NUSET E REJA
Shiu pikon nga syri i qiellit,
Pikon e bie furishëm
Shplan e përlan vetëtimthi,
Çka mbetet pangijshëm
Çfarë ngihet rrëmbimthi.
Porsi shtamba që mbushën krojeve
Dhe i derdhën me rrëmbim,
Nuset e legjendave të moçme.
Më njgjan ky shi e më sjell trishtim.
Pse i derdhën shtambat ku ta dish ,
Ngaqë kush përpara s`u doli
Të kërkonte ujë prej duar hijeshish.
E një i njohur nuk u foli…
Ky shi mbase zbrazet për to,
T`i mbushin shtamba,t`i mbushin,
Për freskinë e zemrës që gurgullo
Për të panjohurin ndanë rruge…
SI NJË SEGMENT
Si një segment vizatuar në ajër
Jeta zgjatet sa dëshirë ke,
Ky segment nuk është një krande,
Në flakë pendese tek e vë.
Shkop drejtvizor drejt gjurit
Padashur e bën,
Teksa llogaritë e murrme
Kujton se shkojnë dëm,
Po edhe fill argjendi mund ta bësh,
Fije bari në buzë,
Ai nuk të thotë gjë,
Vetëm josh pa bujë.
Apo bëhet litar kthyer tërkuzë.
Dhe mund ta shënosh ti me sy
Me zemër ta coptosh,
Bëhet rreze që në zemër hy
Bëhet udhë ku mund të shkosh…
Jeta segmente, segmente
Zgjatet e shkon kithtas,
Pa stacione ku enden
Takime të papritura,
Në turravrap të kërkimit
Ato shpesh saldohen
Me zjarrin e etur të trishtimit
Në inat të verbër të dështimit
Copëtohen…
TË SHOHË VETEN S`DO AJO
Kjo botë i ka hipur anës së tepruar
Ku s`duhej të ngjiste këmbë,
Trishtimi si ujë i gurgulluar
I ngjan Ujit të Rëndë.
Element bazë i shpërthimit,
Turrur drejt asgjësë,
Ec e kuptoji trishtimet.
Në shtrat të mugët pa përtesë.
Ato mbillen si lulelakër
Në shtkretinë e tokës së shpirtit
Kaq moskuptues e të plakur
U ngjajnë shpërthimit të dinamitit.
Që në shkreti s`mund të vrasë
Vetëm shkretëtirën po,
Kjo botë i ngjet vetes pa masë
Të shohë vetën tjetër s`do ajo…
GUNË E KOHRAVE
Guna e kohrave dramatikisht e dhimbshme
Tani nuk duket,
Edhe më parë kanë qenë kaq të hijshme
Arat,pyjet,kodrat guvat.
Mbi vendet e mia
Sot më duket se janë shtuar më tepër rrudhat.
Mbase për njerëzit që nuk janë më
Veçse jetojnë në ndonjë kujtim
Në ndonjë këngë,
A poezinë e një poeti patriot.
Kjo gunë e thurur në avlëmendin e durimit
Me fijet e shpirtit të bukur,
Vjen si muzg që i gëzohet përtimit
Dhe tek balli na zjarrmon rrudhat…
LIRI
Liri,kurorë revolucionesh
Prej idealistësh të hutuar.
Vënë në dyer institucionesh,
Njerëzit për të penguar,
Liri kënaqësin horrash
Në bronz praruar,
Ose krakëritje sorrash
Për fundin e merituar…
ISHUJT
Ëndrrën e ishujeve mbaj në gji
Ah,ato ishuj të largët,
Tani nuk shkon asnjeri
Mbi tokën e tyre të pakët.
A janë ato lotët e tokës
Fëmijë shkëputur prej saj,
Deti prej tyre shfryn forcën
Anijet u shkojnë përsakaj…
Vetmia e vëshuar sa herë
M`i kujton e mendja shkon,
Tek ato duna me erë
Në det e oqean…
Tek këta ishiuj të mjerë,
Larg mëmës tokë gjithnjë,
Si sy që përpëliten pa prerë
Tek shohin fundin për të…
DAULLET E INATIT
Daullet e inatit gjëmon në heshtje
Me shkopinj vështrimesh i godet,
Në lëkurë timbresh ndjej si ulëret,
Mëkat i dashurisë që këlthet,
Ndjesive në përleshje.
Pranga deliri vetullat
E lidhin udhën për tek ti,
Siç lidh kuçedra çezmat,
Për t`i pirë në brendësi..
Largohem prej teje dhe ik,
Të gjej ku inati s`ka daulle,
As vetulla si zinxhir i lig,
Ndjesi të pudha…
Po daullet e inatit gjëmojnë
Më fort atëhere dhe kthehem,
E di se do më shurdhojnë
Në dobësinë e tyre tek shkrehem…
MALLIN QË PENGUN NDEZI
Malli më vonon gjithnjë
Si një djall i mirë,
Para se të hyj në shtëpi.
Një pasion që kokën vë
Në një shtrethe gjethesh për qetësi.
Dhe dy fjalë që nuk i ndreqa
Sipas drejtshkrimit të ndjenjës,
Dhe dy lisa në shkrepa
Që s`ua thashë gjuhën e heshtjes…
Dhe sa gjëra të tjera
Që nuk i diti dhe i mësova
Sapo arrita tek dera
E shtëpisë me dhoma…
Diku aty nga mëngjesi
Kur dal në rrugë dhe i kërkoj,
Mallin që pengun ndezi,
Sërish e harroj.
Mjeroj…
SI NJË MJELLMË
Në hapësirën e poezisë së dashurisë
Dhe të dashurisë për poezinë,
Vjen ajo: që është midisëse,
Dhe të shtyn mes dy kaheve,
Si një mjelmë që s`rri dot në ujë
Dhe as u beson krahëve…
Komentet