Kishte kohë pa shkuar tek miku i tij Dik Sadiku ,ndaj ,atë mengjes,Cuf Zerdelia nxori nga ahuri mushkën, e pa njëherë mos i mungonte ndonjë pajim,pastaj vuri këmbën në leqe dhe u gjend mbi samarin e saj.Do të shkonte tek miku i tij dhe do të rrinte ,të paktën, një natë,ndaj la porosi në shtëpi ,se nëse e kërkonte dikush, adresa dihej.Cuf Zerdelia ,veshur e mbathur , me mustaqe që i mbante spic dhe orën e dorës që e tregonte duke mbajtur krahun lart, i hipur mbi mushkë, e ndjente veten si një njeri që duhej parë me vëmendje.Veçse, gjatë rrugës ,nuk po dukej kush, hijet e drurëve zgjateshin sa më shumë, sikur donin të shkëputeshin nga objektet për t`u kapërthyer në një vend që ato e ëndërronin.Kjo i sillte një shtypje të lehtë në kraharor po edhe një vetësiguri triumfuese në zemër.Kaloi një luginë të gjërë ,pastaj iu ngjit një kodre, po ,gjatë kësaj kohe ,sërish nuk u shfaq njeri, e kjo i solli një bezdi të lehtë,pavarësisht nga qejfi i tij prej djaloshi, ndonëse ishte mbi të dyzetat.Mushka herë herë ndalonte si të ndjente diçka,shkrofëtinte butë në diellin e mëngjesit, çapte ngadalë, sikur të ndjehej e mërzitur edhe pse Cuf Zerdelia ishte disi formë,siç ndjehej sa herë që shkonte tek ndonjë mik,ose kur i duhej të sodiste natyrën e asaj lugine të mrekullueshme, rrethuar me drunj të të lartë dhe një gjelbërim të ngrohtë që të ftonte të uleshe dhe të shtriheshe mbi bar, pranë burimeve të ftohta.Sa dëshirë kishte të ndalej në ato burime të freskëta e të shtrihej mbi barin e lëndinave plot lule, po atë ditë seç e ndillte një gjë e panjohur, diçka e lehtë, tërheqëse ,që rrëshqiste përskaj mushkës së vet të bëshme. Mbase në kthim ,mundej,të ndalte e të flladitej me atë ajër joshës duke e lënë mushkën të lirë të kulloste e të zhgërryhej livadheve aromatike. Atëhere kur të kishte rrëkëllyer disa kupa me raki dhe të kishte dëndur barkun me mishin e kecit të njomë tek miku, vetëm atëhere ia vlente të shtrihej në ato kënde mbi bar të njomë , ashtu në shpinë, duke kundruar qiellin e kaltër që,si për inat, ndriste më bukur se natyra ose dukej sikur vidhte pasqyrimin e saj, e fuste në brendësi të vet e pastaj si për kast e nxirrte në retinën e vet për të kundruar gjithçka që bëhej në tokën mëkatare.U dha fshati përballë.Ruga vinte disi e gjërë , me ferra anash dhe kishin filluar të gumëzhinin insektet, bredhërima e zërit të tyre bënte një zhurmë prerëse.Dukej se kjo zhaurimë ngrinte lart në ajër një mundim që shkonte kot.Ai ishte përhumbur mbi mushkë, duke parë majtas ,djathtas, kur dëgjoi një zë:
-Ku shkon kështu , o Cuf Zerdelia,mos zbret poshtë nga çarshia?
Në të vërtetë pas vështrimit të përqëndruar nuk pa njeri.Mos më bënë veshët, mendoi, ndërsa i foli rëndë korbes së vet, e cila nxitoi hapin me një vrull tjetër.Në ishte zë apo jo,ai sërish e mbante në veshë këtë tingull apo mos i kishte thirrur vetë vetvetes?Ndjesia e paprekshme e atij ajri dehës dhe aromave të natyrës ia rrëmbushte zemrën sikur do shkonte në një takim dashuror të cilin s`e njihte prej kohësh.Eh, tek iu kujtua një mikeshë e vjetër e cila e donte natyrën vetëm prej tij, të paktën kështu thoshte ajo.Mushka ecte me çap të ngadaltë dhe kjo e ecur sikur e nanuriste atë në kujtime të ëmbla, kujtime që s`dihej pse vinin ashtu aq të vrullshme si nga funde thellësish pas lirimit të një pengese.Ai po ndjente se një mall i ri përzihej me të vjetrin ,sikur enkas po ia sillte fytyra e humbur e mikeshës së vjetër e cila qe martuar me përdhunë nga vëllezërit me një ronxhobonxho, e s`kishte mundur më ta takonte duke e ditur mirë sa shumë vuante ajo për të dhe Cufi sigurisht.Sikur ta kuptonte se ai nuk duhej të merrej më me kujtime e mallëngjime mushka nxitoi me një hap të ri , të shpejtë, madje galopant.Një tufë zogjsh që u ngritën nga një xhumbë dushqesh të vogla mbase e trembën.
Kur arriti tek shtëpia e mikut nuk thirri siç bënte gjithnjë, i sigurt se Dik Sadiku ndodhej aty.Ai lidhi mushkën në trupin e nje druri të rënë përmbys nga gërryerja e një përroi, litarin ia la sa më gjatë që mushka të kulloste në barin përreth,pastaj ngjiti me hap të shpejtë shkallët dhe u gjend në katin e dytë të ndërtesës.Trokiti , po nuk u përgjigj kush.Atëhere shtyu lehtë derën dhe u gjend në dhomën bosh, në dhomën ku kishte ndenjur sa herë.Ai u ul pranë oxhakut dhe vendosi të priste.I bëri përshtypje se dhoma ishte rregulluar për bukuri,ndryshe nga herët e tjera,qilimat ishin të rinj, divanet formonin një kënd të vogël,mbi mure ishin shtuar fotografitë, ndërsa në murin përballë shkëlqenin nga dërrasat e llakuara rafte të rinj.Midis fotografive dallonte fotografia e tij me Dik Sadikun, një fotografi e zmadhuar, futur në një kornizë arre.Atij i kujtohej si e kishte bërë mik Dikun ,kur të dy ishin ushtarë në Malësinë e Madhe.Diku kishte rënë në një rrëpirë gjatë një stërvitje natën ,askush s`e kishte vënë re, përveç Cuf Zerdelisë, i cili menjëherë i kishte hedhur litarin dhe Diku kishte shpëtuar.Që atëhere nuk kishte rast ,madje edhe sajoheshin ato,ku Diku të mungonte në shtëpinë e Cufit.Kjo miqësi u shtri edhe në far e fis,madje u bë edhe ndonjë fejesë,aq sa bota ua kishte zili .Diku ishte në gjendje të mirë ekonomike.Ai ishte mjeshtër i vërtetë i prodhimit dhe përpunimit të drurit, bënte të gjitha mobileritë e zonës dhe vegla muzikore.Çfarë i shihte syri ia merrte në kujdes dora dhe e qante një gjë, ndyshe nga byrazeri i tij që shetiste nëpër krahinë, ku dilte tym bënte qilim, po bukë hanin të dy e s`ia kishte zili, se më të ishte bërë sa një grusht nga puna dhe rrudhat e vuajtjeve e kishin brazduar atë fytyrë dikur të gjërë, sikur do t`ia falte shpirtin djallit.
Me këto mendime në kokë e gjeti e shoqja e Dikut ,Cufin, i cili po sodiste atë ambient të rehatshëm ,ku dora e kujdeshme e gruas nuk kishte lënë gjë të mos ishte në vendin e vet.Zonja Selvi ishte një selvi e vërtetë.Atij iu duk kësaj here edhe më e bukur, edhe më e pranishme, ndonëse e ndjente se nuk duhej të mendonte gjatë për të ,pavarësisht nga dobësia që kishte për femrat. Po sa herë shikonte atë i kujtohej gruaja e vet, Manushja, një grindavece e pandreqshme, buzëvarur për çdo gjë,nganjëherë hundëpërpjetë si derri që nuhat rrezik,duke ia gërvishtur atij nervat në një mënyrë të tillë,si për t`i kujtuar se s`duhej martuar, ose kishte qenë një brinoç që kishte marrë atë.Dhe zonja Selvie së pari e pyeste për të, si për t`i kujtuar se duhej ta duronte këtë gjë, ose të plaste nga inati.Po kësaj radhe ajo nuk pyeti për Manushen,dhe nga kjo gjë Cuf Zerdelisë i erdhi mirë,të paktën nja një orë nuk do t`i vinte ters,dhe do kishte rastin të bisedonte për gjera nga më të ndryshmet,të cilat mund të ftilloheshin mirë e bukur në praninë e një buzëqeshje femërore siç ishte buzëqeshja e zonjës Selvi.Ç`fat kishte miku i tij duke futur në shtrat këtë shtatmënjollë,prej së cilës rrezatonte vendi, jo një mace xheloze, siç ishte e shoqja,me shëmtinë e së cilës kërkonte të vendoste rendin e së bukurës.Si i kishte mbyllur perëndia sytë atëhere,dhe ai u martua me Manushen, këtë ishte orvatur ta shpjegonte kohë më pas,ndonëse çelsat kuptimorë i thyheshin sa herë shikonte femra të përafërta, po zonja Selvi seç bënte një përjashtim.Zjarri në vatër, mbushur me thëngjij të kuq, flinte një gjumë të përhumbur.Ai e pyeti zonjën Selvi për shëndetin, për byrazerin e pasi mori përgjigjet që nuk afronin ndonjë gjë të re, atëhere filloi ta pyeste për prindërit e saj, vëllezërit.Ajo përgjigjej ngadalë duke buzëqeshur lehtësisht sikur mezi priste pyetjet e tij që ishin të avashta po që visheshin nga një aromë zëri të butë gjithë delikatesë.Ai kuptonte se asaj po i vinte mirë për këtë, duke vërejtur një lulëkuq të lehtë në mollëzat e saj rrumbullake që kërcenin paksa në faqet e mbushura ,zbukuruar nga dy gropëza të vockëla si të sajuara për të mbledhur aty atë nur femëror për të mos ikur tjetërkund.O zot i madh, mendoi ai me vete, ç`grua është, sa e sjellshme dhe e urtë,bujare dhe fisnike që i qesh shtati e marifeti, ndryshe nga ajo xhebrailja ime që të mos kaloftë nëpër zabel, e jo ta mbajsh në shtrat si një ferrë që të gërric shpinën.Ai kishte qenë edhe herë të tjera këtu, veçse sot, ndryshe po i dukej zonja Selvi, ose ai s`kishte qenë i aftë ta vinte re, a nuk kishte mundur ta shikonte si sot, këtë perri që po të dilte tek pragu i derës do ta merrnin mësysh edhe djemtë e rinj.
Cuf Zerdelia ndjeu një krisje brenda kraharorit, diçka ia bëri:krak,ai nuk e besoi këtë, veçse si nëpër tym mendja i tha se ajo faza e parë e turbullirës kishte mbaruar, tani duhej të mblidhte rradaken se ishte mik, dhe jo si do kudo, po byrazer,vëlla, njeri i shtëpisë ,se të gjithë një nënë nuk i lind njerëzit.Po ndërsa ky mendim e bënte të kthente kokën nga dritarja. Lulet e bardha të një kumbulle sikur e shtynin kastilen të vështronte nga Selvia, e cila si për rast rrinte gjithë kohën e buzëqeshur.Turbullira megjithatë nuk ia topiste një arsyetim të bindshëm se duhej të rrinte urtë, po pikërisht atëhere Selvia po e pyeste për rrobat e reja, të cilat ,marshalla, sa i shkonin, apo nuk i kishte të lara sikur të ishte një dhëndërr i ri.Ajo do t`i falte një jelek që e kishte blerë ditën e pazarit për të shoqin , të cilin ai nuk e vishte se i rrinte i gjërë, po edhe sikur të rrinte për shtat, i shoqi s`para i kushtonte shumë rëndësi veshjes së vet.E për këtë ajo mërzitej shumë .Kur ajo solli jelekun Cufi vuri re duart e saj të bardha, gishtat e gjatë dhe të pastër që ndrisnin dhe lëmonin jakën e tij.Hodhi sytë nga dritarje dhe vuri re degën e kumbullës me lule të bardha. Bardhësia e saj dhe e luleve të kumbullës e hutuan. I skuqur nuk mundi veçse të shprehte një falenderim duke i thënë se kjo qe dhurata më e bukur në jetën e tij dhe se e shoqja kurrë s`kishte ditur t`i blente një rrobe për të qenë .Pas fjalëve të tij priti se çfarë do thoshte zonja Selvi, po ajo nuk u shpreh, madje duke hetuar fytyrën e saj ai nuk vuri re asnjë lloj miratimi për fjalët e tij. Rrinte si i ngurosur dhe s`dinte nga ta kapte fillin e bisedës, edhe pse Selvia kishte harruar ta qeraste qoftë me një gotë ujë.
Si ta kishte kuptuar këtë, për të kapur kohën kur duhej vepruar ,Selvia u rrotullua gjithë lehtësi rreth vetes,mori një ibrik të vogël, xhezven e kafesë,e shpëlau me kujdes,e pastroi me një pecetë të bardhë,solli kafen, sheqerin pranë vatrës, u kujtua për diçka tjetër, vajti në një kthinë dhe u kthye me shishen e rakisë në dorë.I jepte rëndësi kësaj ceremonie të vogël, ndoshta e gëzur që kishte ardhë Cufi.Ai s`dinte si ta niste një fjalë të re,me një përshtypjendjellje të pakuptimtë që po ia trazonte gjoksin e bëshëm.Selvia u përkul në vatër,shtyu thëngjijtë, mori ca më të vegjël, i përzjeu me hi,që kafja të ziente ngadalë dhe të bëhej me shkumë.Po kur u përkul ,nga gryka e hapur e bluzës shpërthyen sisat e mëdha dhe të bardha,të cilit atij iu duk se ajo i nxori enkas për të joshur atë.Ai ktheu kokën nga dritarja dhe iu duk se lulja e kumbullës kishte marrë flakë.Pa e menduar ,fort i turbulluar, shkoi dorën e djathtë mbi ato gjinj të të bardhë, si bora kur bie për herë të parë.Por aspak nuk kishte llogaritur reagimin e saj,as vetë nuk e kuptoi si erdh ky reagim,veçse ndjeu një përplasje të fortë tek balli .Selvia e kishte qëlluar me mashë duke e kapur atë me shpejtësinë e një tigreshe.Një vijë gjaku rrëshqiti nga balli ,ra drejt mbi hundë dhe njomi buzët e tij. Ndjeu ngushtësinë e çastit,kuptoi sesi gruaja u fut në dhomën tjetër,ndërsa xhezvja u derdh në hi.Shishja e rakisë ishte rrokullisur në qilim, një filxhan ishte thyer.E kaploi një tmerr i trishtë përzier me një zhvlerësim të vetvetes.Po sikur kjo grua të dilte nga dhoma me armë në dorë?Pa nga dritarja lulet e bardha të kumbullës dhe iu dukën si qefin.Ky mendim ia mblodhi ndjesitë në një pikë:duhej të ikte sa më parë.Hapi derën, zbriti shkallët me një hap të nxituar,u gjend në oborr,po i u bë se mushkën ia kishin marrë.Qëndroi një copë herë në këmbë,dhe pa korben e tij tek rrinte si e ngrirë, në qetësinë e vet.Ai kuptoi se hutimi i tij ishte alarmues, veçse kur pa mushkën i erdhi një qetësim i ngadaltë.Sapo kapi litarin e saj dëgjoi një zë:
-Ah,more vëlla, si qenke bërë,ç`paska ndodhur me ty…Ishte zëri i Dik Sadikut.
-Lere, ç`më gjeti, sapo i shihja njërën këmbë mushkës ,ajo virane, qëlloi me shqelm dhe siç e shikon…
–Shpejt ta pastrojmë plagën, nxitoi Dik Sadiku duke i futur krahun.Më ngushtë nuk gjendet burri, mendoi Cuf Zerdelia,ai i trembej ballafaqimit me atë nuse të bukur,po edhe mikut s`kishte se çfarë t`i thoshte.Kur ata hynë në dhomë gjithçka ishte rregulluar,në hi s`ishte më xhezvja,as filxhani i thyer, as shishja e rakisë e rrëkëllyer.
-Grua, thirri i alarmuar Dik Sadiku, sillna shpejt pambuk, fashë, alkol…se miku është qëlluar nga mushka…Si t`i kishte pasur gati ajo erdhi me to në dorë.Cufi ndjente një turp përvëlues.Ia pastroi plagën me kujdes,pastaj vuri fasho duke ia puthitur mirë me ngjitëse.Në fillim heshti,pastaj ia afroi gjinjtë përpara fytyrës .Ai s`kishte asnjë ndjesi për to.
-Pa hë, na trego, si ndodhi, ah, i mjeri unë për ty,or vëlla, për pak paske qenë duke nxjerrë syrin..Cufi ende s`ishte qetësuar
.-Grua , tha Dik Sadiku, shpejt na bëj kafenë .Zonja Selvi erdhi me takëmet e kafesë dhe shishen e rakisë në dorë.Si edhe më parë ajo u ul rreth vatrës , u përkul mbi zjarr, sërish dolën mu pranë hundës së tij gjinjtë e bardhë, e ndërsa ajo shihte kafenë sesi nxehej në xhezve, fliste mbi huqin e mushkave.:-
-Ke kaq kohë që merresh me mushkën dhe nuk ia di tarbiatet..Para se t`i afrohesh, mushka merret me të mirë,i thuhen dy tri fjalë përkëdhelëse,pastaj fërkohet ngadalë po edhe kur fërkohet duhet kuptuar nëse ajo e do diçka të tillë ose jo, edhe pse s`ka mushkë që nuk do të fërkohet ,sidomos kur e bezdisin mizat.Pasi je bindur se ajo ta pranon fjalën dhe ledhatimin atëhere hipi mbi samar dhe ledhatoje,kurse ti, mor ditëzi ,i je afruar me dhunë dhe ajo të qëlloi. Provoje herë tjetër kështu dhe mushka s`ka për të qëlluar më….
-Ashtu, thua ti grua, po ka mushka xanxare që nuk dorëzohen, veçse t`i lidhësh me litar, foli i shoqi, Dik Sadiku që ishte në atë botë.
Sa e qetësuan këto fjalë të zonjës Selvi Cuf Zederlinë, ajo jo vetëm ishte një selvi e vërtetë, po edhe një fisnike.I erdhi turp nga vetja.
-Nuk ka mushka xanxare-foli gjithë dhembshuri Selvia-mjafton t`i prekësh ku duhet dhe ato bëhen të buta…
Komentet