Me pak rrjeshta që mund të shkruajmë duke përshkruar ngritjen e flamurit në Krujë nga Skënderbeu më 28 nëntor 1443 e deri më 28 nëntor të 1912-ës, kur Ismail Qemali me shokë e ngritën flamurin në Vlorë, përfshihet një lak kohor jo i vogël, por 500 e ca vjeçar!
Porse shumë përpjekje, shumë gjake shumë mund u desh të investohej që të ndërtoheshin themelet mbi të cilat Ismail Qemali, udhëheqësi i grupit nismëtar, arriti të t’a ngrerë më në fuhd flsmurin tonë të – mëvehtësisë – ! Të cunguar na detyruan fuqitë e mëdha t’a kemi Shqipërinë. Tri krahina të begáta e të populluara nga – safi shqiptarë – na u lanë jashtë kufinjëve shtetërorë nga Komisioni Ndërkombëtar i caktimit të ndarjes territoriale: Kosova, Ҫamëria si dhe Dibra e Madhe. Por e pranuan atdhetarët shqiptarë atë ndarje, sepse u kënaqën më mirë me pak se sa me hiç! E megjithëse nga kompromiset si edhe ndarjet e interesave në mes të fuqëive të mëdha, që si mamí të pashpirta e cunguan që në lindje foshnjën Shqipëri, edhe mbas 28 nëntorit1912 fqinjët, si çakenj të pangopur, vazhdonin të ukërinin me shpresë t’i shkëpusnin ndonjë copë tjetër. Nuk u ngopën grekët, të mbështetur nga Franca dhe nga Rusia, që e shtynë kufirin nga Konica, Preveza e Janina dhe e sollën tek Kepi i Stllos, por donin edhe Korçën me gjithë Gjirokastrën. Edhe sërbit e malazezëve nuk u maftoi Malësia e Madhe, Rrafshi i Dukagjinit, Kosova edhe Dibra. Por deshën edhe Shkodrën. Edhe këta e kishin – Veliki Oracin – rus. E kështu Shqipëria, doli si shtet me kufinj të caktuar nga komisionet qeveritare të fuqive të mëdha sipas interesave dhe takatit të tyre, ku kufiri i jugut, ndonëse duket e pabesueshme, u caktua nga komisioni jo në terren por në zyrat e Institutit Gjeografik De Agostini në Novara të Italisë!?
Kaq histori sa për të mbajtur të freskët kujtesën.
Nja dy kujtime tashti, sa për ilustrim.
Po gdhinte dita e 28 nëntorit 1944. Tirana gumëzhinte e tëra. Përkrah Hotel Dajtit ishte ngritur një tribunë. Dy anët e bulevardit të madh si edhe sheshi para ministrive ishin plot me popull. Një pjesë e tij, ata, ndaj familjarëve të të cilëve kishin filluar persekutimet, rrinte kokulur e kuptohej se kishte dalur të sodiste vetëm nga kureshtja. Kishte edhe entuziastë që brohorisnin. Në mes të kësaj zhurme vijnë dhe zënë vënd në tribunë ata që do të bëheshin udhëheqësit shtetërorë. Askujt nuk i shkonte mëndja se që nga ai çast, pikërisht nga ajo tribunë, po ngrihej reja e kobëshme e luftës së klasave, që për dyzet’eshtatë vite do t’a kapërthente vëndin tonë duke hyrë thuajse në çdo shtëpi e duke bërë viktima an’e kënd e duke vazhduar pastaj pa vonesë pikërisht me ata që mbushnin tribunën. E bile, sa më afër figurës qëndrore të tribunës, diktatorit të pa mëshirë që të ishin, aq më të afërt e kishin edhe fundin e tyre. Kaloi kështu ky 28 nëntor i parë. E pasuan të tjerë, por sa vinte e me nota përkujtimi më të zbehta për ngjarjet e 28-ës e dora dorës më të ndritëshme për 29 nëbtorin, ditën e shpalljes së Federatës Jugosllave, që çuditërisht na paska qenë edhe dita e çlirimit të Shqipërisë! Sa largpamësa miqt’e sinqertë të kombit tonë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi!
Nuk mundem t’a kaloj pa e kujtuar edhe një mbresë sa tragjike e po aq edhe komike, edhe kjo e lidhur me 28 nëntorin. Gjatë luftës, e vranë komunistët me atentat në mes të Shkodrës, pinjollim e Isa Buletinit, Adem Buletinin. Me marrjen e pushtetit nga ana e komunistëve një nga shfaqjët e luftës së klasave qe edhe burgosja e së resë Isa Buletinit, gruas së Adem Buletinit, Adiles. Kaluan prapë vite. Do të festohej 50 vjetori i ngritjes së flamurit, e për t’a bërë më të besueshëm sinqeritetin e festimit, e desh propaganda komuniste që të kish në tribunë ndonjë të mbetur gjallë nga gjaku i farkëtuesve të 28 nëntorit 1912. Adile Buletini e shkreta ndërkohë kishte dalë nga burgu. Një t’a marrë me veturë e drejtë e në tribunën festive: Sa “prekëse” skena ku përkrah komandantit internacionalist ishte e reja e nacionalistit të përkushtuar, Isa Buletinit. Ironí dhe njëkohësisht komedí e fatit! Dhe Adileja ishte e detyruar të interpretonte përgjatë asaj farse se përndryshe i a zhduknin nga faqja e dheut dy djemt’e saj, paçka se ishin nipat e Isa Buletinit!
E kështu, avash avash, atje ku qe ngritur në Tiranë tribuna e 28 nëntorit u ngrit shtatorja e Leninit, e njeriut me mëndje djallëzore, idetë e të cilit të zbatuara tërhoqën mbi vëndin tonë mallkimin e qiejve për gati gjysmë shekulli! Nuk mjaftoi me kaq. Karshi Leninit, më vonë u vu shtatorja e Stalinit si për t’u thurur lavdi mëndjes perverse si edhe krahut mizor.
Kësisoji vitet kalonin dhe internacionalizmi i zbehu aq shumë sakrificat e bëra nga patriotët rilindas deri sa u arrit në ditën tejet të shquar të 28 nëntorit 1912-ës sa që, për 28 nëntor, fëmijët e kopshteve çonin nga një kurorë në një përmendore të ndonjë shkolle të harruar që mbante emrin e Ismail Qemalit
I erdhi tani edhe rradha analizës.
Për fat të keq, pikërisht në prag përvjetorësh të ngritjes së flamurit në Vlorë, na takon të pohojmë se si Shqipòëria e gjithashtu edhe Kosova vazhdojn’ e ndodhen në udhëkryqe serioze! Prandaj më shumë se përkujtim, duhet bërë analizë dhe të nxirren detyra për zbatim.
Kalimi nga regjimi diktarorial komunist në demokraci, e ballafaqoi menjëherë shtetin shqiptar me difektet serioze që paraqiste kalimi i ekonomisë së dështuar socialiste në formën e re të ekonomisë së konkurrencës së lirë. Gjithashtu edhe administrata shtetërore , që duhej ngritur nga e para, u pa se paraqiste probleme shumë të kompikuara. E këtyre problemeve sa politike e po aq edhe teknike, u shtohej edhe një problem, në pamje të parë i padukshëm, por ndoshta edhe më seriozi: shqiptari nuk ishte më ai i përshkruari nga poetët rilindas tanë ku normat e moralit edhe të etikës i mëkoheshin fëmijës që me gjiun e nënës! Shqiptari tashmë ishte “njeriu i ri”, krijesë komuniste e Enver Hoxhës. Dhe kjo krijesë përbën brezat e atyre që u lindën dhe u rritën të pa fé! Njeriu, si edhe të gjitha krijesat e tjera , është vërtetë pjellë e mjedisit rrethues, por normat e moralit si edhe edukatën e virtyteve duhet t’ia edukosh e bashkë me to, dora dorës fatkeqësisht mësohen nga ai edhe veset. Kur shoqëria shqiptare e para vitit 1944, në themel të saj kishte edukatën morale, (për të cilën merreshin klasa edhe jepej provim ),dhe edukata lidhur me moralin e përgjithshëm kishte edhe dy përbërësit e saj, njërin kombëtar e tjetrin fetar, (pavarësisht bga përkatësia fetare) ishin virtytet që sundonin e veset ndrydheshin nga virtytet. Për fat të keq tonin si komb, gjatë gati gjysmë shekulli, internacionalizmit i u vu kurora me dafina kurse nacionalistët vareshin e vriteshin si tradhëtarë! Besa dhe fjala e dhënë edhe këto quheshin tradhëtí, kurse lavdí u thureshin informatorëve që pikërisht, me që të prisnin në besë, hymnizoheshin! E ku qe strumbullari i këtyre përdhosjeve? Dhuna dhe shfarosja e ushtruar ndaj klerikëve si edhe ndaj njerëzve më të ndershëm e të besës që përbënin ajkën e kombit tonë. Këto t’ashtuquajtura suksese të pushtetit të vetëquajtur popullor si edhe arritja që të vetëshpallemi i pari shtet ateist në botë të lidhura domosdo me degjenerimin moral që u kultivua gjatë këtyre dekadave, si rezultat nuk kish se ç’të arrinte tjetër veç përballjes që po përjeton vëndi ynë sot.
Por e keqja nuk mbaron me kaq për kombin tonë. Në mënyrë këmbëngulëse serbët ndoqën që gjatë luftës antifashiste planin e paracaktuar të paraqitur që në vitin 1945 nga Qubrilloviqi famëkeq. Me një fjalë, synimi i tyre qe që në një të ardhme jo të largët, edhe sërbët t’a bënin Kosovën siç e bënë grekët Ҫamërinë! Prandaj sa kohë që në fushën politike do të udhëheqin “Jolly” (xhole që si Fatos Nano herë e quajnë diktatorin baba, herë i thonë Millosheviçit se sipas tyre nuk ekziston problemi Kosovë e nga ana ekonomike ia nënshtrojnë vëndin dhe financat e tij Greqisë, Shqipëria do të vazhdojë të jetë pré e shushujzave! Është logjike se sa kohë që në postin e kryeministrit të vazhdojë e të jetë ai rajá i bindur i diktatorit që si përfaqësues tipik i njeriut të ri socialist pa shtyllë kurrizore,, dhe i plazmuar me duart e veta nga diktatori dje shoqja Nexhmije, çdo gjë do vazhdoj’ e të bëhet kundër interesave kombëtare e veç për interesat të tijat, duke filluar që nga shitja e armëve, (me rezultat përfitime marramendëse personale), në Kosovën e përflakur e deri tek dorëzimi aq pa kushte grekut tinzar sa që ka pranuar, sipas ministres së Arsimit të Greqisë, që edhe tekstet e historisë lidhur me marrëdhëniet që nga lashtësia e shekujve mes grekëve dhe shqiptarëve … t’i trajtojnë historianë helladhas!
Dhe kulmi arrin kur ua përplas pohimin e tij shovinist presidentit grek si presidentit tonë e me të gjithashtu edhe kryeministrit si edhe mbarë shqiptarve në mes të Tiranës, tek thotë publikisht se nuk ekziston problemi çam! (?) e burrat tonë të shtetit heshtin! Domosdo, heshtin diplomatikisht. Sepse ushtaraku president e mendon veten duke fryrë gjoksin e duke i thënë kolegut grek: guxo e përsërite edhe një herë! Kurse kryeministri. personifikimi i i nderit dhe i moralit, mendon me vete: si ma bëre këtë punë more matuf që ma vështirëson shtrimin e qylymit të kuq pasardhësit tënd!
E kësisoji, për t’a stigmatizuar gjëndjen e mjerueshme ku e ka katandisur Shqipërinë Nanua me gjithë shpurën e tij kujtojmë se si në Argolisin e vjetër vëndin e terrorizonte Hydra, pjella e përbindëshme e Echidnës dhe Typhonit. Pamja e saj ishte gjysmë grua e gjysmë gjarpër me nëntë koka gjarpëri në shtat dhe ish e pavdekëshme se një kokë i pritej dhe dy i mbinin. Por i erdhi edhe dita fatale Hydrës së tmerrshme: Herakliti ia priste kokët një e nga një dhe Iolausi me pishtar ia digjte plagët derisa Hydra e tmerrshme u plandos edhe rá. Ky qe shpëtimi i Argolisit.
Kështu edhe Shqipëria. Po nuk u bë populli Heraklit dhe vota e tij Iolaus, kot i vihet qark problemit me thirrjen t’i priten tentakulat Hydrës. Jo zotërinj, ky veprim jo që nuk e shëron gjëndjen por vetëm në gjum’ e vë popullin. Hydrës i duhet hequr koka! Po iu hoqën koka fatose me gjithë kokat rrethuese Hydrës, vetëm atëhere do t’i thahen edhe tentakulat thithëse përbindëshit korrupsion. Në mos, ditët do të rrjedhin, koha do të kalojë, 28 nëntorët së rishmi gjithënjë më kokulur do t’ua lenë vëndin më të rinjëve që sa vjen e do të veniten nga shkëlqimet e ditëve përkujtimore të fantazmës Federatës Jugosllave, dhe populli do të vazhdojë të presë nga udhëheqësit mëshirë, patriotizëm, ndershmërí si edhe … përkujdesje për të. Ky është realiteti i trishtë i Atdheut edhe i fateve të popullit tonë në qoftë se populli vazhdon e tregohet indiferent!







Krenar per kete familje shqiptare me tradita mikpritje dhe bujarie ! ….Perulem para humanizmit dhe madheshtise se dy familjeve ! Bravo