Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, ka thënë se krahasimi i sekretarit të Jashtëm britanik, Boris Johnson që organizimi i Kampionatit të futbollit për Kupën e Botës në Rusi me Lojërat Olimpike të vitit 1936 të mbajtura në Gjermaninë Naziste, janë “të neveritshme” dhe “të papranueshme”.
“Kjo është një deklaratë e neveritshme. Është përtej ndonjë ministri të Jashtëm të ndonjë shteti”, ka thënë sot Peskov.
“Padyshim është ofenduese dhe e papranushme”.
Më 21 mars, Johnson është pajtuar me një ligjëvënës britanik, i cili ka deklaruar se Putini do të tentojë të përdorë turneun e futbollit për të fuqizuar imazhin e Rusisë, njëjtë sikurse Adolf Hitleri në Lojërat Olimpike të vitit 1936.
“Mendoj se krahasimi me vitin 1936 është plotësisht i drejtë” ka thënë Johnson, i cili ka parashikuar mburrjen e Putinit “për këtë organizim sportiv”.
Këto deklarata kanë ardhur pasi komiteti i ligjëvënësve britanikë ka diskutuar për helmimin e ish-spunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia me agjent nervor Noviçok në Britani.
Ish-spiuni rus dhe vajza e tij vazhdojnë të mbesin në gjendje kritike derisa Rusia mohon çdo përfshirje në këtë incident.
Komentet