Po e risjellim deklaratën e diplomatit amerikan James Rubin shqiptuar gjatë vizitës së tij në Kosovë në nëntorin e 2013, kur PDK lidhi aleancë me LDK dhe AAK, VV dhe Nisma iu kundërvunë kësaj aleance për tre vjet rresht deri sa rrëzuan qeverinë e Isa Mustafës disa ditë më parë dhe fill mbas kësaj ata që ishin sharë e pështyrë krijuan aleancën më të pështirë ndonjë herë AAK-PDK-Nisma, si formacioni i krahut të luftës. James Rubin u ka lanë një porosi që po ia risjellim lexuesit me e kujtuar. Voal.ch që e ka mbështetur opozitën në Kosovë i bashkohet zhgënjimit të elektoratit që ka mbështetur këto forca politike.
Ja çfarë thotë Rubin në nëntorin e 2013:
Prishtinë, 23 nëntor – Është kthyer në Kosovën krenar që e ka ndihmuar këtë vend 14 vjet më parë, merita të mëdha i jep edhe miqve të tij të UÇK-së të cilëve u është mirënjohës për kontributin dhënë Kosovës. Por, sot më shumë se një dekadë nga përfundimi i luftës, ish-diplomati amerikan, James Rubin shpreson se duhet të vijë koha kur krahu i luftës do ta kuptojnë se është mirë të largohen nga pushteti derisa janë ende të popullarizuar dhe të mos presin derisa është shumë vonë.
Në intervistën dhënë gazetës “Zëri”, Rubin, rikujtojë sfidat në kohët më të rënda për Kosovën, flet për miqtë e tij të UÇK-së dhe kontributin që kanë dhënë gjatë luftës, por jep edhe mesazh të qartë për ata.
“Unë shpresoj që njerëzit të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj e kanë mençurinë të largohen sa janë në majë të suksesit të tyre”, ka thënë Rubin.
Rubin thotë se nuk dëshiron të jetë si diplomatët e dikurshëm të Departamentit të Shtetit kur kanë zgjedhur se me cilin krah të luftës duan të bashkëpunojnë, dhe se kosovarët nuk duhet pritur që ai të vijë e të tregojë se çfarë zgjedhje duhet bërë.
Ai kujtoi se gjatë luftës ka patur shtete evropiane të cilat e kritikonin ashpër Amerikën se po mbështet një vend që ka rrezik të bëhet një shtet radikal islamik.
Komentet