Posa u dha lajmi i vrasjes të Oliver Ivanoviçit, Beogradi njoftoi ndërprerjen në Bruksel të bisedimeve Kosove-Serbi, duke e etiketuar vrasjen akt terrorist të shqiptarëve!
Ndërsa një nga figurat më emblematike të Serbisë Vuk Drashkoviçi, në të njëjtën kohë, e konsideroi vrasjen e kryer me stilin e shërbimeve sekrete të kohës së Milosheviçit.
Të njëjtën gjë ka thënë edhe ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, një figurë shumë e njohur edhe kjo e pakicës serbe kur ka komentuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit. Gjatë një paraqitjeje në televizionin serb, “Happy TV”, Trajkoviç ka akuzuar themeluesit e Listës Serbe. Trajkoviçi ka thënë se tek serbët e Kosovës ekziston besimi se vrasja e politikanit ishte e organizuar nga qarqet serbe.
“Fatkeqësisht Beogradi nuk po na lejon të flasim. I lejon të flasin vetëm ata që mendojnë ashtu siç mendon Beogradi.” Pastaj Rada Trajkoviç ka përmendur Milan Radojiçin. “Për bashkësinë ndërkombëtare ky është lider jotransparent, ose ta them më ashpër, njëri prej shefave kryesorë të mafies në territor të Kosovës”, është shprehur ajo. Radojiçiçi është njëri prej personave që e kontrollon Listën Serbe.
Edhe vetë Oliver Ivanoviç në intervistën tashmë të njohur tek Vremje tha se “serbët e veriut të Mitrovicës nuk u friksohen tani shqiptarëve por serbeve.” “Në veriun e Mitrovicës mbizotëron frika*, tha Ivanoviç, “droga shitet gjithkund dhe strukturat kriminale kane lidhje me politikën në Beograd”. “Strukturat kriminale lidhen me Partinë Progresive serbe”, tha ai duke shtuar se “serbët e Kosovës nuk kanë simpati për Listën Serbe dhe se ky formacion politik i vjedh votat, nuk fiton.” Asaj kohe kur dha intervistën tek Vremje, strekturat kriminale i kishin djegur makinën.
Vrasja e Oliver Ivanoviçit ishte e paralajmëruar. Ai kishte kërkuar mbrojtje, sepse ndihej i kërcënuar.
Në përcjelljen me nderime për në banesën e fundit që iu dha në Beograd merrnin pjesë gjithe përfaqësuesit e shtetit serb duke nisur nga kryeministrja Ana Brnabic, ish presidentët Nikoliç, Tadiç, Patriarku Irinej, Princi i Kurorës Aleksandër Karagjeqevic etj. Mungonte Presidenti Vuçiç që pritet të shkojë gjatë fundjavës në veriun e Mitrovicës.
Por familjaret e Oliver Ivanoviçit nuk do t’i gjejë atje. Gruaja dhe djali i mitur nuk do të kthehen më aty. Kështu ka thënë për Telegraf.rs Milena Popovic-Ivanovic, se ajo dhe djali i saj dhe i Oliverit nuk do të kthehen në Kosovë.
“Im bir dhe unë nuk kthehemi më në Mitrovicë, në qytetin e frikës, errësirës dhe dhimbjes. Oliveri yne e dha jetën për Kosovën dhe Serbinë. Dhe kur ai kërkoi ndihmë dhe mbrojtje askush nuk ishte atje. Tani ata po thonë se ai ishte hero, po ku ishin këta njerëz që tani janë duke e çmuar kaq shumë, kur ai kishte për ta nevojë!”, është cituar të ketë thënë ajo.
Kjo është e vërteta që e shqipton vetë bashkëshortja e liderit të pakicës serbe.
Oliver Ivanoviçi ishte në veriun e Mitrovicës i kërcënuar nga segmentetet e nëntokës serbe në lidhje të fuqishme me Beogradin.
Kur i kërkoi ndihmë shteti serb nuk e mori në mbrojtje.
Tani që e vranë, Beogradi e qan me lot krokodili dhe vrasjen e tij kërkon që ta përdorë në Kosovë për qëllime politike.
Por ky është një impossible mission – një mision i pamundur!
Komentet