.
Megjithatë ajo që publikut ua tërhoqi vëmendjen ishte arti në pikturat e artistit Samedin Asllanit, një vepër e pasur dhe madhështore në tërësinë e saj në formë dhe përmbajtje. Në festën e madhe të ngjyrave dhe vijave në pikturën e bukur shqiptare lehtë gjen pamje nga atdheu dhe njerëzit e tij. Ajo që e karakterizon artin e kësaj krijimtarie është aftësia për t’iu dhënë përbërësve në mënyrë të peshuar të mjeteve teknike me shpirtin bashkëkohor.
Delemont, 24.04.2017 Nexhmije Mehmetaj

Komentet